Rexhep Kasumaj, Lektyrë mbi kujtesën kombëtare…

 

Fragment nga libri i Atdhe Gecit, “Shqipëria është më e madhe se Shqipëria”.

Rexhep Kasumaj, Lektyrë mbi kujtesën kombëtare…

( Pak fjalë për Çamërinë e Atdheut )

Kam lexuar libra. Të ndryshëm. Nga biblioteka ime dhe të huazuar. Libra të sertë. Të bukur. Të zjarrtë me flakë shprese. E poaq të brishtë. Pastaj delikat si nektar në petale lulesh. Dhe proliks plot dhimbje e trishtim. Fundja, si vetë ngjyrat e jetës. E pra, libra letërsie. Romane, poezi. Mandej publicistikë. Filozofi. Shkrimtari nga fushëdija diplomatike e ndërkombëtare. Dhe histori gjithmonë. Ka ndodhur t’mos më pëlqejë ndonjë tyresh. Veçse jam ngulmëtar dhe librit i shkoi prorë deri në fund. Ndaj dhe nuk i kujtoj të gjithë. Ata që s’i kujtoj apo jo me qejf, janë libra që, si thotë Borgesi, autori nuk e kishte shkruar për mua. Ndërkaq ata që i kujtoj, i kujtoj përherë. Ndonjë fragment e mbaj fanar prehës apo dritë ndër valë të turbullisë. Dhe kështu, një nga librat që kujtoj paprerë është dhe Sundimtari i Machiavellit. E, në prolog të tij, sidomos fjalët drejtuar Princit: Lartmadhëri, i shkruan autori Niccolo, ju do keni rastin të mësoni në pak ditë atë që unë mësova tërë jetën…

Teksa evokoja këtë dedikim, thashë: ja edhe lexuesi i këtij libri do ketë rastin të mësojë në pak ditë atë që autori, poet e shkrimtar, Atdhe Geci mësoi një dhjetëvjetësh mbi Çamërinë: mbi këngën dhe vajin e saj!

Rexhep Kasumaj, Berlin, 2021

Shperndaje ne
Updated: 13 Prill, 2024 — 09:32

The Author

Atdhe Geci

Rrustem Geci është një poet i njohur. Ai u lind në Roganë të Dardanës. Mësimet e para i bëri në vendlindje, kurse shkollën e mesme e kreu në Gjilan dhe Dardanë. Rrusta u kulturua më tej në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik. Rrustem Geci 15 vjet ishte gazetar, në Radio Televizionin e Prishtinës. Ndërsa pas mbylljes së RTP-së nga regjimi fashistoid serbian ai mërgon në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton e vepron. Deri më tash ka shkruar dhe botuar 17 vepra; 1. “Demonstratat e luleve”, 2. “Antolologjia personale" 3. “Jeta në Letër”, 4. ”Mielli dhe uji”, 5. “Lirikë”, 6. “Dridhjet e barit”, 7. “Atdheu”, 8. ”Erdhëna”, 9. “Arbëreshët”, 10. “Shqipëria”, 11. “Trojet e mia” , 12. “Rogana”, 13. “Heroika”, 14. “Gacat e prushit”, 15. “Atdhetarët”, 16. “Pasha këtë tokë”, 17. “Kanuni poetik”, libri më i vëllimshëm në gjuhën shqipe me poezi, 2 mijë faqe, dhe mbi 23 mijë vargje. Motivet në poezinë e Gecit janë motive të zemrës dhe të shpirtit. Shndërrimi i jetës së jetuar në tekst poetik, është natyrshmëria e të qenit poet. Poezia përfiton shumë nga e bukura, nga dashuria. Rrustem Geci është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prej vitit 1995, dhe është i përfaqësuar në gjashtë Antologji me poezi, dhe në një Antologji për gazetari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.