Individualizmi i skajshëm

Një veti që pengon vlerat demokratike

 Fryma e bashkëpunimit, imperativë për shoqërinë demokratike

 Mr. Sc. Salihe Salihu-Abazi

E mërkure 19 Nëntore 2014

natyra_kosoves

Natyra individualiste

Individualizmi i skajshëm apo i tepërt nuk ka ndonjë element të përmbajtjes së demokracisë. Bile, bile, individualizmi i skajshëm është një veti shumë e rrezikshme dhe konsiderohet si gjendje e të robëruarit sipas teorisë së demokratike. Në shoqërinë tonë kosovare me keqardhje mund të konstatojmë se janë ngërthyer dy skajshmëritë, përveç individualizmit të skajshëm ka mbijetuar edhe kolektivizmi i skajshëm. Kolektivizmi i skajshëm është produkt i të kaluarës sonë nën sistemin komunist që çdo zë ndryshe apo çdo prirje e theksimit individual është konsideruar si përpjekje apo paraqitje disidente. Ky lloj kultivimi i kërcënimit ndaj individualizmit nga e kaluara është bartur nga breza e vjetër që janë edukuar në ish-sistemin nëpër të cilin ka kaluar shoqëria jonë dhe kultivimi i formës së menduarit ka mbijetuar edhe në ditët e sotme. Vetitë e këtij lloji mendësie vërehen qartazi edhe në mënyrën e zhvillimit të një bisede krejtësisht të lirë e pa protokoll. Bashkëbiseduesi me një mendësi të këtillë është i kapluar nga ndjenja që pohimet e tij janë të pakontestueshme dhe çdo mendësi tjetër është e papranueshme. Në këtë mënyrë përjashtohen të gjitha format e tjera faktike e argumentuese për të ndryshuar, korrigjuar apo përmirësuar mendimin. Fatkeqësisht, kjo formë e të menduarit është ende evidente në shoqërinë tonë dhe na shfaqet si relikt e së kaluarës jo fort të largët.

Tiparet e individualizmit

Në kontrast me kolektivizmin e skajshëm si fenomen goxha i përhapur është evident edhe individualizmi i skajshëm, që është kryekëput tendencë e shoqërisë kapitaliste. Në fakt individualizmi i skajshëm tek shoqëria jonë ka qenë i njohur edhe nga disa shprehje popullore kur është përshkruar karakteri i ndonjë personi apo shpeshherë kur kemi dëgjuar për ndonjë njeri që ka pasur tipare të individualizmit të tillë. Për persona me tipare të këtilla është thënë: “ai apo ajo e ka një rrem/damarë të bjeshkës apo ai apo ajo nuk mërzitet as për bajram beg”. Me këto thënie popullore ilustrohet më së miri se individualizmi i skajshëm ka ekzistuar edhe në trevat tona dhe është cilësuar si veti  jocivilizuese, ndonëse jo rrallëherë këto thënie në rrethana të rënda të vendit janë cilësuar edhe si cilësi e mosnënshtrimit ndaj okupatorit. Rreth karakterit individualist në vendet e tjera është shkruar që në filizat e demokracisë dhe ky fenomen ka mbijetuar deri te demokracia në epokën e post-modernes. Për atributet e këtij fenomenit i kemi hasur në përshkrimet Alexis de Tocqueville në paraqitjen e karaktereve të francezëve. Në librin e tij “The Old Regime and the French Revolution” pasqyrohen francezët me dominimin e një individualizmi të tepruar deri në skajshmëri. Ai, ndër të tjera, përshkruante paaftësitë e francezëve për të bërë kompromise dhe në mënyrë lucide përshkruante se si francezët nuk janë në gjendje apo nuk arrijnë të bashkoheshin më shumë se10-të persona as për çështje të rëndësishme me interes të përbashkët. Francezët deri në vigjilje të Revolucionit Francez ishin të prirë që të merreshin me çështje familjare dhe me jetën e tyre individuale dhe nuk shpreheshin ndonjë interesim për çështje e tjera shoqërore.

Në kontrast me atributet e francezëve paraqiten amerikanët, të cilët e luftonin këtë lloj individualizmi të skajshëm. Amerikanët u shquan për organizime vullnetare dhe etablimin e asociacioneve për të bashkëvepruar për çështje shoqërore. Këto asocione patën një shtrirje të gjerë në jetën shoqërore si në politikë ashtu edhe në sferat e tjera. Në fakt këto asocione funksionuan si “shkolla për shtetas” që kultivonin traditën e bashkëpunimit që përfundimisht u arrit duke u bartë bashkëpunim edhe në jetën publike, në institucionet e saj dhe në shoqërinë civile në tërësi. Përmes shkollave për shtetasit u kap një arritje e vlerave të reja demokratike. Shikuar nga ky këndvështrim parametrat e demokracisë dalin si prodhim dhe arritje, thënë ndryshe matja e demokracisë bëhet përmes cilësisë së prodhimit dhe arritjes së vlerave të civilizimit. Në një shoqëri demokratike me rëndësi jetike është se çka prodhon një shoqëri  apo çfarë civilizim arrin, e për këto kushtimisht kërkohet  bashkëpunim. 

Rrethanat në rastin e Kosovës

Aty ku nuk ekziston bashkëpunimi, aty nuk ka demokraci. Mësimi i formës dhe zhvillimit të bashkëpunimit mes individëve është çelësi i hapjes së dyerve të jetësimit të vlerave  demokratike. Pra, edhe në rrethanat e një zhvillimi të një shoqërie demokratike në rastin e Kosovës assesi nuk mund të lartësohet individualizmi i skajshëm, sepse e përjashton formën e debatimit apo shterjen e tij që ka për qëllim arritjen e mirëkuptimit apo bashkëpunimit. Qëllim i bashkëpunimit është të nxjerrë solucione e të hapë mundësi – ndoshta jo gjithherë solucion më e përkryerja – por që janë të pranueshme. Kjo formulë duhet të vlejë për çdo lloj çështje, si për atë private ashtu edhe për çështje shoqërore. Demokracia përmes debatit synon që të rritë bashkëpunimin në të gjitha nivelet, si atë lokal, rajonal, nacional e ndërkombëtar. Pa formë të bashkëpunimit nuk ka ecje në rrugën që shoqëria jonë po synon, rrugën e integrimeve në mënyrë demokratike dhe ruajtjen e paqes e stabilitetit. Kështu që kultura e individualizmit të skajshëm nuk është e leverdishme për asnjë shoqëri, e aq më pak për një shoqëri që sapo është konsoliduar me vlera të demokracisë. Është më se e njohur fakti që jetësimi i demokracisë së vërtetë ende është duke u zhvilluar. Zhvillimi i demokracisë kërkon kohë për të depërtuar në gjakun dhe mendjen e të gjithëve, prandaj ne si shoqëri nuk duhet lejuar që individualizmi i skajshëm të dominojë në kulturën e shoqërisë sonë dhe ta devijojë aspiratën tonë shekullore.

Njerëzit me individualizëm të skajshëm nuk mund të lejohen që të shkatërrojnë frymën e bashkëpunimit shoqëror, i cili është një imperativë për shoqëri demokratike.

Shperndaje ne
Updated: 20 Nëntor, 2014 — 20:58

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.