PAVARËSIA E SHQIPËRISË, NJË PROCES HISTORIK GJITHËPËRFSHIRËS

Mr.Sc. Nikollë Loka

Përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe pavarësi kombëtare kanë vazhduar gjatë gjithë periudhës së sundimit osman. Historia ka pasqyruar shumë ngjarje që e dëshmojnë këtë, duke filluar me kuvendet e famshme ndërkrahinore shqiptare dhe ato ndërballkanike të shekujve XV-XVI. Por në shekullin e fundit të sundimit osman, në historiografinë zyrtare shqiptare nuk na jepen ngjarje historike që dëshmojnë përpjekjet e popullit tonë për pavarësi, kur dihet se një rrymë e lëvizjes kombëtare shqiptare ishte shprehur që herët, të paktën që nga mesi i shekullit XIX për pavarësinë e vendit nga Perandoria Osmane. Ishte periudha kur në skenën historike lindën shtetet ballkanike, armiqësorë ndaj shqiptarëve, të cilët ishin të detyruar të zgjidhnin të keqen më të vogël. Në këto kushte, shumë intelektualë atdhetarë e shihnin Perandorinë Osmane si mjet për të frenuar lakmitë shoviniste të fqinjëve. Por kishte një rrymë atdhetare radikale që mendonte se shqiptarët duhet të paraqiteshin para botës si komb me shtetin e tyre dhe të përballeshin me fqinjët si të tillë. Në këtë grup bënin pjesë intelektualët arbëreshë dhe disa qarqe atdhetare brenda vendit. Përpjekja e parë shumëvjeçare e tyre u kurorëzua me Kuvendin e Fanit të 26 prillit 1911. Ishte hera e parë në historinë e Shqipërisë që krerët përfaqësues të disa krahinave të Shqipërisë së Veriut mblidhen në Kuvend dhe vendosin në emër të njerëzve që përfaqësojnë që ta deklarojnë “Shqipninë të lirë dhe të mosvarme”, dhe se “do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut derisa edhe ushtari i fundit pushtues të largohet nga Shqipnia”. Ishte hera e parë, pas pesëqind vjet robërie, që ngrihej solemnisht flamuri kombëtar dhe vendosej se ai flamur do t’u printe të gjithë shqiptarëve në luftë kundër pushtuesve osmanë. Me Kuvendin, Fani bëhej qendër e rëndësishme e nacionalizmit shqiptar. Vetë Terenc Toçi flet me respekt të veçantë për vendin e mbajtjes së Kuvendit. “Në Fanë, në zemër të Shqipërisë”, – siç shkruante Terenc Toçi, u shpalos pas një kuvendi krerësh flamuri i Skënderbeut”. Dihet se flamuri kombëtar publikisht është valëvitur në Deçiç të Malësisë së Madhe më 6 prill të vitit 1911 dhe në Kuvendin Ndërkrahinor të krerëve në Fanë të Mirditës, më 26 prill të vitit 1911, me një diferencë prej njëzet ditësh nga njëri-tjetri. Ngjarjet në Deçiç të Malësisë së Madhe dhe Bisakë të Mirditës patën një lidhje logjike midis tyre, ndonëse për shkak të rrethanave të krijuara, Terenc Toçi nuk e bëri publike aleancën me krerët e Malësisë së Madhe.

Kuvendi i Fanit ishte një akt historik në vazhdën e përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe pavarësi kombëtare, që u zhvillua me devizën: “Shqipëria e shqiptarëve”, në bazë të të cilit ishte thirrja për vëllazërim të shqiptarëve pa dallim feje dhe krahine. Edhe pse nuk mundi të mbijetojë si fakt madhor historik, ai i parapriu Kuvendit Kombëtar të Vlorës të datës 28 Nëntor 1912. Nuk njihet në historinë e shqiptarëve para atij Kuvendi, për pesëqind vjet rresht, që të jetë bërë një mbledhje, madje as edhe një mbledhje e thjeshtë, ku të jetë artikuluar ideja e pavarësisë kombëtare. Nuk ka një datë tjetër para 26 prillit të vitit 1911, që flamuri të jetë ngritur solemnisht, në një kuvend krerësh, pas një betimi për luftë deri në vdekje, për të realizuar “Shqypninë e shqyptarëve”, siç ndodhi në Fanë të Mirditës, prandaj krejt natyrshëm, Kuvendi i Fanit mund të konsiderohet si një ngjarje e rëndësishme historike, që shënoi një etapë të re në vetëdijësimin kombëtar të shqiptarëve në procesin e çlirimit të tyre nga zgjedha osmane.

Ky Kuvend nuk është një ngjarje rastësore e krijuar nga njerëz rastësorë. Ai u mbajt në një krahinë që kishte luftuar edhe dyqind vjet pas pushtimit të Shqipërisë nga osmanët, madje edhe pas pesëqind vjetësh nuk ishte shkelur kurrë nga pushtuesit.

Pjesëmarrësit në Kuvendin Ndërkrahinor të 26 prillit ishin krerët dhe bajraktarët e Mirditës, Shalës, Shoshit, Berishës, Thaçit, Thethit, Mërturit, Nikajve, Toplanës, intelektualë shkodranë dhe disa arbëreshë me në krye Terenc Toçin. Në mbështetje të tyre ishin krerë të njohur të malësive shqiptare si Isa Boletini i Mitrovicës, Sulejman Agë Batusha i Malësisë së Gjakovës, Osman Agë Berisha i Berishës, Beqir Halili i Krasniqes, Halit Brahimi i Gashit, Dedë Gjo Luli i Hotit, Zenel Shabani i Kastratit, Isuf Doda i Lurës e të tjerë. Ishte llogaritur që po të vinin ndihmat garibaldine në armë, fishekë dhe të holla, ushtria e Qeverisë së Përkohshme në fazat fillestare të veprimeve luftarake të arrinte në 60 mijë vetë, ndërkohë që drejtuesit e Qeverisë së Përkohshme kishin hyrë në lidhje me krerë të Shqipërisë së Jugut, duke marrë premtimin që kryengritja të shpërthente edhe atje. Pra vendi ndodhej në prag të kryengritjes së përgjithshme.

Dështimi i kësaj sipërmarrje kurajoze shqiptare ka lidhje me përplasjen e interesave midis dy fuqive të mëdha: Austro-Hungarisë dhe Italisë. Ndërkohë që këto dy shtete kishin nënshkruar një marrëveshje sipas së cilës asnjëra prej tyre nuk do të ndërhynte në çështjen shqiptare, në të vërtetë secila punonte për interesin e vet. Austro-Hungaria, përmes protektoratit të kultit, bënte presion për ruajtjen e gjendjes ekzistuese, ndërsa Italia shfrytëzonte ndjenjat atdhetare të arbëreshëve për të nxitur shqiptarët të ngriheshin dhe të kërkonin ndihmën e Italisë.

Bashkimi i Italisë përmes luftës së garibaldinëve ishte parë me simpati nga qarqet intelektuale arbëreshe, që kërkonin të veprohej në të njëjtën mënyrë për çlirimin e Shqipërisë. Nga ana tjetër, si pjesë e politikës lindore të tij, Kryeministri i Italisë, arbëreshi Françesko Krispi e pati orientuar politikën italiane jo drejt pushtimit të Shqipërisë prej Italisë, por në pengimin e ndonjë fuqie tjetër të madhe që të vendosej në trojet shqiptare, çka do të thoshte se Italia kishte hyrë në rivalitet me Austrinë dhe synonte në të njëjtën mënyrë si ajo, të kishte ndikim mbi shtetin shqiptar që do të krijohej.

Lidhjet e shqiptarëve katolikë me Italinë nuk ishin ndërprerë asnjëherë dhe Shkodra, si qendra e katolicizmit shqiptar, kishte mbetur porta e lidhjes së shqiptarëve me këtë vend dhe me Europën në tërësi. Shumë intelektualë katolikë ishin formuar në Itali dhe ndikoheshin nga zhvillimet atje. Ata e shihnin Italinë si mbështetëse për realizimin e aspiratave të tyre kombëtare. Ndër intelektualët shkodranë ishte pjekur mendimi se mund të ndiqej shembulli italian për një kryengritje të përgjithshme në Shqipëri. Ata e kishin evidentuar Mirditën si një lloj “Piemonti” shqiptar, që duke qenë vetë e lirë prej osmanëve do të mund ta fillonte e para luftën kundër tyre dhe pastaj kryengritja shqiptare do të zgjerohej në formën e rrathëve koncentrikë, duke përfshirë krahina të tjera. Pavarësisht se kryengritja e Mirditës ishte projektuar dhe organizuar dy herë nga intelektualët shkodranë në bashkëpunim me arbëreshët dhe kishte dështuar të dyja herët, ata e kishin pjekur mendimin se një sipërmarrje e tillë do të mund të ishte e suksesshme në kushtet e reja kur Perandoria Osmane në Ballkan po shkonte drejt fundit, veçse kërkohej bashkim i shqiptarëve nën një udhëheqje politike të vetme, organizim i mirë i forcave dhe ndihmë e mjaftueshme nga jashtë. Afrimi i Ricciotti Garibaldi-t me arbëreshët e krijoi momentin e duhur për ta projektuar kryengritjen shqiptare që duhet të fillonte në Mirditë. Për kryengritjen e re ishte punuar prej një kohe të gjatë. Ishin grumbulluar fonde në mes të arbëreshëve në Itali dhe në emigracion; ishin krijuar qendra rekrutimi të vullnetarëve dhe duket se faktori arbëresh ishte i gatshëm të vinte dhe të luftonte. Radhën e kishte faktori shqiptar, që vazhdonte të ishte i përçarë; luftohej në krahina të veçanta, pa program të qartë kombëtar dhe pa udhëheqje të përgjithshme kombëtare. Nga ana e tyre, arbëreshët do të sillnin në Shqipëri përvojën e organizimit të garibaldinëve, disa mijëra forca të stërvitura mirë, që do të përbënin bërthamën e forcave kryengritëse, armë, veshje dhe ushqime. Dhe në kohën kur Consiglio Albanese që udhëhiqej nga Garibaldi po mendonte për zbarkimin në Shqipëri, Terenc Toçi, një arbëresh që kishte vite në shërbim të çështjes shqiptare, pa qenë pjesëtar i këtij Këshilli dhe pa u takuar me Garibaldin, por me informacione të qarta për misionin e tij, i drejtohet Gjeneralit dhe e njofton se do të shkonte në Shqipëri për të mundësuar zbarkimin e garibaldinëve dhe organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Dhe pasi mori udhëzime nga Garibaldi, duke mos qenë formalisht i varur prej tij, Toçi erdhi në Shqipëri dhe iu vu punës për organizimin e kryengritjes.

Misioni i Terenc Toçit pati ndikim në ngjarjet e mëvonshme, pasi i tregoi klasës së atëhershme politike se kishte ardhur koha e një strategjie të përgjithshme kombëtare. Pavarësisht nga pengesat e shumta, duhet thënë se ai ia arriti synimit të tij: institucionalizimit të lëvizjes kombëtare shqiptare me një programin politik të qartë. I ndërgjegjshëm për vështirësitë, vetë Toçi nuk u zhgënjye nga situata në terren dhe ishte i vendosur për të ecur përpara. Ai, vite më vonë, e përmend me nostalgji dhe respekt atë periudhë, por si njeri realist nuk i mbivlerëson ngjarjet ku vetë ishte protagonist. Por as modestia normale prej atdhetari të formuar e treguar nga Terenc Toçi dhe as persekutimi që iu bë pjesëmarrësve shqiptarë të atyre ngjarjeve, nuk duhen parë si dobësi dhe të shërbejnë si argument se më 26 dhe 27 prill të vitit 1911 në Shqipëri nuk kishte ndodhur asgjë. Pavarësimi i kombeve, kushdo qofshin ato, nuk mund të jetë thjesht një akt që lind nga hiçi. Njëzetetetë Nëntori i vitit 1912 vjen pas një procesi të gjatë historik dhe ishte kurorëzimi përfundimtar i të gjitha përpjekjeve të shqiptarëve, të cilat duhet të vlerësohen. Futja e flamujve shqiptarë në vend, mbajtja e tyre nga atdhetarë dhe ngritja solemne e tyre në Deçiç të Malësisë së Madhe më 6 prill 1911, si dhe shpallja e Pavarësisë në një kuvend ndërkrahinor krerësh dhe krijimi i një Qeverie të Përkohshme tregojnë se lëvizja kombëtare shqiptare kishte hyrë në fazën e vetëdijësimit të plotë për pavarësimin e vendit. Ajo vetëdije e natyrshme e krerëve të malësive të vetëqeverisura shqiptare, në kushtet e reja historike, u përvetësua edhe nga krerë të tjerë, që e panë Pavarësinë si mjetin e vetëm të shpëtimit të kombit prej lakmive shoviniste fqinje.

Ngjarjet e Fanit dhe të Kimzës në të vërtetë nuk kishin kaluar pa lënë gjurmë në opinionin publik. Donat Kurti pati shkruar, një artikull me titull: “Flamuri që u ngrit në Kimëz në vitin 1911”, që u botua në revistën “Hylli i Dritës”, Nr. 11, viti 1937. Po kështu kemi shkrimin “Qeverija e Përteshme e Shkipjerisë, Gims 27.4.1911”, botuar në revistën “Leka” në vitin 1937. Po kjo revistë e përmend këtë ngjarje historike në shkrimin tjetër “Flamuri në Deçiç”., Leka Nr.6, qershuer 1937. Mbi këto ngjarje ndalet gjithashtu Justin Rrota në artikullin “Si e bombarduen malazezët Shkodrën”. Madje për ngjarjet historike të 26 dhe 27 prillit 1911, patën shkruar gazetat kryesore të Europës dhe Amerikës, falë edhe bashkëpunimit të vetë Terenc Toçit me shtypin dhe njohjes personale që kishte me disa drejtues gazetash të rëndësishme në Europë e Amerikë. Edhe pas viteve nëntëdhjetë, natyrisht, u fol edhe për këto ngjarje, më tepër duke i përmendur si fakte historike. Kështu Eqerem Bej Vlora, duke shkruar për historinë e flamurit shqiptar, jep edhe misionin e Terenc Toçit, shpalljen e “Pavarësisë” në Fanë dhe krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Kimzës. Më shumë në vlerat e këtyre ngjarjeve është ndalur studiuesi Mark Mesuli në librin “Një kullë në histori”. Po kështu, historiani i njohur Ramiz Abdyli, Rektor i Universitetit të Tetovës, në studimin dyvëllimësh me titull “Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1911-1912, libri i dytë”, botuar në vitin 2004, i jep kësaj ngjarje vendin e merituar, duke e trajtuar si nënçështje më vete. Ndërsa libri “Kuvendi i Fanit dhe pamundësia e Piemontit Shqiptar” i bën një trajtim më të hollësishëm këtyre ngjarjeve mbi bazën e materialeve arkivore shqiptare dhe të dhënave të studiuesve arbëreshë.

Pati përpjekje që këto ngjarje të përkujtohen. Në vitin 2006, për herë të parë pas nëntëdhjetë e pesë vjetësh, autoritetet lokale të Rrethit të Pukës organizuan një veprimtari jubilare. Përpjekjet e prof. dr. Aurel Plasarit për t’i dhënë dimension kombëtar këtyre ngjarjeve, me rastin e 100-vjetorit të tyre, nuk e dhanë rezultatin e dëshiruar për shkak të keqkuptimeve dhe debateve të pakuptueshme të vetë intelektualëve të këtyre trevave, dhe jo vetëm atyre, në lidhje me synimet e vërteta të Toçit dhe për rëndësinë e Kuvendit të Fanit dhe Qeverisë së Kimzës. Vetë Akademia e Shkencave, nëpërmes Institutit të Historisë e ka kaluar në gjysmë heshtje këtë ngjarje. Madje në veprimtarinë kushtuar 95-vjetorit, ky institucion pati dërguar një studiuese në Kimëz, e cila e konsideroi Kuvendin e Fanit dhe Qeverinë e Kimzës si “ngjarje lokale, që i bëjnë nder trevës dhe që ndihmuan në gjallërimin e veprimtarisë atdhetare në ato zona”, duke u kujdesur për të mos u dhënë atyre ngjarjeve asnjë dimension kombëtar.

Siç duket, si para njëqind e sa vjetësh, kur ideja e pavarësisë u gatua në mjedisin arbëresh, edhe tani, përkujtimi me dinjitet i atyre ngjarjeve që i paraprinë Kuvendit të Vlorës vjen si nismë e atij mjedisi. Dhe ndryshe nga studiuesit shqiptarë të ndikuar thellësisht nga politika e ditës, arbëreshi Fabbricatore nuk heshti para fakteve historike, duke na e dhënë ndihmesën e madhe të Terenc Toçit dhe të krerëve shqiptarë të Mirditës dhe Malësisë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë përmes një libri, ashtu siç njihej ajo në dokumentet arbëreshe. Hulumtimi nëpër dokumente në Arkivin e Shtetit në Tiranë ka nxjerrë në dritë veprimtarinë atdhetare të arbëreshit Terenc Toçi, krerëve të Malësive shqiptare dhe disa prej krerëve të nacionalizmit shqiptar që e mbështetën Qeverinë e Përkohshme, ndër ta Isa Boletini, Dedë Gjo Luli, Mehmet Shpendi, Sulejman Agë Batusha, e të tjerë.

Ja pra pse studimi dhe publikimi i ngjarjeve të Mirditës në vitin 1911, sidomos Kuvendit të Fanit dhe Mbledhjes së Kimzës ka rëndësi për t’u dhënë atyre pjesëmarrësve, vetë trevave të Malësisë dhe arbëreshëve të Italisë atë vlerësim që meritojnë. Përkujtimi me dinjitet i këtyre ngjarjeve të mëdha historike i bën nder vitit jubilar të 100-vjetorit dhe tregon se pavarësia shqiptare ishte kontribut i shumë brezave, shumë krahinave dhe shumë atdhetarëve. Njëzetetetë Nëntori historik është kurorëzimi përfundimtar i këtyre përpjekjeve.

 

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.