Përpjekjet e shqiptarëve për shkrimin e gjuhës shqipe dhe qëndrimi i Stambollit (I)

Gjuha_shqipe_Hasan_tahsiniHasan_bello_mShkruan: Hasan Bello

Materiali i mëposhtëm është shkëputur nga kujtimet e rilindasit Jani Vreto (1822-1900). Aty hidhet dritë mbi përpjkejet e intelektualëve shqiptar për shkrimin e gjuhës shqipe dhe zyrtarizimin e saj që në vitin 1867.

Por, si rezultat i ballafaqimit të dy rrymave brenda elitës politike të Perandorisë Osmane, njëra që i mbështeste këto përpjekje dhe tjetra që i trembej, kjo çështje nuk avancoi.

Gjithësesi duhet theksuar se viti 1867 shënoi siparin e organizimit të intelektualëve shqiptar për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Për herë të pare në këto kujtime, Jani Vreto, hedh dritë mbi perceptimin e lëvizjes kulturore shqiptare nga qeveria osmane. 


***
 Nevojën e përdorimit të një alfabeti të vetëm të përbashkët që të kish aq shkronja të thjeshta njëformëshe sa ka gjuha jonë shqipe zanore e bashkëtingëllore, e ndjenë në vitin 1867 njerëz të shquar të kombit tonë, që ndodheshin e banonin në Stamboll si Mustafa Pasha nga fshati Pojan i rrethit të Korçës, i quajtur Gjiritas (sepse ka qenë guvernator i Kretës për shumë vite) Sulejman Pasha dhe Seit beu prej Tirane, qytet i Ilirisë, Rustem Pasha prej Leskovikut qytet i Epirit, Kristaq Efendiu pres fshatit Qestorat të Gjirokastrës, Ismail beu, bir i Mahmud beut, vlonjat me kulturë të mirë, njohës i greqishtes, i frengjishtes, i anglishtes, i arabishtes, i persishtes, Pashko Vasa, katolik prej Shkodre që u bë guvernator i Libanit, me kulturë evropiane dhe zotërues i latinishtes, italishtes, frengjishtes dhe anglishtes, njohës dhe i turqushtes dhe i greqishtes dhe disa të tjerë si ligjëruesi Hasan Tahsini prej Filati, njeri me kulturë arabe, persiane, turke dhe franceze dhe Kostandin Kristoforidhi prej Elbasani, të cilin e përmendëm edhe më lart. Këta i përkasin tanimë brezit të kaluar sepse gjithë sa u përmendën, me përjashtim të Kristaq Efendiut dhe Ismail beut kanë vdekur.

Pra njerëzit e shquar të lartpërmendur, emrat e të cilëve një për një mi tha Kristoforidhi, filluan të mblidheshin në shtëpinë e Rustem Pashë Leskovikut, për t`u menduar bashkarisht për shkrimin e gjuhës së tyre. Qysh në fillim, që të mos keqinterpretohej çështja prej qeverisë turke dhe mbretit turk dhe që të mund të mblidheshin lirisht, u menduan dhe hartuan një relacion, në të cilin kërkonin lejën dhe të cilin ja drejtuan kryeministrit të atëhershëm Ali pashës, që shquhej si burrë shumë i mençur. Ali pasha i priti me mirësjellje ata që i dorëzuan kërkesën dhe mori pjesë në mbledhjet e tyre dhe i përkrahu.

Pastaj filluan të mendohen e të diskutojnë bashkarisht edhe për krijimin e një alfabeti për gjuhën e tyre. Në bisedimet e tyre të para shumica (meqë ishin të gjithë muhamedanë) deshte siç më ka thënë Kristoforidhi dhe Rustem pasha të përdorej alfabeti arab i plotësuar për të paraqitur gjithë tingujt e shqipes. Këtë gjë e kundërshtoi Ismail beu, duke thënë se alfabeti është krejt i papërshtatshëm për shkrimin e gjuhës sonë dhe kërkoi që për shkrimin e saj duhej plotësuar vetëm alfabeti grek ose latin. Me Ismail beun u bashkuan dhe Vasa me Kristoforidhin.

Kristaq Efendiu qëndronte asnjëanës, duke thënë se kjo çështje u përket atyre prej nesh që janë me kulturë dhe që merren me të d.m.th Hasan Tahsin efendisë, Ismail beut, Vasës dhe Kristoforidhit. Në këtë mënyrë u bindën dhe të parët. Për të kontribuar dhe ata në përfundimin me sukses të çështjes, shfaqën mendimin (për nevojën) e formimit të një kapitali në të holla për këtë punë me anë fushatash sipas mundësisë dhe pëlqimit të secilit. Në përputhje me pëlqimin që treguan vetë ata duke qenë të pasur dhe në përputhje me pëlqimin që treguan vetë ata duke qenë të pasur dhe në përputhje me me bindjen që kishin se do të kontribonin dhe miq të tyre të pasur e bashkëqytetarë të mirë që nuk ishin të pranishëm në mbledhje, shuma e kapitalit do të mund të arrinte në qindra mijë lira turke. Por Ismail beu u caktua guvernator dhe u urdhërua të shkonte në postin e tij.

Kështu i mbeti Hasan Tahsin efendiut, Vasës dhe Kristoforidhit të mblidheshin e të mendonin për punën e alfabetit, Hasan Tahsin efendiu ashtu si Theodhori prej Elbasanit dhe Naumi prej Vithkuqit donte me këmbëngulje që alfabeti të ishte me shkronja të reja, të ndryshme nga të gjitha ato që ekzistonin. Ai mendonte se mund të krijoheshin shkronja më të mira e më të lehta në të shkruar se ato të greqishtes dhe latinishtes. Por gjersa u mendua t`i përgatisë shkronjat e reja, kaloi e do të kalonte shumë kohë. Gjatë kësaj kohe (këtë punë) e mësuan të gjithë në Stamboll dhe gazetat që botoheshin atje filluan të shkruajnë se njerëz të shquar midis shqiptarëve po bëjnë mbledhje e po shkëmbejnë mendime për ta bërë të mundur shkrimin e gjuhës së tyre, duke patur përkrahjen dhe të kryeministrit Ali Pashës, se në mbledhje të këshillit ministror po shqyrtohet akordimi i lejes që të përdoret lirisht edhe shkrimi i gjuhës shqipe.

Kjo nuk u pëlqeu turqve dhe disa zyrtarëve turq. Siç më tregoi Rustem pasha at andërhynë tek Ali Pasha, i cili ju përgjigj kështu: “Atë që mendoni ju, vëllezër, nuk jam aq naiv që të mos e mendoj dhe unë, por dielli nuk mbulohet me shoshë: secili komb, të paktën në Evropë, e ka kuptuar tanimë se vetëm duke shkruar gjuhën e vet mund të ndriçohet dhe të dalë nga gjendja barbare e nga fatkeqësitë që rrjedhin prej saj.

Nuk ka shpresë për t`i asimiluar shqiptarët këtej e tutje me anë të forces, në një kohë kur midis tyre ka njerëz të fortë, që i kanë sytë të hapur. Po t`i ndalojmë, pra shqiptarët të shkruajnë gjuhën e tyre (këtë gjë etërit tanë , kur ishte koha, nuk menduan t`ua bënin as kombeve të tjerë të perandorisë në mënyrë që t`u ndalohej tani dhe këtyre) do të dalë sheshit se poi  shtypim më tepër se çdo popull tjetër shqiptarët, shumica e të cilëve morën fenë tonë dhe bëhen sinqerisht fli për ne. Shqiptarët që e mendojnë këtë tani, ndoshta janë të pakët, por (po t`ua ndalojmë të shkruajnë gjuhën e tyre) pas pak nuk do të ishte vështirë që simpatinë për ne të gjithë atyre shqiptarëve që kanë fe të njëjtë me ne (simpati që rrjedh prej fesë) ta shndërrojmë në antipati dhe urrejtje e armiqësi, sepse ndjenja e kombit, që është e pandryshueshme është shumë më e lartë dhe më e shenjtë se ajo e fesë, që ndryshon.

Në një kohë kur shqiptarët bashkohen dhe nga pësimit e njëjta që ua sjell ndalimi i shkrimit të gjuhës së tyre, gjë që është e keqe për ne, mendoj se pikërisht këtë presin të tjerët për të përfituar dhe po të veprojmë kështu (d.m.th po t`u ndalojmë të shkruajnë gjuhën) ne do të shpejtojmë të bëhet ajo që kemi frikë se mos bëhet, kurse po të sillemi me tolerance dhe po mos ua ndalojmë atyre një gjë, që të gjithë e quajnë fort të shenjtë dhe që e bën njeriun të ndryshojë nga kafshët e paarsyeshme, atëherë vërtet do ta bëjmë të mundur të bashkohen akoma më tepër të krishterë e myslimanë të një kombi e një gjuhe, pork y bashkim do të ishte në favorin tonë.

Nga bashkimi i fortë i njerëzve të të njëjtit komb varet më tepër ruajtja e dashurisë dhe e simpatisë për ne prej njerzve të një kombësie tjetër që kanë të njëjtën fe me ne, gjë që na sjell një përfitim të shumëfishtë. E para, shtimin e dashurisë dhe simpatisë për ne prej atyre që s`kanë të njëjtën kombësi, por që kanë të njëjtën fe me ne sepse nuk ua refuzojmë kërkesën për shkrimin e gjuhës së tyre; e dyta, zhdukjen e urrejtjes së fshehtë e të brendshme dhe të përbuzjes që kanë kundër nesh, si pushtues, të gjithë atyre, që kanë jo vetëm tjetër kombësi, por që njëkohësisht kanë dhe një fe tjetër sepse u lejojmë atyre një të mirë të përbashkët.

E treta, po të tregojmë dashuri dhe kujdes të barabartë edhe ndaj tyre, shtojmë dashurinë dhe simpatinë që kanë ata për ne, i bëjmë ta durojnë me kënaqësi nënshtrimin e tyre ndaj nesh, sundimin tonë. E katërta, që ka rëndësi më të madhe, është se vërtetë njerëzit që kanë fe të ndryshme i bashkon më fort në mënyrë të natyrshme gjaku dhe gjuha e përbashkët, por ky bashkim bëhet midis njerëzish që dallohen prej nesh nga kombësia e nga feja dhe njerëzish që kanë të njëjtën fe që kemi ne po që kanë të njëjtën kombësi edhe me ata që kanë fenë tonë dhe i kemi miq.

(Nga ana tjetër), këta ndahen prej grekëve, sllavëve e francezëve, me të cilët kanë të njëjtën fe, por janë të huaj nga kombësia dhe gjuhët e të cilëve i mësojnë si gjuhë të tyre dhe e rrjeshtojnë veten e tyre në atë komb, të cilit i mësojnë gjuhën. Kështu pra, duke qenë tolerantë, mund të bëjmë të na duan, ta largojnë e ta harrojnë urrejtjen dhe armiqësinë e shkaktuar prej pushtimit dhe të na konsiderojnë bashkështetas, kurse mbretin tonë, që ka si kombësinë dhe fenë, ta konsiderojnë si baba të përbashkët që tregon dashuri për ta. Kështu ata nuk do të dëshironin një sundimtar me kombësi të huaj e të panjohur, por vetëm një mbret që të kishte fenë e tyre. Kundërshtarët e tij u përgjigjën me sa vijon:

“Në qoftë se shqiptarët do të ishin të gjithë të krishterë, do të ishte e drejtë dhe në interesin tonë të bënim ashtu siç thua, që të ndaheshin prej atyre që kanë fe të njëjtë dhe fe tjetër. Por meqë më të shumtët prej tyre janë muhamedanë, të një feje me ne, të cilët nuk njohin kombe sipas racave dhe gjuhëve, por përbëjnë një komb bazë të fesë së tyre të përbashkët dhe meqë të krishterë e muhamedanë së bashku, ose më mirë të themi, muhamedanët kërkojnë leje zyrtare për të shkrojtur gjuhën e tyre (leje që asnjë nga shtetasit tanë nuk e ka kërkuar ndonjëherë, pore cën pa u penguar ashtu siç u gjend), kjo gjë e bën të mundur të ndahen prej nesh njerëz të huaj me ne edhe nga kombësia. Kështu ka për të ndodhur e kundërta nga sa thua ti dhe do të bëhet një fillim i keq për ne. Nga të gjitha racat që nënshtruan etërit tanë historia jonë na tregon se rezistencën më të madhe na e kanë bërë shqiptarët; gjer sa u nënshtruan, ata derdhën gjakun e dhjetra e dhjetra mijëra etërve tanë.

Vazhdon

 

Shperndaje ne

The Author

Hasan Bello

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.