Përpjekjet e shqiptarëve për shkrimin e gjuhës shqipe dhe qëndrimi i Stambollit (II)

Gjuha_shqipe_Hasan_tahsini

Hasan_bello_mShkruan Hasan Bello (Pjesa e dytë)

Edhe pasi i nënshtruam dhe u bënë më të shumtë muhamedanë e u ndanë fetarisht nga vëllezërit e tyre, po këta që kanë të njëjtën fe me ne, bënë shumë herë kryengritje kundër nesh.

Për të provuar këtë, le të përmendim kryengritjet e fundit të Ali Pashë Tepelenës, i cili u bë edhe aleat me kryengritësit grekë, të Mustafa bej Shkodranit dhe të Zylyftar Podës (të cilët ka akoma pleq prej nesh që i panë e luftuan për shtypjen e tyre), të Tafil Buzit e të Gjolekës në ditët tona, të malësorëve të panënshtruar (që quhen “malësorë” në gjuhën e tyre), të cilët ndodhen gjithmonë bile dhe tani në kryengritje. Të gjithë këta shqiptarë muhamedanë, ndonëse kanë ngritur krye kundër nesh, kundër turqve, mburren se janë turq. Kryengritjet e tyre nuk kanë qenë të përgjithshme, por të pjesshme.

Të tjerë shqiptarë muhamedanë ranë duke luftuar me besnikëri kundër vëllezërve të tyre kryengritës. Ushtritë e përbëra prej tyre kanë treguar në luftërat tonatrimëri të madhe dhe janë bërë fli sinqerisht, siç thua për ne. Ata duke qenë muhamedanë, d.m.th pjesëtarë të një kombi me ne turqit, studjojnë gjuhën arabe dhe persishte më mirë se ne, edhe gjuhën tonë, turqishten e mësojnë dhe kemi prej tyre mësues të dalluar në shkollën tonë të hirshme juridike mu këtu në kryeqytet, e cila quhet Sheri.

Edhe më të shumtët e gjykatësve të hirshëm, të cilët quhen kadinj dhe dërgohen në të gjithë shtetin, janë prej tyre. Prandaj ne e kundërshtojmë të drejtën që të shkruajnë gjuhën e tyre dhe të dallohen si komb më vete”. Në qoftë se nuk na intereson në kohën e sotshme, të dalë fjala se nga gjithë popujt që janë brenda shtetit tonë, vetëm shqiptarët i ndalojmë e i pengojmë të shkruajnë gjuhën e tyre, atëherë të paktën të mos i inkurajojmë, siç vepron ti, duke shkuar me gadishmëri edhe në mbledhjet e tyre.

Përsa u përket shqiptarëve të krishterë është mirë dhe në interesin tonë që t`i ndajmë siç thua, duke u ngjallur urrejtje kombëtare dhe antipati, nga ata popuj që kanë me ta fe të përbashkët e kombësi tjetër në mënyrë që të mos shërbejnë si pretekst për ndërhyrje nga ana e atyre popujve. Bile, ndoshta, nuk do të ishte e keqe e madhe po t`u bënim edhe ndonjë lëshim, edhe po të bëjmë pak sikur nuk shikojmë, por nuk duhet në asnjë mënyrë t`u japim leje zyrtarisht të shkruajnë gjuhën e tyre.

Dhe që të vijë kjo ndarje, duhet që qeveria jonë jo vetëm të bëjë sikur nuk i shikon fare shpërdorimet, shtypjet dhe padrejtësitë që bën kisha e madhe, siç e quajnë ata, greke, e cila është nën sovranitetin tonë, por edhe t`i inkurajojë e t`i ushqejë ato. E ashtuquajtura prej tyre kishë e madhe greke, si dhe të gjithë grekët, nuk duan që shqiptarët që kanë të njëjtën fe me ta të shkruajnë gjuhën e tyre (sikurse edhe ne nuk duhet të duam që ta shkruajnë ata shqiptarë që kanë të njëjtën fe me ne) sepse i konsiderojmë greke meqë mësojnë gjuhën greke si gjuhë të tyre dhe në këtë gjuhë e bëjnë meshën e kishës së tyre (sikurse ne duhet të konsiderojmë turq ata që kanë të njëjtën fe me ne, meqë studjojnë arabishten dhe persishten si gjuhë të tyre, me ndryshimin se të gjithë shqiptarët që janë në Shqipëri, të krishterë e myslimanë si dhe e ashtuquajtura kishë e madhe greke, janë nën sovranitetin tonë dhe jo nën sovranitetin e grekëve).

Nga ana tjetër edhe grekët duke u krijuar shqiptarëve të një feje me ta pengesa me anë të kishës së madhe greke dhe me anë intrigash të tjera për të mos e shkruajtur gjuhën e tyre, do të duket se bëjnë padrejtësi, se janë njerëz që duan t`i asimilojnë shqiptarët dhe të zhdukin kombësinë e tyre. Në këtë mënyrë shqiptarët e mençur do të kenë urrejtje dhe neveri kundër grekëve dhe do t`u lindë dëshira për të krijuar një kishë të tyre kombëtare, më vete.

Nga ana tjetër, grekët kanë për të fituar përbuzjen e të fuqishmëve të drejtë, që shikojnë e dëgjojnë. Përsa na përket neve, duke qenë sovran duhet herë t`i ndalojmë, herë të mos i ndalojmë ata që të shkruajnë gjuhën e tyre. Kur ne tregohemi indiferent që të rrënjoset urrejtja dhe përbuzja e shqiptarëve kundër grekëve, të cilët u krijojnë pengesa dhe kundër së ashtuquajturës kishë të madhe greke, kemi mundësi ta përligjim qëndrimin tonë me pretekstin e drejtë se ne nuk ndërhyjmë në çështje shpirtërore dhe fetare të huaja për ne; por kur të shikojmë se shqiptarët po avancojnë më tej për të realizuar aspiratat kombëtare, gjë që neve nuk na intereson, përsëri kemi mundësi që me pretekstin e drejtë t`i ndalojmë, duke thënë se mbrojmë regjimin status quo të kishës së madhe greke, të njohur që nga koha e pushtimit dhe prej vetë pushtuesit, sulltanit tonë dhe pasardhësve të tij.

Përsa i përket shqiptarëve myslimanë, ata duhet t`i largojmë nga ata që shkruajnë gjuhën e tyre dhe të kujedemi të hapim për ta shkolla turke në të gjithë fshatrat e të dërgojmë mësues të mirë që u mësojnë fëmijëve gjuhën turke dhe fenë. Dhe ata nga njerëzit e parisë që do të dyshohen se kanë pikëpamje kombëtare, qeveria duhet t`i dërgojë me shërbim larg atdheut, që ta ndjejnë ata dhe të tjerë, se si myslimanët dhe dënohen edhe u bëhet njëkohësisht bamirësi”.

  Këto mi tregoi konfidencialisht bashkëatdhetari im Rustem Pasha, i cili i kish mësuar prej një zyrtari turk, mik i tij i sinqertë. Ky i vajti kastile në shtëpi dhe i tha se duke pranuar që në shtëpin,, e tij të bëheshin mbledhje e bisedime të shqiptarëve për shkrimin e gjuhës së tyre dhe duke marrë pjesë në to, duhet të kishte mendjen e të trembej nga zemërimi i sulltanit. Këto poi  shkruaj pasi kanë kaluar gjashtëmbëdhjetë vjet nga vdekja e Rustem Pashës dhe nuk ka si të pësojë ndonjë të keqe, kurse unë larg në dhe të huaj jam një plak i vetëinternuar që s`kam pse të trembem.

Edhe miq të tjerë turq, si ai i Rustem Pashës, i këshilluan po në këtë mënyrë shqiptarët. Kështu pra Veziri Ali Pasha, ose sepse ndërroi mendje ose se u tremb, u tha shqiptarëve në mbledhje se për lëshimin e lejes mbretërore, duhej të bëhej një mbledhje e jashtëzakonshme e këshillit të lartë, kur të urdhëronte sulltani. Ata e kuptuan, u larguan dhe nuk u mblodhën më. Pasi u tërhoqën personat e parisë, Hasan Tahsini filloi të thërrasë në dhomën e vet në Stamboll (sipër Pashapususë që është një institucion i hirshëm, nga ata që në turqisht quhen medrese) të tjerë shqiptarë, për tu mbledhur dhe këmbyer mendime lidhur me shkrimin e gjuhës së tyre. Në disa nga mbledhjet e atjeshme mori pjesë dhe shkruesi i këtyre radhëve. Midis atyre që merrnin pjesë në mbledhje, muhamedanë ishin shumë, nga të cilët mesa mbaj mend ishin këta: Seit bej Tirana, Shefki effendi Gjirokastriti, Jahja nga Dinua nga Paramithia, Ibrahim beu, mjek prej Starove, Sami bej Frashëri, i cili mori pjesë në mbledhjet e fundit dhe Hasan Tahsini.

Të krishterë ishin: Vasë Shkodrani, katolik, elbasansi Kostandin Kristoforidhi, i cili në mbledhjet e fundit mungoi sepse ishte në atdhe dhe unë që po shkruaj, ortodoksë. Disa nga muhamedanët duke marrë fjalën të parët thanë: “Është më në interes të merret alfabeti arab dhe ka arsye të preferohet ai”, por Hasan Tahsini u përgjigj kështu: “Çështja për të cilën diskutojmë ka të bëjë me interesin shpirtëror të gjithë kombit tonë, domethënë me çështjen si të shkruhet më lehtë gjuha jonë dhe të përparojë dituria e të çlirohet kombi ynë nga turpi i gjendjes barbare dhe nga të këqijat që rrjedhin prej saj.

Këtu është fjala për një interes të tillë shpirtëror e të përgjithshëm, i cili është në shkallë të pakrahasueshme më i madh se interesi material, që nuk është në shkallë të barabartë i përgjithshëm. Gjuha jonë nuk mund të shkruhet me anë të alfabetit arab. Prova e madhe bindëse për këtë është fakti se ata midis shqiptarëve që e kanë mësuar gjuhën arabe, kur u shkruajnë familjeve të tyre, përdorin greqishten e re, të cilën nuk e dine mirë, meqë e kanë mësuar vetëm duke u shoqëruar me grekë. Ata e shkruajnë me alfabetin grek për shkak se shkrimi dhe leximi i shkronjave të tij është i lehtë.

Ngadonjëherë kur nuk e dine greqishten ……… ndonëse shkronjat e greqishtes nuk mjaftojnë për të paraqitur të gjithë tingujt e gjuhës sonë. Po të qe se gjuha jonë do të mund të shkruhej me shkronjat arabe, ata që i kanë mësuar në mejtepet, do t`i kishin përdorur, por edhe ata që shkruajnë ngadonjëherë diçka me këto shkronja pas disa orësh, nuk mund t`i lexojnë as vetë. Nuk duhet të preferojmë alfabetin arab për shkak se ne myslimanët ndërrojmë biblën e fesë sonë, kuranin, që është shkrojtur me gjuhën arabe. Le të mendojmë: profeti ynë Muhameti ishte arab, arabisht fliste dhe në gjuhën arabe u shkrojt kurani. Unë e kam mësuar gjuhën arabe dhe kuranin e kam lexuar shumë herë dhe e kam me vete.

Në të thuhet se perëndia nuk dërgoi asnjë misionar që të mos dinte gjuhën e popullit, të cilit i predikoi, se në çdo komb dërgoi misionarë të ndryshëm. Në kuran thuhet se vepër e mrekullueshme e perëndisë është krijimi i qiejve dhe i tokës si dhe i gjuhëve të shumta e të ndryshme (ashtu si dhe ngjyrat) që të mund të mësojnë të gjithë. Edhe shkrimet e shenjta që kanë ekzistuar para kuranit, Dhjata e profetëve të vjetër, origjinali i të cilit është shkruar në gjuhën hebraikeme shkronjat e hebraishtes dhe ungjilli i Jezu Krishtit, origjinali i të cilit është shkruar në gjuhën greke me shkronja greke, përmendi me respekt, janë quajtur e para biblël e rëndësishme dhe e dyta-dritëdhënëse.

Ja tek është kurani dhe në vendet ku thuhen këto kam vënë shenja. Merrini po të doni, ju që dini shkronja arabe dhe i lexoni vetë. Kështu pra kurani i quan të gjitha gjuhët të barabarta dhe alfabetet e tyre – të respektueshëm. Shpresa e ne myslimanëve është që të mësojmë gjuhën arabe ( punë që e bëjnë gjithë ata që kanë kohë dhe mundësi ) me qëllim që ta lexojnë kuranin në origjinal dhe tua thonë në gjuhën amtare atyre që nuk kanë kohë dhe mundësi ta mësojnë arabishten. Po në këtë përfundim u arrit për këtë çështje edhe në mbledhjet e para që u bënë para pak viteve”.

Ata që kishin propozuar këtë (domethënë përdorimin e alfabetit arab) duke e çuar Hasan Tahsinin për kulturën e tij dhe pleqërinë dhe duke respektuar fjalët e tij u bindën dhe nuk kundërshtuan më.

Pas Hasan Tahsinit, e mori fjalën Pashko Vasa që tha: “Evropianët janë njerëzit që më të ditur. Ata të gjithë i shkruajnë gjuhët e tyre me alfabetin latin. Paraqitja e sipas kësaj mënyre e tingujve të thjeshtë të tepërt u bë sistem i njohur mha të gjithë dhe tanimë është sanksionuar. Po kështu edhe ne shqiptarët duke qenë evropianë, mund të marrim alfabetin e mirë dhe të bukur latin, le t`i shkruajmë me dy shkronja sipas sistemit të sanksionuar të evropianëve. Biles një pjesë e shqiptarëve katolikë e kanë përdorur alfabetin latin dhe kanë qindra vite që shkruajnë me të siç dëshmojnë librat që ruhen e që janë “Katekizma” e Pjetër Budit dhe “Fjalimet kishtare” e Pjetër Bogdanit.

Prandaj duhet që edhe pjesët e tjera të kombit-ortodoksët dhe muhamedanët, të përdorin alfabetin latin, që shkrimi i gjuhës sonë të bëhet në një mënyrë nga të gjithë. Përveç kësaj duhet ditur se po të marrim alfabetin latin sikurse evropianët, ata prej nesh që shkruajnë libra do të mund t`i shtypin shkrimet e tyre me lehtësi në shtypshkronjat latine që ekzistojnë në të gjitha qytetet e Evropës. Ndërsa mendojmë e diskutojmë për të shpikur shkronja të reja për shkrimin e gjuhës sonë koha po kalon. Pastaj edhe kur të kemi vendosur më në fund të pranojmë ndonjë lloj shkronjash të reja, të shëmtuara të panjohura do të shpenzonim jo pak të holla për t`i përgatitur ato dhe për të krijuar shtypshkronja me të tilla shkronja e njëkohësisht edhe me shkronja latine, greke e turke (sepse kemi nevojë dhe për këto gjuhë).

Kështu shkrimtarët nuk do të kenë mundësi t`i shtypin veprat e tyre me lehtësi. Prandaj le të mos humbasim kohë duke vrarë mendjen e duke diskutuar pëe shkronja të reja, por le t`i japim fund diskutimit tonë duke pranuar që të gjithë të marrim alfabetin latin për shkrimin e gjuhës sonë dhe tingujt e tepërt të saj t`i shkruajmë me dy shkronja, sipas sistemit të sanksionuar të evropianëve të ditur. Dhe me që jemi evropianë është mirë të mos ndahemi nga kombet evropiane duke përdorur një alphabet tjetër të gjuhës sonë, por të përfshihemi edhe me anë të alfabetit në grupin e kombeve evropianë, që të mund të lexojmë edhe ne pa mundim veprat e tyre dhe ata veprat tona. Dobia që do të na sjellë kjo gjë ska për të qenë e vogël.

Të lartpërmendurit ju përgjigj shkruesi i këtyre radhëve: “Sot evropianët janë fort të ditur në të gjitha shkencat dhe i adhurojmë, por alfabetin e tyre e kanë krijuar dijetarët latinë. Alfabeti i tyre është alfabet latin gjë që edhe ti vetë e pranon, kur thua se të gjithë ata gjuhët e tyre i shkruajnë me alfabetin latin. Dijetarët e parë (që krijuan alfabetin) janë grekët, të cilët morën alfabetin finikas dhe ja përshtatën nevojave të gjuhës së tyre.

Evropianët, që ecën në gjurmët e grekëve e të latinëve dhe që përparuan në shkencat e u bënë më të ditur se ata, duke përdorur alfabetin latin për të shkruar gjuhët e tyre, tingujt e thjeshtë e të pandarë që kishin më tepër në gjuhët e tyre, i shkruajnë, siç thua edhe ti dhe siç duket puna vetiu me dy shkronja të të njëjtit alfabet. Por kjo jo vetëm që nuk duket aspak e urtë, por është diametralisht e kundërt me arsyen e njeriut. Sepse siç mund të ndodhë që dy shkronja, çdo njëra nga të cilat paraqit vetëm një tingull të thjeshtë (bashkimi i të cilave kishte për të qenë bashkim id y tingujve të thjeshtë të ndryshëm), të paraqitin dhe një tingull të thjeshtë të pandarë të tretë?

Pjesa e parë

 

Shperndaje ne

The Author

Hasan Bello

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.