Propagandë folklorike për të shmangur vëmendjen nga problemet e brendshme të dy shteteve shqiptare

hartaere_ja

Skender_MulliqiShkruan: Skënder Mulliqi 

Mbledhja e dy qeverive te Kosovës dhe të Shqipërisë, në Pallatin e Kongreseve ne Tirane, ku ishin tubuar dy delegacionet qeveritare, ishte vetëm një reklamë e mirë për Qeverinë e Kosovës dhe Qeverinë e Shqipërisë. Kjo ishte mbledhja e dytë e përbashkët pas asaj në Prizren. Si nuk solli asgjë tubimi i dy qeverive ne Prizren, sigurisht se as tubimi në Tiranë nuk do t’u sjellë shqiptarëve diçka të hajrit. Të gjithë pamë vetëm një dekor më shumë folkloristik, llafe me bollëk, u nënshkruan edhe shtatë pika të bashkëpunimit të ndërsjella që vështirë të besohet se do të realizohen. Vështirë të besohet që nga ky tubim me shumë ceremonial do të dalë diçka e mirë, kur edhe Kosova edhe Shqipëria janë të mbërthyera në krim të organizuar dhe në korrupsion. Slogani folkloristik sa për t’u qitë hi syve njerëzve të lodhur ekonomikisht ‘Një tokë, një popull , një ëndërr’ nuk do të nxjerrë asgjë të hajrit. Me llafe boshe njeriu i Kosovës dhe njeriu i Shqipërisë kanë bërë qef tepër. Patriotizmi matet me vepra te mira, jo me simbolika te patriotizmit primitiv.

Gjermanët kurrë nuk do të kishin këtë zhvillim ekonomik po mos të kishin punuar shumë. Ata u ngriten si feniksi mbi gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore që shtetin gjerman e gjeti të shkatërruar më themel. Kështu ndodhi edhe në Kosovë, kur regjimet kriminale te ndryshme deri te krimineli Millosheviq shkaterruan çdo gje dhe çdo vlerë kombëtare të shqiptarëve në tokën e vet. Ne gjithçka filluam mirë pas përfundimit të luftës, por nuk vonoi shumë dhe me krim të organizuar e korrupsion të niveleve te larta për një shtet të vogël siç është Kosova, ia falëm dreqit. 1500 vrasje të pasluftës e disa prej tyre edhe me motive politike, pastaj  privatizimi i keq vetëm në leverdi  të pushtetarëve, zhvatja, plaçkitja e pronës shoqërore, përvetësimi i objekteve të ndryshme shoqërore, hajnit e llojeve te ndryshme e shumëçka tjetër, e prunë gjendjen  buzë greminës sociale, por edhe e keqësuan gjendjen edhe ashtu hiç të mirë politike, kur dihet se për gjithçka i lëshuam pe Serbisë gjenocidiale gjatë bisedimeve here teknike, here politike qe u mbajtën deri me tash. Me këto bisedime te pakushtëzuara kemi ardhur në situatë që minoriteti serb të ketë kompetenca vendimmarrëse me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Takimet ceremoniale na duhen vetëm atëherë kur të punojmë shumë si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Të punojmë në zhvillimin e ecurive ekonomike që kanë ngecje tepër të mëdha. Edi Rama dhe Isa Mustafa më mirë do të ishte që ta intensifikojnë punën në zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, sesa të bëjnë manovrime që pikërisht me kësolloj takimesh të synojnë largimin e vëmendjes nga problemet madhore me të cilat po përballen qytetaret si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Kosova gati krejt pas luften nuk u qeveris ashtu si duhet. Nuk u ndal krimi i organizuar dhe as korrupsioni. Vendi po përballet me gjendje të rëndë sociale dhe ekonomike, ashtu edhe me gjendje jo të mirë politike.

Ishim dëshmitarë të lojërave politike jo parimore për 6 muaj radhazi. Jemi dëshmitare se nga pakënaqësitë e akumuluara patëm protesta dhe greva. Patem protesta edhe te karakterit politik pas deklaratës shumë fyese të çetnikut Jabllanoviq karshi nënave shqiptare. Thënë shkurt Kosova ka mbetur me gjithçka vendi më i varfër, dhe më i izoluari në Evropë, më shumë për fajin e kësaj kaste të papërgjegjshme politike, e cila punoi më shumë për realizimin e interesave personale, sesa për realizimin e interesave të përgjithshme. Edi Rama në anën tjetër kurrë nuk ka qenë njeri i cili ka punuar dhe punon si duhet për shtetin e vet. Ai është abuzuesi kryesor karshi shtetit shqiptar, bashkë me kryeparlamentarin Ilir Meta, të cilët në vend që drejtësia shqiptare t’i vërë prapa grilave si kryeprotagonistë të të gjitha të keqijave në Shqipëri, burgosën deputetë që paten guximin të flasin haptazi për pislleqët e tyre.

Pinjollet e ish-sistemit komunist nuk e kanë harruar zanatin e vjetër karshi lojërave të pista që i dinë vetem komunistet. Rama fle në një shtrat me krimin dhe ka dështuar në pjesën e parë të mandatit të tij si kryeminister i Shqipërisë. Ai ishte dashur pikërisht si kryeminister qe është të punojë për së mbari, e jo të bëhët model për të keq. Ai që njëherë ka abuzuar me shtetin, kurrë nuk përmirësohet. Kurrfare shou dramatiko-historik nuk u duhet shqiptarëve. Shqiptarëve u duhet mirëqenie shumë më e madhe, hapje e vendeve te punës, lidhje tregtare dhe biznesore,  lidhjet kulturore të ndërsjella etj. Kur të gjitha këto ndodhin, atëherë mund të flasim se më shume se gjysma e punës është arritur edhe në planin e bashkimit kombëtar, që është synim i kahmotshëm i shqiptarëve kudo në botë.

Shfaqjet teatrale të Ramës nuk na hyjnë në funksion për asgjë, përveç atyre që një gjë e tillë u shkon për shtat në tendencën për të manipuluar popullin. Premtimet e dhëna sigurisht që e kanë me lehtë t’i zëvendësojnë me simbole dhe aktrime të mira. Edhe slogani i paraqitur në tubimin e dy qeverive përmban ne vetvete fjalë të mëdha e punë të vogla. Kosova dhe Shqipëria aktuale janë duke ecur mbi binarë të krimit dhe korrupsionit që nuk flet mirë për të ardhmen tonë.

Sigurisht se më këto garnitura pushtetore nuk do ta kemi vendin ne Evropën e Bashkuar, siç po e fajëson Evropën pa te drejte shpesh Edi Rama. Qeverinë e Edi Ramës po e përcjellin skandale pas skandali dhe kjo është shumë shqetësuese. Kur kupola e krimit gjendet lart në pushtet, nuk kemi se si të presim që të bëhet mirë. Ndërkombëtarët veç kanë filluar ta humbin durimin duke i kritikuar çdo ditë Qeverinë në Prishtinë dhe Qeverinë në Tiranë se nuk po luftohet krimi dhe korrupsioni.

Një zgjim tjetër kombëtar sigurisht ishte dashur të ndodhë, sepse trojeve shqiptare po u kanoset rreziku nga lakmitarët për pushtet absolut …

Shperndaje ne
Updated: 29 Mars, 2015 — 14:48

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.