Bomba e Ramës dhe bashkimi i shqiptarëve në Evropë

Rama_01

mehmt_latifiShkruan: Mehmet Latifi

Në këtë kohë të krizave të përgjithshme që kanë përfshirë Maqedoninë, duke filluar nga kriza politike që ka filluar që nga koha pas zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe është në rritje e sipër me shpalosjen e të ashtuquajturave “Bombat e Zaevit” për veprimtaritë kriminale të zyrtarëve qeveritar në bashkëpunim me DSK-në, nuk rresht refreni i nja “gramafoni të prishur” se shqiptarët synim e kanë bashkimin e tyre në Evropën e bashkuar, në atë Europë që gjithmonë e kemi quajtur dhe e quajmë “Shtrigë e vjetër”.

Kësaj kohe të krizave, kryeministrit shqiptar Edi Rama,  i dhezi kandili dhe deklaroi se Shqipëria dhe Kosova mund të bashkohen pavarësisht nga BE-ja!

Ishte kjo për opinionin e sidomos shqiptar “bombë e ëmbël”, bombë që ashpër u kundërshtua nga zyrtar dhe qeveritar të fqinjësisë së afër e të largët-sidomos reagimi i ashpër i Serbisë- edhe pse disa prej tyre akoma nuk janë deklaruar por presin zhvillimet e mëtejme për tu përcaktuar se nga do tia mbajnë. 

Deklarata e kryeministrit shqiptar Edi Rama të cilën po e citoj si deklaratë integrale është si vijon: “Unë besoj që ka dy mënyra për ta kuptuar këtë. Njëra mënyrë është mënyra tradicionale e bashkimit kombëtar, me ato hartat e vizioneve nacionaliste dhe romantike të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, dhe mënyra tjetër është që të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që na jep sot paqja, për t’i bashkuar realisht shqiptarët në ndërveprimet e tyre, që në nivelin individual deri në nivelin më të lartë shtetëror, nga ekonomia në arsim, nga energjia në turizëm, nga bujqësia në tregti, në infrastrukturë e kështu me radhë. 

Dhe për ta kthyer kufirin në një konvencion që nuk na pengon të përjetojmë një hapësirë të përbashkët, si një hapësirë unikë dhe po ashtu për ta avancuar procesin e integrimit në një formë të tillë që gjithë shqiptarët në rajon të jenë pjesë e BE-së dhe si të tillë të ndihen më të mbrojtur, të ndihen më të sigurt dhe të ndihen dinjitozë, në mënyrë të barabartë…

Në vazhdim të deklaratës thuhet: “Besoj që duhet thënë edhe diçka tjetër, që bashkimi ynë, dhe nëse duam ta themi edhe më shkoqur, bashkimi i shqiptarëve te Shqipërisë dhe Kosovës, pasi këta në fakt janë shqiptarët që jetojnë në dy shtete shqiptare dhe nuk flasim për tjerët, që janë në shtetet tjera është i pashmangshëm dhe i pa diskutueshëm. 

Pyetja është si do të ndodhë, a do ndodhë në funksion të Bashkimit Evropian, si një proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë, apo do të ndodhë si një reagim ndaj një verbërie apo një përtacie evropiane, për të kuptuar që vetë Evropa duhet të ndryshojë qasje ndaj vetvetes, duke u kthyer nga një fuqi, që gjithmonë e më shumë është e varur nga taktika e ditës, në një fuqi strategjike. 

Një Evropë strategjike do të kërkonte që Ballkani të ishte njohur më parë si pjesë e saj, dhe që normalisht, pastaj, të gjitha etnitë në Ballkan të kishin lehtësi në të qenit së bashku, pa pasur nevojë që të  merreshin me kufijtë ndërkohë që një Evropë verbërisht taktike dhe në vijim do të bënte që të triumfonte me patjetër dhe pa asnjë mundësi të dytë linja e një bashkimi përsëri në funksion të një Evrope të ardhme, por në radhë të parë të një funksion në ditët e sotme ku shqiptarët nuk do ta pranon për një kohë të gjatë këtë historinë tërhiqe mos e këput te Evropës dhe këtë qasjen tërhiqe mos e këput me njëri – tjetrin”.  

Deri më tani, “gramafonat e prishur” na i kanë shurdhuar veshët dhe na kanë shitur mjegull e na kanë mbytur me Evropën e Bashkuar! Na kanë mbytë me atë Evropë që vazhdimisht e kanë quajtur dhe e quajnë “Shtrigë e vjetër”!  Na kanë mbytë dhe vazhdojnë të na mbysin e të na shesin mjegull me Evropën e Bashkuar që historikisht është dëshmuar se nuk i ka dashtë kurrë shqiptarët e bashkuar dhe pikërisht për këtë është angazhuar maksimalisht në copëtimin e tokave dhe popullatës –kombit shqiptar. Kjo më së miri mund të shihet në aspektin gjeografik dhe politik, sepse shqiptarët janë shpërndarë në 5 shtete, mbase më keq se kundërt. 

Për dallim nga sjellja e Evropës ndaj shqiptarëve, shqiptarët gjithnjë e kanë dashur Evropën,  Ndërkaq, shqiptarët ka të ngjarë që edhe e kanë dashtë Evropën e Bashkuar, por edhe e duan të bashkuar. Shqiptarët e duan Evropën në rend të parë për shkak të botëkuptimeve perëndimore, që Evropa kurrë nuk e ka vlerësua këtë fakt, por vazhdimisht i ka lënë që të “kontrollohen” nga Lindja…

Vazhdimisht gjatë një periudhe kohore na shesin “dushk për gogla” se janë kujdestarët tanë për të hyrë në Evropë, që nesër të stolisen me kurora dafinash se ata kushto qofshin na qenkan meritorët dhe largpamësit që shqiptarët të orientohen dhe të hynë në Evropën e Bashkuar. 

Se shqiptarët e kanë dashtë dhe vazhdimisht kanë synuar Evropën-perëndimin e jo Moskën, lindjen ose orientin mjafton të përmendim të Madhin Skënderbe, i cili kërkoi emisar nga Roma-nga Vatikani. Të njëjtën gjë e kërkoi edhe Fan Noli edhe pse ishte kryepeshkop ortodoks, ai kërkoi 500 emisar nga Vatikani e jo nga Moska ose nga Konstantinopoja-Stambolli! 

Ti kthehem Evropës së bashkuar, ku sipas trumbetuesve që në pamundësi që shqiptarët të bashkohen në një shtet të vetëm, do të bashkohen në atë Evropën e bashkuar, ekzistojnë disa dilema të përgjithshme. 

Unë jam mbase pak i “prapambetur” dhe mbase nuk jam aq “evropian” sa disa shqiptar që veten e quajnë “evropian me profesion”,  por jam vetëm shqiptar! Këtë e them sepse përkundër intencës dhe përpjekjeve për të na i “kripur trutë”  me idealet dhe aspiratat evropiane të shqiptarëve, mendoj se shqiptarët janë në Evropë edhe gjeografikisht, edhe politikisht edhe de facto edhe de jure, mirëpo disa “më të mençëm” po na tregojnë se çfarë do të thotë Evropa e bashkuar për shqiptarët, ku të gjithë popujt e Evropës do të jemi të barabartë!!! 

Kjo që të gjithë popujt në Evropën e bashkuar do të jenë të barabartë po më rikujton një parullë që mbase rinia e sotme nuk e mbajnë në mend, por gjeneratat e mia e kanë të njohur që thoshte: “Proletar të gjithë botës bashkohuni” dhe të ngjashme!

Jam pak i “prapambetur” dhe më shkon mendja nganjëherë për këto bashkime evropiane që po na i servojnë idealistët e sponsorizuar evropian, pa dhënë disa sqarime paksa më të shtjelluara dhe më të hollësishme siç janë:

1. Sa është afatzgjatja-jetëgjatësia e Evropës së bashkuar?

2. Cilat janë kriteret e përfshirjes-anëtarësimit në Evropën e bashkuar?

3. Kriteret ekonomike…?

4. Kriteret sociale…?

5. Kriteret kulturore…?

6. Kriteret kombëtare…? , apo ka edhe kritere tjera, kur pikërisht ka tentative të vendeve anëtare të Evropës së bashkuar që duan ta braktisin këtë Evropë të bashkuar.

7. Kriteret e sigurisë dhe  mbrojtjes…? 

8. Sa janë shqiptarët tani për tani të përgatitur dhe të informuar për këtë bashkim të tyre në Evropën e bashkuar?

Shqiptarët mendoj unë kështu i “prapambetur” duhet në rend të parë të bashkohen brendapërbrenda vetvetes, të bashkohen në një shtet të vetëm, që ashtu të bashkuar të konkurrojnë në Evropën e bashkuar, ashtu siç vepruan gjermanët- apo mos vallë gjermanët janë më budallenj se ne shqiptarët?

Së dyti, historikisht dihet se asnjë perandori, organizatë, asnjë asociacion apo pakt nuk ka qënë dhe nuk është i përjetshëm ndaj kjo më shtyn  me të drejtë të shprehë skepticizmin tim edhe këtu, se, nëse vjen deri tek zhbërja-shkatërrimi i kësaj Evrope të bashkuar, si do të veprojnë dhe ku do të shkojnë shqiptarët e përçarë e të ndarë?

Në mënyrë hipotetike po e them-se edhe bashkimi i shqiptarëve në Evropën e bashkuar është hipotekë-   një rast të tillë, francezët do të kthehen në Francën e tyre, spanjollët në Spanjën e tyre, gjermanët në Gjermaninë e tyre paraprakisht të bashkuar, holandezët në Holandën e tyre. Në këtë rast edhe serbët do të kthehen  në Serbinë e tyre, bullgarët në Bullgarinë e tyre, rumunët në Rumaninë e tyre,…po shqiptarët ku do të kthehen?  Shqiptarët a do të kthehen përsëri në Shqipëri…?…në Kosovë…?… në Mal të Zi…? në Çamëri…? në Maqedoni…?, në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë..? apo ku do të kthehen nga Evropa e dikurshme e bashkuar???

Prandaj jam ithtar i bashkimit brendapërbrenda trungut shqiptar dhe pastaj bashkimi me të gjithë të tjerët në Evropën e bashkuar, sepse asnjë shtet evropian nuk i ka specifikat e popullit shqiptar duke “faleminderuar” pikërisht asaj Evrope që po duan emisarët me na orientua, thotë njeriu se asnjë shqiptar tjetër pos atyre 10-15 vetave  nuk qenka i vetëdijshëm se cili opsion është më i mirë për të ardhmen e shqiptarëve. 

Prandaj e mbështes fuqishëm nismën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën pavarësisht nga BE-ja, me një kusht që kjo deklaratë të mos jetë deklaratë sa për të na shitur mjegull, por dhashtë i Madhi Zot të jetë deklaratë që të jetësohet dhe jetësimi i sajë të rezulton edhe me bashkimin e trojeve tjera shqiptare, që shqiptarët të konkurrojnë të bashkuar në Evropën e bashkuar. 

Shperndaje ne

The Author

Mehmet Latifi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.