SHH “Medvegja”: Ju lutemi, na ndihmoni sot ta shpëtojmë Medvegjën

AIPTEK

Serbët erdhën aty si kolonë gjatë viteve 1877/78 dhe e zunë pjesën më të madhe të Medvegjës, kur u dëbuan shqiptarët nga Sanxhaku i Nishit. Partizanët jugosllavë, pasi e morën Medvegjën në vitin 1944, vranë rreth 200 banorë.

Shoqata Humanitare «Medvegja» në Zvicër, si subjekti i parë i organizuar i shqiptarëve të Medvegjës, duke e pasur parasysh gjendjen e përgjithshme aktuale në vendlindje, pozitën diskriminuese të bashkvendësve që jetojnë atje, gjendjen e rëndë të të shpërngulurve me dhunë nga vatrat e tyre shekullore pas disfatës politiko-ushtarake të Serbisë në Kosovë, situatën e akumuluar vite me radhe, si dhe gjendjen e krijuar javëve të fundit dhe rrezikut që po u kanosetbanorëve autoktonë të kësaj toke të bekuar, del për opinionin e gjerë me këtë:

Apel për shpëtim-Sos Medvegja, Medvegja, problem gjithëkombëtar

Shoqata Humanitare «Medvegja» në Zvicër, si subjekti i parë i organizuar i shqiptarëve të Medvegjës, shpreh brengosjen e saj të thellë lidhur me gjendjen aktuale në vendlindje dhe i bënë thirrje në radhë të parë popullit martir autokton të Medvegjës dhe përfaqësuesve politikë të kësaj treve që të jenë të bashkuar rreth idealeve dhe interesave të kombit. Shoqata fton edhe të shpërngulurit në Kosovë e më gjerë, përfaqësuesit dhe popullatën e Luginës, institucionet dhe popullin vëlla të Kosovës, të Shqipërisë, shqiptarët në Maqedoni e në Mal të Zi, bashkatdhetarët tanë kudo nëpër botë, faktorin ndërkombëtar, në krye me SHBA-në, që ta ngrenë zërin e tyre dhe me veprime urgjente ta shpëtojnë substancën autoktone në Medvegjë nga shfarosja dhe çrrënjosja definitive prej vatrave shekullore.

Komuna e Medvegjës me një territor prej 524 km2, duke u kufizuar në veriperëndim me komunën e Bojnikut, në verilindje me komunën e Lebanës, në jug me komunën e Dardanes, në jugperëndim me komunën e Prishtinës dhe në perëndim me Komunën e Kurshumlisë dhe komunën e Besianës, është një vend që ka qenë e banuar nga fisi ilir i Dardanëve në lashtësi, si dhe me rrënojat arkitektonike që datojnë që nga shekulli IV i epokës së re, përreth qytetit, kur ishte pjesë e Perandorisë Romake me emrin Idimum, dëshmon qartë se ishte dhe është tokë e bekuar shqiptare.

Serbët erdhën aty si kolonë gjatë viteve 1877/78 dhe e zunë pjesën më të madhe të Medvegjës, kur u dëbuan shqiptarët nga Sanxhaku i Nishit. Partizanët jugosllavë, pasi e morën Medvegjën në vitin 1944, vranë rreth 200 banorë. Kurse pas luftës së dytë Botërore dhe instalimit të komunizmit në këto vise, politika hegjemoniste serbe, në krye me Akademinë e Shkencave, e ndihmuar nga Kisha Ortodokse Serbe dhe aparati shtetëror policoro-ushtarak, në kontinuitet bënë presione të llojllojshme për t’i shpërngulur banorët autoktonë nga vatrat shekullore. Kulminacioni i kësaj politike fatkeqe arriti në vitet 1999/2001, kur në Medvegjë ndodhi spastrimi etnik në heshtje, që konsiderohet një ndër spastrimet më perfide në Evropë pas Holokausit, dhe brenda një afati të shkurtër kohorë Medvegja u zbraz nga elementi autokton, duke dëbuar nga vatrat shekullore mbi 5 000 shqiptarë autoktonë të Medvegjës.

Shoqata Humanitare «Medvegja» në bashkëpunim dhe koordinim të gjerë është duke bërë përpjekje në kontinuitet që ta pengojë shpërnguljen edhe të atyre pak shqiptarëve që kanë mbetur atje. Me veprime konkrete jemi duke i ndihmuar familjet e rrezikuara materialisht, vijimin e mësimit në gjuhën amtare, kthimin e disa familjeve në vendlindje, përkrahje të parezervë për mbajtjen gjallë të vlerave tona kombëtare, kthimin e simbolit të ndaluar për 33 vjet me radhë – Flamurin kombëtar shqiptar në Manifestimin Tradicional «Takimet e Vendlindjes» në Tupallë më 1 maj 2014 dhe Manifestimin Tradicional «Ditët e Diasporës» në Banjë të Siarinës, më 9 gusht 2014, lobimin për Medvegjën nën prezantimin e monografisë «30 vjet në shërbim të kombit», me një dinamikë të shtuar gjatë këtyre dy viteve të fundit nëpër qendrat kryesore botërore, si Bruksel, Berlin, Gjenevë, Milano, Nju-Jork etj., dhe është arritur që me sukses të dëshmohet për gjendjen e rëndë në Medvegjë dhe të gjejë mbështetje dhe përkrahje të plotë. Dhe si pjesë përbërëse e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare kemi dëshmuar se kemi qenë dhe jemi të lidhur ngushtë me Atdheun, të cilin asnjëherë nuk do të hezitojmë ta përkrahim, ta mbështetim dhe ta mbrojmë me të gjitha mjetet e nevojshme që i kërkon koha.

Andaj, sot kur Medvegja lëshon apelin e SHPËTIMIT, i lutim të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, vëllezërit dhe motrat e gjakut tanë kudo që janë, miqtë e shumtë të popullit shqiptarë:

Ju lutemi, na ndihmoni sot ta shpëtojmë Medvegjën, që nesër të mos jenë vonë.

Me nderime!

Kryesia e SHH «Medvegjë», Zvicër

Shperndaje ne
Updated: 13 Prill, 2015 — 14:22

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.