„Rrënjët e kombit shqiptar janë të lashta, që nga Aleksandri i Madh e Pirrua i Epirit“

Derada_rrenjetJeronim De Rada 1814-1903

Letërsia shqipe e krijuar nga arbëreshët e Italisë, pa dyshim se është një pjesë vitale e letërsisë shqiptare të kohës së romantizimit, edhe pse nuk pati ndonjë ndikim të madh në katër vilajetet e Shqipërisë së asaj kohe, që kishin mbetur pre e mujsharëve të Evropës dhe Perandorisë Osmane, e cila kishte filluar të shpërbëhej duke lënë prapa një rrebesh që ra si reja nga qielli edhe mbi kokat e shqiptarëve.

Arbëreshët e shpërngulur nga Moreja dhe nga disa vise shqiptare në mesjetë, e sidomos pas vdekjes së Skënderbeut, në vitin 1468 ishin vendosur në jug të Italisë dhe në Siçili, Ata deri në shekullin 19-të e më vonë kishin ruajtur jo vetëm gjuhën, traditat, doket por edhe shkrimin e shqipes. Duke qenë besimtarë të ritit ortodoks, ritet fetare i kryenin në gjuhën amëtare dhe kjo bëri që një pjesë e tyre të mos asimilohej, edhe pse asimilimi tashmë ka bërë të veten.

Letërsia arbëreshe ka shumë krijues, poetë, shkrimtarë, intelektualë të njohur, jo vetëm në Itali e Shqipëri por kudo edhe në mërgatë.

Arbëreshët më të njohur në botën kulturore letrare e intelektuale shqiptare janë:

Lekë Matrënga (1567 – 1619), prift i ritit bizantin-ortodoks dhe shkrimtar, i cili shkuajti librin e parë të letërsisë shqipe-toskë.

Josif Nikollë Brankati (1675 – 1741), prift ortodoks dhe shkrimtar.

Gjergji Guxeta (1682 – 1756), Shërbëtori i Perëndisë, Apostull të arbëreshëve, që kaloi vetë në mbrojtje të ritit lindor dhe mbajti gjallë gjuhën e kulturën e të parëve ndër shqiptarët e Sicilisë.

Pal Maria Parrino (1710 – 1765), prift dhe dijetar, themelues i ideologjisë romantike iliro-shqiptare.

Jul Variboba (1727 – 1788), prift ortodoks dhe shkrimtar.

Nikolla Keta (1741 – 1803), prift ortodoks, poet, shkrimtar dhe teolog.

Jeronim De Rada (1814 – 1903), poet, publicist, folklorist, filolog dhe mësues i kulturës arbëreshe, ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të shqiptarëve të Kalabrisë.

Anton Santori (1819 – 1894), prift ortodoks, poet dhe shkrimtar.

Dhimitër Kamarda (1821 – 1882), prift ortodoks, gjuhëtar, historian dhe filolog, i cili shkroi monumentin e parë sistematik shkencor të kulturës shqiptare.

Gavril Dara i Riu (1826 – 1885), poet dhe politikan, një nga shkrimtarët e parë të Rilindjes shqiptare.

Zef Serembe (1844 – 1901), poet.

Frangjishku Muzaka (1852 – 1931), nëpunës dhe diplomat, themelues i Lidhjes Kombëtare Shqiptare së Palermos, i cili bëri një kontribut të veçantë për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandorisë Turko-Osmane.

Zef Skiroi (1865 – 1925), poet, historian, gjuhëtar, gazetar, albanolog, atdhetar, studiues dhe profesor universiteti, ndër shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë, përfaqësuesi më i njohur i arbëreshevet të Sicilisë.

Dushko Vetmo (1914 – 1999), prift i ritit grek-ortodoks, shkrimtar dhe titullar i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Kozencës.

Domeniko Belushi (1918 – 1988), prift i ritit bizantin-ortodoks dhe poet, i njohur si “Vorea Ujko”.

Lluka Perone (1920 – 1984), poet, folklorist dhe shkrimtar.

Karmell Kandreva (1931 – 1982), shkrimtar.

Sotìr Ferrara (1937), peshkop bizantin i arbëreshëve të Sicilisë.

Jozef DioGuardi (1940), politikan, president i “Lidhjës Qytetare Shqiptaro-Amerikane”.

Paolo Petta (1942 – 1999), dijetar i ligjit kushtetues dhe historian.

Jeronim De Rada 1814-1903

Jeronim De Rada lindi në lokalitetin Makia të Kalabrisë. Mësimet fillestare i kreu në kolegjin e Shën Adrianit, në Shën Mitër Korone. Në vitin 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës. Më 1848 nxori të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia”, në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit të 1848 e mbylli gazetën dhe i zhgënjyer u tërhoq në fshatin e tij të lindjes deri në fillim të viteve 60 të shek. XIX. Duke nisur nga viti 1861, në jetën e De Rada nisi një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë te Rilindjes sonë Kombëtare.

Pas traktatit Parimet e estetikës (Principii di estetica, 1861) botoi veprat lashtësia e kombit shqiptar (“Antichità della nazione albanase”, 1864) dhe Rapsodi të një poeme arbëreshe (“Rapsodie d’un poema albanese”, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare. Hyri në korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane, dashamirë të Shqipërisë, ndoqi me interes të gjallë ngjarjet në Shqipëri. Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes kombëtare i dha me revistën “Flamuri Arbrit”, që botoi në vitet 1883-1885. Në “Testamentin politik” (1902) shprehu optimizmin në të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës imperialiste të Italisë ndaj atdheut të të parëve.

Zhvilloi një veprimtari të frytshme edhe në fushën e studimeve gjuhësore ; u kushtoi vemendje çështjeve të prejardhjes së shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, duke mbrojtur lashtësinë e tyre. De Rada është nga të parët studiues vendës të strukturës gramatikore të shqipes. Në të dy veprat gramatikore që hartoi (1870, 1894) vuri në dukje aspekte të patheksuara më parë nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë dhe dukuri gjuhësore të pastudiuara ose të panjohura. Në veprat e tij gjuhësore jepen të dhëna me interes për të folmet arbëreshe. Bëri përpjekje të vijueshme për një alfabet të përbashkët të shqipes që të jepte një sistem sa më të plotë dhe të përshtatshëm për shqipen me karaktere latine, të plotësuara me shenja diakritike. Në veprimtarinë gjuhësore të De Rada duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari (1895) në Koriliano Kalabro, i dyti (1897) në Lungro (Kongreset gjuhësore arbëreshe). Dha me vetmohim mësimin e shqipes në Kolegjin arbëresh të Shën Mitër Koronës për dhjetëvjeçarë të tërë gjersa vdiq.

Mjaft e gjerë është edhe veprimtaria poetike e De Rada Nisi të botojë që herët por shkrimi që i solli famën si poet me talent të shquar është poema lirike-epike Këngët e Milosaos (1836), vepra e parë e letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike. Në qendër të veprës është historia e një çifti të ri që bashkohet pas shumë pengesash. Autori nuk kufizohet me dënimin e paragjykimeve klasore që pengonin lumturinë e të rinjve; në vepër kumboi ideja e detyrës ndaj atdheut dhe e gatishmërisë për të luftuar për mbrojtjen e tij. Historia e dashurisë fatkeqe midis dy të rinjve nga rrethet aristokratike të Shqipërisë së shekullit XV është edhe në qendër të poemës Serafina Topia, mbi të cilën poeti punoi në vitet 1839-1843. I pakënaqur nga puna e tij, De Rada këtë subjekt e rimori në poemën Pasqgra e një jete njerëzore (1898) duke e zgjeruar dhe duke trajtuar në të një problematikë më aktuale për kohën, luftën kundër pushtuesit otoman. Vepra më e rëndësishme e De Radaës është Skënderbeu i pafan, të cilën e mbajti në duar një kohë të gjatë (1837-1896).

Në vepër janë shkrirë mjaft nga këngët dhe poemat që kishte botuar më parë. Aty u shpreh në mënyrë më të plotë dhe më të qartë patosi kombëtar që kishte frymëzuar veprën e De Radës Ndonëse nuk ka njësi veprimi dhe vazhdimësi, poema jep një tablo të gjerë të Shqipërisë në shek. XV, të bëmat e lavdishme të popullit, dashurinë e tij të flaktë për jetë të lirë dhe të pavarur, gjallërinë e mahnitshme që shfaqi përballë sulmeve të egra të armiqve. Në qendër të veprës është konflikti midis shqiptarëve dhe osmanëve, dhënë me anë skenash ku paraqiten beteja të ashpra e të furishme, që shquhen nga ngjyresa e theksuar historike dhe imtësitë shprehëse. Heroi kombëtar shfaqet në vepër si burrë shteti i shquar dhe trim i rrallë, që diti me mençurinë dhe me heroizmin e tij të ngrejë popullin e vet në luftë çlirimtare të pashoqe. Në karakteret e personazheve të tjera mishërohet heroizmi dhe trimëria e shqiptarëve. Skënderbeu i pafan është kryevepra e De Radës në të u dukën në mënyrë të qartë veçoritë kryesore të talentit të tij, si mjeshtër i tablove të gjera historike dhe i përshkrimit me zotësi të botës së brendshme të heronjve, të mendimeve dhe të ndjenjave më të thella e më të fshehta të njeriut. Si poet, sidomos në Këngët e Milosaos, De Rada u çmua lart edhe nga rrethet letrare evropiane.

De Rada luajti një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare ; ai është i pari që shkroi vepra me frymë kombëtare. Figura e tij ngrihet si figura më e kulluar dhe më e fuqishme e letërsisë dhe e botës arbëreshe. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë bashkëkohës ishte i madh ; tradita poetike shkruar prej tij vijon të jetojë e përtërirë edhe në letërsinë e sotme arbëreshe. Pas Çlirimit në Shqipëri janë botuar të adoptuara veprat e tij kryesore. Mban titullin “Mësues i Popullit”.

Dergoi: Kastriot Mala, Prishtine

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.