Migjen, o vëlla:“Kush zot, kush njeri?

Gjithçka që s’e patëm dje, e kemi sot! Gjithçka që e kemi sot, s’e patëm dje!

(Krejt çka e fitova e kam humbur! Krejt çka e dhurova, e kam!)

Migjen, o vëlla:“Kush zot, kush njeri?

riiza_riGjithçka s’e patëm dje, e kemi sot! Gjithçka e kemi sot, s’e patëm dje! Gjithçka kemi s’e dimë! Gjithçka e kemi, s’e kemi! Gjithçka s’e kemi, e kemi! Gjithçka dimë, asgjë s’dimë! Atë që e di toka qielli e dimë, atë që duhet ditur njeriu, jeta, atdheu, shtiremi s’e dimë! Dhe kurrë s’na mbushet mendja: Kemi boll, bile-bile tepër kemi! Edhe liri kemi boll! Edhe tokë kemi boll! Edhe lumturi kemi boll! Edhe pasuri kemi boll! Edhe varfëri kemi boll! Edhe gur e mur e flamur kemi boll! Jemi edhe të fuqishëm. Ditë e natë godasim Zotin! UÇK-në. Gjakun e dëshmorëve e godasim. Me luftë! Me thikë e godasim Zotin pas shpine! Përpiqemi me rrejtë Zotin, atdheun, Evropën, fëmijët tanë, miq e shokë… E godasim me mur fjalën e besën! E godasim me gur dashurinë, atdheun e godasim me flamur vëllazërinë, larinë, dashurinë! E godasim me mur e me gur Kosovën e Shqipërinë, me gur Shqipërie e godasim Kosovën! Me urrejtje godasim vëllanë, mikun… me përbuzje godasim punën, …Interesant, s’ka bir nane që na e mbush mendjen se diçka s’jemi në rregull! Se diçka o shumëçka duhet ndryshuar! Migjen, o vëlla: “Kush zot, o kush njeri?

Askënd s’e duam, askush s’na do…!

Përditëshmëria e jetës sonë: Krenaria! Vetëkënaqësia! Me sloganin në gojë: Jetojmë për të hëngër, hamë për të jetuar! Askujt s’i besojmë, askush s’na beson ne! Askënd s’e duam, askush s’na do ne! Asgjë s’punojmë, shumëçka s’e kemi! S’e kemi miellin me bollëk, sepse, arat s’i mbjellim! Kemi vrasje, rrahje me bollëk, sepse, ligje kemi, por Prokurorë s’kemi! Ligje, gjykata, gjyqtarë kemi me bollëk, por drejtësi s’kemi! Atdhe kemi, roje të atdheut s’kemi! Lirinë e kemi, nderin ndaj saj s’e kemi! E shesim erzin tepër lirë, vrasim për një makiato! Shesim krejt Kosovën për një bythë pushteti, karrike politike! Fyejmë babë e nënë, vëlla e motër, për një vote deputeti! Fytyrë kemi, por mungon shkëlqimi i saj! Rrallë shikojmë fytyrën tonë në pasqyrë, për t’u marrë vesh me të, për me i tregua të vërtetën: Unë, njeriu, të humbi ty, të shes ty, të nxijë ty, për pesë para! Hiç s’mërzitëm! As nuk më vjen turp! Ani pse, oj fytyrë, e di, si nuk e di: Po ta pështysh një fytyrë njeriu që ka humbur shkëlqimin e fytyrës së njeriut, nuk ke mbaruar punë, sepse, ti me pështymën tënde vetëm sa e ka lagur ndyrësinë e asaj fytyre, dhe jo, jo, s’e ke ndëshkuar, as s’e ke mposhtur, as s’e ke pastruar! Njeriu rrallë ose kurrë s’e pyet fytyrën e vet: Kush je ti? Si ndjesh, o fytyra ime? Pse dukesh kaq e penduar? Kaq e përvuajtur? Kaq e përulur? Kaq e ndotur? Fytyra jote o njeri, shumë më e ndotur, se sa fytyra e një derri që shkarravitet nëpër llum duke kërkuar ushqim…! Diçka po ndodh me ty, o njeri! Migjen, o vëlla: “Kush zot, o kush njeri?

S’mund ta poshtërosh dikë, pa u poshtëruar edhe ti bashkë me të!

Në vend që të ngrehim kala, ura miqësie, dashurie, mirëkuptimi, vëllazërie, sikur jemi dërrmuar duke mbaruar blloka! Po mbarojmë blloka në mes vëllait me vëlla, në mes mikut me mik, në mes lirisë dhe varreve të dëshmorëve! Po vendosim blloka dhe bllokime në mes fjalës dhe gojës, në mes zemrës dhe shpirtit, në mes demokracisë dhe Evropës…Po ngrehim blloka e bllokime në mes varreve të dëshmorëve dhe pavarësisë, po vendosim blloka në mes të fëmijëve të familjeve të invalidëve, veteranëve të UÇK-së dhe shkollës shqipe! 
Po ngrehim blloka në mes shtetit dhe Republikës së Kosovës, në mes amanetit të dëshmorëve dhe Parlamentit, në mes dashurisë dhe fëmijëve tanë, blloka në mes Zotit dhe fesë, në mes të besimit dhe të Profetit Muhamed a.s., po vendosim blloka në mes ligjeve, Kushtetutës, drejtësisë, dhe shtigjeve që shpiejnë për në familjen demokratike të Evropës…Dikushi, ai Kërkushi, me blloka ndanë demokracinë, atdheun, ndanë syrin me sy, zemrën me zemër, sofrën me sofër, fenë me fe…ndan me blloka për të kremtuar vetëm ai fitoren, pasurinë, pushtetin, me këngën: Zoti jam unë, dhe fare se di ky derdimen njeriu që veten e shpall zot e për mbi zot, është më pak se njeri! Prandaj, askujt askund në botë s’i bëjnë punë bllokat dhe bllokimet e së vërtetës, të lirisë, demokracisë, ligjit dhe drejtësisë, sepse: S’mund ta poshtërosh dikë, pa u poshtëruar edhe ti bashkë me të! Migjen, o vëlla:“Kush zot, kush njeri?

Jetë, o jetë!

Ah, jetë, o jetë, murmuriti gjuetari paksa i mllefosur në zagarin e tij: Ti je mjaltë e përzier me helm. Pyh, je bërë, o jetë, si zagari im, që kur e lindi nëna zagare, e kam ushqyer me qumësht dhie, deleje, lope! Ky fis, zagari im qenka fis qeni? Zagar deledash, ligështan, mashtrues, tallet me bjeshkët, tallet me profesionin tim prej gjuetari, tallet edhe me lepujt e bjeshkës. Pyh, bre! Kohë qensh. Lëngaraqë! Mashtrues! Hileqarë! Lehin e lehin, kot lehin. Kurrë s’i erdhi marre zagarit tim me u tall me mua, që e rrita dhe e bëra kaq. Të vetmen gjë e di: Lehjen e ka zanat për farefis! Na shurdhoi! Ditën e natën! Ham, ham! Ham, ham! Vetëm leh! Foli urtë e but, ose merre me të mirë, kot e ke! Jepi me pi edhe qumësht zogu, kot e ke! Sepse: Ky fis qeni di vetëm me leh. S’pran. Ditën e natën. As vetë s’di pse leh! Për kë leh! Deri kur do leh! Heu, jetë o jetë, sa kushton një lehje qeni? Interesant: Qeni, qen, s’e harruaka adetin, zakonin, traditën e farefisit qen! Interesant, heu: S’i qitka faqe të zezë farefisit qen për një bythë lepuri! Pesë para s’i jep zagari im për një lepur! Për besë, murmuriti gjahtari pak i mllefosur: Jetë, o jetë: Fjalën e ka shituar hilja! Moralin e ka shituar kanceri! Dashurinë e ka shituar veremi! Besën, burrërinë po i brejnë krimbat! Migjen, o vëlla:“Kush zot, kush njeri?

Shperndaje ne
Updated: 1 Janar, 2015 — 23:41

The Author

Riza GREICEVCI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.