Kush manipulon me dëshmorët?

enver_hadri_javdekje_jaliri

reshat_sahitajShkruan: Reshat Sahitaj

Të shkruash për dëshmorët është nder dhe krenari për secilin krijues. Të shkruash për dëshmorët me të cilët ishe bashkëveprimtar është barrë e rëndë, sepse jo vetëm që je domosdoshmërisht subjektiv në vlerësim, por është një mundim psikologjik, ngase në çdo çast të sillen ndërmend imazhe të jetës, me të cilët ke përjetuar ngjarje të ndryshme. Në kujtimet e tij, bashkëveprimtarin, përveç vuajtjeve shpirtërore, do ta përcjellin edhe probleme të tjera të imponuara nga familjet e dëshmorëve. 
 
Të shkruash për veprimtaritë dhe veprimtarët e dalluar, të cilët me punën e tyre shumëvjeçare lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare, është një përgjegjësi e madhe sa morale, aq edhe kombëtare.
 
Kështu e arsyetoj kur kujtoj e mendoj për diasporën dhe veprimtarët e shquar të kombit tonë: Vehbi Ibrahimi, Rasim Zenelaj, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Enver Hadri, Hysen Karaliu, Musa Hoti dhe se fundmi Gani Azemi, e shumë të tjerë. 
Jo rrallë ndodh që dëshmorët i klasifikojnë apo kualifikojnë sipas grupimeve apo rretheve ideologjike. Kështu ndodh që i lënë në harresë ata dëshmorë të kombit që sipas tyre, nuk paskan qenë të organizuar në grupimet e tyre politiko-ideologjike; po ashtu edhe ata që ishin të një tjetër platforme ideologjike. Një pjesë e madhe e shqiptarëve klasifikimin e dëshmorëve e bëjnë nisur nga informacionet e mjeteve të propagandës, të organeve të ndryshme të shtypit apo radiotelevizive. 
 
Armiku asnjëherë nuk e ka bërë seleksionimin e shqiptarëve në bazë të ngjyrimeve politike apo ideologjike. Ai ka vrarë djemtë më të mirë të kombit tonë, pavarësisht se cilës parti apo organizatë i përkisnin. Çdo vrasje politike që e ka bërë Serbia, kurrë nuk i ka ndarë shqiptarët me ylli apo pa të. 
 
Çuditërisht pas vrasjeve të secilit patriot (të cilët i kam njohur), tani në Kosovën e çliruar, familjaret na bëhen më patriotë se sa vetë biri i tyre! 
 
Tërë Kosova është dëshmitare, se si pas luftës u ndanë varrezat e Jusufit, Bardhoshit më Kadri Zekën. Këta u vranë për të njëjtin ideal – çlirimin e Kosovës, nga i njëjti vrasës, në të njëjtën ditë, në të njëjtin minutë dhe u varrosën në të njëjtat varreza ku qëndruan me dekada. 
 
Qe nga momenti kur një individ që ka luftuar për çlirimin e vendit dhe shpallet dëshmor, ai më nuk është vetëm pjesë e familjes, por i tërë popullit. Këtë problem më së miri e ka të rregulluar Franca, ku në Panteon i kanë sjellë njerëzit që kontribuan për Francën ne mesin e të cilëve përveç luftëtarëve trima, aty pushojnë edhe Exupéry, Volteri, Hygo,. . . ku shkruan “Për njerëzit e mdhenjë Atdheu është mirënjohës”. Për të dëshmuar se dëshmorët dhe njerëzit që kanë kontribuar për vendin nuk janë pronë e familjes, por e popullit, është rasti i Volterit të cilin trembëdhjetë vite pas vdekjes nga varret e qyteti e vendosin në Panteon. 
 
Pse manipulohet me emra dëshmorësh? 
 
Është për t’u habitur se si shqiptarët manipulojnë më të vdekurit. Pas vdekjes e veçmas pas shpalljes dëshmor(hero), edhe ata që nuk e kanë njohur paraqitën bashkëveprimtarë, edhe ata që e kanë injoruar i bëhen shok, e mos të folmi për familjarët se është gjë normale. 
Duke u nisur nga përvoja e gjithnjë fjala është për dëshmorët e mërgatës, rastet janë të pashembullta në historinë e popujve tjerë. 
 
Kur UDB-a e vrau Vehbi Ibrahimin në Bruksel më 10 tetor 1981, shqiptarët filluan ta akuzonin se ai kishte qenë ballist dhe shumë pak erdhën për ta varrosur. 
 
Kur u vranë tre dëshmorët Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi 1982, filluan te flisnin se ishte komunist i Rusisë, por pjesëmarrja në varrim ishte dinjitoze. 
 
Kur u vra Enver Hadri 25 shkurt 1990, disa nga LPK dhe grupimi tjetër Lëvizja e Punëtorëve filluan të thonin se ishte me Serbinë, mirëpo angazhimi i pasardhëseve të tij e organizoi një varrim madhështor. 
 
Pas çdo vrasje të patriotëve tanë, Serbia angazhonte edhe shërbëtorët e tyre që të përhapnin dezinformata në mënyrë që vrasja të konsiderohej qërim hesapesh ne mes shqiptarëve. Këto pallavra e mashtrime e rrena të Sigurimit Shtetëror të Serbisë i gllabëronin edhe familjet e të vrarëve. Më kujtohet se pas vrasjes së Enver Hadrit flitej më të madh se Enver Hadri nuk ka pasur shokë. Enver Hadri ka punua vetë. Harronin qëllimisht lajmet qendrore të televizioneve të ndërkombëtare ku ne ishim pjesëmarrës ne ato konferenca për medie. Harronin qëllimisht gazetat shqiptare dhe të huaja për Komitetin tonë. Cili njeri në botë mund të themelojë një komitet, një organizatë, madje një shoqatë pa askë?! Cili njeri në këtë botë mund të organizojë një ngjarje pa pasur askë rreth tij?! Mirëpo logjika miope e shqiptarëve i hante këto përralla te Serbisë e të hafijeve te tyre. 
 
Ata, përgjithësisht, vrasjeve të veprimtarëve shqiptarë u paraprinin me dezinformime për ngjarjen e pritme. Kjo bëhej në mënyrë profesionale nga psikologë e sociologë kriminalistë, duke shfrytëzuar për këtë qellim hafijet shqiptare. 
 
Futja e dyshimit se shoku e ka vra 
 
Mirë e dimë të gjithë se çdo vrasje, që ata kanë bërë, menjëherë është përfolur e hedhur ideja dyshuese se ndoshta e ka bërë shoku më i ngushtë i viktimës. Ka qarkulluar pikëpyetja, bie fjala, si ndodhi që Jusufin e vranë, por nuk e vranë filan fistekun, kur ata gjithnjë ishin bashkë? Pse e vranë Enver Hadrin e nuk e vranë filanin që tash na shet mend se ishte shok më të?! Pas çdo vrasjeje Shërbimi Sekret i Serbisë ka shkuar aq larg, saqë, përmes hafijeve të veta tepër të sofistikuar, ka ndikuar në familjet e të vrarëve, duke krijuar dyshime për shokët dhe bashkëveprimtarët të kauzës kombëtare; dyshime që shkonin deri në akuza të familjarëve ndaj bashkëluftëtarëve. Trillimet që bëheshin nga “shokët” xhelozë nuk mund të jenë aq kredibile, por kur akuzat vinin nga familjarët e dëshmorëve ato ishin të rënda dhe në vend që të ndikonin në rritjen e figurës së dëshmorit, përkundrazi cenonin statusin e tij.
 
Akuzat e familjarëve ndaj shokut të të birit, të prindit, të vëllait të tyre dëshmor kanë ndikuar që mërgata shqiptare të përçahet si dhe shokët bashkëluftëtarë të zhgënjehen me qëndrimin e trashëgimtarëve të shokut të tyre të idealit kombëtar, të vrarë nga dora e udbashëve. Kështu ka ndodhur pas vrasjes së Jusufit, Kadriut e Bardhoshit; kështu pas vrasjes së Vehbiut; kështu pas vrasjes së Enver Hadrit, dhe, tani në fund, edhe pas vrasjes se Musa Hotit. 
 
Pse ndodh kështu? Pse mbillet tërë ky konfuzitet? Mendoj se, Shërbimi Sekret i Serbisë ka pasur dhe ka plane për të përçarë shqiptarët kudo që ata janë. Mirëpo këtij plani diabolik të Serbisë i kontribuojnë dy faktorë: a) familjarët naivë 2) familjarët në bashkëpunim me hafijet. 
E para ndodh që familjarët, të pikëlluar për vrasjen e djalit, të babait etj, sapo dëgjojnë thashethemet e rrugëve dhe të ndonjë të dërguarit special të shërbimeve sekrete, brehen nga dyshimi që ua turbullon mendjet, ua çorodit arsyetimet duke krijuar bindje të rreme.
 
Hafijet dinake të mirinstruktuara nga specialistët e UDB-së ua përforcojnë idenë e tyre diabolike duke ua kujtuar, a stisur ndonjë problem, që ata kanë pasur mes shokësh gjatë veprimtarive atdhetare. Ka raste, kur familjarët e dëshmorit, që ka dhënë jetën për lirinë e Kosovës, kanë vënë në dyshim veprën e rolin e birit të tyre për çështjen kombëtare. Në ndonjë rast të kësaj natyre familjarët kanë qëndruar indiferentë ndaj veprimtarisë që djali, burri, babai, vëllai i tyre ka bërë për çështjen kombëtare. Në momentin kur ai është vra dhe populli e ka vlerësuar veprimtarinë e tij, vetëm atëherë familjarët e shohin se sa i madh paska qenë njeriu i tyre. Vetëm atëherë ata do ta çmojnë veprën e familjarit te tyre dhe do të gëzojnë respektin nga populli dhe do të habiten se si tërë populli po i respektuaka. 
 
Këto, që po shkruaj janë fakte të përjetuara nga unë, pasi që kisha fatin të isha bashkëveprimtar me disa prej tyre që sot janë dëshmorë dhe mbaja kontakte me familjarët e tyre, deri sa ndonjë familje bënte përpjekje që tërë familjen t’ia shpallnin dëshmorë pa kontribuar asgjë për Kosovën duke u thirrur në emër të birit, babait, vëllait…. 
 
Dihet se në të shumtën e herës gruaja, djali, vëllai apo ndonjë familjar nuk ishte krahpërkrah me familjarin e vet në veprimtaritë kombëtare e kishte raste kur nuk e gëzonte përkrahjen morale te tyre. Nisur nga ky arsyetim, ky tip i familjarit dëshiron që historinë ta shkruajë ashtu siç dëshiron ai, duke e shfrytëzuar kredibilitetin e familjarit të tij dëshmor, duke injoruar faktet e pakontestueshme historike të kohës, kur kishte ndodhur ngjarja dhe ishte zhvilluar veprimtaria. Të tillët do të mbesin mjeranë përjetësisht. Historia nuk shkruhet sipas dëshirave e trilleve të kujtdoqoftë, por vetëm mbi bazën e fakteve e dokumenteve. 
 
Kategorinë e dytë e përbëjnë familjarët, të cilët e pengonin njeriun e tyre tani dëshmor të merrte pjesë në veprimtari kombëtare, çka le të dyshohet se ata janë pjesë e sistemit të shërbimit sekret, ose kanë qenë nën ndikimin e tyre. Shërbimet sekrete e detyrojnë të deklarohen ashtu siç u përshtatet armikut. Dihet se armiku historikisht ka investuar, duke synuar, dhe në raste të caktuara, arritur të përfshijë në shërbimet sekrete edhe pjesëtarë nga familjet e veprimtarëve të dalluar kombëtar përmes të cilëve informohej për zhvillimet e veprimtarive ilegale kombëtare. Dhe dihet se më vonë populli ynë u ka besuar atyre që dhanë dëshmorë.
 
Ne edhe sot jemi të prirur t’u besojmë familjarëve që anëtari i tyre ka dhënë kontributin për atdhe. Bota e civilizuar i respekton familjet e dëshmorëve dhe ua jep të gjitha privilegjet, por nuk ua jep edhe pushtetin, se, po të ndodhte kështu, askush nuk do bëhej kryetar i Amerikës apo Francës.
 
Secili duhet të njohë vetveten, nivelin e diturive, aftësitë, profesionalizmin, respektin që i bëhet dhe të kontribuojë me aq njohuri e dituri sa ka për realitet e veprimtarive kombëtare. Por është e palejueshme që familjarë të tillë të japin urdhra se si shkruhet historia e si duhet vepruar kombëtarisht, kur ata nuk kanë vepruar kur ishte koha. 
 
Jam i bindur dhe qëndroj pas, se në mërgim më afër ka qenë bashkëveprimtari se sa vëllai. Këtë mendim timin mund ta konfirmojnë qindra e mijëra veprimtarë që pa hile kanë dhënë kontributin e tyre për çlirimin e Kosovës. 
Shperndaje ne
Updated: 25 Prill, 2015 — 19:04

The Author

Reshat Sahitaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.