Pendat Shqiptare dhe shkundja e harresës

harallamb_kota

PARATHÉNIE 

Unë Harallamb Kota, paraqitem para lexuesit të nderuar, me librin tim të dytë të titulluar “Pendat Shqiptare dhe Shkundja e Haresës”. Libri përmban pjesë nga historitë e patriotëve shqiptare, të cilët ja kushtuan jetën e tyre, çështjes Shqiptare, gjuhës shqipe dhe ngritjes së shkollave shqip,duke filluar nga Dhaskal Todri e Kostandin Berati, Naum Veqilharxhi, Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhi, Hoxha Tahsini, Vëllezërit Frashëri, Abdyli, Naimi e Samiu, Ismail Qemali, e të tjerë. Ai përmban edhe dokumenta të arkivuar në institucione shtetërore, ku tregohen pjesë nga historia e familjes Kota, jeta e aktiviteti i tyre patriotik- atdhetar dhe kontaktet e paraardhësve të mi, me figura të rëndësishme të kombit shqiptar.

Një nga arsyet që më shtyn të merem me shkrime historike, ishte pjesëmarja ime në datat 9-11 prill 2010, me ftesë nga Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “ARBNORI”, në 100 vjetorin e Kongresit II të Manastirit, si përfaqësues i gjyshit tim Llambi N. Kota, i cili kishte qenë kontribues në Kongresin e I-rë, të Manastirit, të njehsimit të shkronjave shqip dhe delegat i Korçës në Kongresin e Dibrës, në mbrojtje të shkrimit të gjuhës shqip me shkronja latine. Pjesëmarja në këtë veprimtari, ndikoi në zgjimin tim, për tu angazhuar në ndriçimin e figurave të mëdha të kombit’ e të veprimtarisë patriotike – atdhetare të paraardhësve të familjes Kota.

Me nxitjen e dashamirësve dhe në veçanti të historianit Prof.dr.Hysen Kordha, fillova serialin e botimeve në shtypin shqiptar. Në fillim të muajit maj 2014, botova librin me përmbledhje poetike ” Im Atë “, me një tufë prej 42 poezish, që i përkasin dy periudhave të rëndësishme të jetës time: -periudhës studentore 1972-1976, dhe periudhës 1976 -1983, gjatë të cilës punoja në Tropojë në ndërmarrjen gjeologjike “Bajram Curri “. Librin e promovova në qytetin e Beratit, pasi origjina ime, është nga ky qytet historik dhe famëmadh, me një qytetërim 2500 vjeçar, pikërisht nga kalaja mitike e tij, nga Partha e Ilirisë, siç është quajtur në antikitet Berati gjatë një periudhe të historisë së tij mijëravjeçare.

Libri që u afroj lexusve, përbëhet nga dy kapituj. Në kapitullin e parë “Pendat Shqiptare” evidentohen emrat e mëdhenj të kombit shqiptar, Veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe Pionerët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Aktiviteti patriotik, i “Pendave Shqiptare”, fillon në Stamboll, kryeqyteti i Perandorisë Osmane. Në klubin e “Mirban Arnautit”, patriotët shqiptar takohen, rahin mendimet, organizohen dhe nxisin njeri tjetrin për të njesuar shkrimin shqip. Ata paraqesin alfabete të ndryshme dhe së fundmi pranojnë më të mirin “Alfabetaren” e Sami Frashërit. Megjithatë, pendat shqiptare, janë të qarta në dy çështje kryesore: “shkrimim e gjuhës shqipe dhe shkëputja nga perandoria otomane”. Duke qenë një komb i vjetër, me tipare dalluse nga kombet e tjerë, duhej që gjuha shqipe të shkruhej, jo me gërmat e fqinjëve, aq më pak me ato arabe. Shqiptarët janë popull perëndimor që kanë luftuar në mbrojtje të kulturës perëndimore, pra gjuha shqipe duhej të shkruhej me gërma latine, gjë e cila u realizua në Kongresin e parë të Manastirit më 1908.

Në kapitullin e dytë “Shkundja e Haresës”, tregohen histori jetësore, politike dhe patriotike, të “Pendave Shqiptare” në mjedise familjare, në bashkëpunim me njeri tjetrin dhe në mjedise popullore. Në këtë kapitull, njihemi me aktivitetin patriotik të Sami Frashërit në Stamboll dhe jehona e tij në klubin e shqiptarëve në Egjipt. Me aktivitetin patriotik të Naim Frashërit në Stamboll dhe në Shqipëri. Me fëmijërinë e Fan S. Nolit në Ibrik Tepe, në Egjipt, në Amerikë dhe në Shqipëri.

Vend të veçantë në kapitullin e dytë, zenë historitë e pinjollëve të familjeve Kota. Tepër interesante paraqitet fëmijëria e Aleksandrit. Takimi i tij me Naum Bredhin Veqilharxhin, shpërndarja e “Evetarit”, emigrimi në Egjipt, aktiviteti i tij tregëtar, takimet ne Stamboll me “Pendat Shqiptare” e Gafur Dibrën. Po ashtu paraqitet Nikolla, djali i tij, i cili është luftëtar i lirisë. Shumë mbresëlënës është kthimi i tij në vendlindjen e të parëve, në kalanë e Beratit. Po aq, janë edhe takimet me Naim Frashërin në Përmet dhe me Fan.S.Nolin në Sofie. Me një kujdes të veçantë dhe me profesionalizëm është paraqitur aktiviteti i patriotit Llambi N.Kota, letërkëmbimi i tij me Feim Zavalanin, një nga nismëtarët’e organizatorët e Kongresit të Manastirit në 1908, për njesimin e alfabetit të gjuhës shqipe, ku shprehu mendimin, se ishte përkrahës i alfabetit latin, takimi me Fan S. Nolin në Aleksandri, pjesëmarja në Kuvendin Kombëtar të Dibrës, pjesëmarja në aktivitetet patriotike në Berat dhe zgjedhja në detyrën, Kryetar i Pleqësisë së Përgjithshme të shoqërive shqiptare të Egjiptit. Mbresëlënëse paraqitet edhe fëmijëria e Jorgjit, djalit të vetëm të Llambit. Me mjeshtri është shkruar largimi nga Berati, vendosja në Tiranë në kishën “Shën Gjergji” si ndihmës i kalaritit at. Jorgji Theohari, takimi me Peshkopin Fan S. Noli, aktivizimi në rezistencën popullore nacional çlirimtare, në administratën e lartë të pushtetit popullor, kalvari i dënimeve nga viti 1956 dhe burgosja në vitin 1960.

E bëra këtë përshkrim të shkurtër, për ti dhënë mundësi lexuesit, të njihet me rrugëtimin e jetës së figurave më madhore të kombit tonë dhe të fatit të madh të paraardhësve të mi, që gjatë rrugëtimit të tyre atdhetar dhe pjesëmarjes në lëvizjen kombëtare shqiptare, ti kenë takuar, përqafuar dhe ndarë me ta dhimbjet e thella shekullore për mëvehtësinë e Shqipërisë dhe për ta shkruajtur gjuhën arbnore, gjuhën shqipe, me shkronjat e lashta pellazgo-ilire, që popujt perëndimor i quajnë shkronja latine. Kam vënë në fokus shumë shkurt, vetëm pak persona nga paraardhësit e Kota-ve, që u dalluan në veprimtaritë patriotike të kohës kur jetuan.

Në këtë mbyllje të shkurtër, nuk mund të mos i shpreh mirënjohjen dhe respektin e pakufishëm lexuesve, që do marin mundimin ta lexojnë këtë vepër të vogël e modeste.

Shperndaje ne
Updated: 3 Janar, 2015 — 13:23

The Author

Harallamb Kota

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.