FJALË E SHFAQUR SI MUNGESË

Kongresi_i_Manastirit

Shkruan: Xhaxhai

Herë pas here lexon, në ese që merren me leksikun e anglishtes, se kësaj gjuhe i mungon një fjalë për prindin të cilit i ka vdekur fëmija; në një kohë që ekzistojnë emra për fëmijën që i kanë vdekur prindërit (orphan) dhe për dikë që i ka vdekur bashkëshorti (widow, widower); sikurse ekziston termi për njerkën (njerkun) – rol themelor dhe mjaft i rëndomtë, në shoqëritë ku vdekja u mbërrinte njerëzve në moshë të re.

Vërejtja për mungesën e këtij “termi” farefisnor nuk vlen vetëm për anglishten, por edhe për shumë gjuhë europiane të tjera; edhe pse në diskutime joprofesionale kam parë që hebraishtja ta ketë një fjalë të tillë, po ashtu edhe greqishtja e re (χαροκαμμένος, -νη, -νο) madje edhe në gjermanishte mund të thuhet verweiste Eltern.

Këto janë kuriozitete (që nuk i verifikoj dot); në një kohë që mungesa mbetet rregullsi.

Disa besojnë se fjala mungon ngaqë është trajtuar si tabu; për shkak të traumës që përjeton prindi. Ky shpjegim ka më shumë vlerë poetike – aq më tepër që, deri vonë, humbja e fëmijës ka pasë ndodhur rëndom; në kuptimin që, historikisht dhe deri vonë, nuk ka pasur nënë, së cilës të mos i kish humbur një fëmijë në moshë të vogël, për shkak të sëmundjes ose kequshqyerjes.

Prandaj mund edhe të guxohet shpjegimi tjetër – se ky term mungon jo ngaqë humbja është e tmerrshme, por për një arsye të kundërt – ngaqë humbja e fëmijës ka qenë e rëndomtë; aq e rëndomtë, sa gjuha të mos ketë pasur nevojë për të.

Dhe pikërisht kundërshembulli tregon se arsyetime të tilla sillen zakonisht ad hoc; dhe, kur vjen puna për terma të farefisnisë, gjuha i ka të gjithë termat që u referohen pozicioneve shoqërisht relevante.

Në këtë mes, leksikologu nuk mund të mos habitet me disa prej dallimeve, edhe mes gjuhëve përndryshe të afërta. Kështu, një anglishtfolësi, që dallon rëndom midis nephew dhe grandson, do t’i dukej relativisht absurde që italishtja (dhe shqipja) i quajnë këta me të njëjtin term: nipote (nip). Në shqip ne dallojmë me lehtësi midis tezes dhe hallës, ose xhaxhait dhe dajës, ndryshe nga shumë gjuhë të tjera.

Nga ana tjetër, në shumë gjuhë europiane nuk bëhet dallim midis kunatit (burrit të motrës) dhe kunatit tjetër (vëllait të gruas); sikurse nuk bëhet dallim midis gjyshit (babait të babait) dhe gjyshit tjetër (babait të nënës). Turqishtja ka terma specifikë për “motër e madhe” (abla) dhe “vëlla i madh” (abi); gjuhë të tjera do të përdorin parafrazën, për ta shprehur këtë koncept.

Shpjegimi më teknik, për anomali të tilla leksikore, përfshi edhe mungesën e termave, lidhet me statusin social që i bashkëlidhet termit – në kuptimin që, për shembull dhe nga një këndvështrim historik, një grua që humb fëmijën do të ketë një status zakonisht fare të përkohshëm, meqë së shpejti do të bëjë (duhet të bëjë) një fëmijë tjetër; ndryshe nga gruaja që nuk bën fëmijë, për arsye biologjike (dhe për të cilën zakonisht termi nuk ka munguar, edhe pse jo-relacional; kuptohet që për burrin që nuk bën fëmijë, gjithnjë për arsye biologjike, termi tipikisht mungon).

Përndryshe, gjuhës do t’i duhej të kish fjalë të veçanta për prindin që i ka humbur të gjithë fëmijët dhe për prindin që ka humbur dikur një nga fëmijët, dhe për gruan që e ka dështuar (miscarry) një fëmijë, dhe për gruan që i dështon fëmijët etj. Gjithsesi, leksiku nuk funksionon kështu.

Një diskutim më teknik për “mungesat” e perceptuara në leksik mund të lexohet këtu.

Termat e farefisnisë janë relacionalë; në kuptimin që dikush nuk mund të jetë vëlla në të njëjtën mënyrë sikurse është mashkull, polic, bask ose tullac: që të jesh vëlla, në kuptimin farefisnor të fjalës, duhet të kesh (pasur) një vëlla ose motër (shqipja nuk ka një fjalë neutrale për vëllain/motrën pavarësisht nga gjinia; që t’i përgjigjet gjermanishtes Geschwister ose anglishtes siblings; në vend që të pyesim se pse i mungon shqipes kjo fjalë, ndoshta do të kish më interes të pyesnim se pse e kanë parë të nevojshme disa gjuhë që ta “krijojnë”).

Një shembull më domethënës e gjejmë te shqipja jetim, e huazuar nga turqishte-osmanishtja. Këtu shumëkush do të pyeste nëse kish apo nuk kish fëmijë që i kishin humbur prindët mes shqipfolësve, para kontakteve të shqipes me turqishten; në kuptimin që çfarë mund t’i ketë shtyrë stërgjyshët tanë të huazonin një term të tillë sa elementar, aq edhe teknik.

Dhe, në fakt, shqipja e ka huazuar dikur edhe latinishten orphanus, duke e ruajtur huazimin sot e kësaj dite, në trajtën i varfër (i vorfën) edhe pse me kuptim të ndryshuar. Prandaj një arsye e ri-huazimit nga turqishtja mund të ishte se i vorfën e humbi kuptimin teknik-relacional, duke u përgjithësuar me metonimi; prandaj gjuhës iu desh një fjalë tjetër që e gjeti të gatshme te turqishtja; por kjo s’është arsyeja e vetme që mund të sillet. Ka të ngjarë edhe që, me disiplinimin e jetës sociale, pas pushtimit osman të trojeve të shqipes, jetimi të ketë fituar një status edhe juridik; gjithsesi diçka për t’u ndriçuar prej historianëve dhe antropologëve.

Për të njëjtën arsye – besoj – ndonjë dialekt i shqipes ka huazuar prej turqishtes edhe emrat për vëllain e madh (abé, në Gjirokastër) dhe motrën e madhe (abllá, sërish në Gjirokastër); sikurse ndonjë dialekt tjetër i shqipes ka huazuar fjalë të tilla si byrazer ose baxhanak. Në përgjithësi, termat e farefisnisë, të përkufizuar me saktësi pothuajse matematike, ngrenë peshë edhe në çështje të ndarjes së pronës ose të shkoqitjes së testamenteve; ose edhe çështje të tjera të kodeve zakonore.

Tani, për t’u kthyer te prindi – zakonisht nëna – që humbet fëmijën, shqipja e ka një fjalë që mund ta përshtatë për këtë përdorim: qyqe; e cila mbështetet mbi një metaforë unike. Natyrisht, qyqe (së bashku me qyq) shënjojnë një person “që ka mbetur vetëm”, jo detyrimisht ngaqë i ka vdekur një i afërm; por për nevojat ekspresive të komunikimit, termi del dhe tepron. Nga ana tjetër, qyqe si fjalë e regjistrit ekspresiv nuk mund të përdoret në nomenklatura ose kontekste përshkrimore (me vlerë juridike, etj.); por as ka arsye që të përdoret./ Peizazhe të fjalës 

LLËQE-t

Ndoshta më karakteristiket e fjalëve që kanë hyrë në shqipe nga turqishtja osmane, janë ato me prapashtesën –llëk, të tilla si maskarallëk, ustallëk, boshllëk, bollëk, beqarllëk, pisllëk, fodullëk, sakatllëk, hajvanllëk, etj. Ka me dhjetra të tilla, zakonisht tashmë të kufizuara në ligjërimin bisedor dhe të thjeshtë, dhe që paraqiten si emra abstraktë të mbiemrave tematikë (maskara -> maskarallëk, etj.)[1].

Në turqishte, prapashtesa formon edhe emra të llojeve të tjerë, si p.sh. emra vendi (ndonjë gjurmë e këtij funksioni ka mbetur në shqipen e vjetruar dhe dialektore haremllëk por shih tani edhe xhamllëk), por jo vetëm.

Si edhe në rastin e prapashtesës –xhi, edhe këtë morfemë shqipja e ka “abstraguar” dhe e ka përdorur pastaj për nevojat e veta fjalëformuese, duke ua bashkuar temave jo-turqishte.

Prapashtesa –llëk, tashmë aktive brenda shqipes, formon lirshëm emra abstraktë të cilësisë brenda ligjërimit bisedor, të cilët si rregull mbeten brenda kufijve të këtij ligjërimi.

Ka edhe përjashtime: njerëzillëk, spiunllëk, palaçollëk, gomarllëk, zotnillëk, nikoqirllëk, zjarrllëk, memecllëk e ndonjë tjetër tashmë janë “neutralizuar” stilistikisht dhe janë pjesë e leksikut standard.

Megjithatë, shumica e këtyre formimeve brenda shqipes mbeten të nivelit bisedor: kopillëk, freskllëk, kurvllëk, kalamallëk, çilimillëk, qelbësirllëk, kafshllëk etj.; ose edhe më keq, të nivelit të ligjërimit të thjeshtë: karllëk.

Disa nga këta emra, si nga huazimet prej turqishtes osmane, ashtu edhe nga krijimet brenda shqipes, përdoren kryesisht në shumës: maskarallëqe, merakllëqe, budallallëqe, hajvanllëqe, palaçollëqe, spiunllëqe, kalamallëqe, etj. Shumësi i një emri abstrakt zakonisht vjen me efekte semantike: budallallëqe janë veprime ose fjalë karakteristike për budallain; kalamallëqe janë veprime ose fjalë karakteristike për kalamajtë; e kështu me radhë.

Kjo që ndodh me shumësin e emrave në -llëk, lidhet me atë mekanizëm semantik të mirënjohur, të njëjtit emra abstraktë të cilësisë mund të shënjojnë edhe një veprim ose një fjalë që vjen si efekt i asaj cilësie: maskarallëk nuk është vetëm cilësia abstrakte e dikujt që është maskara, por edhe një veprim tipik prej maskarai. Mekanizmi vepron në njëjës, por pastaj mbizotëron në përdorimet e këtyre emrave në shumës.

Kjo do të thotë edhe se emrat abstraktë me -llëk, kur përdoren në shumës, vijnë e shënjojnë kryesisht veprime të përsëritura, si efekt i karakteristikës që shënjon tema. Si për ta theksuar edhe më tej përvetësimin që ia ka bërë prapashtesës, shqipja edhe e palatalizon k-në fundore, duke e shndërruar në –q– .

Nga ana tjetër, prapashtesa –llëk, në shqipen bisedore, pothuajse është gramatikalizuar, në kuptimin që me të folësi mund të ndërtojë emra abstraktë të cilët i duhen për nevoja sintaksore të çastit, p.sh. për nominalizime: nga profesor mund të krijohet profesorllëk, nga shef mund të krijohet shefllëk, nga student mund të krijohet studentllëk, nga shofer mund të krijohet shoferllëk, nga berber mund të krijohet berberllëk, nga ushtar mund të krijohet ushtarllëk, nga aktor mund të krijohet aktorllëk e kështu me radhë. Morfologjikisht, duket sikur formime të tilla ndërtohen më lehtë mbi tema që shënjojnë persona sipas profesionit ose cilësisë.

Krijime të tilla zakonisht nuk arrijnë të bëhen fjalë të mirëfillta: janë efimere dhe e fillojnë dhe e mbarojnë jetën brenda kufijve të thënies ku janë shfaqur.

Ndokujt do t’i kujtohet, me këtë rast, “fjala” kingllëk e cila u shfaq në kryetitujt e tabloidëve të Tiranës para pak muajsh – më tej për këtë kapriçio leksikore mund të lexoni këtu.

kingllek

Kushdo mund të thotë nesër: “blogllëkut nuk ia pa kush hajrin” ose “ia ka ndier lezetin drejtorllëkut” ose “i ka hije ambasadorllëku” – edhe pse asnjë nga këto formime nuk i ka kartat në rregull, për t’u pranuar si fjalë e shqipes, madje as në nivele të ulëta të ligjërimit. Për nga statusi, këto mund të krahasohen me përcjelloren e anglishtes, e cila shpesh është thjesht formë gramatikore e foljes (blogging didn’t do any good to me).

Hulumtime të kujdesshme të leksikut të shqipes së folur, me siguri do të identifikojnë edhe plot pseudo-turqizma mes këtyre formimeve; ose formime edhe të ngjashme me harbutllëk (sa kohë që harbut vetëm duket si orientalizëm, pa qenë e tillë), edhe të tjera që janë nisur vërtet nga tema turqizmash por nuk që në turqishte vetë nuk ekzistojnë; dhe më në fund bashkime spontane të kësaj prapashtese me tema turqishte, për nevoja të çastit ose “gramatikore” të ligjërimit (të tilla si marifetllëk, etj.).

Edhe një herë, trajtimi që ua kanë bërë tradicionalisht orientalizmave gjuhëtarët tanë preskriptivë (të cilët flasin për “dëbim” nga gjuha) nuk i përgjigjet realitetit; si edhe në rastin e prapashtesës –xhi, shqipja ka reaguar ndaj zhvillimeve kulturore dhe politike duke u gjetur përdorime të reja mjeteve të vjetruara, të paktën në ato raste kur kjo ka qenë e mundshme.

Kështu, edhe prapashtesa –llëk të turqishtes, në vend që të “dëbohet”, është specializuar në nivelin bisedor të ligjërimit, duke ndihmuar kështu edhe me kristalizimin e ligjërimit formal (libror) si një lloj ligjërimi ku mungojnë formimet më –llëk, ashtu edhe me kristalizimin e vetë nivelit bisedor – ku formimet me –llëk jo vetëm janë të pranishme, por edhe përftohen spontanisht.

[1] Nuk arrij dot t’i gjej një burim fjalës tangërllëk, të cilën Dizdari nuk e ka, por që më rezulton nga më të shpeshtat e këtij grupi në shqipen e sotme bisedore, veçanërisht në Tiranë (ku dëgjohet si tongërllik). Deri më tash them se vjen nga tagër “e drejtë” me kuptimin “sjellja e dikujt që kujton se ka të drejtë” (righteousness); duke pasur parasysh edhe shpjegimet e Dizdarit për tagër, të cilën e nxirrkan (Xhuvani) nga turqishtja doğru. Nëse është kështu, atëherë tangërllëk mund të krahasohet me doğruluk e cila në turqishten e sotme ka edhe kuptimet “integritet, ndershmëri, virtyt, drejtshmëri” (uprightness, rectitude, veracity). Peisazhe

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.