TË MBROJMË VLERAT TONA KOMBËTARE

Herodoti_pellazget_para_grekeve

Shkruan: Albert Kotini

Në këtë fillim të shekullit XXI, qytetërimit modern i bën nder lashtësia e zbuluar për kombin shqiptar, në veçanti vlerat kombëtare që i përkasin të drejtës sonë historike të cilat duhen zbuluar nga mendimi aktual shkencor shqiptar.

Edhe pse krijojnë lëkundje në historinë e mësuar, për shembull, deri në fund të shek. XX nga qytetarët e vendeve fqinje ndaj të parëve të tyre, polemikat e shqetësimet që mund të sjellin, përsëri duhet mbajtur një qëndrim pa ekuivoke edhe pse mund të dukesh si heretik i kohës, kur nuk pëlqehet e vërteta historike e argumentuar me fakte e dokumente.

Arrihet të vritet një djalë shqiptar, emigrant në Greqi, sepse këndoi shqip në ditëlindjen e tij… Pak kohë më parë u vra, i mbështjellë me flamurin kombëtar, një emigrant tjetër, sepse po gëzonte fitoren e kombëtares së tij ndaj Greqisë… Në mars 2005, në stadiumin olimpik të Athinës digjet flamuri shqiptar nën buçimat dhe fishkëllimat histerike të tifozëve grekë ndaj himnit tonë, ndërsa djaloshi 19 vjeçar grek që e bëri këtë akt “heroik”, u shfaq si një gladiator triumfues antishqiptar.

Në dokumentin gjerman të Vermahtit, nga prof. Dr. W. Kracker, në studimin prej 16 faqesh, flitet se si u ruajtën veprat e artit në Greqi.[1] Hitlerianët vranë shumë njerëz, por kulturën e atij populli e mbrojtën nga barbarizmat.

Se si disa qarqe greke vepruan dhe veprojnë për zhdukjen e identitetit shqiptar, në veçanti të Çamërisë, nga Preveza, Gumenica, Janina, Filati e kudo, mjafton t’i vizitosh sot këto vise, qoftë edhe si turist, për të kuptuar vandalizmin e tyre modern. Mjafton të lexosh albumin “Preveza – Nikopolis”, botuar në Athinë më 1994, me autor Nikos D. Karabelas, që të përballesh me masakrimin që i bëhet kulturës shqiptare.[2]

Thelbi i çështjes është: Vlerat tona kombëtare do t‘i lëmë pa i mbrojtur nga përvetësimi dhe asimilimi prej kombeve fqinje?!

Do t’i referohem shkurt, sa për debat dhe argumentim: Pellazgjisë, mitologjisë, Aleksandrit të Madh, Piros së Epirit, Skënderbeut, heronjve të pavarësisë së Greqisë, Epirit e deri te personalitetet e genit shqiptar, të mohuar apo të përgojuar deri në kufijtë fatalë, të dyshuar si pasuri e jona e patjetërsueshme kombëtare.

Për mitologjinë. Të vlerësosh e të respektosh mitologjinë greko-romake nuk do të thotë ta pranosh si një monopol të kulturës së tyre për tërë Ballkanin në tërë Europën e botën. Nuk ka popull pa një mitologji, në veçanti kombet më të vjetër, si ai shqiptar.

Janë zbulime të mirëfillta edhe nga Fishta ynë i madh shtojzovallet, zanat nga gojëdhënat autoktone të popullit tonë. Ndërsa mitologjia e viseve të lashta pellazgo-ilire si Thesprotia, Malakia

Po treva e Çamërisë përse është lënë si një vakuum i mitologjisë së Greqisë?

Allemanja është një krahinë midis Francës dhe Gjermanissë, por i mbushur me kulturë botimesh, që nga hershmëria, prej të dy vendeve, ndërsa Çamëria – e zbrazur nga xhelozia dhe harresa greke.

Mendimi shkencor shqiptar, nëpër institucionet tona, që duhet të thonë fjalën e parë e të vërë pikat mbi i, jo vetëm heshtin, por mbi dhjetë vjetët e fundit e kanë harruar fare këtë pjesë të pasurisë sonë kombëtare. Mitologjia, legjendat, ritualet pagane të Çamërisë janë trajtuar si epirote të Greqisë.

Çamëria trajtohet pa miotlogji. Dihet që Lisi i shenjtë ka qenë në Dodonë; kulti i dhisë, si kult pellazgjik, ka qenë deri në emblemën e Skënderbeut, por njëherësh rrjedhojë e gojëdhënave çame. Po kështu kulti i zjarrit, i gurit: „Për këtë zjarr“, „Gurët e Elimit“. Homeri në „Iliada“ këndon: „Zeus – Dodona“. Pastaj erdhën grekët, i morën perënditë nga pellazgët dhe i përshtatën e i përdorën në mënyrat e tyre.

Mitologjia pellazge është para asaj greke dhe para asaj romake. Herodoti në veprën „Historia“ ose në „Muzat“ ndër nëntë muzat thotë: „Përpara se të vinim në këto troje ku jemi sot, këtu ishin pellazgët“. Emrat mitologjikë të hyjnive e të perëndive grekët i morën nga pellazgët. Aftësia e grekëve u tregua në përvetësimin e qytetërimit pellazgjik; ata asimiluan dhe krijuan një kulturë të tyre të madhe, që e përhapën anës detit Mesdhe…

Studimet që trajtojnë paganizmin tek pellazgët, zbulojnë faktin parahistorik se: “Feja e elimëve të vjetër, është një fe natyrale, pjesërisht marrë nga pellazgët dhe përzier ca pak me fenë e egjiptianëve dhe me atë të fenikasve”.[3] “Sa për fenë, mori fenë e pellazgëve që gjeti në vend”.[4] Kështu mund të thuhet pa frikë se ndikimet “barbare” tek mitologjia greko-romake nuk mund të mohohen në formimin e kombit grek.

Historia e Greqisë rrethohet me mite e legjenda që përzjejnë njerëzit me zotat.

Kjo ndodh për motive të ndryshme, por kryesorja është për t‘u paraqitur „më të mirë“ se të tjerët, qoftë edhe për shkak të mungesës së dëshmive rreth origjinës së lashtësisë, gjë që çon në elemente imagjinare të legjendës.

Kjo përhapje gojarisht përcillej nga brezi në brez për të mbajtur gjallë kujtimin e prejardhjes.

Atëherë: Mitologjisë greke i duhej që tërë perënditë, heronjtë të mbarten nga pellazgët paganë dhe nuk ka mjaft botime që ata e provojnë këtë.

Historia e Shqipërisë rrethohet nga heronjë e ngjarje reale madhore deri në kufijtë e legjendës dhe, ndonëse na ka munguar shkrimi, mbeten në kujtesën shekullore të popullit tonë.

Si vlerë kombëtare shqiptare, mitologjia e lindur nga burime pellazgjike nuk mund të pranohet si një pronë helene tërësisht e kombit grek.

Pellazgët – ilirët janë të veçantë si prejardhje nga ata helenë. Këtë e argumenton, veç të tjerave, Enciklopedia europiane në mjaft vende të saj, që nuk e ngatërrojnë pellazgjinë me helenët.

Simbioza e bashkëjetesës së movonshme është tjetër çështje studimi.

Edhe në qoftë se grekët kërkojnë të jenë pasardhës të pellazgëve, nuk mund të pranohet, pa u argumentuar, se janë para ilirëve në këtë trashëgimi kombëtare. Mjaft autorë grekë, me kalimin e kohës janë larguar nga faktet reale, duke marrë frymëzim te mitologjia dhe, për t‘ia arritur këtij qëllimi, e kanë modifikuar duke e vlerësuar thjesht helene dhe asnjëherë iliro –pellazge.

Spekulimi, sipas mendimit tim, mund të jetë bërë për rindërtimin e ndodhive antike të një populli, të një qyteti apo të një personazhi nëpërmjet sfondit të një miti, ku, në fakt, fshihet ndonjë element i vërtetë, ndonjë fakt historik i duhur – për lavdi kombëtare.

Mitologjia greke, kur zbulohet ndryshe, mund ta lexosh Et’hem Haxhiademin, të paktën në tri tragjeditë: “Uliksi”, botuar prej tij në Berlin, më 1924, “Akili”, botuar në Vjenë më 1928 dhe “Piro”, botuar në Lushnjë, më 1928.[5]

Një helenist i madh frëng, Alfred Croisel, me të drejtë ka thënë: “Emri grek nuk do të thotë aq racë sesa gradë kulture”. Et’hem Haxhiademi në “Uliksin” shkruan: “Odiseu u kthye prapë në Itakë dhe zuri përsëri fronin që kishte lënë zbrazët kaq vjet më parë. Pastaj shkoi në Thesproti për të bërë sakrificë në tempullin e saj. Me t’u kthyer nga Thesprotia, i kishin dalë në buzë të detit dhe e prisnin gruaja e tij Penelopa, me djalin, Telemakun”.

Varianti i dytë, i studiuar prej tij: “Odiseja shkoi në Itakë te motra e tij, Polikseni. Prej këtej vajti në Thesproti dhe u martua me mbretëreshën e atij vendi, Kalidicen, dhe luftoi kundër frigjëve. Në Thesproti la si mbret Polipitin, djalin që bëri me Kalidicen dhe u kthye sërish në Itakë, ku u vra nga Telegoni, i cili nuk e dinte se ishte babai i tij“ [„Tre gurët e zez“, vëll. II, f. 899].

Nga gojëdhënat e Çamërisë, në vitin 529 para Kr., Kalidice (Kalidhika) i dha roje nga mbretëria e saj Odisesë, për ta ndihmuar. Nga Homeri trajtohet që Odiseja i vrau i vetëm të gjithë fisnikët e vendit, kundërshtarë të tij. E besueshme është gojëdhëna çame, se ishin ushtarët dhe flota e Kalidhisë (mbretëresha çame) që ndihmuan Odisenë të kthehej në vendin e vet.

Ja pra që paska vend për polemika edhe në këtë fushë.

Dr. Jan Thomopulli ka lexuar i pari pllakat kretase, vetëm duke përdorur gjuhën shqipe, meqenëse me anën e gjuhës greke nuk ka qenë e mundur. Vetë Jani ka qenë me origjinë shqiptare, por si shumë të tjerë e fshehu këtë origjinë. Pse? Të tilla ishin rrethanat dhe detyrimet, megjithëse, në brendësi të shpirtit, asnjëherë nuk e mohoi se ishte shqiptar. Gjuhën shqipe kush mund ta dinte më mirë se bijtë e saj?

Kush e zbuloi Dodonën? Karapanua nga Arta (Narta). Grekët e quanin Arta. Ka një besim gojor se Ismail Qemali i tha Karapanos, i cili ishte me origjinë shqiptare, që ta zbulonte dhe ta studionte Dodonën.

Mirëpo edhe Karapano nuk thotë se jam shqiptar, por dihet se ekspertët e gjuhës greke nuk e zbulonin dot Dodonën.

Edhe Aristidh Kola e njihte mirë greqishten e vjetër dhe atë të renë, por shqipja e ndihmoi në veprat e tij.

Autori grek K. N.Sathas, në “Historinë e Greqisë”[6], (Studim i pajisur me dokumente nga arkivi i Venedikut, i viteve 1400-1500) midis të tjerash shkruan edhe për fisin e mirmidonëve në Tesali, afër Pindit, nga gjaku i ilirëve të vjetër.

Përsa më sipër:

Si mundët që këto fise ilire të ishin pa mitologji?

Autori grek K. N.Sathas shkruan: “Banorët e Peloponezit nuk u pëlqyen banorëve të Manit, të cilët hiqeshin se ishin spartanë”.

“Peloponezi në shekulin e 13-të fliste shqip”. Këto pohime dhe të tjera përse lihen në heshtje?

Në albumin arkeologjik dhe historik prej 240 faqesh „Duke vizituar Siçilinë“, nga Shtëpia botuese “Arnone” – Palermo, 1999,[7] flitet për elimët mitologjikë e qytetet e krijuara prej tyre, Erice, Segesta, Entela, apo toponime si: „Gurët e Elimit“, „Qafa e Elimit“*

Pyetja është: Pse nuk u tregohet turistëve të botës, teksa vijnë në Siçili, mbi origjinën e siçilianëve, që është një origjinë thjesht pellazgo-ilire? As mitologjia e trashëguar prej tyre nuk përmendet.

Si Homeri me emrin „danai“, po ashtu edhe K.N.Satha i referohet gjatë mitologjisë në veprat e tyre.

Në tetor 1990 u mbajt një kongres në Itali se çfarë janë elimët e nga kanë ardhur? Mitologët dhe arkeologët më të shquar e thanë fjalën e tyre. Përse nuk përmenden këto studime shkencore, kur edhe mendimi shqiptar tregoi vlerën e vet?

Pellazgjia përse të mos studiohet si vlerë kombëtare?

Zbulimet arkeologjike dhe linguistike flasin për periudhën e neolitit të vonë e deri në bronzin e hershëm edhe në vendbanimet e Maliqit, të Trenit, të Pazhokut për gjenezën pellazgo-ilire, të paktën 4000 vjet para Kr. periudhë kjo e qytetërimit babilonas, egjiptian dhe asirian.

Kur në Dodonë u zbuluan shtresa parahelene, menjëherë grekët i ndërprenë punimet. Pse? Pellazgjia dilte në sipërfaqe dhe lëkundi „mitin“ e lashtësisë helene.

Pika dyshimi vihen nga mjegullnajat e trajtimeve heleno-sllave, si një „superkulturë“ mbizotëruese për tërë Gadishullin Ballkanik. Përse?

Na okupuan 5 perandori: romake, bizantine, bullgare, serbe, otomane, por nuk na asimiluan dot. Helenizmi nga Preveza në Shkumbin për këtë po punon me çdo mënyrë.

Për pellazgët, autorët e hershëm grekë Homeri dhe Herodoti i cilësojnë parahelenë, ndërsa autorët modernë grekë, pasi e mohuan këtë tezë dhe nuk e mbronin dot, kaluan në pranimin e prejardhjes së tyre pellazge, por përpara ilirëve.

Kuptohet që pellazgët herë trajtohen si mit dhe herë si lashtësi, e njohur në mjegullnaja si grupime njerëzore indoeuropiane në vitet 5000-2000 para Kr.

Albanologjia dhe mendimi shkencor shqiptar për origjinën pellazge nuk e mbështesin plotësisht si tezë; në veçanti heshtje ka nga institucionet shkenore pas vitit 1991.

Mendimi shkencor shqiptar nuk ka përse ta shmangë debatin për çështjen e Pellazgjisë edhe pse mungojnë dokumenta të shkruara nga mjegullnaja e mijëvjeçarëve të hershmërisë. Me interes kanë qenë burimet e botimeve mbi Pellazgjinë nga autorët: Spiro Konda, Dhimitër Pilika, Muzafer Xhaxhiu, e në veçanti nga albanologu i shquar G. V. Hahn: “Studime shqiptare”. E deri tek vepra e ribotuar dhjetë herë e francezit Fystel dë Kulanzhe me titull “Qytetet-shtet antike”.

Interesi ynë kombëtar këtë hipotezë shkencore nëpër simpoziume të veçanta e kërkon ta përfshijë, sepse na legjitimon fillesat tona të prejardhjes si një nga popujt më të vjetër të Europës. Një simpozium i tillë u mbajt në Tiranë më 1982 dhe u hesht deri në këtë vit 2005, kur në Greqi për pellazgjinë janë të interesuara rrethet e larta helenike për ta përvetësuar si komb të asaj origjine. Argumentat e përdorur si p.sh. ndaj veprës së Spiro Kondës për pellazgjinë se “nuk ka baza shkencore” tashmë nuk po i qëndrojnë fakteve arkeologjike të zbuluara në vendin tonë. Në qoftë se u bë xheloz izraeliti me nënshtetësi shqiptare duke qenë i pari në simpoziumin e vitit 1982 që nuk e pranoi elementin pellazgjik tek shqiptarët për mungesë të argumenteve shkencore, kjo nuk justifikon heshtjen 23 vjeçare të institucioneve tona shkencore!

Vetë dorëshkrimet e Herodotit, Strabonit, Tuqiditit, Dionisit të Halikarnasit, të Plinit plak, Hesiodit, të Homerit, të Eskilit, të Sofokliut, të Euripidit, të Virgjilit etj. flasin për “barbarët” parahelenë. Bazuar në këta mendimtarë të lashtësisë së hershme dhe në zbulimet moderne të kohës, studiuesi ynë i njohur i arkeologjisë Muzafer Korkuti në vitin 2004 i quan pellazgët “paleoindoeuropianë” si pararendës të ilirëve.

Teza e pellazgëve është një vlerë studimore kombëtare civilizimi, kur mjaft pseudo-shkencëtarë na quajnë pa origjinë qytetërimi të lashtë në Ballkan, e në raste ekstreme si ardhacakë d. m. th. jo autoktonë!

Ideja e një simbioze bashkëjetese midis helenëve dhe ilirëve u mbart në gazetën „Pellazgos“, më 1.I.1860, me botues Anastas Byku në Athinë (shqiptar nga Lekli i Tepelenës), duke u aktivizuar, fillimisht, Vangjel Zhapa, P. Petridhi, të cilët më vonë paraqisnin synimet greke kundër çështjes shqiptare të pavarësisë.

Pse duhet studiuar teza pellazge si një vlerë kombëtare?

Grekët nuk janë autoktonë në Ballkan dhe, për të qenë të tillë, në historinë botërore u duhet përvetësimi i gjenezës pellazgjike për të larguar dyshimet e „banorit të parë“ helen në trevën ballkanike.

Mendimi shkencor shqiptar dhe albanologët e huaj zanafillën e qytetërimit të të parëve tanë, të fisit pellazgo – ilir, duhet ta mbrojnë.

Grekët e mistifikojnë problemin e racës, për të qenë sa më shumë nacionalistë. Pellazgët si kulturën më të lashtë kanë Dodonën; kur erdhën helenët, vodhën civilizimin e të gjithë perëndive, që nga Afërdita deri te Zeusi. Përse? Vetëm e vetëm të trajtojnë civilizimin nëpër shkolla si pronë të vetme të helenëve dhe të romakëve.

Në fakt, civilizimi pellazgjik mbetet i pari në Ballkan. Qytetërimet egjiptiane, kretase dhe helene u njohën në Ballkan shumë më vonë. Mistifikimi që i bëhet gjenezës helene ka lidhje me kulturën e saj, si civilizimi i parë në Mesdhe.

Personalitetet e historisë sonë kombëtare përse vetëm

në panteonet e kombeve fqinje?

Aleksandri i Maqedonisë – Në enciklopeditë, botimet, tekstet shkollore është „pagëzuar“ si grek.

Zbulimet arkivore flasin ndryshe. Olimpia, nëna e Aleksandrit të Madh, ishte epirote dhe, në burime të veçanta, prej fiseve mollose, aq më tepër, thesprote.

Studiuesi shqiptar, Et‘hem Haxhiademi, hedh dritë për këtë në dramën „Aleksandri“. Nuk dua të zgjatem këtu, por do të veçoja disa momente të tilla:

Nicolas K. Martis në librin me titull „Falsifikimi i historisë së Maqedonisë,[8] midis të tjerash shkruan: “Aleksandri i Madh nisi fushatën e tij të rëndësishme dhe vendimtare, pasi u deklarua jo vetëm mbret i maqedonasve, por edhe Komandant i Përgjithshëm i të gjithë grekëve. Ky titull iu dha atij nga grekët, me përjashtim të lakedemonasve, në vitin 335 para Kr. në Kongresin e Korintit”.

“Në këtë perandori kozmopolite të Aleksandrit të Madh, të gjithë qytetarët, pavarësisht nga origjina, fisi, gjuha, kombësia ose besimi, u përpoqën të mësonin gjuhën greke dhe të mbartnin në vetvete edukatën e shpirtit helenik, në mënyrë që “të konsideroheshin të civilizuar”.

Ka të dhëna të fundit se Filipi, babai i Aleksandrit të Madh e ka origjinën nga vendt e banuara pranë liqenit të Prespës. Sa qëndron kjo hipotezë e re, më duhet ta studioj më mirë dhe më afër burimeve të zbuluara që janë në proces kërkimi…

Autori “ka harruar” se pak më lart (f. 3) shkruan: “Maqedonasit e lashtë nuk kanë qenë grekë, por një popull i cili ishte i lidhur me ilirët dhe trakët”.

Argumentet e këtij autori aktual grek, i cili, tashmë, jeton në SHBA bazohen në mitologji, ortodoksi dhe edukatën shpirtërore helene.

Në “Petit Larouse ilustré” (1968) në zërin Filipe II, Alexandrie le Grand shkruhet: “Filipi i Maqedonisë mundi grekët në Tebë dhe më vonë në Athinë dhe në mbledhjen e Korintit i detyroi ta njihnin sundimtar të tyre.

Edhe Leka i Madh, i biri i Filipit, mblodhi një ushtri jo greke, por me maqedonas, ilirë, trakas dhe luftoi në Persi e deri në Afganistan.

Gjuha që fliste Aleksandri i Madh nuk ishte greqishtja”.

Diaspora greke në SHBA mblodhi 45 milionë dollarë për të ngritur përmendoren e Aleksandrit të Madh në VP të Greqisë, që ta përvetësonte e ta quante si hero të vetin.[9]

Piro i Epirit – Shoqata e minoritarëve në Sarandë ka marrë emrin “Piro”, duke ia marrë asaj të shoqatës P.A. Çamëria. Se sa është grek Piroja, do ta harxhojnë kohën kot, sepse fisi i mollosëve si vendlindje, apo Ledhëza e Thesprotisë, apo Lëkurësi i Sarandës, pa folur mbi Finiqin, mbartin prova historike të sakta për Piron – një personalitet i fisit tonë ilir.

Atëherë, kaq larg do të shkojë pakica greke duke përvetësuar Piron?

Skënderbeu. Në 500 vjetorin e vdekjes (17.01.1968) u mbajtën mjaft kumtesa shkencore për vlerën madhore të Skënderbeut.

Po përse edhe serbët duan ta përvetësojnë Skënderbeun? Në bibliografinë e botuar në Tiranë në vitin 1968, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes, janë numëruar mbi 1000 njësi bibliografike të botuara në më se 20 gjuhë. Studiuesi nga Shkupi Myzafer Bislimi i jep përgjigje dinjitoze akademikëve serbë për këtë çështje.

Synimi total i sllavo-helenëve, në veçanti mbas viteve 1991 dhe i renegatëve shqiptarë në shërbim të tyre, është përvehtësimi gjenetik i tij, në mos, ta zhvleftësojnë si vlerë kombëtare themelore shqiptare.

Në 600 vjetorin e lindjes së Skënderbeut, ky synim sllavo-helen ka reflektuar ndjeshëm në tërë aktivitetet fasadë që po i bëhen nga institucionet tona shkencore.

Skënderbeu mbante titullin “Mbret i epirotëve”, sepse me këtë emër ishin pagëzuar shqiptarët e mesjetës.

Disa autorë shqiptarë nisur thjesht nga emri, vënë në dyshim autoktoninë shqiptare të Skënderbeut.

Emri Ivan – argumenton Milan Suflay në “Serbët dhe shqiptarët”, përkthyer nga Zef Fekeçi dhe Karl Gurakuqi, botuar më 1926 në Shqipëri, emër që e kishin dy banorë të fshatit Koplik në Pultin e Poshtëm (Ivan Sudia dhe Ivan Budmir) ishin karakteristikë për brezin katolik të bregut në veri të Tivarit (viti 1323). Edhe i ati i Skënderbeut, sipas shkresave serbe, njihet “gospodin Ivan”, ashtu si në dokumentet e Venedikut (1407-1443) që i thonë Ivan Castrioth. Përsa i përket kryetarit të familjes së Kastriotëve, sipas një burimi që i përket qefalisë së Kaninës, përmendet viti 1308 (sipas Suflayt), se në oborr të zotit Aleksandër në Vlorë ai ishte me cilësinë “Prodam vojvoda dhe Mikliushi”. Në fakt, serbi quante Nikola shqiptarin Niksha. Prandaj, nuk mund të spekullohet me emrat biblikë për t’i përvetësuar kombësinë e tyre. Është kjo arsyeja që Gjergji quhet Jorgo nga grekët apo Ivan nga serbët për ta përvetësuar Skënderbeun tonë.

Vlera themelore kombëtare e Skënderbeut qëndron për mendimin tim se shpëtoi nga pushtimi otoman Rilindjen europiane. Këtë e bëri jo si kryqtar dhe as si diplomat, por në radhë të parë si një strateg ushtarak, më i shquari i kohës. Kush e shmang si studiues këtë fakt madhor të historisë cënon vlerën reale të Heroit tonë kombëtar.

Skënderbeu është një rast unikal historik, që për 25 vjet korri 25 fitore kundër 20 ushtrive turke, të cilat në atë kohë ishin në kulmin e tyre dhe që Evropës i mundësoi të gëzonte Rilindjen. Nuk ka në botë, strateg të tillë ushtarak, as Jul Çezar, as Hanibal apo Pompei, as Suvorov apo Napoleon që të ketë të tilla bilance madhështore.

Historia kombëtare e Greqisë origjinën e shqiptarëve të mëdhenj përse e kthen në greke? Paragjykimi? Thjesht një krenari e cenuar? Apo mbetën pa heronj realë dhe vetëm me ata mitikë?

Figura të tilla shqiptare të revolucionit të vitit 1821 i dhanë lirinë dhe pavarësinë Greqisë si: Kaconi, Bua, Meksi, Kacandoni, Kanari, Mjauli, Griva, Kryezoti, Skurtaniti, Boçari, Bubulina etj.

Figura shkencore me titullin profesor, që themeluan edhe Akademinë e Athinës, janë të genit shqiptar si: Dhimitër Egjiniti (1862-1934), Anxhelo Gjini (1895-1928), Aleksandro Diomedi (1875-1950), Vasil Egjiniti (1875-1959), Sotiri Skipi (1881-1952), Maksim Miçopulos (1897-1968), Gjeorgjio Sotiriu (1880-1965), Vasil Malamos (1909-1973), Spiridon Doda (1878-1958), Dhimitri Kaburoglu (1852-1942), Kostandin Horemi (1898-1966), Teofil Vozeas (1873-1954). Secili nga këta, me C.V. të shkëlqyer shkencore. Dhe thonë se shqiptarët nuk kanë kulturë kur ata kanë mësuar edhe të tjerët!

Po shtetin grek kush e përbënte, vallë? Kryeministrat Dhimitër Vulgari (1801-1877), Dhiomidhi Qiriaku (1811-1869), Thanas Mjauli (1815-1867), pa folur për Pangallosin e deri në parlamentin e parë grek, ku më 1833 flitej shqip. Nuk është e pakët Nënë Tereza, që rrallë tjetër komb e ka.

Epiri – Çështjen nuk e shtrojnë historianët grekë as në diskutim me ata shqiptarë se kujt i përket kjo trevë. Përvetësim total në histori, gjeografi, etnografi, arkeologji, mitologji duke hipnotizuar në mijëra botime Epirin si grek. Pa folur që është mohuar rrjedha e drejtë e historisë së Çamërisë.

Thelbi i asaj që argumentoj me të gjitha referencat shkencore: arkeologjike, etimologjike, toponime e deri te gojëdhënat, zbulojnë një fakt themelor: Nga 14 fise kryesore epirote janë 3 që përcaktuan strukturën e mësipërme të Epirit: Fisi kaon, thesprot dhe mollos të origjinës ilire.

Pyetja që bëhet sot në Epir është: Çfarë je, grek apo shqiptar? Përse kjo pyetje? Njeriu biotek zbulon vlerat shqiptare, edhe pse të mohuara. Qytetërimi në Çamëri flet, edhe pse i “helenizuar” qysh para romakëve. Vallja “Çamiko” dhe sfuçiote janë quajtur edhe “pirike”, që sipas Euripidit, Prroklit dhe Lukianit lidhet me emrin e Piros.

Filipi V në shek. II para Krishtit pohonte se epirotët aq sa edhe popull luftëtar, nuk ishin grekë.

Deri vonë defteret osmane flasin për rajá me emra shqiptare dhe nuk figurojnë emërtime greke.

Midis shumë mënyrave, thelbësore ka qenë trajtimi i elementit shqiptar në Epir si vlerë e luftëtarit, por jo të kulturës. A. Paparisiliu më 2.6.1967 në gazetën “Elenikos Voras”, në shkrimin me titull “Idealet greke”, midis të tjerave shkruan: “Cilat janë idealet e tanishme greke? Para së gjithash, janë dy rivendikime të mëdha historike: Bashkimi i Qipros dhe çështja e Vorio Epirit. Që të dyja këto çështje kombëtare nuk kanë karakter ekspansioni…”.

Ja pra përse ideali kombëtar i Greqisë së madhe, që në 1844 në Epir e përjashtoi si etni Çamërinë. Në anën tjetër, asnjë oponencë shkencore e intitucioneve shqiptare, të paktën ndaj hartave të botuara për Epirin në të gjithë Europën.

Përse duhen mbrojtur më tepër se kurrë vlerat

tona kombëtare?

Meqenëse nuk na asimiliuan 5 perandori, atëherë, integrimin tonë kombëtar për në Europë do ta kryejmë pa vlerat e trashëguara si pronë të popullit tonë?

Dihet që helenizmi dhe kombësia e saj, ashtu si më parë sllavizmi dhe kombësia e vet, u bënë për ta ide të njëjta asimiluese në Ballkan.

Arnold Toynbe paralajmëroi se: “Nacionalizmi grek nuk ishte një koncept artificial teorie, por një forcë e vërtetë që shtyn të gjithë fragmentet e popullit greqishtfolës për t’u përpjekur nëpërmjet bashkimit politik me shtetin nacional”.

Autori gjerman Hans Krahe shkruan: “Pa ilirët as Romë nuk do të kishte, as romakë, as Spartë, as spartanë” (“Geist der Zeit”, 20.IX.1938).

Nxënësve grekë e shqiptarë u mësohet historia kombëtare e Greqisë si, për shembull, në “Atlasin historik”, me autorë Dhimitrako dhe Pavllo Karolidhi, profesorë të Universitetit të Athinës, të cilët e shtrijnë Epirin deri në Shkumbin.

Mirëpo edhe historianët e lashtësisë greke si Herodoti, Tuqididi, Straboni, për të gjithë autorët e përmendur në këto harta historike (7 copë) thonë se ata parapëlqenin popuj jo grekë, por pellazgo-ilire, apo fise të afërta me to.

Akoma më shoven paraqitet autori Nicolas K. Martis në librin “Falsifikimi i historisë së Maqedonisë”, kur shkruan: “Ata, të cilët janë keqinformuar mbi subjektin e Maqedonisë ose që nuk kanë pasur asnjë mënyrë tjetër për të gjetur të vërtetën, do të rinformohen dhe do të sigurohen në vetvete që vetëm Grekët mund të quhen Maqedonas, Athinas, Tesalian, Epirot, Peloponez ose çfarë ju dhe ata janë quajtur për mijëra vjet e deri tani” (fq. 12)

Atë që pretendoj vetë se ka falsifikuar historia greke ndaj asaj shqiptare argumentohet më bindshëm sesa nga ky autor për Maqedoninë. Pse? Argumentet politike, fetare, mitologjike, paragjykuese e propagandistike nuk zëvendësojnë dot ato argumente shkencore ndaj historiografisë shqiptare.

Sa i prekur është Nicolas K. Martis për faktin se gjoja i qenka falsifikuar historia Maqedonisë, ndërsa çka i është bërë historisë së Shqipërisë, një masakrim i vërtetë, nuk i bën përshtypje.

Në parathënie të këtij libri autori shkruan: “Historia e Maqedonisë është falsifikuar, pavarësisht se në dukje është një veprim i pakonceptueshëm për ne grekët.

Kjo gjë vazhdon në mënyrë sistematike për shkak të interesave të gjera ekonomike, në çdo mënyrë të mundshme dhe sot po shtrihet në gjithë botën.

Si maqedonas dhe si ish-ministër i Greqisë Veriore, unë e konsideroj si detyrë që të informoj njëkohësisht si grekët ashtu edhe opinionin publik ndërkombëtar mbi pabazueshmërinë e kundërshtimeve të rreme dhe falsifikimin e historisë maqedonase”.

“Maqedonasit, ashtu si grekët, flisnin të njëjtën gjuhë dhe kishin të njëjtat zakone, shenjtorë dhe sakrifica që u bëheshin perëndive”.[10]

Pastaj, duke u bazuar në Dhjatën e vjetër të kishës ortodokse greke dhe asaj bizantine “u vendos një civilizim i quajtur kristian helenik”.[11]

Po këtu: “Historia e Maqedonisë” është pjesë përbërëse e historisë së Greqisë dhe aktorët e saj kanë qenë greko-maqedonasit përpara Aleksandrit të Maqedonisë deri te grekët e Perandorisë Bizantine dhe ato bashkëkohëse”. Vijon me apostullin Pal, që filloi punën e tij misionare në Europë nga Maqedonia. “Kjo ndodhi për shkak të Aleksandrit të Madh dhe pasardhësve të tij maqedonas, të cilët përhapën kulturën helenike dhe që greqishtja flitej në shtëpinë e Palit dhe ai vetë, i edukuar sipas shkencës greke”.[12] (Vetë Pali shkruan se e fillova punën nga Maqedonia dhe Iliria – A.K.).

Në kapitullin “Rrënjët dhe prejardhja helenike e maqedonasve të Greqisë”, i njëjti autor shkruan: “Roli i Maqedonisë në civilizimin grek ka filluar në mitologji. Banesa e 12 perëndive ishte në Olimp dhe, sipas një rëndësie dytësore, në malin Pieria në Maqedoni”.[13]

Vetëm një pyetje këtij autori: Justiniani quajti Justiniana prima fshatin e tij të lindjes, Taurision, pjesë që gjendej në rrethin e Shkupit, në Dardani. Pse?

Të flasësh me një eufemizëm të tillë për atë çka i kanë përvetësuar Greqisë nën akuzën e falsifikimit të historisë si Maqedonia, është në modë nga mjaft autorë grekë, ndërsa të flasësh se si e kanë falsifikuar historinë shqiptare të Çamërisë, të Epirit, është herezi, helmim dhe prishje e miqësisë.

Zbulimi i qytetërimit pellazgo-ilir-shqiptar trondit monopolin e kulturës greko-romake në Europë dhe në botë

Vepra e Pittardit (1924): “Prehistoria e Shqipërisë deri në kohën e xeherorëve” e panjohur (Pittard: “Les races et l’histoire”, Paris 1924, f. 361).

Leon Rey: Kërkimet arkeologjike në Shqipëri (“Përpjekja shqiptare”, 1937, f. 11-12), pohon se: “Megjithëqë kërkimet akeologjike po shumëzohen në Shqipëri, gërmimet arkeologjike nuk tregojnë asnjë gjurmë kulture parahelenike” dhe as nuk shprehet që kjo mungesë të marrë fund.

Këtu kemi një problem të çuditshëm, kur duket se vendet prehistorike e protohistorike janë me shumicë në Maqedoni, dmth në një qark fqinj nga kufiri lindor i Shqipërisë”.

Në Finiq Ugolini gjeti objekte të ndryshme prehistorike thepash ose maja thikash prej guri.

Përse nuk gërmohet sot në Finiq si ish-kryeqytet i Epirit?

Në Butrint – një sqepar i bukur porfiri dhe dy thika osidjane.

Në Zara – Profesori italian i Universitetit të Firences, Luigji Cardini zbuloi gjurmë të periudhës paleolitike për të parën herë në Shqipëri.

Prof. Mustili, studiues italian, thotë: “Të gjeturat arkeologjike, përsa i përket kohërave më të vjetra të historisë së Shqipërisë, nuk janë të hapta…gërmimet për prehistorinë duhet të fillojnë, megjithëse ndonjë gjurmë e rrallë e kësaj periudhe nuk na mungon”. (Mustilli: La civilità preistorica dell’Albania)

Shqipëria – pikë takimi midis Romës dhe Bizantit

Më 323 para Kr. vdiq Aleksandri i Madh, kur tërë treva e Ballkanit ishte e populluar nga pellazgët, të parët tanë.

Më 272 para Kr. vdiq Piro, mbreti i Epirit, prej fiseve ilire.

Më 395 para Kr. ndahet perandoria e Romës në perandori me kryeqytet Romën në perëndim dhe me kryeqytet Konstandinopojën në lindje.

Zbulimet vërtetojnë se: Durrësi është qendra më e rëndësishme e komunikacionit midis Lindjes dhe Perëndimit. Rruga nga Appia, duke u nisur nga Roma e nëpër….

(V. shtyp faqe 25-26…)

Edhe mitologjia, me të cilën Athina dhe Roma mistifikojnë hershmërinë e qytetërimeve të tyre, nuk është monopol i kulturës së tyre.

Mitologjia shqiptare po e thotë fjalën e vet iliro-pagane, deridiku e kristianizuar.

Fuqitë mbinjerëzore nëpër malet e Shqipërisë, arsyetohen me faktin se as këmba e romakëve të vjetër e më vonë as ajo e turkut nuk shkeli dot.

Si rezultat, origjinaliteti jetik si i folklorit edhe i mitologjisë u ruajt pa u prekur.

Shembuj janë edhe be-të pagane: “Për atë fytyrë dielli” Për atë fytyrë hëne!

Qytetërimi shqiptar zbulohet edhe në origjinën e autoriteteve shkencore të Greqisë

Përse nuk u tregojnë fëmijëve të Greqisë dhe botës moderne, për shembull, se autori i veprës “Historia e dialekteve të vjetra greke”, Hristo Hristovarsilis, apo Jorgji Aymagnostopullos, autori i studimit “Gjuha latine” dhe të “Historisë së gramatikës së gjuhës greke”, se ata janë me origjinë shqiptare? Për shembull, Hristo Hristovasili rridhte nga një familje suliote dhe trashëgonte cilësi të këtij fisi shqiptar.

Historia e Shqipërisë, në dukje kaq e përzjerë midis botës latine dhe asaj greke, nuk ka përse të shpjegohet vetëm me luftën midis tyre dhe qytetërimi ynë është derivat i asaj bote të huaj, duke iu detyruar thjesht disa tregtarëve të Korintit.

Kuptimi dhe çmimi i një kostoje historike se çfarë fshihet nën Epirin e vërtetë, nuk mund të paguhet duke lejuar historiografinë greke të na përvetësojë atë çka na përket neve. Për shembull, fisi epirot i prasaibëve, sipas autorit Stefan Bizantini, quhet fis thesprot, që ishin të parët e Çamërisë.

Se sa është greke -Epiri, saktëson albanologu Xhakob Filip Falmerayer në librin, tashmë të përkthyer”, “Elementi shqiptar në Greqi”.

Përvoja historike e kombit shqiptar ka mbartur lindjen, vetekzistencën, por edhe nevojën e ringjalljes së vet shkencore për të mbrojtur vlerat e veta në qytetërimin e ri botëror.

[1] W. Kracker, Dokumente gjermane të Vermahtit: T 501-258 “Ruajtja e veprave të artit në Greqi”, Vjenë më 13.II.1945. Mbas okupimit nazist të Greqisë, që në tetor 1941 komandantit të Greqisë iu dha për detyrë mbrojtja e artit dhe për këtë, me ligj të veçantë, u ngarkua një grup i administratës ushtarake.

[2] Albumi arkeologjik – historik me titull “Preveza – Nikopolis”, me autorin kryesor Nikos D. Karabelas dhe 38 bashkautorë shkencorë.

[3] Mehdi Frashëri “Historia e lashtë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve”, Phoenix, 2000, fq. 24.

[4] Po aty, fq. 25.

[5] Ethem Haxhiademi, dramaturg, i quajtur nga kritika letrare si Eskili i Shqipërisë

[6] K.N.Sathas, “Historia e Greqisë”, Parris 1881.

[7] Albumi enciklopedik – historik me titull “Visiting Sicily” (Duke vizituar Siçilinë). SH.B. “Armone”, Palermo 1999.

* “Qafa e elimëve” quhet vendi midis Bratit dhe Vranishtit, atje ku është sot një lagje e Tërbaçit.

[8] Nikolas K. Martis “Falsifikimi i historisë së Maqedonisë”, Athinë, 1984.

Ky libër i dedikohet presidentit maqedonas të Republikës Helenike, Costandine Karamanlis. Ky libër është sponsorizuar nga Fondacioni “Aleksandër Onasis”. Është përkthyer në disa gjuhë si në anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Nikolas Martis për këtë libër ka marrë çmimin e Akademisë së Athinës, me motivacionin: “Ka sjellë prova të sigurta, që demonstrojnë qartë prejardhjen helenike dhe frymën kombëtare të maqedonasve”. Nikolas K. Martis është zgjedhur 7 herë deputet dhe ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Greqisë Veriore (1955-1956), nënsekretar në Ministrinë e Tregtisë (1956-1958). Ministër i Industrisë (1958-1961) dhe ministër i Greqisë Veriore (1974-1981).

[9] “Shqipëria XXI”. Revistë universitare politiko-kulturore. Nr. 8-9, Bukuresht, 2002, f. 71.

[10] Nicolas K. Martis, vep. e cit, fq. 14.

[11] Nicolas K. Martis, vep. e cit. fq. 16.

[12] Po aty.

[13] Nicolas K. Martis, vep. e cit. fq. 20-21.

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.