Katandisja e lidershipit shqiptar ne Maqedoni, s’kane as strategji dhe as karakter!?

Aleksanri_madh_ushtriteGjeneral_Brigade_Pirro_AhmetajShkruan: Gjeneral Pirro Ahmetaj

Po paraqes një analizë strategjike “përtej Kumanovës”. Ngjarjet në Maqedoni, do ti trajtoj në kontekstin e perspektivës së stabilitetit të rajonit. Do të fokusohem jo në të gjithë faktorët që mbjellin paqe apo prodhojnë kriza, por në një element me peshë kritike: elitat politike, udhëheqësit, në vijim të definuara me termin “lidership”. Pse gjykoj se lidershipi është faktori themelor i paqes, stabilitetit dhe prosperitetit? Sepse: koha e ka treguar se lidershipi ka qënë shtylla/hallka më e dobët e komponentëve shtet-formues jo vetëm e dy dekadave të fundit, dhe pa një “pranverë të lidershipit”, rajoni do të vijojë të vuajë nga pasojat e destabilitetit.

Në kohët e lashta, popujt i adhuronin prijësit/liderët gjenialë që jepnin shpresë për mbijetesë dhe paqe. Aleksandri i Madh thoshte: “Nuk ja kam frikën një ushtrie me luanë të drejtuar nga një dele, por një ushtrie me dele të drejtuar nga një luan”, ndërsa strategu Klauzeviç: “Në përleshjet me mjegullën e të panjohurës, dy cilësi janë të domosdoshme për çdo Lider, e para zgjuarsia, që edhe në kohën më të errët mëndja e tij të prodhojë rreze drite që të çojnë tek e vërteta, dhe e dyta guximi, për të lëvizur drejt asaj drite kudo që të çojë ajo”. Lidershipi bëhet edhe më i domosdoshëm në kohët moderne. Kështu, më shumë se çdo definicion tjetër, plot 37 herë është përmendur termi Leadership në SSK të SHBA, të miratuar në Shkurt 2015! Duhet të qartësoj se përtej emrit, definicioni lidership është mentalitet dhe kështu “nuk kam as më të voglin synim tu referohem, aq më tepër të denigroj personazhe të përveçëm”, por vetëm të sjell në “peshoren profesionale, produktin” në stabilitetin e demokracisë, sigurinë e jetës, pronave, dhe integritetit të qytetarëve në hapësirën që ky lidership ushtron përgjegjësi përfaqësuese.

Çfarë po ndodh dhe cila është perspektiva e stabilitetit në Maqedoni? Ka ende dilema për demokracinë funksionale? Kanë dështuar qeverisjet apo ka krizë lidershipi?!Nuk ka dështuar demokracia, siç “Putinizohet” për stabilitetin e vendeve të rajonit! I famshmi Çurçill, thoshte: “Demokracia nuk është sistem perfekt, por është zgjidhja më e drejtë ndërsa s’është provuar ende një tjetër më e mirë”. Atëherë, kanë dështuar qeverisjet? Përse në 25 vjet ka riciklim të destabilitetit? Munden këto vende t’ia dalin për të tejkaluar dilemën, panikun dhe pasojat e “qeverisjeve të dështuara? Kush janë faktorë vendimtarë të kësaj “katandisje për të ardhur keq”?! Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, para rrukullises në kufijtë e “shteteve të dështuara”, janë pasqyra e një krize të lidershipit, që e trajtoj në vijimësi:

Pavarësia nga ish-Jugosllavia (shtator 91), siç e përshkruan Gjenerali Klark në librin “Time to Lead”, u arrit “pothuaj paqësisht” falë vizionit&peshës së lidershipit” të kohës në Beograd me në krye Gligorov, President i Republikës Autonome që i përkisnin shkollës racionale të Titos. Nuk është më i paqmi (Mali i Zi), por ku e ku me pavarësinë e fituar me “gjakun lumë”, në Bosnje, Kosovë, Kroaci, etj. Nga kritikët ka patur&mbetet relevante dilema territoriale e Maqedonisë: a ishte zgjidhja më e mire? Lideri Shqiptar, i ndrituri Arbën Xhaferi, (nënshkruesi i Ohrit) para marrëveshjes hodhi një opsion të guximshëm: “shkëmbimi i territoreve” dhe ri-përcaktimin e kufijve të 13-tës, çka nuk është subjekt i këtij shkrimi, por do të shërbejë si sfond. Në OKB, njihet me emrin Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, (përjashto Turqinë që e njeh me emrin e saj kushtetues).

Shqipëria, e njohu mbas zgjedhjeve demokratike të Marsit 92. “Bllokmenët e vjetër, një bandë të currufjasurish” nuk kishin ndjeshmëri (OSBE, gjeopolitikë, etj as nuk i shqiptonin), për të mbështetur interesat e shqiptarëve. Mbas pavarësisë, Shqiptarët vijuan të trajtoheshin si qytetarë të dorës së tretë, pas minorancave, turke, serbe, arumune, etj. Kur qytetarët u drejtohen armëve, të gjitha mekanizmat e tjera, përfshi edhe besimi publik te lidershipi janë konsumuar keqas. Për konfliktet edhe për zgjidhjet duhen domosdoshmërisht jo më pak se dy palë. Konfliktet me vetveten ndodhin me të çmendurit, ose marrëzi kolektive si e vitit 1997 në Shqipëri. 10 vjet mbas pavarësisë (gusht 2001), me ndërmjetësinë e ndërkombëtareve u nënshkrua marrëveshja e Ohrit = një paketë detyrimesh të bashkë-dakortësuara nga palët e cila ishte edhe një përpjekje racionale për të tejkaluar “dilemën” për mëvetësinë dhe një zgjidhje shpresëdhënëse për perspektiven Evropiane të Maqedonisë.

Është Kumanova rast i shkëputur? Inskenim i aktorëve radikalë? Apo i inspiruar nga faktorë me interesa gjeopolitike për të mbajtur fijet e destabilizimit të rajonit? Ngjarjet nuk janë rrufe në qiell të hapur. Mungesa e vizionit të lidershipit për të projektuar&ndërtuar Maqedoninë e paqme, qasjet radikale, liderët relevant nuk merren me zgjidhjet, por konsumojnë energji të jashtëzakonshme me inskenimin e fajtorëve (armiq) të palës tjetër, thjesht për përfitime politike të ditës. Mendoj se “të gjitha rrugët e destabilitetit, të çojnë tek “Ohri”. Kur arrihet marrëveshje nuk “ulet populli”, por ata/ato që ushtrojnë përgjegjësitë përfaqësuese, pra liderët. Përtej retorikës, aktorët/liderët duhet të ballafaqohen me progresin: kush janë standardet e shqiptarëve në raport me statusin e para-marrëveshjes – aty do gjejnë rrënjët e ngjarjes së Kumanovës, dhe jo vetëm?

Liderët e palës Maqedonase vijojnë të kenë probleme serioze mes vetvetes, por kanë qenë më “të qartë dhe konstant” për të “ngadalësuar&keq-instrumentalizuar paketën e marrëveshjes” në dëm të Shqiptarëve. Liderët aktualë demonstrojnë një kthim te Milosheviçi, çka ka shokuar edhe aktorët ndërkombëtarë: “megjithëse të rinj, këta liderë po bëhen më shumë radikalë, ekstremist, deri edhe racist”! Vetë-diskredituese për Gruevskin ishte fjalori i ish-Ministres Brendshme (nuk meriton ti përmendësh as emrin), një funksionare e pre-supozuar përgjegjëse për sigurinë (jetën, pronën, paqen) e mbarë qytetarëve të Maqedonisë! Mund të pritet nga kjo “lloj monstre liderësh” të ndërtohet paqe e qëndrueshme, dhe prosporitet për qytetarët e Maqedonisë?

Liderët Shqiptar në Maqedoni dolën nga marrëveshja e Ohrit “relativisht fitimtarë”, por u mungonte në mënyrë kritike “vizioni dhe projekti përtej luftës”, për të mbjellë paqe të qëndrueshme, që do të çonte në Ohri Plus, ose qytetarë të barabartë – “çelësi i stabilitetit të Maqedonisë”! Ndoshta mallkimi nga profecia e Nolit në luftën e përgjakshme (për karrige), mes-vetvetes dhe interesa meskine kanë dominuar. Me keqardhje konstatoj se standartet e Ohrit dhe qytetarët i shoh në një tren, ndërsa liderët shqiptarë në një tren tjetër me destinacion të ndryshëm.

S’është për tu entuziazmuar, është për tu lutur që të dy palët të zhvillojnë liderë vizionarë, instrumente dhe traditë demokratike për ti tejkaluar këta liderë që “kanë humbur arsyen dhe trenin”. Ka dy sfida emergjente për ardhmërinë e stabilitetit të Maqedoninë: barazia e qytetarëve (statusi i shqiptarëve), dhe integrimi në NATO. Janë sfida te përbashkëta për liderët e së ardhmes (Maqedonas&Shqiptarë), dhe jo vetëm. Qëndrimet e moderuara të opozitës japin shpresë, por jo entuziazëm. Nuk janë sfida të lehta, por nuk është mision i pamundur. Nuk do të “shpikin rrotën”! Zvicra, Belgjika, janë shembuj të gjallë si diversitetin etnik e kanë adresuar jo si burim konfliktesh por si vlerë e shtuar për stabilitetin dhe prosperitetin e qytetareve.

Aktorët e jashtëm: Lidershipi Serb, është treguar aktivë, kryeneç, ka luajtur “viktimën”, ka dominuar me ide pragmatiste homologët, ka “tejkaluar pasojat e humbësit”, dhe në çdo ngjarje ka vijuar të jetë e pranishme, për të treguar se mbetet “violinë e parë” në stabilitetin e rajonit”! Kështu në planin e sigurisë, ja arriti të bindë 27 vendet për të hequr kufizimet ushtarake (ajrore&tokësore), të marrëveshjes së Kumanovës, që përbënin “de facto” kufijtë midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë!? Megjithë rezistencën, “Shqipëria e vetmuar” nuk ja doli, qoftë edhe të spostonte heqjen e tyre. Kumanova na ri-zgjon disa pikëpyetje: Pse në ditën e paradës së Moskës?, pse në këtë paradë nga Ballkan ishin vetëm përfaqësues të lartë të Serbisë dhe Maqedonisë? Pse për një “ngjarjeve të izoluar”, u demonstrua rrufeshëm prezencë ushtarake në kufi? Pse Serbia nga njëra anë nuk aspiron anëtarësimin në NATO, “mjelë” modelin Zvicerian të “asnjanësisë”, ndërsa nga ana tjetër ka “marrëdhënie të privilegjuara ushtarake” me Rusinë?

Si rrjedhim racional, mund të ngrihet një pikëpyetje shumë e madhe: mund të ketë një strategji Serbo-Ruse, shto dhe aleanca me radikalet e radhës, që në një kohë&kushte të caktuara, të përdorin precedentit të Krimesë në veriun e Kosovës (preteksti i vet-vendosjes të qytetarëve)? A ka kapacitete Kosova për tu përballuar? Po qëndrimi i RSH, përveç “stërhollimeve diplomatike”? Po komuniteti ndërkombëtar&NATO? – si do të reagojnë për një skenar të tillë? Në gjeopolitikë shanset nuk jepen më shumë se njëherë, dhe fatkeqësisht mbarë-shqiptarët e kanë keq-konsumuar njëherë në vitet 2000!

Lidershipi i Kosovës. Pas fushatës së suksesshme ajrore, në Kumanove u firmos Marrëveshja e Teknike midis NATO-s (fituese) dhe Serbisë (humbëse). Edhe më skeptikët e “Planit të Ahtisaarit”, madje edhe më radikalet antishqiptarë nuk e kishin parashikuar që mbas 15 vjetesh statusi i Kosovës do ishte ky që është sot. Para se të fajësojnë të tjerët, liderët e Kosovës duhet “të shohin në pasqyrë vetveten”. Në vend të përgjegjësive për të “fituar paqen”, u keq-konsumuan në “luftën e përgjakshme mes vedit”, me triumfalizëm primitiv dhe pri-valencë të axhendave korruptive, kriminale, ose të dyja së bashku. Shembulli i pa-përgjegjshmërisë ishin zgjedhjet e fundit, ku Kosova “s’ja doli të kalojë klasën e rotacionit normal të pushtetit”, ku liderët dhe militantët të “mësojnë të jetojnë edhe në opozitë”, për të kontribuar në shtetformimin e Kosovës. Marrëveshja është “bast i humbur” për traditën e Ballkanit. Po ashtu, liderët e Kosovës dhe “vendit amë” për “erën e eksodit 2015” në vend të “lexojnë kredibilitin te qytetarët”, me qasjen e “fitimtarit të luftës” fajin e gjejnë te armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm.

Roli i aktorëve ndërkombëtarë. SHBA, rol themelor për pavarësinë e Kosovës. Gjykoj se janë të ‘zhgënjyer” nga “papërgjegjshmëria e lidershipit”, dhe po përpiqen “sa me shpejt më mirë” të finalizojnë projektin e “Ballkanit të stabilizuar”. Per sa lidershipi, SHBA, etj kanë “dështuar me arsye”, për të triumfuar mbi djallëzitë e pashoqe, “pa-aftesia e justifikuar” për të dalluar “djajtë nga engjëjt” te aktorët shqiptarë, dhe një devizë për burokracinë diplomatike “sa më gjatë qëndrojnë aq më vendali bëhen”! Kështu, liderët lokalë, janë imponuar duke aranzhuar axhendat e perëndimorëve. Rusia, mbetet konstante për të mbajtur “çelësat” për stabilitetin e rjonit, sigurisht në mbështetje të Serbisë, dhe çdo aleati tjetër në dëm të Shqiptarëve. Turqia, në “erën e Erdoganit” dhe Gjermania, nuk i kanë fshehur ambiciet gjeopolitike në rajon, që në planin bilateral perceptohen në një linjë historike me interesat strategjike të Shqiptarëve!

Lidershipi i Shqipërisë. Ka për detyrë kushtetuese (jo propagandistike): stabilitetin brenda vendit, dhe përgjegjësi kritike, faktorizimin, mbrojtjen dhe promovimin e interesave mbarë-shqiptare në rajon, dhe jo vetëm. Fatkeqësisht, po të analizosh qëndrimet ndaj reformave të sigurisë; vrasjen e bankierit/ndjerit Santo, grabitjen e Bankës; dinamikën në rastin e biznesmenëve udhëheqës (policy maker) “Doshi&Frroku”; dalldisjen bolshevike për “opozitën armike”; arrogancën në vend të mirënjohjes, triumfalizmin në vend të përulësisë, tregojnë se ky është parlamenti më i diskredituarin në historinë 103 vjeçare të Shqipërisë! Bashkë me të, ky lidership, ka në pikëpyetje kritike legjitimitetin (si/pse u zgjodhën të inkriminuarit?) si dhe ka humbur kredibilitetin (mediokr) për të udhëhequr interesat e Shqiptarëve. Vendi është “i kapur” nga liderët/oligarkë që me fuqinë e politikës, nën motot staliniste “marrja&mbajtja me çdo kusht dhe gjithë pushteti sovjetëve” janë bërë të plotfuqishëm. Gjithfarë, populistë-marksist, të inkriminuar, ordinerë-militant dhe servilë pa parime, u shpërblyen fillimisht si doganiere, policë, bodigard, tatimorë, pastaj biznesmenë, pastaj politikanë, dhe më tej dominojnë frikshëm politikën, ekonominë, sigurinë mediat dhe jetën sociale të qytetarëve të vendit.

“Kësaj keqkatandisje” nuk i bëhet derman duke: treguar “bëmat e çunave të bllokut”, “trimeritë në betejat me “BAJLOZIN””; konkurruar Sulltanin e madhërishëm, apo “shpikur mbledhje të përbashkëta të qeverive (përfshi Gruevskin!); bërë babaxhanin apo bërë selfie (me sy vedit) . Përgjegjshmërisht mbetem shqetësuar se mungesa e vizionit/lidershipit, qasje jo-konsensuale, politizimi, ulja drastike e buxhetit, shpërdorimi i aseteve&infrastukturave strategjike; mungesa e solidaritetit&kohezionit, arroganca dhe pa-përgjegjshmëria propagandistike në drejtimin e FA e ka lënë Shqipërinë, dhe jo vetëm (!) pa një projekt në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes!

Në përmbyllje, a ka mundësi të ndërtohet stabilitet i qëndrueshëm në hapësirën mbarë-shqiptare? A do munden t’ja dalim më vete të ndërtojmë një demokraci funksionale, një shoqëri ku konkurrojnë dhe prevalojnë vizionet, projektet, vlerat, ku mbillet&korret paqe dhe prosperitet për qytetaret? Besoj se PO! Mbetet që gjenerata e re të njohin përgjegjësitë, të angazhohen dhe të përballen me disa sfida kritike: Shqipëri stabël me demokraci funksionale. “the democracy works/demokracia punon”, ishte mesazhi i parë nga vendi simbol i lirisë (James Baker) në vizitën e vitit 1991. Fara e demokracisë ka mbirë. Jam shpresëplotë se ky përcaktim do të funksionojë edhe në hapësirën mbarë-shqiptare.

Rotacioni i elitave politike. Zhvillimi lidershipit të zgjuar&përgjegjshëm që nuk sundojnë por udhëheqin. Një elitar i viteve 1990, Gjeneral Schwarzkopf, nënvizon se: “Liderët duhet domosdoshmërisht të kenë strategji dhe karakter. Nëse mungon qoftë edhe njëra, nuk mund të quhen liderë”. Po kur mungojne të dyja? Këtë katandisje të “lidershipit/parlamentit, etj” nuk e shëron dot as kjo përpjekje e sforcuar e zgjedhjeve lokale, pasi të sëmurit që i ka plasur stomaku, nuk ka nevoj për aspirina por për operacion imediat!

Integrimi në BE. Historia e zgjerimit në NATO ka provuar se mbas anetaresimit, vendet janë vetëm “një hap larg anëtarësimit në BE”. Nga gjithsej 12 vende anëtarësuar mbas 1999, 11 janë anëtarësuar në BE 3 deri 5 vjet pas hyrjes në NATO. Shqipëria u bë precedent përjashtues (fanar i fikur) nga kjo përvojë mbarë-evropiane. Përgjegjësinë e mos-anëtarësimit, lideret nuk duhet ta lexojmë me paranoja se “fajin e ka populli, opozita armike, apo Brukseli, por duke marrë dhe zhvilluar “detyrat e shtëpisë” nga të gjithë aktorët. Integrimi në BE mbetet aspirate strategjike dhe prioritet Nr. 1 i RSH, ky është përcaktimi i patjetersueshem i Shqiptarëve.

Strategji dhe projekt i përbashkët për sigurinë. Ri-qartësoj se NATO është garant i tërësisë territoriale nësë kufijve zyrtarë të R.SH sulmohen ushtarakisht. Lista e rreziqeve është shumë e gjerë sa “tërësia territoriale”. Kështu, Shqipëria (Liderët e vendit Ame) është në të drejtën e saj ndërkombëtare dhe inkurajohet nga NATO që për rreziqet përtej Nenit 5: “stabiliteti i demokracisë, marrëdhëniet ndër-etnike, të drejtat e njeriut, krizën financiare, papunësia&varfëria, emergjencat civile, mjedisi, terrorizmin, krimin e organizuar, trafiqet, rastet renegate etj”, të ndërmarrë një debat gjithëpërfshirës, për të konsideruar, dhe udhëhequr një projekt mbarë-kombëtar (dhe më gjerë) me strategji, aleanca, projekte dhe kapacitete të përbashkëta në dobi të sigurisë së qytetareve, stabilitetit të shoqërisë dhe promovimit të interesave kombëtare. Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi e kanë të pamundur ti përballojnë më vete këto sfida. Në planin diplomatik, në vend të hapin ambasada&konsullata për të shpërblyer militantët – të ngrejnë struktura dhe mbajnë qëndrime të përbashkëta&përshkallëzuara (nga i buti te radikali) për anëtarësimin në NATO të Maqedonisë, Malit të Zi ose Serbisë (nëse e kërkon) në raport me interesat jetike të shqiptareve!

SI?, KUR? KUSH ? do ti realizojë këto sfida? E shoh te pragu derës një “pranvere mbarë-shqiptare”, që do të realizohet nga gjenerata e re, e lindur dhe edukuar në liri, pa ngarkesa, paranoja dhe paragjykime që do ti tejkalojë “liderët/sundimtarët e tranzicionit të stër-lodhshëm” në mënyrë që stabiliteti dhe prosporiteti të perceptohen&konsumohen përtej historive së përgjakshme. I “dënuar nga paragjykimet e sojsëzeve”, qartësoj, se vlerësimet në këtë opinion janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e institucionit ku shërbej.

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.