Rilindasit dhe besimet fetare

fete_respekti

Hasan_bello_mShkruan: Hasan Bello

Në shtypin e Rilindjes Kombëtare, në kundërshtim me atë që është shkruar deri sot, përgjithësisht dominon pikëpamja se shqiptarët nuk ishin një popull afetarë. Por, sipas rilindasve, populli ynë nuk duhej të ishte fanatik dhe se mbi gjithçka duhet të vinte interesin kombëtarë. Ky qëndrim ishte rrjedhojë e përdorimit të fesë nga fqinjët ballkanikë. Identifikimi që ata i bënin besimit me kombësinë, përbënte një rrezik të madh për shqiptarët. Kjo vihej re edhe nga një artikull i Gazetës “Liria”, në prill të vitit 1909, ku shkruhej se shqiptarët megjithëse donin të ishin ortodoksë, nuk donin që të ishin grekë dhe vegla në dorë të “idesë së madhe”.

Rilindasit bënë përpjekje për t`i treguar shqiptarëve se besimi fetar nuk ishte në kundërshtim me dashurinë për atdheun. Naim Frashëri shkruante: “Të besojmë perëndinë/të duam edhe Shqipërinë”. Ndërsa një personalitet i njohur si Hafiz Ali Korça formulën e mësipërme të Naimit e shprehte me këto vargje:
“Nuk e di me ç`mendje venë
kush s`ka fe e do atdhenë?
Duhet të mendohen pakë
Fe, atdhe, janë binjakë.

Edukimi i popullsisë me ndjenjën kombëtare, përbënte një mision të rëndësishëm për rilindasit. Kjo, sepse siç shkruan Fan Noli në gazetën “Kombi”, më 7 mars 1903, “Njeriu mund të ketë cilëndo fe që ka gjetur prej stërgjyshërve dhe që i pëlqen, por s`mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë të tinë, pa vënë në ballë një vulë të madhe prej “tradhtari”. 

Në shtypin e kohës vihet re se raporti mes fesë dhe kombësisë është trajtuar në mënyrë të ekuilibruar. Prania e komponentit fe, nuk e përjashtonte kombësinë, megjithëse këtij të fundit, për vetë rrethanat historike, i jepej përparësi më e madhe. Madje, ka raste kur roli i tyre vlerësohet, duke e vendosur theksin tek keqpërdorimi që i bënte kleri me origjinë joshqiptare. Gazeta “Kombi”, më 27 mars 1908, shkruante se “Fetë nuk janë të liga siç janë, por siç ua mësojnë shqiptarëve të farmakosura e të shtrembëruara, janë të rrezikshme për vdekje”. Sipas shtypit të kohës, feja duhej të mbulohej nëpër zemrat e shqiptarëve dhe të mos bëhej pengesë për shërbimet ndaj atdheut. Siç vihet re edhe nga artikujt e shumtë, synimi kryesor i rilindasve, ishte kultivimi i “instinktit kombëtarë”.

Gazeta “Drita” shkruante në vitin 1908 se “shqiptari i nderonte të gjitha fetë, por më shumë Shqipërinë dhe bashkë myslimanë, ortodoksë e katolikë përpiqen për qëllimin e shenjtëruar”.

Harmonizimi i identitetit kombëtarë me besimet fetare ishte një proces i vështirë për rilindasit, pasi pjesa dërrmuese e klerit, përbënte një pengesë serioze. Propaganda e fuqishme e përkrahur nga shtetet e huaja bëri shumë përpjekje për të nxitur rivalitetin fetar. Klerikët luftonin me forcë kundër martesave të shqiptarëve me besime të ndryshme. Aq e përhapur ishte kjo dukuri në disa zona, saqë disa të huaj çuditeshin dhe shkruanin se në Shqipëri myslimanët dhe të krishterët nuk ishin myslimanë dhe të krishterë të vërtetë. Naim Frashëri i bënte thirrje popullit që të mos i merrte në konsideratë propagandat e huaja:

“Vlerë mos u jepni kurrë fjalëve thënë prej armikut
që kllasin gjithmonë fenë, si veglën e rrezikut”.

Ndërsa patrioti Bab Dud Karbunara në një artikull të botuar në gazetën “Korça”, më 10 dhjetor 1909, predikonte ndjenjën e vëllazërisë midis shqiptarëve me besime të ndryshme. “Vështroni këtë dru mani o djemtë e mi! Ka dy trupa dhe një rrënjë. Kështu dhe ne si popull jemi një pjesë myslimanë, një pjesë të krishterë, por kemi një rrënjë të përbashkët, jemi shqiptarë, jemi vëllezër”.

Ekzistenca e disa besimeve fetare, nuk ishte bërë shkak për konflikte ndërmjet shqiptarëve. Përkundrazi, siç shkruante Sami Frashëri në veprën programatike (“Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e çdo të bëhet”) “shqiptari nuk i njeh grindjet e fesë dhe luftërat e përgjakshme fetare që kanë njohur popujt e Lindjes e të Perëndimit”. Ndërsa një udhëtar i huaj që vizitoi Shqipërinë e Veriut në gjysmën e dytë të shek.XIX shkruan se “megjithëse këtu është përhapur njëherë krishtërimi dhe më vonë feja islame, prapëseprapë diferenca fetare nuk e ka shkatërruar farefisninë e gjakut dhe bashkësinë fisnore…Ata e përshëndesin njëri-tjetrin me përshëndetje myslimane. Katolikët hynë në urdhërin e bajraktarëve myslimanë e myslimanët nën urdhërin e bajraktarëve katolikë dhe në luftë ata bashkëpunojnë në një mënyrë të plotë. Të vdekurit e të dy palëve i nderojnë si martirë”.

Këto konsiderata vihen re pothuajse në të gjitha librat e shkruar nga udhëtarët e huaj. Kështu, autori francez G.L.Jaray shkruan se një gjatë një udhëtimi që ai kishte zhvilluar në Shqipëri, një banorë vendas i kishte deklaruar se “të gjithë myslimanë, katolikë, ortodoksë ne jemi shqiptarë dhe duam që të na respektojnë kombësinë tonë”.

Ndërgjegjja e përbashkët kombëtare dhe epërsia mbi dasitë fetare ishte një komponent i rëndësishëm, që rilindasit e vlerësuan jashtmase, për krijimin e unitetit kombëtarë.

Shperndaje ne
Updated: 6 Qershor, 2015 — 08:51

The Author

Hasan Bello

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.