Aty ku ndahet realiteti logjik dhe ai historik

Avdi_ibrahimiShkruan: Avdi IBRAHIMI

A duhet thënë shqiptarëve gjithë e vërteta ashtu siç është, sepse gjysmë e vërteta nuk vlen, të mos fshihet asgjë nga realiteti, çka po ndodh prapa perdeve, ç’rëndësi ka çfarë mendoni ju njeri i veshur me pushtet, nëse gjatë jetës tuaj politike një herë në jetë keni gabuar, një çast të keni vepruar në dëm të interesave kombëtare shqiptare, nëse në atë çast ju ka ikur mendja nga koka? Nëse ndonjëherë keni pasur mend, po ja që ju nuk shpëtoni dot nga dyshimi i ndërgjegjes suaj, nëse u ka mbetur sado pak ndërgjegje… kjo fatkeqësi e pandershme ju frikëson se mos një ditë do të zbulohet e vërteta, që ju në emër të përfaqësimit të popullit keni bërë kompromise me ish – pushtuesin e tokave shqiptare për ndryshimin e identitetit shqiptar në atë “kosovar”, kështu i keni dëmtuar rëndë interesat e kombit shqiptar. Kjo mbase ju mundon dhe keni frikë se keni mallkimin e gjithë kombit shqiptar dhe gjithë atyre që kanë rënë në altarin e lirisë për shqiptarizëm.

Kjo frikë mbase të mundon më shumë se dënimi për krimin që po u bëni mbarë shqiptarëve, për abuzimin qe po bëni me pushtetin ti dhe bashkëpunëtorët tu servil e të korruptuar. A po e ndieni se ka ardhur tashmë Ora e Maleve, kjo figurë mitologjike shqiptare… për t’u ndihmuar e t’u sjellë fat të mirëve dhe atdhetarëve nga radhët e kombit shqiptar dhe t’i ndëshkojë të këqijtë e korruptuar. Këtu ku ndahet realiteti logjik dhe ai historik, këtu ku nën maskën e pushtetit bie maska e patriotizmit.

Sikur ta merrnit dënimin do ta ndienit veten më të lehtësuar. Me këtë rast, tërë ajo e keqe e akumuluar me vite në shpirtin tuaj, nëse u ka mbetur sadopak shpirt, kjo e keqe do të ju dilte jashtë, sepse e keqja kur qëndron brenda e mbyllur të shtypë dhe të mundon më shumë, sepse ti dhe ata që janë në bashkëfajësi me ty vuani më tepër nga frika se të vërtetën nuk mund ta mbuloni përgjithmonë. Kjo skenë keqbërjeje ju ngjeth trupin tuaj, kjo gjendje ju bënë të vuani nga zërat që ju vijnë nga mallkimet në parandjenjën tuaj, e për t’u larguar nga kjo vuajtje e tmerrshme do të duhej t’i pohonit gabimet se sa t’i mbuloni dhe t’i përforconi me gënjeshtrat e njëpasnjëshme.
Nuk arrij ta kuptoj gjatë kryerjes së këtyre veprave të dëmshme për atdheun, ju me siguri keni qenë të vetëdijshëm për rrezikun dhe nuk keni guxim ta pohoni… kjo frika juaj më duket vajtuese.

Korrupcioni_shqiptarA mendon ti, njeri i korruptuar e i veshur me pushtet, se më mire është të vazhdoni të jetoni me frikë, me turpin… flisni dhe tregojeni të vërtetën ashtu siç është… tregoni se si keni vjedhur fondin, ”Vendlindja Thërret”, dhe tre përqindëshin që ka vjedhur “Qeveria Bukoshi” në emër të luftës çlirimtare … flisni dhe tregoni se si keni kontrabanduar me armët e lirisë… ku shkuan ato armë?… flisni dhe tregoni se armët e lirisë i keni shitur dhe keni fituar milona euru dhe kështu keni pasuruar paligjshëm xhepin tuaj… flisni dhe tregoni se si keni mbushur listat me pjestar të UÇK-së, të cilët kurrë nuk kanë qenë pjestar të kësaj lufte çlirimtare… flisni dhe tregoni që sipas dëshirës tuaj keni graduar në komandant batalionesh, kompanive, togjeve, njësive, edhe pse kanë qenë vetëm ushtar, e disa prej tyre nuk ka qene fare në UÇK-ë… flisni dhe tregoni si keni përfituar në emër të dëshmorëve tek keni marrë qindramijëra euro në emër të qirave nga pronat shtetërore që keni uzurpuar në emër të UÇK-së… flisni dhe tregoni me ato para çfarë keni bërë?… natyrisht se jeni pasuruar për vetën dhe familjen tuaj… flisni dhe kërkoni falje para të gjithëve…? Çlirojeni veten dhe ata përreth jush nga ajo ndjesi tepër e frikshme që të djegë përbrenda, që për asnjë çast nuk të siguron qetësi. Pse më ndiqni ankohet ky profiter lufte, pse ma prishni qetësinë, pse më torturoni tmerrësisht? Pse më ndjek ti hije e heroit, e dëshmorit, e invalidit, e veteranit të luftës çlirimtare, e pensionistit, e të papunësuarit… nuk mund ta duroj këtë torturë të tmerrshme…kini mëshirë! Pse më shikon ashtu tmerrshëm ti syri i kritikës… pse ma kallë datën me atë sy kritik!

Po ti keqbërës ke mëshirë për ne… që na ke degraduar nga heroi, dëshmori i kombit shqiptar, në hero, dëshmor lokal, apo thënë më mirë në “kosovar”…! Në mes nesh keni futur njerëz që kurrfarë heroizmi kurrë në jetën e tyre nuk kanë bërë… keni lejuar të futen mes nesh dëshmorë njerëz që në asnjë mënyrë nuk kanë asnjë dëshmi të të rënit dëshmor…!

Pse në kuadër të invalidit të luftës çlirimtare na ke degraduar deri në atë shkallë sa keni futur në mesin tonë ata njerëz që s’kanë asgjë të përbashkët me ne dhe nuk janë në asnjë mënyrë invalid të luftës çlirimtare, e shembuj të tillë ka sa të doni, e dihen edhe me emër e mbiemër… Pse keni lejuar rritjen marramendëse të numrit të luftëtarëve të lirisë me ata njerëz që në asnjë mënyrë nuk kanë qenë pjesëmarrës të kësaj lufte…pse këto dy kategori të dala nga lufta çlirimtare që vërtet kanë qenë në luftën çlirimtare të hyjnë në kategori të barabartë me ata njerëz që luftën nuk e kanë parë as në televizor.

Po ti keqbërës ke mëshirë për ne, pensionistët që na keni dhënë një pension lëmoshe… po ti keqbërës ke mëshirë për ne të papunët, që vuajmë dhe pothuaj se vdesim urie… pse duhet të mëshirojmë ty të korruptuarin e veshur me pushtet, që ke bërë pasuri marramendëse për pak kohë… tregoni prej nga tërë kjo pasuri…? Ndërsa qytetari i varfër gëzohet kur e ka një copë bukë! Ndoshta nuk po di të sillem mirë në këtë shkrim, mbase kam edhe faj për këtë karshi njeriut të veshur me pushtet, ndoshta po shkruaj gjëra të kota, por nuk di si të bëj e të shkruaj ndryshe, por po më shtrëngon nevoja e jetesës…e jeta e njerëzve në nevojë, a nuk është më e vlefshme se e njeriut të veshur me pushtet?…

Ani pse gjer më sot nuk ua kemi prishur lumturinë… assesi nuk mund t’jua përshkruaj me sa pikëllim po shkruaj e po i them këto fjalë. O Zot, më ndje! Më ka rastisur të shoh se si janë shfrytëzuar pa mëshirë shumë njerëz të varfër nga bizneset private, këta fatkeq të zhgënjyer e të gënjyer nga inflacioni mezi e fitojnë një copë bukë nga paga, më ka rastisur të dëgjoj se si njerëz për ekzistencë kanë shitur sende familjare të vlefshme, e disa edhe i kane dhënë fund jetës së tyre.

Mjaft, mendova disa herë me veten time, s’dua të shoh e dëgjoj më asgjë. Kësaj radhe më dukej më mirë të mbetesha vetëm me dhimbjen e trishtimin tim, parreshtur truri im bluan mendimin që ma dërrmon shpirtin, ndërsa po e kuptoj se me ç’djallëzi është shpikur ky sistem athisarian mafioz e korruptiv. Prandaj, ka ardhur Ora për të ju ndëshkuar… për të ju shpronësuar nga pasuria që e keni bërë në forma të paligjshme.

Ti njeri i veshur me pushtet, ti profiter lufte, e ndien mbase në veten tënde për çdo çast dëshpërimin dhe turpin se ka nisur të dalë në shesh hajnia, korrupcioni, prandaj edhe kur fle në gjumë të kaplon frika, mbase kjo frikë të paraqitet edhe në ëndërr… ëndrra e juaj për moslëshimin e karriges po të mashtron gjithnjë… por është duke afruar dita, ka ardhur Ora që karrigia prej keqbërësit do të hiqet nga prapanica, që në të ardhmen tënde vështirë se do ta gjesh një vend të përshtatshëm në trojet shqiptare, të paktën për t’u kredhur qoftë edhe për një çast në ëndërrime.

P.S. Këtë kritik konstruktive e bërë me dashamirësi jo vetëm për të treguar të metat, por edhe për tu përmirësuar të gjitha ata që kanë keqpërdorur e abuzuar me pushtetin. Ky shpërthim kuptimor që për mua ndanë realitetin logjik nga ai historik.

Shperndaje ne
Updated: 18 Qershor, 2015 — 11:53

The Author

Avdi Ibrahimi

Autori ish- Z.kom i Brigadës 128. ZOP

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.