DOKUMENTI ORIGJINAL I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË GJENDET NË STRUGË?!

dokumentiShkruan: Ndriçim Iseni 

Mundësia që ky supozim të jetë i saktë përforcohet me faktin se viti i humbjes së gjurmëve të dokumentit të aktit të pavarësisë koinçidon me vitin kur Qazim bej Vlora (djali i Ismajl Qemajlit) është shpërngulur nga Shqipëria për në Strugë. Dëshpëruese është pjesa e historisë që tregon se dokumenti origjinal mund të ketë përfunduar në ndonjë deponi të bërlloqeve në Strugë.

Është shumë e besueshme që dokumenti origjinal i pavarësisë së Shqipërisë të gjendet në Strugë, vlerëson historiani :lirim Dervishi. Në një vështrim të tij historik, këtë tezë të vet historiani Dervishi e mbështet në faktin se pikërisht në Strugë në 17 vitet e fundit të jetës së tij, jetoi djali i dytë i Ismail Qemalit, Qazim bej Vlora.

“Ai nuk iu nda për asnjë çast babait të tij në rrugëtimin drejtë shpalljes së pavarësisë, por edhe më vonë, derisa plaku i urtë (Ismail Qemali) do t’i mbyllte sytë në janar të vitit 1919. Qazim bej Vlora ishte sekretar personal i Ismail Qemalit, ndërsa pas shpalljes së pavarësisë ishte edhe shef i kabinetit të tij. Për të siguruar një pjesë të madhe të dokumentacionit të shtetit shqiptar, Qazim bej Vlora i sjell ato në Strugë. Ai mori me vete edhe një sasi të konsiderueshme të librave nga biblioteka personale, të cilat kohë pas kohe i shfletonte dhe u’a huazonte miqve dhe shokëve strugan si Riza Pollozhanit, Belul Kadi Efendiut etj”, thotë Dervishi.

Ai thotë se mundësia që këto supozime janë të sakta përforcohen me faktin se viti i humbjes së gjurmëve të dokumentit të aktit të pavarësisë koinçidon me vitin kur Qazim bej Vlora është shpërngulur nga Shqipëria për në Strugë.

“Qazim bej Vlora, si intelektual i ngritur, pas vdekjes së të jatit e ka ditur rëndësinë e dokumenteve, prandaj ndoshta një pjesë të mirë të tyre i ka marrë me vete. Ndoshta dokumente të tjera me rëndësi historike, ndër to dhe dokumenti i aktit të shpalljes së pavarësisë mund të gjenden në muret e kësaj shtëpie”, thekson historiani Dervishi.

Dëshpëruese është pjesa e historisë që tregon se dokumenti origjinal mund të ketë përfunduar në ndonjë deponi të bërlloqeve në Strugë, por ekzistojnë shpresa se dokumenti mund të jetë ende i fshehur në muret e shtëpisë ku ka jetuar Qazim Bej Vlora.

“Nga dëshmitarët e kohës, pas vdekjes së Qazim beut, nga shtëpia janë nxjerrë një sasi e madhe librash e dokumentesh nga punëtorët e pastrimit komunal. Në vitin 1975 shtëpia bëhet pronë e Ramazan Azizit, i cili bënë disa riparime të vogla, sidomos në çati. Nga biseda e zhvilluar me pronarin aktual, mësojmë se në çati janë gjetur një sasi librash me shkrim arab, të cilat i ka hedhur. Më pas vazhdon se në katin e parë ka prishur një mur të brendshëm me trashësi të madhe, në brendinë e të cilit ka gjetur libra dhe letra në gjuhën arabe të vendosura në një polisë brenda murit, të cilat poashtu i ka hedhur. Pronari i shtëpisë dyshon se në muret e trasha të shtëpisë ende mund të gjenden dokumente me vlerë, ndër to ndoshta edhe dokumenti i Aktit të shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar”, vlerëson historiani Çlirim Dervishi.

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.