GJUHA SHQIPE ËSHTË PELLAZGISHTJA E LASHTË

Arif_mati_gjuhaGJUHA SHQIPE

ËSHTË TRASHËGUESJA E PELLAZGJISHTES SË LASHTË

Arif_mati_burri_shqiptariseShkruan: Arif Mati (Aref Mathieu)

Për sa i përket historisë ose gjuhës shqipe, sot, çfarë duhet të provojnë dijetarët si parahistorianët, historianët, arkeologët ose gjuhëtarët? Së pari, duhet provuar shkencërisht me anë të studimeve dhe hulumtimeve të thelluara të bazuara me argumente provuese, akte dhe fakte të pakundërshtueshme dhe analiza të drejta se shqiptarët janë me të vërtet pasardhësit e pellazgëve. Këta pellazgë të famshëm janë keqtrajtuar prej shumicës së historianëve dhe gjuhëtarëve modernë me këtë fjali lapidare: «Pellazgët, popull parahelenik, janë tretur pa lënë gjurmë». Ja gabimi fatal që ka penguar breza të tërë dijetarësh të mos shkojnë më larg në hulumtimet për këta pellazgë. Vetëm në shekullin XIX të erës sonë dhe në fillim të shekullit XX disa dijetarë filluan të studiojnë gjuhën shqipe, midis të cilëve një numër i madh gjuhëtarësh gjermanikë (gjermanë dhe austriakë si Nobert Jokl’i, Majeri, von Hahni, Kreçmeri dhe të tjerë jo më pak të njohur). Për fat të keq, ajatollahët e gjuhësisë moderne (dhe të asaj që pranohet prej të gjithëve) nuk i kanë marrë para sysh këto punime që dalin nga shtigjet e rrahura. Ata veç kanë pranuar (pa e studiuar me rrënjë dhe pa pasë përdorur dialektin gegë, të cilin e përfillën fare) se gjuha shqipe është gjuhë «indoeuropiane» (skaj që unë nuk e pranoj) që përbën një degë më vete në gjenealogjinë (çka nuk do të thotë patjetër «etnogjenezë») e gjuhëve. Ja pse nuk është thelluar studimi i kësaj gjuhe (veçanërisht dialekti geg i veriut që mbetet «një fosil i gjallë»). Ky gabim i dyfishtë (Pellazgë të injoruar dhe gjuha shqipe e shtënë në dollap) bëri që gjuha shqipe të përjashtohet nga studime dhe hulumtime në kuadrin e këtij «akademizmi indoeuropian», kahja e shmangur e të cilit e ka zhytur këtë disiplinë në një qorrsokak të vërtetë. Ja pse, për këtë çështje, studime gjuhësore të ndryshme kanë lulëzuar në anarki. Ja pse, edhe sot e gjithë ditën, gjuhëtarët shqiptarë (të nënshtruar ndaj kësaj «ideologjie» indoueropianiste) nuk bëjnë be veçse për «ç’është e pranuar bashkarisht». Për ata, të gjithë ata që dalin nga kjo vijë «zyrtare» janë «revizionistë, negacionistë ose sharlatanë», që i quajnë persona non grata në «klubin» e tyre. Kjo që sapo thashë nuk është veçse një parantezë, sepse thelbësorja nuk është të provosh që shqipja është gjuhë shumë e lashtë a universale a e vetmja në botë a prej së cilës kanë dalë gjithë të tjerat! Jo, s’duhet vënë qerrja para qeve. Më e rëndësishmja është të provosh që shqiptarët rrjedhin prej pellazgëve dhe që grekët janë pushtuesit e vendit të pellazgëve dhe që kanë marrë kulturën e tyre. Vetëm duke u nisur nga ky pohim (me prova, sigurisht) do të mund të thuhet se “me të vërtetë” gjuha shqipe (“fosil i gjallë ») është vërtet trashëguesja e kësaj «pellazgjishteje të lashtë». Marrë përsipër, pa turp të shtirë, atësinë e këtyre dy skajeve, si edhe atë «semito-egjiptian» që ka të bëjë me origjinën e grekëve: i duhet dhënë Cezarit ajo që i takon Cezarit! Të shumtë janë sot ata që i përdorin këto emërtime pa zënë në gojë burimin e tyre.

     Si duhet provuar që pellazgët janë stërgjyshërit e shqiptarëve?

     Në fillim duhet provuar që ata bëjnë pjesë në një bashkësi etnolinguistike të pafund që shkonin nga Atlantiku në Detin e Zi dhe nga të dy brigjet e Danubit në Kretë dhe ishujt Egje, pa harruar se ata kanë kaluar nga Ballkani në Azi të Vogël. Po vë në dukje, kalimthi, se pellazgët (që unë i kam quajtur Homo Pelasgus, skaj tjetër ky imi) janë popull autokton dhe nuk vijnë nga Azia si mendojnë (pa asnjë provë), sot e gjithë ditën, disa medje të informuara keq, dashakëqinj ose krejt të paaftë. Gjithashtu duhet sjellë prova se nuk bëhej fjalë për një popull laragan që përmblidhte etni të ndryshme por që bëhej fjalë me të vërtetë për një popull të vetëm të përbërë nga fise që kanë mbajtur emra të ndryshëm por që kanë pasur një kulturë të përbashkët dhe që kanë pasë folur një gjuhë të vetme (pellazgjishten e lashtë) me dialekte të ndryshme. Kjo është «etnogjeneza» e vërtetë e gjuhëve indoevropiane. Për ta mbështetur gjithë këtë argumentim, më është dashur «të shkoqit» pothuaj të gjitha shkrimet e antikitetit që nga Hekateu i Miletit dhe Helanikos i Mitilenës dhe duke vazhduar me Herodotin dhe Tukididin deri te kritikët aleksandrinë të shekullit III para erës sonë. Gjithashtu, duket shkoqitur dhe thelluar studimi i teksteve moderne për të nxjerrë andej argumentet e nevojshme për t’u provuar gjuhëtarëve se ata kanë hyrë në «rrugë të gabuar» duke përqafuar ideologjinë «indoeuropianiste». Duhet provuar se «Mikenienët» (emër modern, i panjohur prej të lashtëve dhe i sajuar prej Shlimanit) nuk qenë grekë dhe se këta të fundit qenë me të vërtetë me origjinë semito-egjiptiane. Duhet provuar, gjithashtu, se «mitologjia» e quajtur greke nuk qe veçse një mitologji e dalë nga qytetërimi i lashtë i pellazgëve dhe të cilën grekët e uzurpuan dhe e manipuluan (për t’i shërbyer çështjes së tyre) kur erdhën në rajonin balkano-egjejan rreth shekullit VIII para erës sonë (me egjiptianin Danaos, Fenikasin Kadmos dhe asirianin Pelops).

     Duhet, gjithashtu, provuar që shkrimi domethënë ligjërimi (dhe jo domosdo alfabeti) i «linearit B» (dalë prej linearit A i Kretasve, gjuha e të cilëve nuk është deshifruar kurrë) ishte ajo e pellazgëve sepse grekët nuk gjallonin ende në atë kohë. Duhet vënë në pah periudha e quajtur «Motet e errëta » (1200 deri në 800 para erës sonë) ku nuk dihet gjë fare për mungesë dokumentesh të shkruara (të shkatërruara prej grekëve kur erdhën rreth viteve 800). Megjithatë pjesa më e madhe e shkencëtarëve të specializuar në historinë parahelenike është e bindur se pellazgët zotëronin një alfabet dhe një shkrim të tyrin: pa sjellë prova, kuptohet vetvetiu. Për këtë çështje nuk ka veçse hamendësime provash meqë alfabeti i tyre është zhdukur; po jo pellazgët që kanë lënë një trashëgimi të madhe «gojore» të transmetuar nga brezi në brez (Iliada, Odiseja, mitologjia, legjenda të ndryshme, substrat gjuhësor të lashtë).

     A i zhdukën grekët gjurmët e këtij qytetërimi prej të cilit u frymëzuan dhe i muarën kulturën?

     Po, meqë nuk ka asnjë shkrim të kësaj periudhe të gjatë të quajtur «Motet e errëta». Për fatin e tyre të keq krimi nuk qe i përsosur: ata nuk e kanë menduar se një ditë do të zbulohej se emrat e mitologjisë dhe fjalë të tjera të «greqishtes së lashtë» do të shpjegoheshin me dialektin gegë të Shqipërisë së Veriut. Dhe nuk e zhdukën dot gjuhën shqipe, që, sot, është mjeti kryesor që ka bërë «t’i hiqen petët lakrorit»! Megjithatë pellazgët dhe ilirët që humbën alfabetin e tyre ose që e braktisën për arsye që nuk dihen, vazhduan të shkruajnë gjuhën e tyre duke marrë alfabetin më në modë (në epokat e tyre përkatëse): kret, grek, etrusk, latin … Keltët (Keltos ishte vllau i ilirosit na thotë legjenda) kanë vepruar njësoj duke përdorur, përgjithësisht, alfabetin latin. Dhe më në fund, shqiptarët kur deshën të shkruajnë gjuhën e tyre përdorën dora – dorës alfabetin grek ose latin, madje edhe arab (meqë otomanët përdornin alfabetin arab). Por, shkurt, katolikët shqiptarë muarën alfabetin latin, për të shkruar gjuhën e tyre liturgjike midis shekullit XII dhe XIV. Më së fundi rreth fundit të shekullit XIX u krijua alfabeti «i shqipes» (1878, Lidhja e Prizrenit). Sidoqoftë, ky alphabet u ripunua duke krijuar, me shkronja latine, shkronja speciale për t’ia përshtatur fonetikës shqipe (1908, Kongresi i Manastirit). Ai u institucionalizua vetëm më 1917. Ky alphabet që u bë zyrtar është ai i ditëve tona. Ataturku u frymëzua nga ky alphabet për të zëvendësuar alfabetin arab të turqve.

     Logjikisht, si do të kishin mundur të gjallonin gjatë kësaj periudhe të heshtur (1200-800) madje edhe asaj të mëparshme (2000 para erës sonë)? Si mundeshin ata të dilnin nga ky ”hiç”, nga ky “no man’s land grek”?

     Duhet provuar, më së fundi, se s’ka pasur kurrë luftë të Trojës midis grekëve dhe pellazgëve midis 1193 dhe 1183 (datë kjo e shpikur prej matematikanit Erastoten në shekullin III para erës sonë!) por që ishte fjala për një epope shumë të lashtë (“Zemërimi i Akilit” të transformuar prej pushtuesve helenë në “Iliade”) që tregon për disa përleshje midis fiseve pellazgjike (në Iliadë ka pellazgë në të dy kampet!) dhe të kënduara nga qyteti në qytet prej rapsodëve të famshëm ose aedëve, poetëve epikë. Lufta e vërtetë e Trojës është ajo e pushtimit prej helenëve të vërtetë – rreth 680 para erës sonë – i pjesës veriperëndimore të Anadollit të sotëm, që dikur quhej “Ilion”. Pra, nuk është Troja e lashtë e treguar te “Odiseja” e famshme e Homerit (që ka shumë gjasa të ketë jetuar por që nuk ka shkruar asnjëherë asgjë!) por ajo e një lufte tjetër, të asaj të fillimit të “kolonizimit grek” në 680 para erës sonë. Ja pse epopeja e lashtë pellazgjike (“zemërimi i Akilit”) u quajt “Iliadë” (nga emir i qytetit Ilion). E gjithë kjo lexohet qartë ose “midis rreshtave” në të gjitha shkrimet antike, pra edhe në poemat epike të quajtura homerike, në teogoninë e Hesiodit dhe në shumë tekste të autorëve antikë grekë. Për të provuar këto, kam shkruar vëllimin tim të dytë: “Greqia Mikenët = Pellazgët ose zgjidhja e një enigme”. Për të kurorëzuar “të tërën”, pasi të sillen të gjitha provat, duhet të ndërhyjë “kriteri gjuhë”. Pra duhet filluar me historinë dhe jo me Gjuhën. E pata gabim që botova, të parin, librin tim « Shqipëria…”. Duhet ta kisha filluar me të dytin « Greqia… ». Dhe me të vërtetë, për të provuar që gjuha shqipe është më e lashtë se gjuha greke duhet më parë të provohet që etnia shqiptare ka gjalluar (përmes trako-ilirëvë të ndërfutur) para grekëve dhe se këta të fundit janë pushtues që zunë Ballkanin, Egjeun dhe Azinë e Vogël pas shekullit VIII para erës sonë.

     Nuk mund të thuhet kurrsesi (si po lexoj andej-këndej) që grekët janë flurim i një etnie moderne të kryqëzuar dhe që greqishtja kurrë nuk ka qenë folur para kohëve moderne! Qysh nga mesi i shekullit VI para erës sonë, nga koha e Pisistratit, dalin tekste greke me shfaqjen e poemave epike, të dala nga tradita gojore pellazgjike (të ripunuara për t’i shërbyer çështjes së pushtuesve të rinj), të transkriptuara në këtë greqishte të vjetër që po lindte. Nuk duhet harruar se grekët në Ballkan, në Egje, në Azinë e Vogël dhe në Itali ishin një «pakicë» qeverisëse pra një elitë që shkruante në gjuhën e vet (edhe pse ishte bastarde, domethënë e dalë nga një përzierje e hollë dialektesh pellazgjike – jonian/atike, eoliane, arkado-qipriote dhe doriane – dhe nga semito -egjiptiane). Grekët, me kohë, ndërtuan një etni të përzier dhe një gjuhë të përbërë. Por meqë nuk ishin shumë (pakicë etnike e tipit semitik në krahasim me pellazgët «bjondë me sy të kaltër», si na thotë Homeri te Iliada), kjo përzierje mbeti e çatmuar dhe pak e përhapur. Dhe me të vërtetë, si pohon Herodoti (shekulli V para erës sonë), jonianët ishin pellazgë të bërë helenë pasi mësuan greqishten. Pra greqishtja gjallonte në këtë epokë megjithëse e përzier. Drejtuesit dorianë (veçanërisht spartanët) qenë të vetmit helenë të vërtetë. Herodoti vetë pohon se drejtuesit (mbretërit) dorianë ishin me origjinë egjiptiane. Në Spartë, mbreti dorian Agios IV pohonte se kishte një spartan për tre periekë. Por, e dimë se Periekët, Hilotët dhe Penestët ishin ilirë të nënshtruar autoritetit të Spartës. Ata shquheshin si «punëtorë» (forca pune) në shoqërinë spartane: ushtarë, bujq, zanatçinj, skulptorë, etj. Mirëpo «dorë, dorët» do të thotë në shqipe «duart» domethënë «krahë pune» pra ata që punojnë me duart e tyre. Me kohë spartanët muarën emrin e popullit të nënshtruar: ata kanë pranuar dhe asimiluar qytetërimin e të mundurve. Pra janë gjithë këto përzierje (etni dhe gjuhë) që lindën grekët e ardhshëm.

     Ja pse është e domosdoshme të thuhet se grekët kanë gjalluar me vonesë pasi asimiluan (madje uzurpuan) qytetërimin e pellazgëve që sapo mbërritën, domethënë pas shekullit VIII para erës sonë. Pra grekët nuk gjallojnë qysh prej shekullit XVIII madje qysh prej shekullit XXI para erës sonë si po na e çekanosin në tekstet shkollore dhe universitare qysh prej njëzet e pesë shekujsh. Në fillim greqishtja kishte shumë fjalë pellazgjike (në dialektet: jonian, eolian, arkado – qipriot dhe dorian). Kjo greqishte e lashtë kishte pra me të vërtetë një fond pellazgjik që shpjegohet me shqipen e sotme, që u ka qëndruar rrënimeve të kohës. Ja pse pjesa më e madhe e emrave të Mitologjisë «të quajtur greke» shpjegohet edhe tani me shqipen e sotme (dialektin gegë të Veriut të Shqipërisë, që ka ruajtur të njëjtin fond, të njëjtin ndërtim dhe të njëjtën « fonetikë » si pellazgjishtja e lashtë). Gjuha greke u formua si të gjitha gjuhët nga një nënshtresë (substrat) gjuhësore e lashtë me shumë ndihmesa semito -egjiptane ose të tjera. Prania e grekëve (tezga tregtimi dhe koloni) në gjithë pellgun e Mesdheut u dha mundësinë të përhapin gjuhën e tyre falë takimeve të shumta tregtare. Në fillim ishte gjuhë e folur deri në mes të shekullit VI para erës sonë (nën tiraninë e Pisistratit) epokë kur u shfaqën poemat epike: Iliada dhe Odisea, poema pellazgjike të traditës gojore që ishin në këtë gjuhë greke që po lindte.

     Këtu po hap një parantezë.

     Po e përsërit, grekët kur ardhën në Ballkan, në Egje dhe në Azinë e Vogël gjetën në vend një qytetërim, një gjuhë dhe një kulturë që e përvetësuan. Ata e muarën kulturën gjithë duke i futur elemente të kulturës dhe të gjuhës së tyre. Nuk po citoj veçse një emër, emrin e Akilit për të shpjeguar se si grekët kanë provuar «të përkthejnë dhe të interpretojnë» emra të cilët nuk i kuptonin, por që duhej t’u jepnin një domethënie: «Akhilleos» «(Akhille», të cilit grekët i shtuan prapashtesën «os ose eus») u anasuall «fonetikisht» në gjuhën e tyre me «i pabuzi»!   Nga pesëdhjetë e dy epitetet që kanë të bëjnë me Akilin në Iliadë, kam nxjerrë «tetëmbëdhjetë» («Akili me këmbë të lehta», «Akili i shpejtë», etj.) që kanë të bëjnë me «shpejtësinë», me shkathtësinë ose me lehtësinë, pra jemi larg shpjegimit grek  i pabuzi»!

     Eureka!

     Gjuha shqipe më erdhi në ndihmë: «Aq i lehtë». Nga ana tjetër Plutarku (Pyrrhus 1/1,2) pohon se thesprotët (epirotët e sotëm) e quanin atë «aspeitos» (në të vërtetë ka qenë «aspeit», grekët i shtuan prapashtesën e tyre «os»), emër ky që gjen shpjegim të përsosur në shqip « Asht i shpeit, dhe me kontraktim «ashpeit» ose shpeit (shqipja ka ruajtur këtë traditë të lashtë pellazgjike që përdor shpesh këtë lloj kontraktimi (më së forti njërrokëshe, monosilabike): si Zef për Jozef, etj.)!  Ky shpjegim i dyfishtë i së njëjtës fjalë (midis aq e aq antroponimesh, teonimesh, eponimesh të tjera si edhe fjalë të tjera, të shpjegueshme me dialektin gegë të veriut të Shqipërisë), provon që gjuha shqipe është e vetmja gjuhë në Europë që ka ruajtur një fond shumë të vjetër të «pellazgjishtes së lashtë».

     Është bindëse!

     Kur «ardhën» grekët gjetën në vendin që pushtuan një « kulturë », një gjuhë, një mitologji dhe tradita: u përpoqën të shpjegonin në « gjuhën e tyre » emrat që nuk i kuptonin. Ja sepse grekët bënë trajtime të tilla të papërshtashme ose të çuditshme si për Penelopën, Ulisin, Agamemnonin, Menelaun, Odisenë, Afroditën, Rean, Tetisin, Kronosin, Demetrin, Korenë, Trojën, Argosin, Korinthin, Athinën, Olimpin, Pelionin, etj. etj. E gjithë kjo për të thënë se gjuha greke gjallonte ishte tashmë në shekullin VI para erës sonë. Gjithçka që nuk shpjegohet në shkrimet e lashta greke me shqipen, është thjesht me origjinë greke. Kjo gjuhe (edhe pse e përzjerë) u bë gjuhë e dijes, savante me ndikimin e njohur gjatë gjithë lashtësisë deri në epokën bizantine.

     Latinishtja (idiomë e «Latiumit») është gjithashtu një gjuhë «e përbërë» e krijuar prej bujqërve të pasur të Latiumit (pas rënies së mbretërve etruskë) duke u nisur nga një fond etrusk i rëndësishëm, përzjerë me elemente të shumta greke (grekët, në fillim, ishin vendosur në krahinën e Kumes në Kampani – jugu i Napolit). Po kjo gjuhë nuk u shkrua veç duke filluar nga shekulli III para erës sonë! Ajo u përhap me fillimet e pushtimeve romake të krahinave europiane të banuara prej Keltëve dhe Galëve. Me kohë, kjo gjuhë ngjizi «nëngjuhë»: gjuhë «romane» të ardhura nga të folmet popullore të vetë latinishtes së quajtur («roman» d.m.th. dialekt «i Romës»), të quajtura sot neo-latine:

   – italishtja (e dalë drejtpërsëdrejti prej latinishtes popullore),

   – frëngjishtja (franciskishtja + kelto-galishtja + latinishtja),

   – spanjishtja dhe portugalishtja (latinishte + ibero-keltishte + fenikishte + arabishte),

   – katalanishtja (frëngjishte e vjetër + reto-romanishte + kastilanishte),

   -rumanishtja (dako-gete, dalë nga trako-ilirishtja, + latinishte + më pak sllavishte, për shkak të ardhjes së sllavëve në shekullin VII pas erës sonë).

     Vetëm një përjashtim: baskët kanë mundur të ruajnë gjuhën e tyre të lashtë falë infrastrukturës së vendit të tyre malor si, ndër të tjera, edhe shqiptarët. Gjuha baske duke ruajtur fjalët e vjetra pellazgjike (shih librin tim të parë «Shqipëria…») evoluoi në «rreth të mbyllur» duke krijuar neologjizmat e veta.

         Duhet shënuar se deri në shekullin XVIII «latinishtja» do të luajë një rol të dorës së parë në krejt Europën si gjuhë e shkruar, shkencore dhe fetare. Sa i përket gjuhës italiane, ajo nuk u bë «gjuhë zyrtare komunikimi» veç duke filluar nga viti 1861 gjatë bashkimit të të gjitha territoreve të siujdhesës italike (plus Sicilia, Sardenja dhe veriu i siujdhesës) me hipjen në fron të Viktor Emanuelit të dytë, themeluesit të mbetërisë së parë «italiane»: lindi kombi «italian» me kryeqytet Firencen. Roma bëhet kryeqytet i Italisë më 1870.

     Por të gjitha këto gjuhë, me kohë, kanë zhvilluar «veçantitë» e tyre dhe janë kthyer në gjuhë më vete, etj, etj. Pra po të marrim si shembull frëngjishten, mund të vërejmë se një fjalë «mund» të shpjegohet me shqipen, kjo nuk do të thotë se frëngjishtja rrjedh drejtpërsëdrejti prej pallazgo-shqipes, por prej ndikimit që ajo ka pasur njëherazi edhe nga keltishtja edhe nga latinishtja, dy gjuhë këto të ndikuara nga pellazgjishtja e lashtë. Ja pse nuk duhet thënë se të gjitha këto gjuhë rrjedhin  «drejtpërsëdrejti» prej shqipes ose pellazgo – shqipes. Gjithë ç’duhet thënë, është se në zanafillë ka pasur një fond gjuhësor të përbashkët (pellazgjishtja), e cila me kohë pësoi ndryshime dhe transformime të veçanta për secilën gjuhë të folur në Europë. Pra është normale që «fjalë të vjetra» të këtij fondi gjuhësor pellazgjik (veçanërisht toponime, oronime, etnonime dhe disa fjalë mbeturinore) gjallojnë ende edhe sot në disa gjuhë (neo-latine, anglo-saksone ose gjermanike dhe në baskishte).

     Të gjitha gjuhët e botës kanë pasur, në fillim, një zanafillë të veçantë për secilën prej tyre. Gjuha zanafillëse kineze gjatë shekujve ka ngjizur gjuhë të tjera që janë zhvilluar të shkëputura, në rreth të mbyllur, ose me një substrat të përbashkët: mongolishten, mandarinishten, kantonishten, tibetishten, vietnamishten, birmanishten, etj. I njëjti shembull vlen edhe për morinë e gjuhëve të Indisë ose të gjuhëve të ndryshme të Afrikës së zezë, etj. Po e përsërit, nuk është e domosdoshme të pohohet që gjuhë të shumta kanë dalë «drejtpërsëdrejti» nga pellazgo-shqipja. Askush në botë nuk mund të provojë se pellazgo-shqipja qe gjuha «e parë» d.m.th. ajo e fillimit të njerëzimit! Për mendimin tim, është diçka e pakuptim, krejt absurde. Po të thuhet se shqipja «deshifron dhe dekripton» gjithçka në Europë dhe gjetiu, u bëjmë dëm punimeve të kryera prej autorësh të besueshëm, kompetentë dhe seriozë. Kjo, veçanërisht, i dekredibilison ata.

     Për fat të keq është bërë “mode” te disa shqiptarë (veçanërisht midis të rinjve dhe të atyre që nuk i njohin të fshehtat e gjuhësisë dhe të historisë së lashtë) të përkthejnë ose të interpretojnë në «shqip» çdo fjalë të huaj që u bie në dorë! Kjo vjen nga shtimi i librave në gjuhën shqipe dhe të huaj (të përkthyera) të botuara në Shqipëri (si historike ashtu edhe gjuhësore) që nga fundi i komunizmit. Kjo mund të kuptohet sepse regjimi komunist (për dyzet e pesë vite) ua rrëmbeu shqiptarëve historinë e tyre të vërtetë: ata janë të etur të njohin identitetin e tyre të vërtetë, historinë e tyre dhe origjinën e gjuhës së tyre. Gjatë epokës komuniste i vetmi studim për pellazgët u ndërmuar nga Spiro Konda. Për fat të keq, në këtë, epokë, ky studim kaloi pa u vënë re. Dhe me të vërtetë, për regjimin komunist të vetmit paraardhës të shqiptarëve ishin ilirët dhe gjuha shqipe u studjua vetëm prej gjuhëtarësh shqiptarë të molepsur me «çka pranohet bashkarisht» (perëndimor madje rus) dhe duke harruar dialektin gegë të veriut. Madje, më 1973, Enver Hoxha (armik i betuar i shqiptarëve të veriut) pat vendosur të imponojë, si gjuhë zyrtare, dialektin «tosk» të jugut. Që atëherë veçse toskërishtja (përfshirë këtu edhe disa papastërti dhe futje elementesh të huaja) ka qenë studiuar prej gjuhëtarëve shqiptarë dhe të huaj. Kjo është arsyeja që ata gjuhëtarë shqiptarë dhe të huaj, që kanë studiuar gjuhën shqipe, janë mbështetur vetëm në këtë dialekt, çka, merret vesh, i shtrembëron pjesën më të madhe të studimeve të tyre. Ja pse pas viteve 90 shqiptarët u zgjuan duke mësuar diçka tjetër nga ç’iu kishin shtënë në kokë në shkollë ose në universitet. Ata zbuluan paraardhës të tjerë nga ilirët: pellazgët. Të etur sa s’ka më, u mrekulluan ose u shtangën (sipas mendimit, nivelit kulturor ose ideologjisë) kur mësuan se gjuha e tyre është njëra nga më të lashtat në mos më e lashta e Europës.

     Pra, nuk duhet çuditur nga gabimet, trajtimet e këqia dhe shkarjet e shumta të bëra në disa libra të botuar prej rreth njëzet vitesh. Dhe me të vërtetë, disa prej këtyre librave në vend që të sjellin elemente të reja për të kuptuar Historinë dhe Gjuhën shqipe, mbjellin grindje dhe turbullim mendjesh. Studimet shkencore nuk bëhen duke u bazuar në kompilime citatesh ose të frazave të thëna prej njerëzish ose grash të njohur. Që nga shekulli XVI deri në fillim të shekullit XX të shumtë kanë qenë ata (shkrimtar të njohur) që kanë thënë «të vërteta» për pellazgët ose shqiptarët pa dhënë prova, saktësime të qarta ose shpjegime të thelluara si Ronsari, Lajbnici, K.O.Muller-i, Volteri, shkrimtarët e Rilindjes shqiptare dhe të tjerë më pak të njohur. Megjithatë prej më shumë se 2500 vjetësh Homeri, Herodoti, Tukididi dhe të tjerë kanë folur për pellazgët si për një popull të lashtë parahelenik, dhe pikë: kjo është e vërtetë, po ata nuk kanë shkuar më tej këtij pohimi. Para 60 vjetësh, kur isha fëmijë, babai im më foli për pellazgët si paraardhës të shqiptarëve por për fat të keq ai nuk mundte dot ta shtjellonte më tej këtë pohim. Historia nuk bëhet me muhabete dhe me shpjegime të kuturisura ose me llafe.

     Ja sepse nuk jam dakord me përmbajtjen e disa librave të botuara këto kohët e fundit (autorë shqiptarë ose të huaj të përkthyer në shqip) që nuk kanë kurrgjë shkencore dhe ku autorët japin mendime vetjake dhe që bëjnë pjesë në bindjet e tyre. Bëhet fjalë, gjithashtu, për disa shkrime pavetor të ndikuar nga autorë të tjerë, shpesh të gabuara, të pa studiuara mirë, të interpretuara keq ose të analizuara në mënyrë empirike ose që përmendin pohime të gabuara ose gjykojnë fakte dhe akte pa asnjë provë të prekshme, pa studime serioze, pa analiza me vend, pa referenca të verifikueshme dhe pa asnjë farë metodologjie. Nga ana tjetër disa autorë shqiptarë mbështeten shpesh te autorë të huaj (që shpesh e njohin keq madje hiç fare gjuhën shqipe) tek të cilët kanë besim tërësor në një kohë kur këta autorë nuk bëjnë tjetër veç të flasin keq për gabimet madje edhe për absurditetet.

     Mund të më përgjigjen: po cilin të besojmë?

     Do të përgjigjem fare thjesht duke thënë se ka autorë seriozë, ata që kanë bërë ose bëjnë studime dhe kërkime shkencore të bazuara mbi një dokumentacion të pasur, mbi referenca të verifikueshme, mbi analiza me vend falë aftësive të tyre vetjake dhe mbi përfundimet e veta të mbështetura me prova të pakundërshtueshme dhe jo me ato të të tjerëve. Po jap një shembull si histori që më ka ndodhur mua. Më 2007 gjatë një debati në televizionin shqiptar (për pellazgët dhe sidomos për librin tim të parë) njëri prej pjesëmarrësve (i cili, veç kësaj beson vetëm tek ilirët!) më dha të kuptoj se nuk ishte i një mendjeje me trajtimin që i bëj unë skajit (termit) «pellazgët» si «shpellagji» (njerëz të shpellave). Ky person, i cili mbahej si universitar i shquar (profesor doktor!), as që e kishte lexuar librin tim të parë, nuk mund të jepte mendimin e vet për këtë etnonim! Në një debat nuk mjafton të thuash «nuk jam dakord» por të sjellësh prova për të kundërtën. Këtë emër «pellazg» e kam studiuar gjerë e gjatë në dy librat e mi, sidomos në të dytin (« Mikenët = pellazgët… » – përkthyer në shqip, botuar nga Shtëpia botuese Plejad në Tiranë – faqet 577-579). Pasi i kam studiuar saktësisht të gjitha shpjegimet e dhëna për këtë etnonim (nga burime të ndryshme që nga antikiteti deri në ditët tona) dhe pasi e vendosa në një mjedis ose një kontekst të veçantë (parahistorik) madje historik, ia dola të përcaktoj (për të bërë zgjedhje të besueshme dhe të kuptueshme në një kontekst të dhënë) se cila ishte me saktësi rëndësia e domethënies të këtij skaji. Disa autorë, ndër ta Robert d’Angely (për të cilin shqiptarët janë pasardhës «të njerëzve të bardhë» në botë!), propozojnë «PiellArg» («ata që kanë lindur njeriun e bardhë») pa dhënë për të shpjegim të vërtetë parahistorik, historik, semantik mjedisor, ndodhimore ose kontekstuale. Për d’Angely-në vetë «i Madhi Zot» madje edhe arabët do të ishin me origjinë pellazgjike! Jo, nuk është serioze dhe nuk duhet gëlltitur çdo gjë që na paraqitet. Ajo që ndjell kureshtje është se disa shqiptarë (si del nga ç’lexoj lart e poshtë) parapëlqejnë fjalën “Piellarg”. Nuk është fjala “të duam ose të parapëlqejmë”, është fjala për të zgjedhur etnonimin adekuat që e vendosim në një kontekst të veçantë dhe një bijësim etnogjuhësor të besueshëm. Nuk iu pëlqen domethënia “njerëz të shpellave » (« Shpellagji », fjalë kjo që u xingris nervat disa veshëve shpifës!), sepse nuk është po aq «i fisëm» sa «piellarg» (ai që ngjiz a lind të Bardhët!) me një tokshënim maçist madje seksual (për të përkëdhelur «egon» e tyre mashkullore!)? Një psikanalist do të mundte, me gjasa, të provonte të shpjegonte këtë sjellje! Historia ose gjuhësia nuk rrudhet në « ndjenja », në pulsione nevrotike ose shovine, në vetbesime, në « nuk jam dakord » ose « unë mendoj dhe besoj se », në vegime ose trille vetjake.

         Po kthehem sërish te gjuhësia moderne. Në fund të shekullit XIX gjuhëtarët që krijuan skajin “indo-europianishtja” gjatë hetimeve të tyre krahasuese (konkordanca gjuhësore ose sintaksore) midis gjuhëve të Azisë (sanskritishtja, tokarishtja, avestishtja..) dhe gjuhëve europiane (greqishtja, latinishtja, gjuhët gjermanike, anglo-saksone, etj.) nuk kanë marrë parasysh kronologjinë dhe historinë e popujve përkatës. Të paktë janë ata që interesohen për antropologjinë gjuhësore dhe për kronologjinë etnogjuhësore që janë thelbësore për njohjen e etnogjenezës së gjuhëve, të lidhura me shfaqjen e njëpasnjëshme të secilës prej etnive të studiuara. Shumica e themeluesve të gjuhësisë moderne pranojnë se ka gjalluar, në Europë, një gjuhë e përbashkët primordiale, por që s’kanë mundur kurrë ta identifikojnë. Mirëpo kjo gjuhë e lashtë e përbashkët është “pellazgjishtja e lashtë”. “Stela e Lemnosit”, lapidari i vogël i Peruzës, mumja e Zagrebit, tabletat iguvine, tabletat e Pyrgi-t, ato pak epigrafi mesapike ose ilire dhe sidomos shkrimet etruske, megjithëse na ndriçojnë mbi çka mund të ishte shkrimi i lashtë, nuk na sjellin elemente të njëfarshme që të na çojnë në një deduksion të besueshëm dhe përfundimtar. Pasi humbën përdorimin e alfabetit të tyre, të gjitha etnitë pellazgjike (pellazgë, frigë, trakë, etruskë, ilirë dhe keltë) përdorën alfabetin e tê tjerëve për të tejshkruar gjuhën e vet. Veçse, mrekulli, nëse një ditë do të arrihet të provohet se alfabeti grek është i uzurpuar etruskëve, atëherë do të kemi provën kryesore që do të vlejë më shumë se “guri i rozetës”. Ndërkaq, jashtë çdo prove tjetër, i vetmi «material» që na provon barasvlerën “pellazgë = ilirë = shqiptarë” është gjuha e sotme shqipe dhe veçanërisht dialekti i vet gegë i veriut të Shqipërisë që u varros i gjallë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

     Fatkeqësisht për mungesë provash të shkruara (diçka si “guri i rozetës” pellazgjike), të dokumenteve të vërtetuara dhe për lënien në harresë të historisë të kesaj “pellazgjishteje të lashtë” të quajtur të humbur pa lënë gjurmë, për mungesë të studimit të thelluar të shqipes dhe sepse është mbajtur si gjuhë indo – europiane “më vete” (pra pak ose aspak e studiuar), gjuhëtarët e fundit të shekullit XIX kanë bërë të pandreqshmen. Kjo është arsyeja që gjuhësia moderne ngec në vend me një “ideologji” të pacënueshme dhe që nuk është vënë ndonjë herë në dyshim. Por pellazgjishtja e lashtë gjallon vërtet te shqipja e sotme (veçanërisht te dialekti gegë i veriut, i vetmi që i ngjan greqishtes së vjetër, veçanërisht dialektit jonian) e vetmja gjuhë që u ka qëndruar shkatërrimeve të kohës. Veç të tjerash, kjo pellazgjishte e lashtë “ka shtegtuar” shumë. Në të vërtetë një valë e madhe shtegtimi (nga perëndimi në lindje) ndodhi rreth mijëvjeçarit të katërt/të pestë. Kjo valë do të jetë nisur nga krahina ballkano-danubiane drejt lindjes së afërme dhe të mesme: kjo është arsyeja që ne gjejmë grimca të substratit pellazgjik në sanskritisht (gjuhë diturake që nuk është folur kurrë), në tokarishte, në avestishte, në persishte, etj. Veç të tjerash le të kujtojmë ekspeditën (shekulli IV para erës sonë) e Aleksandrit të Madh (maqedonas nga i ati dhe epirot nga nëna, pra “trako-ilir” për ekselencë) dhe të ushtrisë së vet të pafund, tre të katërtat e së cilës ishin trako-ilirë (maqedonas, epirotë, ilirë, peonianë, agrianë, etj.). Këta të fundit (oficerë dhe ushtarë) kanë lënë gjurmë (ata u rrënjosën në këto krahina pas vdekjes së Aleksandrit) në vendet e pushtuara prej këtij ngadhnjimtari të madh: që nga Azia e Vogël deri te lumi Indus dhe nga Afganistani në Oqeanin Indian. Pas kësaj të mos harrojmë “shefat” hititë dhe sumerianë vinin nga krahinat ballkano-danubiane: malësorë kokërrumbullaktë. Bashkëpërkim i çuditshëm: shqiptarët njihen për treguesin e tyre qefalik më të lartë në Europë, domethënë brakiqefalë 85), për rrjedhojë “kokërrumbullaktë”! Pra nuk ka asnjë dyshim që gjenden ngjashmëri dhe bashkëpërkime gjuhësore midis këtyre popujve të Europës dhe atyre të Azisë! Kjo është arsyeja që unë jam kundër kësaj ideologjie indo-europianiste. Fundi i fundit, ajo duhej të quhej më së forti “euro-indiane”. Ja, për të përfunduar, një rezyme për përdorimin e gjuhës greke.

     Gjuha e folur dhe e shkruar prej grekëve të sotëm është shumë e larguar nga greqishtja e lashtë. Sa i përket kësaj greqishteje të lashtë, ka pasur, në fillim, katër dialekte: jonian/atik, eolian, arkado-qipriot (dialekt i ndikuar prej pellazgjishtes së lashtë) dhe dorian i quajtur dialekt perëndimor (dialekt i vonë i afërt me ilirishten). Por në shekullin IV para erës sonë dialekti jonik/atik u imponua gjithandej në Greqi. Pas pushtimeve të Aleksandrit, u përhap në Greqi një gjuhë e vetme e folur dhe e shkruar: koineja, gjuhë e afërt me dialektin jonian/atik. Nga kjo koine ka dalë greqishtja mesjetare ose greqishtja bizantine: gjuhë zyrtare e perandorisë bizantine (nga shekulli XI deri në shekullin XV). Kjo gjuhë diturake kishte zëvendësuar latinishten. Ajo ka qenë përdorur në gjithë pellgun mesdhetar. Evangjilët e parë u përkthyen nga armenishtja në greqisht. Shën Pali e fliste lirisht greqishten. Nën pushtimin otoman (1453-1821) greqishtja bizantine u kthye në «demotikishte» domethënë në gjuhë të popullit: gjuhë e ndikuar nga latinishtja, shqipja, turqishtja dhe sllavishtja. Por me krijimin e shtetit grek më 1820 grekët deshin të hiqnin qafe ndikimin turk dhe krijuan kathareusën domethënë një gjuhë «të pastruar». Një gjuhë diturake, puriste, arkaizuese u bë gjuhë zyrtare (dokumente zyrtare, etj.). Populli vazhdonte të fliste nga ana e vet, përditë, demotiqishten. Përveç, u muar vesh, në disa krahina të shpërndara të Greqisë ose të Ballkanit ku disa xhepa të kulturës pellazgo – shqiptare i bënë ballë «demotikishtes» dhe dyndjeve të ndryshme. Në fillim të shekullit XX kathareusa u kundërshtua dhe për një kohë të gjatë u kritikua dhe u fshikullua si gjuhë e vdekur. Më 1975 kathareusa dështoi. Qeveria greke adoptoi dhe rivendosi përfundimisht demotikishtën (me disa ndihmesa të kathareusës) më 1976 dhe më 1981 Greqia filloi një reformë thelbësore të drejtshkrimit. U tha, në Greqi ka pasur gjithmonë «xhepa» ku flitej dhe ku flitet edhe sot arvanitshja (dialekt shqip i Greqisë), pa harruar Epirin e jugut të quajtur «Çamëri» në shqip (pjesë që ndodhetnë Greqi të veriut ku flitet një dialekt i afërt me shqipen toske). Fatkeqësisht janë të shumtë banorët epirotë shqiptarë të zhvendosur prej grekëve në Anadollin perëndimor, si «shkëmbim», (më shumë se 450.000) midis 1922 dhe 1924 kundrejt një milioni e gjysmë grekësh të Turqisë. Le të mos harrojmë se heronjtë e pavarësisë greke (Boçari, Cavalla, Kanari, etj.) ishin me origjinë shqiptare (arvanitas). Kjo është arsyeja që këta të fundit u shprehën në shqip gjatë ndërhyrjeve të tyre në parlamentin grek të asaj kohe. Kjo nuk do të thotë se shqipja ishte gjuha kryesore në Greqi ose që ajo flitej gjithandej.

        Jo! Greqishtja e lashtë (edhe pse baza e saj përbëhet nga një fond pellazgjik) ishte bërë një gjuhë më vete dhe veçanërisht varianti i vonë i saj Koineja që flitej duke filluar nga shekulli VIII/VII para erës sonë. Po shënojmë se Filipi II i Maqedonisë ngarkoi Aristotelin t’i mësojë greqishten birit të vet Aleksandrit III, i quajtur Aleksandri i Madh. Është e qartë se sot jemi larg nga kjo greqishte e lashtë. Sidoqoftë unë nuk mendoj se, duke bërtitur fort që greqishtja, gjuhët e botës madje të gjithë botës janë me origjinë pellazgjike, ky pohim bëhet i besueshëm për specialistët seriozë dhe dijetarët që meritojnë këtë emër. Për rrjedhojë, nuk duhen shtuar pohime të tilla (pa prova të besueshme, pa qëndrueshmëri shkencore) gjithandej në media dhe në disa libra sepse kjo mund t’i dëmtonte dyfish veprat serioze, ndërtimi, metodologjia, kërkimet e thelluara, referimet e pakundërshtueshme, argumentet provuese dhe analizat me vend veç e nderojnë Shkencën dhe, për rrjedhim, rivendosin një të vërtetë të mënjanuar për shumë kohë ose fare të mbuluar. Vetëm me këtë mënyrë do mund të binden shkencëtarët seriozë dhe ata të heshturit. Kësisoj «shkenca» do të shpetohet dhe kjo do t’i kthejë, gjithashtu, dinjitetin dhe krenarinë popullit shqiptar kudo që jeton.

     Po shtoj, së fundi, se që nga rënia e komunizmit në Shqipëri të shumtë janë librat që dalin në shqip, të shkruar prej shqiptarësh ose të huajsh të përkthyer në shqip. Liria e shprehjes (kjo më kënaq) dhe e botimit kanë lindur një shumicë shkrimesh jo gjithmonë të besueshme në planin e përpjekjes dhe metodës shqkencore. Imagjinata të papërmbajtshme, pohime fanteziste, siguri pa argumente të prekshme u derdhën nga të gjitha anët duke e shtuar edhe më pështjellimin e mendjeve. Dhe me të vërtetë nuk duhet që në emër të lirisë së shprehjes t’i lejohet vetes të thotë gjithçka dhe veçanërisht të pavërteta ose siguri të rrema, të cilat, in fino, dëmtojnë njohjen e së Vërtetës. Dhe me të vërtetë nuk jam gjithmonë dakord me Aristidh Kolën që i përzien pak si shumë pellazgë, grekë, ilirë dhe që nuk merr parasysh origjinën e vërtetë të grekëve, me D’Angély-në (gruaja e të cilit ishte shqiptare e jugut) për të cilin shqiptarët janë në zanafillë të gjithçkaje, tamam sikur vetëm zoti i mirë të mos ishte pellazg ose shqiptar!

     Sa i përket së ndjerës Nermin Vlora Falaschi, e njoha me kundërshtimet dhe disa ngurime të mia pikërisht për disa pika gjatë një takimi në Romë para disa vitesh. Gjithashtu nuk jam gjithmonë dakord me Skender Rizajnë që bën disa pohime (pa prova) për origjinën e shqiptarëve, të cilat janë pak larg realitetit, veçanërisht lidhja që ai bën me Islamin; nuk jam dakord gjithashtu me disa pohime të Benlëvit, Faverialit dhe disa shqiptareve të reja, midis të cilave Elena Kocaqi, Shpresa Musaj Omer, etj. Sa për Niko Stillon, nuk e kam lexuar ende librin e tij.

     Për të përfunduar do të citoja emrin e Martin Bernalit i cili në «Black Athéna» (Shikoni: Black Athena – The Fabrication of Ancient Greece – Sh. B) u jep grekëve origjinë “afrikane”! Fatkeqësisht janë të shumtë autorët (të vjetër a të rinj) që nuk kanë marrë parasysh përmasën parahistorike, historike dhe kronologjike në kërkimet e tyre veçanërisht etnogjuhësore dhe që sidomos kanë marrë liri sa i përket formimit fillestar të gjuhëve të Europës. E çmoj veten si dikë të panjollë dhe shumë të rreptë në studimet dhe kërkimet e mia dhe ndershmëria ime shkencore nuk më lejon të trajtoj një subjekt ose të gjykoj çfarëdoqoftë dhe këdoqoftë pa pasë studiuar, kontrolluar dhe verifikuar të gjitha treguesit, maksimumin e argumenteve, të verifikimeve dhe të elementeve të besueshme. Nuk pohoj kurrë asgjë pa prova, pa argumente të besueshme dhe studimet dhe kërkimet e mia janë pa pikë sentimentalizmi, favoritizmi ose shovinizmi: këto të meta nuk i përkasin një kërkuesi të vërtetë ose të një dijetari të vërtetë. Jam gjithçka, veç fantezist jo. Parashtrimi i pranishëm nxit që të mos vihet «gjuha» para «historisë» për të përligjur paraardhjen e popullit shqiptar në Europë. Për sa i përket tezës (doktoratës) që po përgatit në Universitetin e Sorbonës, ajo do të paraqitet pas dy vjetësh. Në të do t’i lë parësinë historisë, arkeologjisë, antropologjisë, studimit dhe analizës së teksteve antike, mitologjisë, duke futur në të edhe epopetë homerike. Në fund etnogjuhësia do t’i përmbyllë punimet e mia. Pra nuk do të jetë një tezë vetëm për gjuhën pellazgo-shqipe. Si e kam thënë edhe në një krye pararendës «nuk mund të vihet qerrja para qeve»!

Burimi: Pashtriku.org

* ) Kantakti me autorin: mat.aref@wanadoo.fr

Shperndaje ne

The Author

Arif Mati

2 Comments

Add a Comment
  1. Ju pergezoj dhe ju falenderoj si shqiptar per punen e palodhur dhe shume te rendesishme per historiografine shqiptare. Ju lumte. Jeni i pazevendesueshem.

  2. Shumë falëminderit mik i dashur. Unë bëj punën time seriozisht dhe shkencërisht dhe nuk mbeshtetëm në disa të ashtuquajtur historian apo gjuhëtarë modern. Unë kam shkatëruar copë copë historine e lashtë dhe bazohem në autorët e lashtë elementet e të cilëve i kam lexuar më kujdës dhe sidomos mes rreshtave, verifikuar, zhvoshkur, dekompozuar, zbuluar kontradiktat, gabimet, mospërputhjat, manipulimet… dhe analizuar thellësisht, krahasuar, ballafaquar…gjithë këto kanë pësuar një provim specifik, një reflektim të thellë për të tërhequr kuintesencën që më ka lejuar të nxjerr një të vërtetë të pranushëm, të pakundërshtushëm apo të pandalshëm. Prandaj përfundimet e mia rrjedhin nga ky ekuacion. Utime dhe gjithë të mirat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.