Shqipja “gjuha më e lashtë e Europës”

 gjuha_shqipe

PARANOJA NË ALBANOLOGJI

Debatet, ose më mirë dëshira për një libër shqip para atij të Buzukut shkojnë më tej se thjesht kureshtja historike, për të na treguar diçka thelbësore rreth kombëtarizmit tonë si dëshirë.

Në vështrim të parë, duket sikur merita e kësaj prove fiktive të librit shqip më të hershëm se Meshari ka të bëjë me konfirmimin e vjetërsisë së shqipes së shkruar; por mua më duket se kjo meritë lidhet më shumë me pozicionin e këtij libri, pezull midis vërtetësisë dhe përgënjeshtrimit.

Libri shqip para Buzukut është objekt i shenjtë, sakral, i pacenueshëm; edhe i vërtetë, edhe joekzistues – diçka si universi para Big Bang-ut.

Mekanizmi që vepron në këto raste, i përket të menduarit mitologjik, i cili kërkon ta çlirojë historinë nga racionaliteti (“mitet janë ëndrra publike,” thoshte Joseph Campbell), jo kështu nga qejfi, por ngaqë duhet të përmbushë një nevojë jetike të shoqërisë që e përmban.

Dhe kjo që ndodh me Buzukun dhe librin shqip është dukuri relativisht beninje, në krahasim me çfarë shohim në fusha të përafërta, si ato të etnogjenezës, ose të lashtësisë parahistorike të shqipes dhe të shqiptarëve.

Të marrim, për shembull, teorinë pellazgjike, e cila vazhdon të ngacmohet herë pas here nga disa studiues minorë, në raport me shqipen dhe prejardhjen e saj.

Natyrisht, sa kohë që historia e lashtë e shqiptarëve mbetet e mbështjellë me mjegull, hipoteza pellazge nuk mund të përjashtohet; por vetëm mund të krahasohet me hipoteza të tjera, të ngjashme – si ajo ilire dhe trake.

Ndryshe nga pellazgët, popull gjysmë mitik me mbetje që mund të qëmtohen vetëm tërthorazi, ilirët dhe trakët janë dy popuj indo-europianë, që kanë jetuar me siguri në Ballkanin e lashtësisë.

Prejardhja e shqipes nga një dialekt ilir dhe e shqiptarëve nga një fis ilir i paromanizuar u pranuan përgjithësisht nga dija në Europë, në bazë argumentesh të përgjithshme – sa kohë që ilirishten si gjuhë nuk e njeh kush (gramatikën, leksikun, etj.).

Në mënyrë të ngjashme u veprua edhe për hipotezën trake – sa kohë që edhe trakët kanë qenë rrotull gjatë sundimit romak të Ballkanit.

Këtu nuk është vendi për të diskutuar njërën hipotezë dhe tjetrën; por vetëm për të vërejtur se të dyja e kanë një farë legjitimiteti, të bazuar në dijen indo-europiane; sidomos po të kemi parasysh se natyra indo-europiane e shqipes është konfirmuar tashmë, njëlloj si edhe e ilirishtes dhe, përkatësisht, trakishtes.

Çfarë e dallon hipotezën pellazge, nga këto dy të tjerat, është se ajo nuk kënaqet me vijueshmërinë indo-europianë > ilirë > shqiptarë (ose anasjelltas, indo-europianë > trakë > shqiptarë, etj.), por kërkon të futë një element të ri, më të lashtë në ekuacion: pellazgët.

Tani, për pellazgët dimë edhe më pak se ç’dimë për ilirët – por mendimi mitologjik ka aftësinë që ta shndërrojë mosdijen në forcë; meqë hipoteza e prejardhjes nga një entitet i panjohur nuk mund të përgënjeshtrohet.

Merita e hipotezës pellazgjike, në raport me atë ilire, është se e vendos shqipen dhe rrënjët e saj në një prerje kohore edhe më të lashtë – ose para greqishtes së vjetër.

Menjëherë del problemi se ç’vend do t’i mbetet ilirishtes dhe ilirëve në këto ekuacione të reja – dhe, siç mund të pritej, disa kanë arsyetuar se ilirët janë edhe ata një lloj pellazgësh, etj.; ose ilirishtja s’është veçse pellazgjishte e periudhës protohistorike.

Asnjë bazë nuk ka për këtë hipotezë të fundit.

Tani, karakteristikë kryesore e pellazgëve dhe pellazgjishtes është lashtësia e madhe; ose më saktë, aftësia për të qenë më të hershëm se çfarëdo entiteti tjetër. Kjo do të thotë se prejardhja e shqipes dhe e shqiptarëve nuk po shpjegohet në mënyrë racionale, por vetëm brenda një sistemi të tillë idesh fantastike, që synon t’i vëjë edhe shqipen, edhe shqiptarët, në fillim të gjithçkaje.

Sikurse dihet, ka më se dy shekuj që historia e gjuhëve në Europë dhe gjetiu studiohet me metodën krahasuese, e cila ka shpënë edhe në formulimin e hipotezës indo-europiane, sipas së cilës shumica e gjuhëve në Europë dhe një pjesë e atyre që fliten në Azi rrjedhin nga një gjuhë e përbashkët: indo-europianishtja, e cila mund edhe të rindërtohet, deri në një farë shkalle.

Kjo hipotezë kërkon edhe të pranohet që gjuhët dhe popujt kanë lëvizur dhe janë trazuar mes tyre.

Brenda indo-europianistikës, prejardhja e shqipes është kërkuar te një gjuhë indo-europiane që flitej në Ballkanin e lashtësisë: ilirishtja ose trakishtja.

Përkundrazi, teoria pellazgjike nuk pajtohet aq lehtë me hipotezën indo-europiane, sa kohë që natyra indo-europiane e pellazgëve nuk është konfirmuar, përkundrazi.

Kjo do të thotë se pellazgët, nëse kanë ekzistuar si popull i mirëfilltë dhe jo si një variabël për gjithçka paragreke në Ballkan dhe në Egje, mund të kenë qenë indo-europianë, por mund edhe të mos kenë qenë.

Edhe një herë, interesi ynë për këtë popull, pellazgët, lidhet drejtpërdrejt me natyrën e tij mitike; ose përtej së vërtetës dhe përgënjeshtrimit.

Teoria pellazgjike gjen mbështetje, tërthorazi, në teorinë e lidhjeve midis shqipes dhe etruskishtes, të mbrojtur nga disa autorë, mes të cilëve edhe etruskologu Mayani.

Siç mund të merret me mend, etruskishtja – kjo gjuhë e folur pak a shumë në Toskanën e sotme – është gjuhë e panjohur; mbishkrimet e shumta etruske lexohen (sepse janë me alfabet latin) por nuk interpretohen dot; dhe përgjithësisht dijetarët kanë pranuar se etruskishtja nuk ka qenë gjuhë indo-europiane.

Edhe një herë, nuk është synimi ynë të pozicionohemi për këto çështje kaq të vështira – por vetëm të vëmë në dukje se, edhe pellazgjishtja, edhe etruskishtja, i përkasin një rrafshi të kithtë, në raport me atë të lidhjeve dhe prejardhjes indo-europiane të shqipes.

Karakteristikë edhe e pellazgjishtes, edhe e etruskishtes, është se të dyja janë jo vetëm të panjohura, por edhe e sidomos se janë më të hershme (këtu krahasimi duhet marrë në sensin paradoksalisht absolut: më të hershme se gjithçka tjetër me të cilën krahasohen).

Që këtej e kemi të lehtë të vijmë tek teoria tjetër, këtë herë krejt mitologjike, se shqipja është “gjuha më e lashtë në Europë”, ose “gjuhë unike”, etj.; e cila e kundërshton haptazi kornizimin indo-europian dhe konceptin e familjeve të gjuhëve.

Madje, madje, as pellazgjishtja as etruskishtja nuk duhen, për të arritur te ky unicitet i origjinës – mjafton shprehja në dukje e pafajshme, se shqipja është “gjuha më e vjetër në Europë”, për ta nxjerrë këtë gjuhë nga raportet me gjuhët e tjera, duke e vendosur në burimin e tyre.

E gjithë kjo lëvizje mendimi synon ta shtyjë origjinën e shqipes përtej, derisa relativja të shndërrohet në absolute; dhe vetë shqipja të riparaqitet si një objekt që i paraprin Big Bang-ut indo-europian, çka do të përligjte edhe irracionalitetin e çdo teorie ose hipoteze të prejardhjes.

Asgjë shkencore nuk ka në këtë mes; sa kohë që kemi të bëjmë me një lloj doktrine mitologjike, e cila nuk lëviz nga e njohura drejt së panjohurës, por në kah të kundërt – nga e panjohura drejt së njohurës.

Këtë lloj gjakimi albanologjik do ta quanim, të paktën në format e veta të kulluara, edhe si një lloj okultizmi; sepse ai nuk kërkon njohjen, por adhurimin e së panjohurës, në trajtat e së panjohshmes.

Nga pikëpamja tipologjike, mistifikime të tilla u ngjajnë teorive të komplotit, të cilat me përkufizim shtresohen mbi një thelb të paverifikuar, ngaqë të paverifikueshëm.

Dëshira nuk prodhon dot logos, por vetëm mythos.

Diçka të ngjashme gjejmë në teoritë e etnogjenezës, të cilat kombinojnë të dhënat e historisë së gjuhës me ato të arkeologjisë. Kështu, shumë prej albanologëve vendës që rrëmojnë në vendbanimet parahistorike, të neolitit e të paleolitit, nuk gjejnë dot gjë tjetër, veç vijueshmërisë – çka u shërben pastaj për të provuar autoktoninë.

Ndonjë skeptik këtu do të thoshte se ata gjejnë atë çfarë kërkojnë; po të kërkonin ndërrueshmëri, do ta kishin gjetur edhe atë. E megjithatë, të vërejmë si edhe në këtë fushë të dijes albanologjia patriotike e shpërfill, në mos e kundërshton haptazi, hipotezën indo-europiane dhe përkatësinë e shqiptarëve në popujt indo-europianë.

Natyrisht, nuk është e thënë që hipotezat e prejardhjes së shqipes të përkojnë me hipotezat për “prejardhjen e shqiptarëve”; meqë edhe përhapja e indo-europianëve duhet të ketë qenë më tepër kulturore dhe ndërrimi i popullsisë të ketë prekur kryesisht shtresën sunduese (aristokrate).

Në një shkrim të paradokohshëm (Gjuhë dhe gjak), kam arsyetuar si, në bazë edhe të të dhënave gjenetike, duket sikur ka më shumë të ngjarë që shqiptarët të jenë autoktonë si “popull”, sesa që shqipja të jetë folur pikërisht në trojet ku flitet sot.

E megjithatë, të gjithë ata që e përjashtojnë “ardhjen” e bëjnë këtë sepse vetëm një teori që e përjashton ardhjen ka aq dinjitet, sa të pranohet si skripturë albanologjike; sepse duke u mohuar ardhja, lihen jashtë – në mënyrë implicite – edhe lidhjet e afërisë me popujt e tjerë, në kuptimin që shqiptarët vijnë e përftohen si popull unik, i pakrahasueshëm – me karakteristika absolute, atje ku të tjerët i kanë, të njëjtat karakteristika, relative.

Sërish, kjo nuk ka të bëjë me dijen, metodën shkencore dhe racionalitetin – është më tepër një lloj sëmundjeje atavike e mendimit, ku përzihet magjia me okultizmin dhe që ka në themel misticizmin, të mishëruar në trajtën e disa “të vërtetave” të pacenueshme.

Kjo patologji, sepse e tillë është, i përgjigjet një nevoje të psikologjisë kolektive të kombit, prandaj vështirë se mund të kurohet thjesht nëpërmjet arsimimit, ose kultivimit të mendimit kritik. Madje edhe sikur të vërtetohej, nesër, se shqipja rrjedh drejtpërdrejt nga pellazgjishtja ose etruskishtja; ose që indo-europianët janë formuar si popull diku në zonën e Matit, kjo nuk do të sjellë si rezultat veçse zhvendosjen e hipotezës së re të radhës drejt një hapësire kohore më të hershme; edhe një herë, krahasimi me Big Bang-un do të ndihmonte për ta kuptuar dukurinë dhe mekanizmin psikologjik që e mbështet./Shkëputur nga: Peisazhe

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.