Sllavët e Jugut janë sllavë, dhe si të tillë nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me ilirët

Karte_der_Präfektur_IllyricumILIRËT NË BALLKANIN MODERN I

Një artikull i Danijel Dzino (Macquarie University, Sydney, Australia) me titull “Constructing Illyrians: Prehistoric Inhabitants of the Balkan Peninsula in Early Modern and Modern Perceptions” (Balkanica 27, 2014), më ftoi për përsiatjet e mëposhtme.

Jo aq për historinë e studimeve ilire (ilirologjisë, iliristikës), si pjesë e arkeologjisë klasike greko-romake, arkeologjisë së Ballkanit të lashtë, indo-europianistikës, gjuhësisë indo-europiane, gjuhësisë ballkanike etj., sa për marrëdhëniet që përvijohen, ndonjëherë befasuese, midis modeleve të ndërtuara për ilirët në historiografinë europiane dhe veçanërisht ballkanike nga njëra anë, dhe problematikës politike dhe ideologjike në shoqëritë dhe shtetet e Ballkanit modern.

Ilirët – si popull, ose bashkësi fisesh – mund të studiohen më vete, sikurse mund të studiohen edhe përbrenda dhe si pjesë organike e historisë së popujve të sotëm të Ballkanit dhe të gjuhëve të tyre. Sa i përket etnogjenezës, shqiptarët e sotëm janë i vetmi grup etnik në Ballkan që mund të pretendojë, objektivisht, se është vazhdues i një fisi ilir edhe në gjuhë edhe në “gjak”. Sikurse mund të pritej, këtë tezë të vijueshmërisë iliro-shqiptare e kanë mbrojtur veçanërisht arkeologët dhe të paktën nuk e kanë kundërshtuar gjuhëtarët shqiptarë.

Megjithatë, studimet ilire në Shqipëri dhe në Kosovë kanë qenë të pakta dhe derivative, në krahasim me çfarë ka ndodhur në trojet e ish-Jugosllavisë, sidomos pas vitit 1944.

Sllavët e Jugut janë sllavë, dhe si të tillë nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me ilirët, përtej faktit që u zunë vendin kur u dyndën në trojet e tyre të sotme; prandaj edhe iliristika në Jugosllavi nuk u nxit as u ushqye nga dëshira për të krijuar modele të etnogjenezës dhe të lashtësisë së origjinës, siç ndodhi me shqiptarët.

Dzino i kushton vëmendje pikërisht motiveve që i nxitën këto studime të rëndësishme, për parahistorinë ilire të Ballkanit, që u ndërmorrën prej arkeologëve, historianëve dhe paleolinguistëve të ish-Jugosllavisë.

Sipas tij, dijetarët jugosllavë gjetën, tek trashëgimia ose substrati ilir i popujve sllavë të jugut, atë bashkësi tiparesh që do t’i lidhte këta popuj së bashku, gjithë duke i dalluar prej sllavëve të tjerë – në kuptimin që popujt sllavë të Jugosllavisë ishin të afërt mes tyre jo vetëm si popuj sllavë, por edhe për shkak të komponentit a substratit etnik (gjenetik) dhe kulturor ilir, që kishin trashëguar; dhe që u mungonte, natyrisht, sllavëve të tjerë.

Shkruan Dzino: “Dija jugosllave në vitet 1960, duke u marrë me Ilirët e lashtë dhe impaktin e tyre në etnogjenezën e sllavëve të jugut, projektoi tërthorazi në parahistori ideologjinë jugosllave të bashkim-vëllazërimit (bratstvo-jedinstvo) të popujve të ndryshëm por të afërt mes tyre, që lidhen së bashku në një strukturë supra-etnike.”

Nëse në vitet e lulëzimit të “jedinstvo-s” jugosllave fiset e ndryshme dhe të shumëllojshme ilire që shtriheshin në territorin e Ballkanit Perëndimor dhe Qendror shiheshin, megjithatë, në mos si etnikisht të njëjta, së paku si etnikisht të lidhura mes tyre; dhe gjuhët që fliteshin si forma, variante ose dialekte të ilirishtes, kjo do të ndryshonte në rrjedhë të kohës, krahas me zhvillimet politike në Jugosllavi dhe rritjen e fërkimeve politike mes republikave, por edhe të separatizmit, duke filluar në vitet 1970.

Ndërrim paradigmatik, e quan këtë Dzino-ja, dhe duke vazhduar pastaj se “në [Jugosllavinë e viteve] 1970-1980 u përftuan perceptime të reja të ilirëve. Këta u panë tani si grupe etnikisht të ndryshme, por të lidhura mes tyre, që pastaj u unifikuan nën sundimin romak.”

Këtyre dekadave u përket edhe aktivizimi i teorisë së “zonave onomastike” ndër ilirët e Ballkanit – të cilën e bëri të vetën dhe e shtjelloi me autoritet Katicic-i. Kjo teori, me bazë paleo-linguistike dhe onomastike, i kushton vëmendje shpërndarjes së emrave të përveçëm ilirë në varret dhe në mbishkrime të tjera epigrafike ose burime historike të lashtësisë; duke përvijuar, brenda kësaj shpërndarjeje, zona aq të dallueshme mes tyre, sa kjo të mjaftojë për të mbështetur hipotezën se ilirët, pavarësisht nga emri i përbashkët që u kanë vënë të tjerët (grekët, romakët), nuk kanë qenë një popull i ndarë në fise, por popuj të ndryshëm mes tyre, edhe pse të afërt mes tyre. Kjo do t’i largonte ilirët nga modeli grek, për t’i afruar me modelin italik.

Ndryshe nga ç’ndodhte në ish-Jugosllavi, në Shqipërinë totalitare studimet ilire i referoheshin drejtpërdrejt çështjes së etnogjenezës së shqiptarëve dhe të autoktonisë; prandaj edhe hipotezën e prejardhjes ilire të shqiptarëve regjimi e bëri të vetën menjëherë dhe e shndërroi në version historiografik zyrtar. Për të njëjtën arsye, teoritë dhe hipotezat e reja, si ato për zonat onomastike ose përjashtimi i disa fiseve ose popujve (p.sh. liburnët dhe deri diku edhe dardanët) nga qerthulli ilirik, nuk patën asnjë jehonë në studimet shqiptare: tek e fundit, parimi në thelb ideologjik i autoktonisë sugjeronte që shqiptarët të ishin vazhdim jo i një fisi ilir çfarëdo, por i një fisi ilir që banonte pak a shumë në trojet ku shtrihen shqiptarët sot (ose i disa fiseve të tilla).

Sërish nevoja për të mbrojtur me thonj e me dhëmbë autoktoninë e bënte të ngutshme, për dijen shqiptare, marrjen e një pozicioni të qartë në lidhje me natyrën e fiseve epirote – të cilat janë konsideruar, tradicionalisht si ose grekë, ose jo-grekë por edhe të ndryshëm nga ilirët dhe, më në fund, ose si edhe ato ilire; dhe merret vesh se, edhe këtu zyrtarisht do të mbrohej përkatësia ilire e epirotëve.

Duke u shtyrë më tej, për të mbërritur në periudhën e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe të idesë jugosllave, Dzino konstaton një dobësim të zellit ilirologjik në dijen zyrtare të shteteve të krijuara rishtas; por megjithatë vëren se pretendimet e një vijueshmërie iliro-boshnjake kanë shërbyer për të mbështetur një identitet boshnjak të mëvetësishëm, mes myslimanëve të Bosnjës. Unë do të shtoja këtu se këtë hipotezë, që boshnjakët e sotëm janë në thelb ilirë të sllavizuar, e kanë përsiatur, para viteve 1990, edhe për të shpjeguar jo vetëm dukurinë e bogomilëve në historinë e Krishterimit në Ballkan, por edhe faktin që, mes sllavëve të Jugut, ishin pikërisht boshnjakët ata që u islamizuan në masë.

Sa për studimet shqiptare, Dzino sërish përmend një rikthim të teorive pellazgjike, të cilat ishin narkotizuar gjatë regjimit totalitar në Shqipëri, por edhe mes kosovarëve nën sundimin jugosllav. Këto teori dhe hipoteza po lëvrohen – hë për hë – në një hapësirë alternative ndaj asaj mirëfilli akademike; dhe kanë marrë gjallëri edhe për shkak se nuk janë kundërshtuar gjëkundi prej dijetarëve.

Sipas Dzino-s, “Lidhjet me ilirët janë përdorur për të përligjur pretendimet territoriale, synimet politike dhe të drejtat historike jo vetëm të grupeve etnike moderne, por edhe identiteteve trans-nacionale. Nga ana tjetër, ilirët janë përdorur si ekran i bardhë për të projektuar të tashmen, me ideologjitë dhe projektet e saj shtet-formuese.”

[vijon]

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.