Gjuha pellazge ose shqipe – gjuhë universale e botës së bardhë antike dhe e Perandorisë Bizantine

Byzanz-bigDuke qenë të bindur, se etruskishtja dhe shqipja janë, pra, siç e kemi parë, dialekte të po asaj gjuhe të quajtur në antikitet pellazgjishte dhe, meqë gjithë autorët e lashtë na kanë folur për pellazgët si një popull i përhapur kudo mjaft kohë para epokës heroike, në sajë të gjuhësisë ne sot jo vetëm mund të themi se ata kanë ekzistuar, po gjithashtu të pretendojnë me siguri, se ata ishin vendosur pothuaj kudo në Europën e njohur që nga antikiteti më i largët dhe, duke ndjekur epokat, janë mbajtur në këtë ose atë vend deri në ditët tona. Ka qenë gjuha shqipe, – të cilën gjuhëtarët dhe etnologët nuk e kanë përfillur për ta studiuar, – e cila ka qenë e aftë të na japë këtë provë të ekzistencës dhe të mbijetesës së pellazgëve, dhe është përsëri kjo gjuhë, që do të na lejojë të deshifrojmë gjuhën etruske, që sot quhet shqipe e dialektit toskë, e folur në Gadishullin e Ballkanit dhe gjetkë.

Për të dhënë një provë pothuaj matematike, do të themi se ky rast është plotësisht i njëjtë me atë që na paraqitet në të njëjtën mënyrë ndërmjet gjuhës së egjiptasve të lashtë dhe gjuhës kopte të librave liturgjikë.

Për të bërë një përmbledhje, do të thoshim se gjuha pellazge ose shqipe është folur në gjithë vatrat e epokës së lashtë nga Kaukazi e Taurusi deri te Shtyllat e Herkulit. Po të mos kishte qenë gjendja shoqërore, nga pikëpamja e gjuhës, të mos ishte ashtu si e përshkruajmë ne kur ndodhi Lufta e Trojës, si do të mund t’i shpjegonim ato fjalime, me të cilat është e mbushur Iliada, të cilat kundërshtarët fisnikë i shqiptonin nga të dy anët e rrjedhës së ujit që i ndante?

Po të mos ishte çimentoja e gjuhës pellazge unike, që i lidhte gjithë popullsitë e Azisë së Vogël, të ishujve, të Greqisë, të Italisë e gjetkë të epokës së lashtë, – popullsi që disa duan t’i quajnë si krejt të ndryshme, – si do të ndodhte kjo lëvizje e brendshme, kjo vajtje-ardhje e pandërprerë e kolonive në Greqi për t’u vendosur në Azinë e Vogël ose në Itali, duke u nisur nga Azia e Vogël për të shkuar që të vendoseshin në Itali, duke braktisur Thesalinë për të shkuar që të vendoseshin në Peloponez etj., si do të kishin ndodhur gjithë këto zhvendosje masive të popullsive? Si mund të konceptohet, që emigrantët dhe pritësit kaq lehtë të merreshin vesh dhe të pajtoheshin, nëse realisht nuk kishin një farefisni të racës dhe një përbashkësi të gjuhës? Dhe dihet se gjithë këto zhvendosje të popullsive dhe themelimi i gjithë këtyre kolonive ka ndodhur paqësisht e pa u përdorur asnjë forcë, duke mos shëmbëllyer me disa ekspedita ushtarake, që kanë ndodhur disa herë dhe që, mjaft shpesh, nuk kanë sjellë pasoja, siç është për shembull ekspedita e persëve.

Pra, siç e pamë, gjithë këto popullsi që thuhet se janë të ndryshme të antikitetit, e me gjithë luftat e përgjakshme që i kundërvinin njërën kundër tjetrës dhe që ndodhnin vetëm e vetëm për të diskutuar hegjemoninë ndërmjet tyre, si Lufta e Peloponezit, për shembull, përbënin një popull të vetëm, që fliste një gjuhë të vetme. Kjo është arsyeja përse ky popull unik mundi të kapërcente vështirësitë e më se dy mijë vjetëve, gjatë të cilëve mundi të shkëlqejë jo nën emrin e popullit pellazg ose shqiptar, por nën emrat helen, maqedonas, romak, bizantin, turk, grek të pavarësisë së vitit 1821 e së fundi shqiptar.

Del që nuk kemi nevojë të ngulim këmbë për ta bërë të kuptueshme dhe për ta pranuar, që jashtë Greqisë së mirëfilltë me ishujt, Azia e Vogël, po ashtu Traka, Maqedonia, Epiri, Italia, Sicilia, Sardenja, Korsika dhe jugu i Francës (Arvernes = Arbërn=Albanë), ndonëse janë quajtur grekë ose helenë, gjithashtu kanë qenë në fakt shqipfolëse e shqiptare. 

Çfarë u bë me gjithë popullsitë e kolonive të ndryshme, që jetonin në shekujt e parë të erës sonë

në qytetet e Perandorisë Romake? 

Elementët e huaj, që erdhën e u përzien me këtë racë pellazge primitive deri sa e ndryshuan, pas erës sonë kanë qenë së pari çifutët, pastaj arabët dhe egjiptianët, dhe së fundi armenët. Ne nuk po përmendim elementin mongolik turk, sepse ky element, kur erdhi në kontakt me shqiptarët-bizantinë, tashmë ishte fort i përzier dhe përmbante metisë të popullsive të Turkestanit, Kaukazit, Iranit e të Armenisë, të cilëve iu shtuan ata që u kthyen në myslimanë, arabët e egjiptianët.

Që populli i sotëm grek, për shkak të përzierjes, nuk është pasardhës i vërtetë i helenëve të lashtë, kjo është diçka që nuk ka asnjë hije dyshimi.

Ushtritë e quajtura greke ose maqedonase, në ndeshjet me ushtritë e Romës qysh para erës sonë, përbëheshin nga luftëtarë që i përkisnin po asaj race dhe flisnin po atë gjuhë: pellazgjishten. Me përjashtim të shtabit madhor, i cili gjithashtu diskutimet i bënte pellazgjisht ose shqip, por që gjithë raportet dhe shkresat e veta i hartonte në gjuhën greke, gjithë diskutimet, gjithë urdhrat dhe fjalimet, që bëheshin në gjirin e ushtrisë, shqiptoheshin ose jepeshin shqip. Tashmë kemi folur për fjalimet, që luftëtarët fisnikë të të dy kampeve kundërshtare të Trojës, që i ndante vetëm një rrjedhë uji e vogël, fjalime të drejtuara herë nga njëri breg dhe herë nga bregu tjetër i lumit, kanë qenë detyrimisht dhe në mënyrë të padiskutueshme në gjuhën pellazge, të njohur, të folur e të kuptuar nga gjithë bota, ashtu si nga grekët e Greqisë, edhe nga ana e trojanëve të Azisë së Vogël: si Greqia dhe Azia e Vogël flisnin që të dy anët pellazgjishten, aq më tepër që gjuha greke ende gjendej veçse në periudhën e formimit fillestar. Gjithashtu është e padiskutueshme, që fjalimet e shqiptuara nga fisnikët e ushtrisë greke të Tërheqjes së Dhjetë Mijëve të Ksneofonit janë mbajtur në pellazgjishten dhe më pas janë përkthyer nga autori në momentin e hartimit të librit të tij. Më në fund kemi citimet e historianëve, që na mësojnë se Aleksandri i Madh, duke u folur gjeneralëve të tij ‘maqedonas’, iu drejtua në ”gjuhën e vet amëtare”, që nuk ishte gjë tjetër veçse pellazgjishtja ose shqipja, dhe në Veprat e Apostujve, Shën Pali na njofton se në Derbe popullsia fliste ‘likaonishten’ ose λυκαονισι, që do të thotë gjithnjë ‘në gjuhën pellazge ose shqipe’. Pra, nëse shqipja përdorej në të gjitha bisedat që bëheshin në rangjet e ushtrisë: greke dhe maqedonase, mund të arrijmë në përfundimin se këto ushtri përbëheshin kudo nga një element i vetëm racor, që fliste po atë gjuhë: shqipen, dhe nga ky fakt kishin një karakter kompakt e homogjen. E pikërisht për shkak të këtij karakteri kompakt e homogjen u ruajt raca, njëkohësisht me gjuhën, një racë dhe një gjuhë që u trashëguan brez pas brezi, deri në kohën tonë, tërësisht të paprekura.

Mbi bazën e këtij kohezioni racor e gjuhësor, si rrjedhim mund të quhet i gabuar çdo pretendim, i cili u vesh popullsive shqiptare të Peloponezit, të Greqisë kontinentale, të ishujve dhe kudo gjetkë, një prejardhje dhe natyrë sllave. Ndërsa ajo që është e vërtetë dhe e padyshimtë, është se gjithë elementët e huaj, që i kanë sjellë vërshimet e ndryshme sipas rastit në trevat e banuara nga shqiptarët: galatët ose galët, sllavët, gotët, hunët etj., vetëm një pjesë e të cilëve ka p rfituar për t’u ngulur, për shkak të kohezionit racor e gjuhësor që përmendëm të popullsive shqiptare të pushtuara, janë asimiluar, përthithur e së fundi janë përzier me elementin e pushtuar superior nga qytetërimi dhe nga mënyra e jetesës.

Punët kanë rrjedhur krejt ndryshe lidhur me ushtritë ose legjionet romake. Këto si në epokën e Republikës, edhe në epokën e Perandorisë, kryesisht nga vetë mënyra e rekrutimit të tyre, kanë pranuar në gjirin e tyre, të përbërë prej elementësh shqipfolës, ushtarë ose legjionarë, që ishin alogjenë, ose më mirë që ishin të së njëjtës racë, por flisnin vetëm një latinishte tashmë të deformuar për shkak të invazioneve të huaja të rëndësishme dhe të vazhdueshme. Nën ndikimin e të folurit të këtyre pellazgëve të kryqëzuar, të tillë si keltët, gotët, hunët dhe shumë të tjerë, latinishtja pësoi të tilla ndryshime, që në fillim dhanë gjuhë të ndërmjetme, të tilla si gjuhët që quhen romane, dhe më pas këto të fundit për arsye të ngjashme, bënë që të lindnin të folmet e ndryshme vendëse dhe gjuhët e ndryshme neolatine, si italishtja, provansalishtja, frëngjishtja, spanjishtja, portugalishtja, rumanishtja etj.

Me këtë rast mund të kujtojmë mendimin e njohur, se po ato shkaqe sjellin po ato pasoja; domethënë se gjuhët neolatine kanë lindur nga latinishtja pikërisht po ashtu, si ka lindur kjo nga pellazgjishtja.

Në të vërtetë pellazgjishtja ka qenë dhe ende është shumë e lashtë. Ajo tashmë flitej, kur pellazgët luftuan kundër atlantëve dhe i penguan që të pushtonin Europën, domethënë shumë kohë para ndërtimit të piramidave dhe para fundosjes së Atlantidës, rreth njëmbëdhjetë mijë vjet më parë. Para kësaj date Sahara ishte një trevë e gjerë e gjelbëruar dhe me pyje. Prandaj është e kotë që prejardhjen e kësaj gjuhe, – që humbet në errësirën e kohëve më të largëta, – t’ua veshësh kolonive të ashtuquajtura egjiptase, fenikase ose të tjera, siç pretendojnë disa. Po e përsërisim “të ashtuquajtura egjiptase, fenikase ose të tjera”, sepse këto koloni përbëheshin me të drejtë nga pasardhës ose stërnipër të stërgjyshëve pellazgë, që kishin mërguar, – shumë kohë para fundosjes së Atlantidës, – në Egjipt, në Feniki ose gjetkë, ndërsa fëmijët e tyre në atdheun e ri të adoptuar kishin humbur përdorimin e gjuhës stërgjyshore: pellazgjishtes. Që këtej del se, kur këta fëmijë të pellazgëve të lashtë të mërguar u kthyen në atdheun e tyre të prejardhjes: Greqi, Azi e Vogël ose Itali, u kryqëzuan dhe u përzien me popullsitë e këtyre vendeve, – farefis i tyre nga gjaku, – kaq shumë (siç ndodh kjo në rrethana të ngjashme, për shembull kur shqiptarët e Shqipërisë mërguan te arbëreshët e Italisë në kohën e pushtimit të vendit të tyre nga turqit më 1478, dhe kur popullsitë shqiptare të krishtera, që pretendohej se ishin greke, të Azisë së Vogël e të Trakës u shkëmbyen më 1925 kundrejt popullsive turke dhe menjëherë erdhën e u përzien me shqipfolësit e Greqisë), ata dhe pasardhësit e tyre, e rinisën përdorimin e gjuhës pellazge, të cilën stërgjyshët e tyre e kishin humbur në kohën e mërgimit. Por ky kthim në gjuhën e tyre të lashtë nuk do të bëhej pa disa ndryshime, si ato që gjithmonë kanë ndodhur në raste të ngjashme; kështu ata ruajtën një numër fjalësh të huaja, lidhur me nocionet e ndryshme të reja që i kishin sjellë me vete dhe ua dhanë banorëve të atdheut të vjetër të rigjetur, si dhe një numër rrënjësh foljesh të huaja, të cilave ata u shtuan mbaresa pellazge të shtrembëruara, ose më mirë një sasi rrënjësh pellazge, të cilave u kishin dhënë trajta sipas vendit nga kishin ardhur pas një mungese kaq të gjatë.

Rezultati: pas disa brezave përdorimi një ndërthurjeje e tillë gjuhësh solli lindjen e një gjuhe të re, që u zhvillua mbi bazën e prurjeve gjuhësore e gramatikore të vendeve, nga vinte secili, të ndërthurura me prurjet e gjuhës pellazge; kjo gjuhë e re u quajt latinishtja në Itali dhe greqishtja në Greqi e në Azinë e Vogël. Me siguri nga kjo rrugë e formimit ka mbetur zakoni, që gjithçka të çohej ose të përkthehej greqisht dhe nga greqishtja latinisht, zakon që ka qenë arsyeja e humbjes së pjesës më të madhe të etimologjive aktualisht të pamundshme për t’i përkthyer ose të padeshifrueshme.

Kjo paraqitje për lashtësinë e gjuhës pellazgo-etrusko-shqipe duhet t’i bëjë të mendohen të gjithë ata, që ende pretendojnë ta nxjerrin shqipen nga hebraishtja ose arabishtja, gjuhë të cilat, ashtu si gjithë gjuhët e tjera të Mesopotamisë janë përkundrazi shumë, – me mijëra vjet afërsisht, – më të reja se shqipja dhe që i detyrohen asaj për huazimet e tyre të ndryshme, të cilat për rrjedhim, nuk janë huazime të shqipes nga gjuhët mesopotamase, por përkundrazi, huazime të këtyre të fundit nga shqipja.

Gjithçka kemi thënë më sipër për çifutët, ka të bëjë njësoj me gjithë popullsitë e tjera të kolonive të huaja. Në të vërtetë qytetet e Perandorisë Romake, – dhe më vonë Bizantine, – në fillim të epokës sonë e madje më parë, nuk kishin vetëm koloni çifute; kishin gjithashtu egjiptas, arabë, persianë, armenë dhe vlleh. Të gjitha këto koloni kanë pësuar të njëjtin ndikim, si dhe kolonitë çifute. Megjithatë nuk duhet menduar se ato u asimiluan brenda një dite; përkundrazi, janë dashur shekuj të tërë që shumica e popullsive të tyre të përfshihet në elementin shqiptaro-bizantin, ndërsa pjesa tjetër është islamizuar dhe turqizuar vetëm shumë më vonë. Më parë gjithë këto koloni madje kanë qenë refraktare, sepse ishin të bashkuara e kompakte, e mbi të gjitha sepse e ruanin përdorimin e gjuhës së vet. Ka qenë larmia e gjuhëve që, – ashtu si gjithmonë, – ka qenë shkaku i shkrirjes së tyre në elementin mbizotërues, në fillim bizantin-shqipfolës, dhe më pas turk. Sido që të ketë qenë, kur ra një qetësi relative mbi Perandorinë Osmane, ato të gjitha patën mundësi të rindërtoheshin dhe të formonin sërish të reja, të cilat me gjithë përndjekjet që pësuan disa herë pas here, u zhvilluan dhe lulëzuan në kohën e përshtatshme me hapa gjigantë. Kështu, në Perandorinë Bizantine dhe në fillim të Perandorisë Osmane ka ndodhur diçka, që ndodh sot te ne në Francë, dhe kudo gjetkë ku ka imigrim: marrëdhëniet e martesave ndërmjet vendësve dhe të huajve e midis të huajve me kombësi të ndryshme janë shkaku i zhdukjes së gjuhëve të këtyre kolonive të huaja në të mirë të gjuhës kombëtare, që i ka pritur këto koloni. Në fakt, në rastet e bashkimit të gjuhëve të ndryshme, gjithë familjet e reja të krijuara kështu nga martesa, përdorin gjuhën zyrtare të vendit ku jetojnë: ky është një rregull i përgjithshëm. Për shembull, në Francë meqë nuk mund të flasë secili gjuhën e vet, të martuarit zbatojnë detyrimisht frëngjishten si gjuhë të vatrës dhe fëmijët dinë të flasin vetëm frëngjisht; në Angli e në Amerikën e Veriut ata do të flasin anglisht dhe fëmijët do të përvetësojnë vetëm anglishten, e kështu më tej. Për sa kohë mbetet një bërthamë familjesh të po asaj race dhe që flasin po atë gjuhë, kolonia ruhet përballë gjithçkaje; por ditën kur kjo bërthamë gjithashtu nis të shpërbëhet dhe të shpërndahet në atë shtet, po ashtu e gjithë kolonia do të zhduket për t’u shkrirë e për të humbur në masën e popullsisë mbizotëruese.

Megjithatë ne do të vëmë në dukje këtu, që rastet e asimilimit të mësipërm nuk kanë ndodhur në Perandorinë Bizantine me popullsinë e saj kombëtare, që fliste vetëm shqip, si gjuhë të vatrës, dhe ku greqishtja përdorej vetëm si gjuhë zyrtare, e më pas në Perandorinë Osmane, ku gjuha zyrtare ka qenë dhe ende është gjuha e fitimtarit turk, të cilën pothuaj gjithë bota e mëson, por popullsia kombëtare është e përbërë nga disa pakica të rëndësishme, kompakte dhe të grupuara, siç janë grekët, armenët e shqiptarët, që flasin secila gjuhën e vet, kurse çifutët flasin spanjisht.

Në Strugë, qytet i Shqipërisë afër liqenit të Pogradecit, me popullsi shqiptare e vllahe, që sot nuk dihet se përse e ka pushtuar Jugosllavia, meshkujt e popullsisë vllahe të këtij qyteti flasin ende jo prej shumë kohësh pesë gjuhë: kucovllahen – gjuha amëtare, shqipen – gjuha e vendit, greqishten – gjuha e arsimit që e mësojnë në shkollë, turqishten – gjuha zyrtare e shtetit deri më 1912, dhe së fundi serbishten – gjuha e marrëdhënieve të dendura tregtare dhe sot gjuha e shtetit. Banorët e krishterë ortodoksë të qyteteve shqiptare të Veriut përvetësojnë: shqipen, gjuha amëtare, greqishten në shkolla, turqishten gjuhë zyrtare, dhe sipas rastit serbishten, gjuhë e kontakteve të shpeshta tregtare. Shqiptarët katolikë të Veriut në vend të greqishtes përvetësojnë italishten, dhe për shkak të ndikimit e të propagandës austriake disa madje dhe gjermanishten, që për ta bëhen: shqipja, italishtja ose gjermanishtja dhe sipas rastit turqishtja. Në Vlorë popullsia e krishterë ortodokse burrat dinë: shqipen, greqishten, dhe sipas rastit turqishten e italishten. Në Korçë, Gjirokastër e Përmet, popullsia ortodokse gjithmonë ka ditur: shqipen, greqishten dhe sipas rastit turqishten; para vitit 1914 nuk njihej italishtja në këto vise dhe aq më pak gjermanishtja. Për më tepër, ajo që duhet vënë posaçërisht në dukje është fakti se asnjë popullsi myslimane shqiptare, – me disa përjashtime në Shqipërinë e Jugut, – nuk e ka ditur greqishten; nga ana tjetër, myslimanët e Shqipërisë deri më 1920, më pak të arsimuar se ortodoksët ose katolikët, dinin vetëm shqipen, dhe vetëm disa prej tyre turqishten e italishten.

Ne pamë se si shqipja, që në Itali njihej me emrin etruskishtja, dha ndihmesë për formimin e latinishtes, dhe se si më pas bënte pjesë përbërëse në të gjitha vatrat e Perandorisë së gjerë Romake. Kemi parë gjithashtu se, për hir të shqipes, që në vetë Perandorinë Romake luante rolin e çimentos për t’i shërbyer unifikimit të popujve që mbaheshin të ndryshëm, Konstantini i Madh vendosi të bëjë shpërnguljen e selisë së vet nga Roma në Romën e Re, ose në Konstantinopol, pa shkaktuar as pakënaqësinë më të vogël, e mbi të gjitha pa sjellë asnjë turbullirë. Së fundi, kemi parë që në sajë të shpërnguljes së një pjese të etruskëve, kryesisht të Toskanës italiane, për të ardhur të vendoseshin në Toskërinë shqiptare në Ballkan, kemi një provë të padyshimtë se shqiptarët e Jugut, të cilësuar toskë, janë pasardhës të drejtpërdrejtë të etruskëve të lashtë, që banonin në Itali.

Si rrjedhim, këtej e tutje nuk mund të lejohet që të injorohet, se bota e lashtë, e cila hyri në përbërjen e Perandorisë Romake – dhe në pasardhësen e saj, Perandorinë Bizantine, siç do ta provojmë në faqet e mëposhtme, – ka qenë të paktën dygjuhëshe: domethënë fliste si në vatrat edhe në marrëdhëniet e përditshme të jetës së zakonshme pellazgo-argieno-etrusko-shqipen, që me emërtimet e saj të ndryshme mbetet gjithnjë po ajo gjuhë, porse për administratën, kishën dhe letërsinë përdorte greqishten. Që këtej del se nuk duhet besuar më, që Perandoria Bizantine ka qenë një perandori greke ose helene, siç këmbëngul gjithë literatura e sotme ose bashkëkohëse greke të na e paraqesë, po përkundrazi, shqiptaro-helenistike. Kjo që po themi nuk është veçse një çështje e thjeshtë dallimi, sepse në thelb të gjithë grekët janë gjithashtu shqiptarë nga origjina e tyre, dhe për më tepër, siç e kemi thënë më lart, jo të gjithë po vetëm grekët shqipfolës ose pasardhësit shqipfolës, që për këtë arsye përbëjnë elementin grek më të lashtë. Në këtë rrjedhë mendimesh, ne mund të formulojmë një aksiomë, që mbetet gjithmonë e vërtetë: ”çdo grek që nuk ka prejardhje mesopotamase, domethënë egjiptase, fenikase, çifute, armene dhe lindore tjetër, siç janë helenët, është shqiptar, por jo të gjithë shqiptarët janë gjithmonë grekë.” Himariotët, për shembull, janë së pari shqiptarë, e pastaj grekë.

Shkëputur nga libri: ” Enigma nga pellazgët te shqiptarët  ” Robert D’Angely

Shperndaje ne

The Author

Admin

1 Comment

Add a Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.