Njëjtësia e gjuhës së lashtësisë: pellazgo-etrusko-shqipe.

TEMPULLI_ETRUSK_pellazgShumë historianë të sotëm ngjarjet e epokës heroike të Greqisë, Italisë dhe të epokës bashkëkohore të vendeve të tjera i quajnë një endje mitesh e trillimesh të pastra. Autorë të tjerë jo më pak të shquar i pranojnë si fakte historike rrëfimet lidhur me këto ngjarje pothuaj në të gjitha hollësitë. E vërteta, siç besojmë ne, ndodhet ndërmjet këtyre dy pikëpamjeve të skajshme. Ka shumë trillime në rrëfimet e mitografëve dhe të poetëve, që na kanë ruajtur disa prej traditave të asaj epoke; mirëpo ka gjithashtu edhe shumë gjëra të vërteta dhe autentike, si dhe fakte reale.

Ndërmjet të vërtetave historike lidhur me Greqinë e Italinë mund të përfshihen në mënyrë të sigurtë ndikimi i jashtëzakonshëm, që kanë ushtruar orakujt e fatthënat mbi popujt e ndryshëm, të cilët banonin në ato kohë viset helene dhe italike, ndikim që ka dhënë ndihmesë për të ruajtur bashkësinë e ndjenjave dhe unitetin kombëtar të këtyre popujve, zakonet e të cilëve ishin kundër idesë për një bashkim politik.

Por fakti që ka ushtruar ndikim themelor e pothuaj unik mbi gjithë popujt e ndryshëm, të dalë nga shtresa ose trungu pellazg, është njëjtësia e gjuhës, e kësaj gjuhe të lashtë: pellazgo-etrusko-shqipe.

Kemi parë se për të deshifruar etruskishten duhet t’i drejtohemi gjuhës që flitej në antikitet, ”nga faunët dhe nimfat që kishte nxjerrë trualli dhe nga një racë njerëzish, të lindur nga trungjet e forta të dushkut”, shumë kohë para formimit të greqishtes e të latinishtes. Kjo gjuhë ishte e njëjtë kudo dhe e përbashkët për Azinë e Vogël, Greqinë dhe Italinë, dhe pothuaj për gjithë vendet që rrethonin Mesdheun; por sipas vendeve, ajo mori atëherë një numër emrash të ndryshëm: ajo në fillim quhej argiane ose ariane, sepse populli që e fliste quhej arg ose arian; ajo u quajt më pas etruske; më së fundi mori gjithë emrat e popujve të Greqisë, Italisë, Azisë së Vogël e gjetkë dhe u quajt: thesalishte, maqedonishte, epirote, orke, umbre, kariase, frigjishte, lidishte, likaonishte, etj., por gjithnjë ishte po ajo gjuhë primitive, si në vendet e përmendura më lart, ashtu dhe në Trakë, Iliri, Veneti, Liguri, Gali jugore (gjuha e arvernëve), në Iberi etj.

Duke u mbështetur në ruajtjen e përsosur të shqipes së sotme, që është pasardhëse e drejtpërdrejtë e kësaj gjuhe të lashtë pellazgo-etrusko-shqipe, neve na lejohet të pohojmë që duhet ta ketë karakterizuar një njëtrajtshmëri e përsosur dhe një rregullsi e lartë gjatë kohëve dhe shtrirjes në hapësirë, që vinte, me gjithë disa ndryshime të shqiptimit, si dhe me disa ndryshime të trajtave, e të gjendej pothuaj e njëjtë që nga Kaukazi e deri në Spanjë. Dhe kjo forcë e vetëruajtjes, e cila e ka ndihur për t’u mbajtur e për t’u trashëguar pothuaj e paprekur përmes shekujve dhe mijëvjeçarëve, kjo gjuhë e mrekullueshme nga të gjitha pikëpamjet, ndonëse primitive, ka mundur ta nxjerrë këtë forcë nga burimi i vet, ndërsa gjatë kësaj kohe të gjatë, që i është dashur për t’u formuar, nuk ka pasur asnjë gjuhë tjetër, asnjë shtypshkronjë dhe asnjë ndikim tjetër, që do t’ia ndryshonin rrjedhën e formimit të fjalëve dhe të rregullave të saj.

Forca tjetër e saj, e pellazgo-etrusko-shqipes përmes mijëvjeçarëve, për t’u transmetuar nga brezi në brez, ka qenë gjithmonë dhe është ende sot, cilësia e saj si gjuhë e vatrës. Në fakt, me gjithë pushtimet e vazhdueshme që ka pësuar në epoka të ndryshme dhe me gjithë ndalimet pa pushim që ka pësuar pa arsye sidomos nga ana e autoriteteve serbe e greke, ajo vazhdon të jetojë edhe sot.

Kështu, gjithë popullsitë greke e latine primitive flisnin të njëjtën gjuhë: pellazgo-etrusko-shqipen. Megjithatë me kohë dhe me prurjet gjuhësore të popullsive të ndryshme imigruese ose pushtuese të çdo epoke, kjo gjuhë ka pësuar ndryshime lokale kryesisht në portet dhe në qytete të mëdha dhe aty, kur ngulej pushtuesi i huaj, përbënte një klasë sunduese ose një elitë dygjuhëshe kundrejt masës konservuese dhe tradicionaliste të popullit pellazg të pushtuar. Por kjo masë, duke mos e njohur gjuhën e formuar me prurjet e të huajve, të cilën e fliste vetëm elita ose klasa sunduese, ajo fliste për vete vetëm idiomën stërgjyshore: atë të pellazgëve. Kështu, ndërsa gjithë popullsitë e lashta të dala nga pellazgët, qofshin greke ose latine, e flisnin gjuhën pellazge si gjuhë stërgjyshore, gjuhë të popullit ose gjuhë kombëtare siç do ta thoshim sot, klasat sunduese ose elita flisnin një gjuhë të dytë, të formuar rishtas, gjuhën greke në Greqi, në ishujt dhe në Azinë e Vogël, dhe gjuhën latine në Itali.

Kjo gjendje në fakt do të vijonte e paprekur në Greqi deri në mes të shekullit të kaluar, ku kudo flitej vetëm gjuha pellazge dhe shkruhej vetëm greqishtja. (Do të tregojmë në fund të këtij studimi, se debatet në Asamblenë Kombëtare në Naupli, para se të vinte mbreti Oton I më 1832 dhe gjatë një dhjetëvjeçari, bëheshin në gjuhën shqipe dhe rendi i ditës hartohej greqisht. Veç kësaj, Otoni I që me ardhjen në Greqi, si filohelen i madh, iu fut studimit me themel të greqishtes gjatë katër vjetëve e më shumë me qëllim, siç thoshte ai, që të mund të fliste me popullin e tij dhe të njihte drejtpërdrejt, pa ndihmën e një ndërmjetësi, shqetësimet e tij. Kur ai vuri re se populli i tij nuk fliste greqisht, por shqip, ai u zemërua keqas me njerëzit që e rrethonin, përse nuk ia kishin mësuar që në fillim dhe që e kishin lënë, – atë, mbretin, – të bënte përpjekje të kota dhe të mësonte një gjuhë, të cilën njerëzit rrethues e dinin se nuk do t’i shërbente për qëllimin që mendohej. Kështu ai menjëherë e la vazhdimin e mëtejshëm të mësimit të greqishtes.)

Në Itali pushtuesi, duke qenë shumë më epror në numër, i fundosi popullsitë e vjetra, që vinin nga popullsitë e lashta të Greqisë së Madhe dhe që në atë kohë u ngjisnin popullsive të lashta helenike, bëri që të tërhiqej gjuha e masave në dobi të latinishtes, e vetmja gjuhë që mësonin imigrantët ose pushtuesit.

Kështu ende sot, për ta zgjeruar këtë pohim, në Kuebek, për shembull, imigrantët me prejardhje të ndryshme kanë prirjen të mësojnë anglishten në kurriz të frëngjishtes, ose në Korsikë përvetësojnë frëngjishten në dëm të idiomës vendëse.

Po të mos ishte shpikur shtypshkronja dhe sidomos arsimi publik i detyrueshëm kohët e fundit, në Greqi gjendja shoqërore e lashtë do të na kishte ardhur pothuaj e paprekur. Megjithëkëtë, siç e kemi thënë tashmë, e gjithë Greqia më 1850 fliste shqip. CHATEAUBRIAND, LAMARTINI, Edmond ABOUT dhe të gjithë ata, që e kanë vizituar Greqinë atë kohë, të gjithë pa përjashtim kanë shkruar se në të vërtetë duhet të cilësohet si Shqipëri.

Megjithatë na duhet të vërejmë, se duke pritur periudhën ndërmjet vitit 1850 e deri në ditët tona, periudhë gjatë së cilës arsimi publik i detyrueshëm ka vepruar kundër gjuhës shqipe, kjo e fundit përsëri gjithmonë ruan një forcë asimiluese të jashtëzakonshme.

Në antikitet elementët e kolonive egjiptase dhe fenikase, të përbëra nga pasardhës pellazgë që e kishin humbur në vend të huaj gjuhën e tyre stërgjyshore, duke u kthyer në vendet e prejardhjes së tyre: Greqi, Itali ose Azi e Vogël, dhe para se të shkriheshin në elementin e tyre të lashtë, pa dyshim kanë dhënë ndihmesë për lindjen e greqishtes ose të latinishtes, të cilat nuk mundën megjithatë të shfronësonin shqipen si gjuhën e përbashkët të gjithë popullsive.

 

A është zhdukur me të vërtetë gjithçka etruske: raca dhe gjuha?

 

Nga gjithçka u tha, del se në antikitetin më të largët dhe para ardhjes në Azinë e Vogël, në Greqi dhe në Itali të kolonistëve të ndryshëm, ndër ta DANAI, KODROSI DHE KADMI në Greqi, gjuha e folur ka qenë pellazgjishtja dhe ndonëse ishte kudo po e njëjta gjuhë, përsëri u bë zakon që të quhej sipas vendit ku flitej, dhe për këtë arsye mori emrat: arge ose ariane, maqedonase, epirote, ilire, frigase, kariase, lidiase, likaonase, etruske, oske, umbre, venete, ligure, arverne etj. Me zbarkimet e egjiptasve, fenikasve etj., lindën gjithashtu greqishtja e latinishtja, dhe u deshën shekuj e shekuj, duke marrë si model pellazgjishten, që të zhvilloheshin, të pasuroheshin dhe të formoheshin përfundimisht greqishtja, me emrin e dialektit atik rreth epokës së PLATONIT, ARISTOTELIT E KSENOFONIT dhe latinishtja, rreth epokës së AUGUSTIT.

Si pasojë, meqë prej fillimit të formimit të greqishtes e të latinishtes ka pasur të pranishme dy gjuhë në secilin vend dhe të dyja kanë qenë në përdorim njëkohësisht, njëra si gjuhë e vatrës dhe e marrëdhënieve private, kurse tjetra si gjuhë zyrtare e përdorur vetëm nga elita drejtuese në qeverisje, për kultin dhe në drejtësi, në arsim, në diplomaci e në marrëdhëniet zyrtare publike e private, del se dygjuhësia ishte pjesë përbërëse e gjendjes shoqërore jo vetëm në epokën e lashtë, të mesjetës dhe të kohëve të reja, por edhe në epokën tonë të sotme. Nuk po flasim për Greqinë dhe Italinë, ku shqipfolësit ende numërohen me qindra mijëra. Edhe te ne gjithashtu mund të thuhet se dygjuhësia mbretëron vende-vende; duke zëvendësuar latinishten me frëngjishten, si gjuhë zyrtare, dialektet e ndryshme si të veriut dhe të jugut: bretonishtja, baskishtja, alzasishtja, korsikishtja etj., a nuk janë bërë automatikisht gjuhë të vatrës?

Po të marrim vetëm etruskishten, latinishtja erdhi në Itali dhe e zëvendësoi shumë më vonë në krahasim me greqishten, që ishte tashmë në përdorim prej ORFEUT, LINUSIT, MUZEUT dhe HOMERIT, domethënë rreth tetëqind vjet para latinishtes. Por etruskishtja nuk përfitoi nga kjo përparësi; ne habitemi madje që nuk kemi sot as një letërsi dhe as një histori në gjuhën etruske, ndonëse Etruria ka shënuar shumë fakte, që i përkasin historisë së saj.

Por në të vërtetë si gjuhë e folur etruskishtja jo vetëm që nuk u zhduk, madje jetoi, lulëzoi dhe vijon ende sot nën emrin e gjuhës shqipe: dialekti toskë, që flitet në Toskërinë shqiptare, pasi kapërceu me energji, fitimtar e triumfues gjithë turbullirat, gjithë pushtimet dhe gjithë vërshimet, të cilat i ka pësuar prej antikitetit e deri në ditët tona. Dhe të mos harrojmë, që ende flitet në Itali, madje duke u nisur nga Roma deri në Foxha, Napoli, Procidë, Iskia, Bazilikatë, Pulie, Kalabri, Sicili, ose atje ku ata që kanë banuar dhe që banojnë ende Piana dei Greci – e cila sot quhet Hora e Shqiptarëve, siç e kemi përmendur – nuk janë grekë, po shqiptarë, ashtu si dhe ata të ishujve Stromboli, Lipari etj.

Pra nëse etruskishtja, ngaqë ishte gjuhë e vatrës dhe flitej nga gjithë popujt e Italisë në marrëdhëniet e tyre jo zyrtare, mundi të ruhej e paprekur dhe të transmetohej nga brezi në brez tërësisht deri te pasardhësit e drejtpërdrejtë të sotëm: shqiptarët, ajo nuk ka po ashtu dokumente të shkruara, libra, vjetarë, papiruse dhe gjithë dorëshkrimet e epokës, për të cilat ne mund të pohojmë që me siguri kanë ekzistuar, por asgjë nuk na ka arritur në kohët tona, me përjashtim të ndonjë mrekullie që do të ndodhë në të ardhmen, siç ndodhi me shpellën në Detin e Vdekur, me poçet që përmbanin gypa dorëshkrimesh hebraisht.

Është me të vërtetë për të ardhur keq, thonë dijetarët, që nuk na ka mbetur nga një popull kaq i zoti e kaq i madh si etruskët, asnjë monument i shkruar, i aftë për të kënaqur kureshtinë tonë! Kanë të drejtë dijetarët që të ankohen, por në thelb, a e dinë ata shpjegimin ose arsyen, përse ka ndodhur kjo humbje dhe si ka ndodhur? A nuk anë pyetur ndonjëherë për arsyen, përse na kanë ardhur tekste greke, latine, hebraisht, sanskrite dhe të tjera, dhe asnjë tekst në gjuhën etruske? E megjithatë arsyeja është e thjeshtë; një vëzhgim i vëmendshëm dhe një dëshirë e përshtatshme, së bashku me vështrimin e stërvitur për një pamje retrospektive, do t’u jepte çelësin e enigmës së pretenduar, sepse këtu nuk ka ndonjë enigmë.

 

Shkaqet e zhdukjes së dorëshkrimeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera etruske

 

Shpjegimin e kësaj enigme do të na e japin murgjit dhe kuvendet e manastiret e tyre.

Në të vërtetë në këtë enigmë vihen re dy anë të kundërta: nga njëra anë, kemi ruajtjen e gjuhës etruske në shqipen; nga ana tjetër, janë ruajtur libra dhe dokumente të shkruara në greqishten e lashtë ose latinishten, por përkundrazi, janë zhdukur të dyja gjuhët, që kanë rënë në gjendjen e gjuhëve të vdekura.

Kështu shtrohet çështja. Tani duhet gjetur përgjigja; dhe, siç do ta themi, përgjigjen do të na e japin murgjit me manastiret dhe kuvendet e tyre. Madje mund të themi edhe më tepër: po të mos kishin qenë murgjit, nuk do të dinim gjë për greqishten e lashtë dhe latinishten; që të dyja do të ishin zhdukur plotësisht si gjuhë dhe po ashtu në trajtën e dorëshkrimeve e të dokumenteve të shkruara greqisht e latinisht. Përkundrazi, etruskishtja ose pellazgo-shqipja, për shkak të traditës së trashëguar brez pas brezi, na ka ardhur, – siç e kemi thënë tashmë, – e paprekur dhe e ruajtur me përsosuri me emërtimin gjuha shqipe.

Shkaqet, të cilave ua detyrojmë humbjen e veprave kaq të çmuara të lashtësisë, janë padituria e barbarëve, që pushtuan Europën, dhe egërsia e arabëve dhe e myslimanëve të tjerë, që pushtuan më pas Egjiptin, Mesopotaminë, Perëndimin e Azisë, Veriun e Afrikës, Spanjën, jugun e Francës etj… Këto dy shkaqe patën si pasojë që ta pengonin dhe ta ndërprisnin prodhimin e papirusit në Egjipt dhe të pergamenës në Pergamë, pa folur pastaj për burimet e tjera të rëndësishme të lëndës së parë për të shkruar, që u bë kështu shumë e rrallë dhe tepër e shtrenjtë. Kjo gjendje e mungesës së vajtueshme ka vazhduar nga shekulli VI deri në shekullin XIII, datë në të cilën pati një zbulim të ri për prodhimin e letrës, duke përdorur ashtu si edhe sot pëlhurat e vjetra.

Në këtë ndërkohë varfërie, – ndërmjet shekullit VI dhe XIII, – duke mos pasur më elementin më të domosdoshëm për punën e tyre të përditshme, murgjit vunë dorë mbi dorëshkrimet e vjetra në lëkurë, i fshinë shkrimet e vjetra me anë të një larjeje të veçantë dhe i përgatitën sërish për t’i bërë të përshtatshme që të shkruhej diçka e re mbi to (kjo lëndë e re u quajt palimpsest nga παλιμψηστος), më shpesh ishin predikime, debate skolastike dhe legjenda. Duke e ditur se për shkak të këtij përdorimi fatkeq u flijuan sa e sa libra të shkëlqyer, si të mos mendohet që gjithë librat e shkruar në një gjuhë tjetër veç greqishtes e latinishtes, nuk do të gjenin mëshirë para një masakre të tillë? Kështu gjithë dokumentimi i mirë i Vjetarëve dhe shkrimet e tjera etruske u zhdukën menjëherë. Sipas nevojave hidhnin për t’i shpëlarë një ose disa vëllime të mëdha ose disa fletore të zgjedhura jo vetëm ndërmjet librave të shkëlqyer etruskë të dënuar që më parë, por edhe midis të tjerëve në gjuhën greke ose latine.

Nga kjo që thamë del se këto dy gjuhë, latinishtja e greqishtja na janë ruajtur për hir të krishterimit, që i ngriti në gjuhë të liturgjisë: e para për Kishën e Perëndimit dhe e dyta për Kishën e Lindjes. E njëjta gjë vlen edhe për gjuhët e tjera, që nuk i njohim sot veçse ngaqë u përdorën si gjuhë liturgjike në shërbim të popujve dygjuhësh; e tillë ka qenë hebraishtja, e cila mundi t’i kalojë ngadhënjimtare 2500 vjet ekzistencë vetëm e vetëm si gjuhë liturgjike, për të arritur, si një mrekulli, që pas një zbraztësie kohore kaq të gjatë të bëhej gjuha zyrtare dhe gjuha e popullit të Izraelit; e tillë ishte sanskritishtja, që na ka ardhur për hir të (Rig)Vedave, etj.

Ja, pra, se si kryeveprat e shkruara të antikitetit grek e latin na u ruajtën dhe si më pas mundën të lindnin gjuhët neolatine e mbi të gjitha greqishtja e re. Nëse nuk do të ishte ruajtur greqishtja e vjetër e prej saj nuk do të kishte lindur greqishtja e re, shqipja do të kishte vijuar të mbahej si në epokën homerike, edhe në epokën etruske, duke qenë gjuhë e vatrës dhe gjuhë zyrtare, kurse Perandoria Bizantine, në vend që të ishte dygjuhëshe e madje trigjuhëshe, siç kishte qenë në fillimet e veta, kur numëroheshin tri gjuhë kryesore njëkohësisht: shqipja, greqishtja dhe latinishtja, atëhere do të llogaritej vetëm një gjuhë: shqipja, si për vatrat edhe për qeverisjen, administratën dhe arsimin.

Është bërë gjithnjë pyetja, se si KONSTANTINI arriti ta shpërngulte selinë e tij nga Roma në Konstantinopol pa as shqetësimin më të vogël. Kjo habi e historianëve vjen nga fakti, se asnjë prej tyre asnjëherë nuk ka arritur të formojë një ide, qoftë dhe të përafërt, të gjendjes shoqërore të popullsive romane të Italisë, të Greqisë dhe të Azisë së Vogël të kësaj epoke. Ne nuk njohim asnjë historian, si bizantin dhe të kohëve të reja e të sotme, që të ketë shkruar se në epokën e shpërnguljes së qendrës së Perandorisë nga Konstantini prej Romës në Konstantinopol ose Bizant, elementi kryesor, i cili i çimentonte të ashtuquajturat popullsi të ndryshme nga një cep i Perandorisë në tjetrën ka qenë gjuha shqipe, e cila flitej në mënyrë të përgjithshme që nga Kaukazi e Taurusi deri te shtyllat e Herkulit. Si rrjedhim, kur KONSTANTINI I MADH e bëri këtë shpërngulje, ai e dinte fare mirë që e bënte në gjirin e po asaj popullsie; gjithashtu kur ndodhi ndarja e Perandorisë në dy pjesë: në Perandorinë e Perëndimit dhe në Perandorinë e Lindjes, kësaj të fundit iu bashkuan gjithashtu popullsitë e pothuaj gjithë Italisë, duke përfshirë edhe Ravenën, e madje Romën. Çfarë prove më të mirë mund të kemi se që nga fillimi i epokës sonë, popullsitë të cilat banonin në Itali, Greqi e Azi të Vogël, në ishujt e Mesdheut etj., kanë qenë kudo, nga pikëpamja racore, po ato? Domethënë pellazge, argiane, etruske ose shqiptare?

Shkëputur nga libri: ” Enigma nga pellazgët te shqiptarët  ” Robert d’Angely

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.