Pushtimet sllave të paafta për të ndikuar mbi popullsitë bizantine shqiptare…

illiricum1

                                         Alfabeti shqiptar glagolitik.

 

Pushtimet sllave të paafta për të ndikuar mbi popullsitë bizantine shqiptare

të Peloponezit, të Greqisë e gjetkë

Më 717 një shpërthim i ri i kroatëve e serbëve në drejtim të Mezisë, Maqedonisë e vetë Peloponezit pati si pasojë një ngulitje të re të sllavëve në viset, që ata tashmë i kishin pushtuar që prej një shekulli, dhe nga të cilat, pa dyshim, ata u detyruan të tërhiqeshin pasi lanë disa që të nguleshin paqësisht. Kjo ngulitje e re, njësoj paqësore, na bën të dyshojmë për grabitjet, djegiet, shkretimet dhe dëmet e tjera të pushtimeve në fjalë, për të cilat Joani i Efesit, që na i tregon, nuk pajtohet as me vetveten.

Në të vërtetë, nga njëra anë, ai na thotë se slalvët e pushtuan Perandorinë, përshkuan gjithë Greqinë, morën shumë qytete e kështjella, i pushtuan vendet dhe më në fund, shkruan ai, u vendosën paqësisht; nga ana tjetër, ai na thotë se ”populli i mallkuar” shkretoi, dogji e grabiti deri te Muri i Gjatë, por nuk na jep për këtë çështje asnjë gjë të përpiktë: cilin rajon shkretuan? cilat qytete i dogjën? dhe cilat zotërime grabitën? Kështu ka baza të besohet, që ai na jep këtu një paraqitje krejt të mjegullt e të pasaktë, të cilën ai, pa asnjë dyshim, e mbështet në thashethemet dhe i mungon çfarëdo autoritet historik i padyshimtë.

Gjithashtu jemi të detyruar të vëmë re, se ka një kundërthënie ose një kundërshti. Nëse do t’i mbahemi përshkrimit të Joanit të Efesit, del se mbizotëron ngulitja paqësore, dhe atëherë mendimi i shprehur nga J.P.FALLMERAYER bie, sepse për ta pranuar duhet të supozojmë jo grupe të vogla, që endeshin andej e këndej duke kërkuar vende të përshtatshme për t’u ngulur, por një hordhi të shumtë, që përbëhej nga qindra mijëra luftëtarë, një kryetar dhe një organizim të përshtatshëm me udhërrëfyes dhe me armatimin përkatës.

Duke e pushtuar territorin kështu dhe me beteja sllavët kanë pasur mundësinë të imponohen mbi popullsitë bizantine shqiptare plotësisht të kalitura dhe t’i detyronin për t’iu nënshtruar atyre e të përziheshin me ta. Ndërsa po të hynin me grupe të vogla, ka qenë fatale që kanë humbur brenda masës shqiptare, të lindur krenare, që nuk pranonte asnjë kontakt me ta, mbi të gjitha martesat, në vend që t’i imponoheshin kësaj mase.

Po përfitojmë këtu nga rasti për të njoftuar atë që shkruan Elisée RECLUS, duke ndjekur po atë fill mendimesh, në Gjeografinë Universale, vëll. I, f.546, lidhur gjithnjë me popullsinë shqiptare gjatë së njëjtës periudhë:

Këngët popullore të Sicilisë, thotë ai, nuk mbeten prapa nga hijeshia natyrore dhe zgjedhja e hollë e shprehjeve kundrejt rispetti të admirueshme të Toskanës ose të Etrurisë së lashtë, vend vëlla i Sicilisë, sepse që të dy janë ose kanë qenë shqipfolës.

Nga të gjithë emigrantët, vijon ai, që kanë ardhur me hir a me pahir për të populluar Sicilinë në epoka të ndryshme dhe për të shtuar numrin e vëllezërve të tyre autoktonë, shqiptarët, të quajtur greci në atë vend, – por ky emërtim greci nuk zbatohet për një kombësi, veçse për fenë që është greke ortodokse, – janë të vetmit që ende nuk janë shkrirë tërësisht me popullsitë rrethuese; madje edhe sot ata përbëjnë grupe të dalluara nga gjuha e ritet fetare në disa qytete të brendësisë, e kryesisht në: PIANA DEI GRECI (sot PIANA DEGLI ALBANESI) mbi një plaljë që zotëron në jug mbi luginën e Palermos. Por ndërsa shkrirja e gjithë elementëve të tjerë etnikë duket se është përfunduar, dallimi i popullsive të Sicilisë megjithatë është mjaft i madh, duke ndjekur mbizotërimin e këtij ose të atij kryqëzimi. Kështu etenasit, kryesisht banorët e Katanies dhe të Aci Reale, që janë me prejardhje shqiptare, janë më autentikët, sepse nuk janë përzier dhe kanë emër të mirë për hijeshinë, butësinë, mikpritjen e dashamirësinë.

Mund të përfundojmë, që këta sllavë, të pretenduar pushtues, nuk kanë pasur asnjë ndikim çfarëdo mbi popullsinë autoktone shqiptare të Greqisë dhe aq më pak mbi atë të Peloponezit me të njëjtën prejardhje. Së pari, sepse ata ishin shumë të paktë në numër që të mund të imponoheshin siç e dëshironin ose siç e pretendonin, dhe së dyti, sepse kjo popullsi, që prej kohëve të lashta ka pasur emër për krenarinë e saj primitive stërgjyshore, nuk pranonte asnjë kontakt, mbi të gjitha martesat me këta emigrantë sllavë. Po ashtu ajo kurrë nuk ka dashur të hyjë në marrëdhënie të po asaj natyre me helenët, shtypësit e tyre që nga antikiteti, lidhur me të cilët ka parapëlqyer më mirë të përfundojë në skllavëri se sa të përzihet me ta.

 

Serbët

 

Ne nuk kemi ndër mend këtu të japim një histori të serbëve, qoftë dhe fare të ngjeshur, – por më tepër të themi se çfarë janë ata dhe çfarë kanë bërë kundrejt shqiptarëve, që të jenë ata, të cilët u kanë shkaktuar dëmin më të madh.

 

Prejardhja e sllavëve

 

Territoret që përbëjnë Jugosllavinë e sotme, para shfaqjes së serbëve në këto rajone, banoheshin qysh prej kohëve që s’mbahen mend nga pellazgët, me të cilët u bashkuan më pas, – në fillim të mijëvjeçarit III para K., – popullsi po ashtu pellazge, të cilat vinin nga territoret e Polonisë e Gjermanisë së sotme dhe të cilave autoktonët u dhanë emrin ilirë, domethënë, sipas shqipes së sotme: të lyrëtë = ata të lyer ose të lerosur. Me kohë imigrantët nga veriu dhe autoktonët, duke qenë të po asaj race e duke folur pothuaj të njëjtën gjuhë: pellazgjishten, u shkrinë dhe vijuan të quhen të gjithë ilirë. Me këtë emër ata zinin gjysmën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, që nga bregu i djathtë i Danubit në veri e deri në Epir në jug, duke përfshirë popuj të ndryshëm, që ishin në lëvizje të vazhdueshme imigrimi brenda tyre dhe që luftonin vazhdimisht për hegjemoni.

Ishin gjithashtu edhe breukët (βρευκοι), ndoshta stërgjyshër të frigasve, që zinin brigjet jugore të Savës; në verilindje të Bosnjës ishin japodët; liburnët banonin në brigjet e Dalmacisë dhe në ishujt; në të dy anët e malit makarska jetonin ardiejtë ose vardajtë, piratët e famshëm të Adriatikut; daversët afër Narentës përdornin monedha bakri, që kishin si emblemë një anije; në trevat e sotme të Malit të Zi banonin dokleatët; fqinjët e tyre, labeatët, jetonin afër brigjeve të liqenit të Shkodrës (Δαβεατισ) dhe nga ana e vet kishin si fqinjë pirustët, të cilët ushtronin mjeshtërinë e metalurgëve.

Më në brendësi ishin vendosur oktariatët, armiq të ardiejve, dhe parthinët, që grupoheshin rreth UZICE dhe adhuronin Zeusin Parthen si mbrojtës të tyre. Në luginat e Vardarit të epërm dhe të Drinit të Bardhë, në fushën e Kosifopedionit ose të Shkupit dhe në rajonin e Nishit shtriheshin të famshmit dardanë (Dërdënët në shqipen: koprroçë), që më 284 para K. ishin kundërshtarë të maqedonasve dhe më vonë të romakëve. Që nga pushtimi romak si popullsi kryesore ishin delmatët ose dalmatët, të cilët kishin si kryeqytet Delminiumin (sot Zhupaniac) dhe si port qytetin Salona. Po në atë epokë romake kishte gjithashtu popuj të tjerë të fortë: dasaretët, ditionët, taulantët, sardeatët e të tjerë.

Të gjitha këto popullsi, siç na thotë Plini, ishin të ndara në DECURIAE. Straboni (VII,5) njofton se toka ndahej sërish ndërmjet anëtarëve të një dekurie në çdo tetë vjet. Gratë ilire gëzonin një respekt të madh dhe madje mund të arrinin deri në fronin mbretëror, kurse në viset e liburnëve ato mbretëronin në regjimin e ‘poliandrisë’. VARRONI ka lavdëruar dashurinë e tyre për punë: ato prisnin dru në pyll, kullosnin kopetë, gatuanin dhe mbi të gjitha ishin shumë pjellore. Në shoqëri, krahas qytetarëve të lirë, kishte edhe servë (të krahasueshëm me ilotët).

Sundimi romak përhapi qytetërimin ndërmjet ilirëve, të cilët ende nuk ishin tërësisht të qytetëruar. Krishterimi ishte shfaqur që në fillim, sepse Titusi, dishepulli i Palit, ka predikuar në Dalmaci.

Kur u nda Perandoria Romake në Perandorinë e Lindjes dhe Perandorinë e Perëndimit pas vdekjes së Teodosit të Madh, Iliria mbeti në Perandorinë e Lindjes, dhe pas rënies së Perandorisë së Perëndimit me invazionin e barbarëve, ia behën edhe dyndjet serbe.

Historia e serbëve, para ardhjes së tyre në Gadishullin e Ballkanit, është e përzier me atë të sllavëve të tjerë përgjithësisht. Në fillim ata jetonin të gjithë me emra të ndryshëm në veriperëndim të Karpateve, në luginat e Vistulës, Pripetit dhe të Dniestrit të epërm, duke pasur në veri të tyre edhe popullsi të tjera: stërgjyshët e popujve baltë, që gjithashtu ishin farefisi i tyre më i afërt, të cillë si lituanët, letonët e të tjerë; në lindje kishin popuj me prejardhje fine dhe në juglindje popuj të ndryshëm, që banonin në stepat e gjera të Skitisë.

Vetëm në shekullin VI serbët shfaqen në jug të Danubit. Natyrisht, vërshimi i tyre e shtyu një pjesë të popullsive ilire ose shqiptare autoktone drejt jugut; por një pjesë e vogël megjithatë u detyrua të strehohej në fillim nëpër male dhe vetëm me kohë ajo zbriti pak nga pak drejt fushave, ku ishte shtrirë pushtuesi dhe në gjirin e të cilit do të shkrihej.

Sipas Konstantin Porfirogjenetit krishterizimi i serbo-kroatëve ka ndodhur në dy periudha: në fillim në kohën e Herakliut, perandorit të Bizantit, që i kërkoi papës së Romës të dërgonte priftërinj për të pagëzuar popullsitë serbe (duket se slalvët e Dalmacisë, madje dhe në shekullin VII ende, epoka e Papë Joani IV (640-642) ishin idhulltarë; më pas, nën mbretërimin e Vasilit I, rreth vitit 879, përqafuan krishterimin gjithë serbët, kroatët, zahlumët e të tjerët, që ende nuk ishin pagëzuar. (Duket se të fundit të pagëzuar janë ata, që bëjnë pjesë në Kishën Ortodokse Lindore, ndërsa të parët, pjesa më e madhe e të cilëve janë kroatë e sllovenë, u bënë katolikë).

Në të gjitha kishat katolike jugosllave dhe në Vatikan gjuha serbe quhet si gjuhë ilire dhe shënohet si Illyrica Lingua. Për ta marrë në mënyrë abuzive këtë emërtim illyrica lingua për gjuhën e tyre, që nuk është aspak ilire por slalve, serbët janë mbështetur në faktin, që në fillim ata i nënshtroheshin (duke u cilësuar si Σερβοι që do të thotë servë, gjë që nuk u shkonte pas qejfit) autoritetit bizantin dhe dëshironin të përziheshin me shqiptarët autoktonë. Prandaj edhe alfabeti që ata kishin huazuar për librat e tyre liturgjikë, para zbatimit të shkronjave cirilike rreth vitit 885, data e vdekjes së Metodit, në vend që të ishte alfabeti latin, që do të kishte më shumë arsye të pëlqehej, në Vatikan, ishte alfabeti shqiptar glagolitik. Duhet vënë në dukje këtu, që bullgarët gjithashtu arritën ta quanin gjuhën e tyre të folur në maqedoni: maqedonishte. Por në Maqedoni bullgarishtja nuk është aspak e vetmja gjuhë, sepse atje flitet greqishtja, serbishtja, e mbi të gjitha shqipja dhe asgjë tjetër.

Sa për Aleksandrin e Madh, nga fakti që ai ishte maqedonas paska qenë bullgar, do të thotë të harrohet që, nëse Aleksandri i Madh ishte helen nga arsimimi, nga prejardhja ishte shqiptar, i edukuar dhe i arsimuar greqisht nga një shqiptar prej Stagjire: Aristoteli. Mjafton të lexohen tekstet e lashta, të cilat na mësojnë se Aleksandri i Madh, kur fliste me ushtarët e vet ose me disa nga gjeneralët, të gjithë maqedonas, u fliste në gjuhën e nënës. Kurse nëna e tij ishte Olimpia, epirote dhe që fliste shqip.

Pushtimi i Maqedonisë, Shqipërisë, Epirit dhe Thesalisë gjatë sundimit të DUSHANIT nuk qe një sipërmarrje e vështirë, sepse në këtë epokë Perandoria Bizantine ndodhej në rënie të plotë dhe po gërryhej nga luftat civile. Nuk është bërë asnjë betejë e madhe për gjithë këto pushtime; tashmë rajonet perëndimore të shtetit ishin nën varësi të serbëve.

Sipas një pikëpamjeje tjetër, lehtësia me të cilën u arritën gjithë këto pushtime nga Stefan DUSHANI shtron një problem tjetër, – nëse ka ndonjë problem këtu, – sepse tashmë është i zgjidhur negativisht. Këto pushtime në vetvete, a krijojnë gjithashtu një të drejtë të paparashkrueshme mbi shqiptarët, që banonin dhe që në shumicë ende banojnë në këto rajone të pushtuara? Fundja, ato edhe mund të ligjëroheshin, nëse do të kishte vijuar një pushtim paqësor deri më sot dhe që do të sillte një pajtim ndërmjet popullit të mundur e fituesit dhe njëkohësisht, pranimin e pushtetit të pushtuesit nga ana e të mundurit. Por kështu jemi shumë larg nga të dhëna të tilla për problemin tonë. Përkundrazi, Stefan DUSHANI dhe pasuesit e tij nuk kanë mundur ta mbajnë territorin stërgjyshor të shqiptarëve, – të gjitha viset e përmendura më lart banoheshin në atë kohë prej shqiptarëve dhe në pjesën më të madhe edhe sot, dhe janë pushtuar një herë, por për sa kohë?

Prandaj për ne është tepër i guximshëm dhe i ekzagjeruar rivendikimi i delegatëve serbë në konferenca të ndryshme ndërkombëtare e mbi të gjitha në Konferencën e Paqës të 1920 në Paris për atë që ata e quajnë ‘Serbia e Vjetër’ dhe mbi një perandori aq efemere, sa e perandorit DUSHAN, sepse paska pasur një perandor Stefan DUSHANI. Në fakt, mund të lexojmë që: “Dimrin e po atij viti, domethënë më 1345, dhjetë vjet para vdekjes së Stefan DUSHANIT, asambleja serbe lejoi shpalljen e tij si perandor me titullin CAR I SERBËVE DHE I GREKËVE”, Αυτοκρατωρ Σεβιασ (Pασκας) και Pωμανιας greqisht, dhe latinisht: IMPERATOR SERVIAE ET ROMANIAE..

Gjatë gjithë pushtimit turk në territoret e serbëve shqiptarët, si myslimanët dhe ortodoksët e katolikët, mundën ta ruanin qetësisht karakterin e tyre kombëtar nga të gjitha pikëpamjet. Është një gjë unikale në botë, që madje dhe shumica e kthyer në islamizëm nuk ka ndryshuar përsa i përket kombësisë së vet as zakonet e gjuhën deri më sot. Por pas vitit 1830 e sidomos pas 1878 e 1920, kur u çliruan dhe rindërtuan mbretërinë e tyre, serbët patën pretendime të shfrenuara mbi ato territore, që kurrë nuk i kanë banuar përfundimisht, si Serbia e Vjetër për shembull, pavarësisht nga emri që mban. Dhe këto pretendime mbështeten vetëm në një fakt historik, që nuk ka zgjatur më shumë se 25 vjet, gjatë mbretërimit të Stefan Dushanit: 1330-1355, e për më tepër me gjithë një padrejtësi të tillë, ata janë kënaqur, për shkak të bashkëpunimit të diplomatëve të zellshëm, kryesisht më 1920, dhe kanë qenë shkaku i kaq dramave e mjerimeve, që kanë pësuar shqiptarët e veriut. Këta të fundit u arratisën nga atdheu i tyre, ku përndiqeshin sistematikisht dhe ku megjithatë ishin e vetmja popullsi autoktone, ata u detyruan të kërkonin strehim atje ku mundën, po kryesisht në Turqi, ku i kanë pritur autoritetet dashamirëse.

Për më tepër, duke mos u kënaqur që i dëbuan nga vatrat banorët vendës që prej kohëve parahistorike më të largëta, serbët që ëndërrojnë për ”ilirizmin” dhe që nuk arritën gjithashtu të quhen ‘ilirë’, në vend të këtij emri kanë ‘uzurpuar’ doket e zakonet, mënyrën e veshjes dhe të jetesës të shqiptarëve, të cilëve u kanë zënë vendin. 

Shkëputur nga libri: ” Enigma nga pellazgët te shqiptarët  ” Robert d’Angely

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.