MEJTEPI I HALABAKUT

prof_Zymer Mehani

Shkruan Prof. Zymer Mehani

qq

(Shkëputur nga libri im “Shkollat dhe arsimi në Halabak, në Tërrnavë dhe në Bellopojë 1900-2010”, Prishtinë, 2010)
-Mulla Halit Hargaja
Edhe në Halabak, në Tërrnavë, dhe në Bellopojë, si gjatë robërisë turke, po ashtu edhe gjatë Luftërave Ballkanike dhe më pas ndërmjet Dy Luftërave Botërore, gjuha shqipe u mësua edhe kur fare s’kishte shkolla, duke ruajtur në këtë mënyrë krahas gjuhës, edhe doket, zakonet, folklorin, traditën dhe shumë veçori tjera që e karakterizojnë popullin tonë ndër shekuj.
Shkollimi dhe arsimi në Halabak kanë një histori të begatshme. Këtu prej vitit 1896 funksionoi një mejtep, në të cilin shërbeu Mulla Halit Hargaja, i cili ndryshe njihej edhe si Hoxhë Halabaku dhe veç të tjerash shquhej edhe për veprimtari atdhetare .
Deri në vitin 1912 shqiptarët dhe viset tona nuk ishin më të prapambeturat në Ballkan dhe në Evropë. Kosova nuk ishte vatër e analfabetëve, por gjatë historisë kishte edhe kuadro të përgatitura, si intelektualë, oficerë, shkolla (mejtepe) , ku mësimet zhvilloheshin në gjuhën osmane.
Si kudo në Llap, edhe në Halabak familja shqiptare në prag të vitit 1912 u politizua tej mase. Flitej edhe këtu për Shtetin e ardhshëm të Shqipërisë, pastaj edhe për patriotët Ismail Qemali, Isa Boletini, Hasan Prishtina etj .
Fshatarët punonin tokën ashtu si mundnin, por veprohej dhe mendohej edhe për shkollën dhe çështjen kombëtare. Ata shpesh e ndihmonin me aq sa kishin mundësi edhe mejtepin e Halabakut, për të cilin çdo vit jepnin vitrat obligative. Ato shpalleshin publikisht dhe me maturi i përcilleshin mësuesit, i cili u mësonte fëmijëve kryesisht lutje fetare, por edhe moral, rregulla dhe gjëra të dobishme për jetën.
Si kudo në Kosovë, ashtu edhe në Llap deri në vitin 1915 s’qe e mundur që të hapej asnjë shkollë legale shqipe, por mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshehtas, nëpër oda e xhami, të cilat këso dore u shndërruan në shkolla. Rol kryesor në këtë drejtim luajtën hoxhallarët. Gjatë periudhës së sipërpërmendur edhe në fshatrat Halabak, Tërrnavë e Bellopojë, si në shumë fshatra tjera të Llapit, qenë organizuar disa kurse të mësimit të gjuhës shqipe.
Gjendja ekonomike edhe për familjet shqiptare të Halabakut e më gjerë ishte tejet e vështirë. Sidomos shqetësuese shpesh ishte edhe mungesa e kripës dhe e gazit. Kripa kishte rëndësi të madhe, sepse shërbente edhe për ushqim të njerëzve, por edhe për kafshët shtëpiake, kurse gazi përdorej për ndriçim të shtëpive. Këto produkte edhe fshatarët e Halabakut, sikur edhe ata të Tërrnavës dhe të Bellopojës do t’i blenin në hane- dyqane tregtare (kryesisht në Lluzhan).
Halabaku është vendbanimi i Halit Hargajës. Ai rridhte nga një familje e varfër, e cila në vitet 1877/78 qe shpërngulur në Halabak nga fshati Hërgajë (Rëgaja) e Toplicës (1 dhe i përkiste fisit Sop (2. Familja e tij ishte e varfër, ashtu siç ishte edhe rrethi i gjerë fisnor. Fëmijëria e tij kishte kaluar në varfëri të gjithanshme dhe shpesh e shqetësuar me skena të trishtueshme të dhunës nga forcat ushtarake dhe policore të regjimeve të huaja. Ishte personalitet fetar dhe atdhetar i flakët, që ishte marrë aktivisht me çështje fetare dhe patriotike. Gjithë veprimtarinë e tij, ai ia kushtoi popullit të vet.
Nga kujtimet e pleqve të Halabakut mësojmë se Halit Hargaja jetonte në një kasolle, të ndërtuar me çatma, ku s’kishte dritare me xhama, por dritare të vogla me kapakë prej dërrasash. Pajisjet kryesore të shtëpisë së tij ishin të një niveli tejet të varfër; një sënduk ku mbahej kripa, një tjetër për bukë etj.
Duke shfrytëzuar Kushtetutën e rikthyer të qeverisë turke më 23.VII.1908, e cila lejonte mësimin në gjuhët e kombësive nëpër shkollat fillore, krahas gjuhës turke, arsimdashësit shqiptarë arritën ta fusin në pëdorim gjuhën shqipe si lëndë mësimi nëpër shkollat shtetërore turke, në ato fillore (mejtepet) dhe gjysmë të mesmet (ruzhdiet), pasi që edhe Ministria e Arsimit, e udhëhequr nga xhonturqit në tetor të vitit 1908 kishte nxjerrë një urdhëresë lidhur me këtë çështje. Para nxjerrjes së kësaj urdhërese nga xhonturqit, përpjekje për futjen e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore turke, madje edhe për shndërrimin e tyre në shkolla shqipe bëri në shtator të vitit 1908 Klubi i Shkupit dhe veçanërisht atdhetari Nexhip Draga, që ishte një nga drejtuesit e tij. Në disa shkolla fillore të fshatrave të Kosovës, si në Pakashticë, në Dumnicë, në Dumosh etj., mësuesit e klerikët atdhetarë, si Mulla Zeka, Mulla Hamiti, Mulla Dema, Mulla Bajram Dumnica etj., bënë përçapje për të futur mësimin e gjuhës shqipe dhe për t’u mësuar fëmijëve shkrimin e këndimin e shqipes (3. Një hap të tillë për futjen e shqipes në shkollat shtetërore turke e kishte ndërmarrrë me te gjitha përpjekjet edhe Hoxhë Halabaku në mejtepin e Halabakut në të njëjtën kohë (në tetor 1908).
Më 1908, në prag të fillimit të punimeve të Kongresit të Manastirit, në të cilin do të merrej vendimi historik për Alfabetin e gjuhës shqipe, Mulla Halit Hargaja mori iniciativën dhe prej banorëve të Halabakut, të Tërnavës dhe të Bellopojës mblodhi donacione, të destinuara për delegatët e Kongresit Historik të Manastirit.
Duke e parë veprimtarinë e tij si hoxhë në mejtep dhe si atdhetar, Hoxhë Halabakun më 1909 xhonturqit e arrestojnë dhe e lidhin për një lisi në mes të fshatit Halabak, duke e rrahur për vdekje.
Për trevat e Kosovës as periudha e viteve 1915-18 nuk do të ishte aspak e lehtë as politikisht, as në aspektin ekonomik e arsimor , sepse tani territori do të ndahej në dy zona okupimi; në zonën austro-hungareze dhe në zonën bullgare.
Treva e Llapit i takonte zonës bullgare. Këtu pushtuesit bullgarë nuk lejonin që shqiptarët t’i hapnin shkollat e veta në gjuhën shqipe, por fillonin me uzurpime të atyre pak lokaleve shkollore, të cilat i shndërronin në kazerma ushtarake.
Gjatë periudhës së përmendur më lartë në Llap nuk vepronte asnjë shkollë legale shqipe. Pra, as në Halabak gjatë kësaj kohe s’ kishte shkollë shqipe, prandaj si formë e vetme e mundshme për ta mësuar gjuhën shqipe edhe në këtë fshat, mbeti forma individuale dhe në grupe.
Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore (1918) Kosova dhe trojet shqiptare të Maqedonisë dhe të Malit të Zi u ripushtuan nga Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene (SKS). Edhe Llapi me rrethinë e pësoi këtë tragjedi. Në këtë periudhë (1920) Llapi kishte 12 komuna me 88 vendbanime, që kishin gjithsej 27.084 banorë, prej të cilëve 90,6 % ishin analfabetë (4.
Në këtë periudhë edhe Halabaku, Tërrnava dhe Bellopoja, si mbarë treva e Llapit ishin shumë të prapambetura. Kryesisht fshatarët merreshin me bujqësi eksenzive. Toka punohej me mjete primitive, kështu që edhe rezultatet (rendimentet) ishin tejet të dobëta. E prapambetur ishte edhe blegtoria. Gjithashtu edhe zejtaria ishte e dobët. Këtu ushtroheshin disa zeje me një shtrirje të kufizuar dhe me mjete primitive të punës, si farkëtarë, muratorë, qerrepunues, nallbanë, prodhues të çerpiqëve, drugdhendës, opingapunues etj.

Shperndaje ne
Updated: 17 Shtator, 2016 — 11:00

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.