Çamëria nuk është pretendim por një histori reale…

Myslim Pashaj

Myslim Pashaj, Koloneli i Detit, në një intervistë për gazetën “Sot”, flet për tensionimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe për ndikimin rus në Ballkan. Gjatë këtyre ditëve, Greqia ka rritur presionin e kërcënimeve, që e ka burimin te çështja kombëtare çame. Madje, Athina zyrtare ka arritur deri aty saqë ka treguar edhe forcën me anë të ushtrisë greke. Koloneli i Detit, Myslim Pashaj, thekson se Çamëria nuk është pretendim, por një histori reale. Ai i kujton Greqisë gjenocidin e llahtarshëm ndaj popullsisë çame. Pra, çështja çame s’ka të bëjë thjesht me minoritetin, por të një trualli, popullsie shqiptare të përzënë në gjenocid të llahtarshëm. Ndërkaq, sipas Pashajt, dukja e një politikani të lartë, Kamenos, veshur me kamuflazh në një postë kufitare, atje ku sapo hyn Vjosa në Shqipëri, përballë Çarshovës, si në fund të viteve gjashtëdhjetë të shekullit që shkoi, me një shtab ushtarak të vendosur pas tij, është vetëm një grotesk. Myslim Pashaj komenton dhe deklaratën e kryeministrit Rama, se do të pranonte të takonte Putin nëse Rusia do të ushtronte ndikim në Ballkan. Pashaj nuk e sheh me skepticizëm nëse Shqipëria do të bashkonte me Rusinë, në të mirë të zhvillimit ekonomik të një vendi të vogël. Ndërkaq, Pashaj thotë se Rusia ka për qëllim daljen në Mesdhe. Pashaj kujton se Rusia në shekullin që shkoi pati për një kohë një “domen komunist” në Shqipëri, ku ndikimi i saj në ekonomi, kulturë e arsimim e la një gjurmë në brezninë e pasluftës së Dytë Botërore. Sipas tij, Rusia sërish dëshiron daljen në Mal të Zi, dhe e ka një kolonë në Serbi. Ai thotë se Rusia i ndjek zhvillimet e Islamit Radikal edhe në Ballkan, por ato nuk përbëjnë për të synim përqendrues.

-Bashkimi Europian po tregohet i ngushtë sa i takon integrimit të vendeve të Ballkanit në familjen e madhe europiane. Shqipëria ishte në prag të hapjes së negociatave, por sërish BE kërkon të bëhet më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të nisë zbatimi i reformës në drejtësi. Por, a përfiton Rusia dhe islami radikal në Ballkan, nëse Bashkimi Europian frenon zgjerimin nga vendet e rajonit?

Rusia është hapësirë fuqie dhe energjie si mbetja më e qenësishme e Bashkimit Sovjetik, dhe Perandorisë Komuniste pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo, në ditët e sotme, pavarësisht se nuk e ka gjeohapësirën dykontinentale të saj, mbetet Superfuqi. Hapja pas rrëzimit të murit të Berlinit nuk mori përmasën demokratike si e gjithë lindja komuniste, por e ruajti në thelb tharmin e shtetit të përafruar diktatorial me një demokraci të shartuar. Rusia, një shtet i pasur, e i fuqishëm, me një histori që shtrihet ndër shekuj, e ruajti realitetin e Superfuqisë komuniste dhe kundërshtarit të Perëndimit, që manifestohet në ditët e sotme. Ekonomia, arsenali ushtarak, pozicionimi gjeografik i Rusisë e ka shndërruar atë sot në një lojtar të madh të gjeopolitikës në të gjithë botën. Ky realitet e solli dukshëm që edhe Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, të “hapë bisedë” me Putin çka ka krijuar jo pak shqetësime në Aleancën Atlantike (NATO) për ndryshime në ardhmëri. Rusia ndodhet sot e pranishme atje ku e ka ngjazmën e parë Islami Radikal, në Lindjen e Mesme, një prani mbështetëse e Assadit, por që në të vërtetë është tregimi i forcës ushtarake kundërshtare dhe të fuqishme të saj dhe interesave ekonomike. Ndërkaq, në Ballkan, Rusia në shekullin që shkoi pati për një kohë një “domen komunist” në Shqipëri, ku ndikimi i saj në ekonomi, kulturë e arsimim e la një gjurmë në brezninë e pasluftës së Dytë Botërore. Ajo e kish dëshiruar daljen në Mesdhe dhe e realizoi për një farë kohe. Tani, sërish ajo e dëshiron në Mal të Zi, dhe e ka një kolonë në Serbi. Rusia vëzhgon, sogjeton në politikën e saj të jashtme dhe i ndjek zhvillimet e Islamit Radikal edhe në Ballkan, por ato nuk përbëjnë për të synim përqendrues. Vendet e Ballkanit e kanë marrë tanimë pozicionimin e tyre në NATO, me përjashtim të Serbisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Çdo përçarje, konflikt, mosmarrëveshje midis shteteve në Ballkan është në syrin e Moskës si mundësi ndikimi gjeopolitik.

-Rusia kërkon të shtrijë ndikimin e saj në Ballkan. Por, nëse rusët do t’ia arrinin të ushtronin ndikimin e tyre në Ballkan, kryeministri Edi Rama nuk do ta refuzonte një takim me Presidentin rus, Vladimir Putin. Ju, si e shihni një afrim të mundshëm të kryeministrit Rama me rusët? 

Kryeministri Rama, sipas mendimit tim, e sheh politikën e jashtme jo me kompleksin e ndarjes së botës në Pakte dhe Aleanca, por në synimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike të kulturës e të teknologjisë, turizmit etj, dhe kjo është rruga më e mirë, e përfitimit të një vendi të vogël.

Kështu, ai ka bërë me Kinën e largët dhe kësisoj po përpiqet që ta realizojë me Rusinë.

Kjo nuk ka lidhje me cenimin e obligimeve që Shqipëria i ka me NATO-n dhe BE, të cilave u duhen ruajtur suazat e duhura. Qëndrimet e Rusisë për Kosovën kanë qenë aq keqdashëse dhe ndikuese, por kjo nuk do të thotë se lidhjet ekonomike kulturore dhe turistike të mos ndiqen për përfitime të ndërsjellta. Rama po tregon se nuk është një politikan i ngurtë. Afrimi me rusët, nuk do të thotë rënie në prehër të Superfuqisë, as mbështetje e politikës së saj. Në ditët që po flasim dihet se në vendet Balltike ndodhen kundruall njëra-tjetrës NATO dhe Rusia me praninë dhe armatimin e tyre strategjik, çka tregon një realitet ushtarak, që i përafrohet kohës së Luftës së Ftohte dhe Luftës së Yjeve. Bota në të vërtetë ndodhet në Luftë, ku erupsion i saj i Zi është në gojën e vullkanit të hapur nga Islami Radikal, me ISIS.

-Athina zyrtare vijon të risë presionin e kërcënimeve ndaj qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë. Pak ditë më parë, ministrit grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos, kërcënoi duke u shprehur: “mos na sfidoni, do mbrojmë sovranitetin tonë”. Në një linjë me të ka qenë edhe ministri i Jashtëm grek, Kotzias. Si i shihni kërcënimet e ministrave grekë ndaj Shqipërisë?

Çdo lëvizje dhe sinjal në fqinjëri, bashkëshoqërohet me veprime të ndërsjellta. Kështu ka ndodhur gjithmonë edhe me Greqinë. Problemet që kanë mbetur të pazgjidhura nuk janë të vogla, ato nuk do të zgjidhen ashtulloj lehtas, por duan kurajë. Greqia dhe Shqipëria kanë pasur dhe kanë nevojë për njëra-tjetrën, ky është një realitet. Për një sy vëzhgimi të politikës rajonale, them se qëndrimet e fundit të Edi Ramës nuk kanë qenë sfidë ndaj Greqisë, as mund të mendohet. Çamëria nuk është pretendim, por një histori reale, s’ka të bëjë thjesht me minoritet, por të një trualli, popullsie shqiptare të përzënë në gjenocid të llahtarshëm…vetëm kujtesë për të drejtën ndërkombëtare. S’ka këtu as kërcënim dhe as sfidë. Dukja e një politikani të lartë, Kamenos, veshur me kamuflazh në një postë kufitare, atje ku sapo hyn Vjosa në Shqipëri, përballë Çarshovës, si në fund të viteve gjashtëdhjetë të shekullit që shkoi, me një shtab ushtarak të vendosur pas tij, është vetëm një grotesk. Megjithatë duhet respektuar e duhet lexuar, sepse ajo rrëfen politikën e fqinjit tonë historik dhe atij i duhet përgjigjur, vetëm me standardet e sotme të NATO-s, anëtarë të së cilës ne jemi.

Intervistoi: Eneida Jaçaj

Shperndaje ne
Updated: 18 Dhjetor, 2016 — 07:36

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.