ELZA MUÇOLLI – ZË PREMTUES NË QIELLIN POETIK TË KOSOVËS

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Doli nga shtypi përmbledhja me poezi “Album kujtimesh” të autores Elza Muçolli, botuar nga Shtëpia botuese” Prokult-press” me redaktor z. Fatmir Halimi.
Cila është Elza Muçolli?
Elza Muçolli është nxënëse e klasës IX në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Naim Frashëri” në Podujevë. U lind më 13 dhjetor 2002 në Podujevë. Dëshira e saj është që të bëhet poete për të shkruar vargje për atdheun, për dëshmorët, për besën shqiptare, si virtyt yni i artë, pastaj për prindërit, për vëllain, motrën, gjyshin e gjyshen, hallën, teten etj. Dhe vërtet, ne nga këndi i vështrimit të përmbledhjes poetike “Album kujtimesh” me syriun e kritikut, me kompetencë konstatojmë se Elzën nuk e shohim ndryshe, veçse si poete, e cila, lirisht mund të themi se është zë premtues në qiellin poetik të Kosovës.
Në poezinë e poetes Elza Muçolli trajtohet motivi i atdhedashurisë(poezitë: “Atdheu”, “Shqipëri” etj.), pastaj motivi i vendlindjes (“Fshati im”, “Vendlindja”,”Prishtina”,”Hertica”etj.). Gjithashtu në vargjet e kësaj poeteje të re trajtohet edhe motivi i dashurisë ndaj prindërve( “Prindërit e mi”, “Babai”, “Nëna ime” e ndonjë tjetër); motivi i dashurisë ndaj gjyshërve (vjershat”Gjysh”, “Pse ike gjyshe?”, “Gjyshi dhe gjyshja” etj.); motivi ndaj dashurisë së motrës e vëllait (”Motra ime”, “Jemi dy motra dhe një vëlla”,”Vëllai im”); motivi i dashurisë ndaj hallës (vjersha”Halla ime”), ndaj tetes ( “Tetes Fatbardhë”) etj., si edhe motivi nga jeta shkollore (vjersha”Mësuesja jonë”, “Libri”,”Nëntë vite”, “Shkolla ime”, “7 Marsi” )etj. etj.
Edhe pse Elza është fare e re për nga mosha, kjo shumë mirë i kupton edhe padrejtësitë që shpeshherë bëhen në jetë në emër të drejtësisë ndaj shoqërisë dhe ndaj individit, siç është rasti më i freskët me ndalimin e Ramush Haradinajt nga shteti i Francës:
“Ti nuk bëre krim në luftë,
Këtë s’e dëshmoi dot askush”,
thotë me sinqeritet poetja jonë e re për Ramush Haradinajn.
Me dashuri dhe pietet të thellë Elza Muçolli përmes vargjeve brilante të saj do t’i përjetësojë edhe figurat e dëshmorëve dhe të heronjve, që me flijimin e tyre dhe sakrificë të madhe na e sollën lirinë, të cilën sot po e gëzojmë. Kjo poete do të ravijëzojë portretet e dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu, komandantit Zahir Pajaziti, komandantit legjendar Adem Jashari, pastaj për Bedri Ahmetin, për luftëtarin e paepur Arif Muçolli etj.
Me një fjalë, poetja jonë e re për këta trima që u rreshtuan në radhët e UÇK-së dhe i prinë asaj, në vargjet e veta do të thotë:
“Ratë për liri,
Ratë për atdhe,
Ratë dëshmorë për një jetë të re”
dhe përfundon, duke shprehë admirim të thellë për heroizmin e tyre, të cilëve u drejtohet me fjalët se:
“Ndërtuat faqe të re të historisë”
Me të njëjtin pasion dhe me përkushtim Elza Muçolli do të thurë vargje edhe për 28 Nëntorin e 17 Shkurtin. Për poeten 28 Nëntori dhe 17 Shkurti janë festa që “… bëjnë të ndjejmë paqe dhe liri”
Vargjet e poetes sonë të talentuar do të rrjedhin si ujë nga kroi i kulluar edhe për atdheun, për Shqipërinë, për virtytet e arta të shqiptarëve, siç janë besa dhe guximi për luftë për atdheun etj.
Në vargjet e Elza Muçollit do të përmenden me pikëllim të thellë edhe emrat e disa të rinjve dhe të rejave, që humbën jetën e tyre në lule të rinisë, siç ishte rasti i Almela Segashit, që pësoi nga sulmi terrorist në Gjermani, pastaj vargje i kushtohen edhe të riut Butrint Bajrami, që pësoi në aksident trafiku; Almirit, të cilit ia fiki jetën gjakatari maqedonas etj. Pra, të gjitha këto ngjargje janë shkaktarë, që e kanë nxitur poeten Elza Muçolli për të shkruar vargje me frymë elegjiake, ku shprehet dhimbja e saj e sinqertë për këta të rinj.
Me vargje të bukura, poetja jonë do ta jetësojë edhe figurën kolosale të Nënë Terezës, nga emri dhe vepra e së cilës kombin tonë e admiron dhe e njeh tërë bota. Në sytë e poetes Nënë Tereza është:
“Një grua e famshme
Plot mirësi,
U ndihmoi fëmijëve me plot dashuri”
Gjuha e poezisë së Elza Muçollit është e thjeshtë, por e pastër. Nuk janë hetuar shkarje nga gjuha standarde. Vargjet janë kryesisht të rimuara, por edhe të pasura me figuracion poetik. Metri i vargut është 6-vargësh, tetëvargësh etj. Fjalori është i kuptueshëm për bashkëmoshatarët e autores, por edhe për secilin lexues që i lexon poezitë e saj.
Vëllimi “Album kujtimesh” është libri i parë i Elza Muçollit. Ne kësaj krijueseje të re i urojmë shëndet dhe suksese në mësime dhe në krijimtarinë letrare, ndërsa lexuesve tanë u dëshirojmë lexim të këndshëm.

Shperndaje ne
Updated: 9 Mars, 2017 — 10:00

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.