Një sulm brutal kundër qeshjes

Bislim_elshaniBislimi Elshani
Horhe Luis Borhesi në një nga novelat e tij përmend përkthyesin arab të “Poetikës” së Aristotelit, që kishte zënë në thua te fjala “komedi”, dhe s’kishte mundur të gjente asnjë fjalë arabe që të shprehte kuptimin e saj. Këtë fakt e përmend edhe  Umberto  Eko në librin  e tij “Të thuash gati të njëjtën gjë”, gjë  që do të thotë se rrëfimi i Borhesit bazohet mbi një të vërtetë. Ky fakt më pati shtyrë më herët të vras mendjen mbi kulturën e mos-qeshjes dhe mbi origjinën e anti-qeshjes ose të humor-vrasjes tek arabët. Rreziku i vrasjes së qeshjes ka qenë i pranishëm një kohë të gjatë edhe në botën e krishterë, dhe këtë fakt e ilustron në mënyrë të shkëlqyer romani “Emri i trëndafilit” i Umberto Ekos, në të cilin një fanatik fetar bën katrahurën në një manastir vetëm për shkak të librit të Aristotelit mbi komedinë, pra mbi të qeshurën. Përfundimisht ishin Servantesi (në Spanjë), Rabëleja (në Francë) dhe Shekspiri (në Britani) që me veprat e tyre shkatërruan seriozitetin qesharak të predikuesve religjiozë e të inkuizicionit. Mirëpo, një nga mjetet më shkatërrimtare kundër zymtësisë religjioze ishte tradita e karnavaleve e praktikuar në shekuj nga pothuajse të gjithë popujt evropianë. Karnavalet përfaqësonin një vullkan të përvitshëm popullor që shpërthente llavën e të qeshurës në të gjitha rrugët e rrugicat e qyteteve evropiane. Këtë dimension të kulturës evropiane e ka trajtuar më së miri studiuesi i shquar rus Mihail Bahtin. Në kohën moderne janë shkruar disa vepra madhore që marrin në mbrojtje humorin dhe qeshjen, ndër të cilat do të shquaja padyshim “Grekun Zorba” të Kazanzaqit, ndërsa në letërsinë tonë “Arkën e djallit” të Dritëro Agollit. Në fushën e filozofisë së jetës janë të shquara pothuajse të gjitha veprat e filozofit indian Osho Reineesh, i cili në të gjitha ligjëratat e tij i ngre hymne të pafundme humorit dhe të qeshurës dhe i cili nënvizon me të drejtë, se zotat dhe profetët nuk dinë të qeshin. Në traditën e botës islamike ekziston historia e bukur e Nastradinit që ka ditur të tallet me të gjitha dobësitë dhe veset e njerëzve, të të gjitha klasave e shtresave, qofshin edhe klerikë e sundimtarë. Mirëpo çuditërisht, si Nastradini, ashtu dhe shumë nga dijetarët e poetët e shquar të botës islame, nuk ndërlidhen direkt me botën arabe, por më parë me atë iraniane. Dijetarët iranianë, shumica syresh, kishin një gjë të përbashkët: nuk e merrnin shumë seriozisht besimin fetar. Sami Frashëri ynë, i edukuar nga fryma emancipuese e kësaj kulture, thoshte se “fanatizmi fetar është hipokrizi”. Poeti i shquar iranian, Omar Khajami, ka guxuar madje të tallet me zotin dhe me profetin islam njësoj si shumë shekuj më vonë Salman Ruzhdiu apo karikaturisti fatkeq i Danimarkës. Atentati i djeshëm kundër një redaksie parisiene që kujdesej të shpërndante gaz e hare në fytyrat e qytetarëve francezë, është një sulm i çmendur barbarësh, një sfidë ndaj gjithë qytetërimit, jo vetëm evropian, është një atentat ndaj vetë konceptit kohë, të cilën kalorësit e errësirës xhihadiste duan ta shkëpusin përfundimisht nga koncepti bazë që ndërlidhet me të, ose nga cilësia themelore e saj, që është zhvillimi. Në Paris dje bashkë me gazetarët e “Charlie Hebdos” u masakruan bashkërisht dhe barbarisht edhe Servantesi,  Rabëleja, Shekspiri, Suifti, Hasheku, Molieri, madje edhe Anatol Fransi, autori i “Ishullit të pinguinëve”. Për më tepër, sulmi barbar i atentatorëve është një sulm kundër së ardhmes arabe. Sepse arabët do të kenë të ardhme vetëm atëherë kur të rimësojnë artin e të qeshurit, të cilin e kanë humbur shumë shekuj më parë.
Shperndaje ne
Updated: 10 Janar, 2015 — 05:54

The Author

Bislim Elshani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.