BINOMI I SHPRESËS

BINOMI I SHPRESËS
Dakordimi për të bashkëqeverisur ndërmjet dy subjekteve politike LVV-së dhe LDK-së, edhepse ishte i pritur e i mirëpritur nga qytetarët, të cilët edhe ju besuan më së shumti duke i renditur të parët me votën e tyre dukej sikur ishte zgjatur paksa deri në nënshkrimin e marrëveshjes. Nga kjo zgjatje e kjo vonesë deri tek zyrtarizimi i marrëveshjes për të cilën veçse ishin marrur vesh duke deklaruar madje edhe para zgjedhjeve, u mundua të përfitonte diçka opozita e cila po e ka shumë të vështirë ta pranojë faktin se tashmë po quhet e tillë.
Edhe këta që i ndëshkoi populli me votë, e dinë mirë që Binomi i Shpresës, pra Albini dhe Vjosa janë kuadro tejet të përgatitura, me një mendësi e nivel intelektual krejtësisht tjetër. Prandaj opozita duhet të tregohet tejet e kujdesshëm në deklaratat e saj, si të shkruara ashtu edhe verbale, nëse duan që shuarja e tyre si subjekte politike mos të jetë një rrugë e afërt.
Në ditën kur u mbajt Seanca për Votimin e Qeverisë, kjo opozitë u tregua shumë e papërgatitur në deklaratat e deputetëve të saj. U mundua të dal si e pafajshme për dështimet e saja të shumta, tentoi të tregohet e pafajshme duke fajësuar dy partnerët e koalicionit e Qeverinë Kurti ende pa u votuar e pa filluar punë. Këta jo vetëm që dolën qesharakë me etiketimet dhe paragjykimet e tyre por edhe me deputetë që në foltore kishin problem madje dhe me lexim të fjalimeve.
Albini dhe Vjosa, apo siç po cilësohen ndryshe si Binomi i Shpresës, gëzojnë një respekt në popull si dy politikanë të përgatitur dhe të pakorruptuar, këtë konstatim e vërteton më së miri vullneti i sovranit, i treguar në zgjedhjet e 6 tetorit. Që të dy edhe para zgjedhjeve kishin deklaruar se duan reciprocitet të plotë me Serbinë, e që në fakt kjo ka të bëjë me respektin e shtetit tonë duke funksionuar si dy shtete krejtësisht të barabarta në secilën sferë. Kjo qasje do të thotë dinjitet, respekt, njohje. Mund të duket si tejet e vështirë por jo edhe e pamundshme, pasi që të mëdha janë shpresat te Binomi i Shpresës.

Shkruan: Ardian Haziri

Shperndaje ne
Updated: 13 Shkurt, 2020 — 00:39

The Author

Ardian Haziri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.