Uzurpimi – rirobërimi

ripushtimi_012
Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

prof_Zymer Mehani

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Më në fund, të themi se në sh VII ka ndodhur vërtet rirobërimi i pjesës lindore të Ilirikut, këtë radhë jo prej latinëvet por prej grekëvet dhe jo me forcën e armëvet por me trukun e uzurpimit. Perandori Herakli, në të vërtetë armen e jo grek, ka vendosur në administratë, pra ka shpallur si gjuhë zyrtare të “Perandorisë Romake Lindore” gjuhën greke.
Kaq ka mjaftuar për t’u rikthyer në robëri, jo një popull, por disa popuj. Krahas dhe pas kësaj, grekët kanë marrë në duart e veta edhe fronin perandorak, edhe kreun e kishës. Është tepër e rrëzikshme të jetosh në të njëjtin shtet me popuj të tjerë, kur nuk të funksionojnë armët e vetëruajtjes. Ilirët janë përpjekur në të gjithë shekujt pasues për të rimarrë veten, por nuk ia kanë arritur dot, sepse në asnjë rast ata nuk kanë krijuar dot një strategji suksesarritëse të mirëmenduar.
Sllavët në Gadishullin e Ilirikut
Perandori Herakli u ka bërë edhe një “nder” tjetër ilirëvet. Ai i ka lejuar sllavët, me dekret perandorak, që të vendosen në Ilirik. Justiniani ynë kish bërë kështjella, që të mos hyjnë dot as avarët, as sllavët, as dikush tjetër në vendin tonë, Herakliu, sapo erdhi në fron (100 vjet mbas Justinianit), formuloi dhe nënshkroi dekretin, me anën e të cilit u jepte leje banorëvet që ndodheshin në veri të lumenjvet Sava e Danub, për t’u vendosur ku të donin (në tokat bosh) në jug të këtyre lumenjve.
Kish 2 shekuj që popullsia sllave, e grumbulluar dhe e shumuar gradualisht në Vojvodinën e sotme, në Hungarinë e sotme dhe më në veri, depërtonte në tokat e Ilirikut dhe bënte plaçkitje, kryesisht duke ndjekur nga mbrapa kalorësit avarë.
Por në të gjithë rastet forcat ushtarake të perandorisë, megjithëse të dobësuara, ia kishin dalë që t’i zbrapsnin e t’i rikthenin në vendbanimet, që më parë s’kishin qenë të tyret, por që tashmë i kishin zaptuar. Me sa duket, edhe ata vetë, mbasi mbusheshin me plaçkë të grabitur dhe me robër, për vete dhe për avarët, të cilëve u shërbenin, (këndej edhe emri: servus, sërb) preferonin më shumë për t’u rikthyer nga kishin ardhur, sesa të qëndronin midis popullatës, së cilës i kishin shkaktuar e po i shkaktonin aq shumë dhimbje.
Mirëpo, kur u pajisën me leje shtetërore (të cilën ndoshta as që e kishin kërkuar), ata morën familjet e veta dhe u ngulën kryesisht në tokat që shekujt e stuhishëm i patën lënë pa pronarë.
Për shkak të shkretimevet që i kishin bërë barbarët që në shek. V, popullsia ilire ishte rralluar dhe shumë toka kishin mbetur pa pronarë konkretë. Pikërisht në të tilla prona pa pronarë konkretë u ngulën sllavët dhe formuan aty të quajturat skllavini.
Rrjedhimisht, kurrsesi nuk duhet nënkuptuar që rrotull atyre skllavinive nuk kishte më popullsi vendëse. Përkundrazi, në të gjithë territorin e gadishullit të moçëm ka pasur me shumicë popullsi vendëse. Nuk duhet menduar gjithkështu që përtej lumenjvet Sava e Danub ka pasur një popullsi aq të madhe sllave, sa ajo e ka përmbytur sa mbyll e çel sytë krejt gadishullin tonë.
Mbështetur në një të këtillë riformulim të konceptit të derisotëm të historiografisë, sipas të cilit sllavët e kanë mbuluar me popull të vetin krejt gadishullin, duke asgjësuar aty automatikisht ndonjë “mbeturinë të fundit” të lashtovendësvet “të romanizuar”, ne mbrojmë idenë që lashtovendësit kanë vazhduar të jenë të pranishëm në të gjitha kohët në krejt hapësirën e Gadishullit të Ilirikut dhe se ata kanë përbërë themelin e qytetërimit të sllavëvet të mëvonshëm.
Në pjesët lindore të gadishullit e në drejtim të pjesëvet qendrore, në Bullgarinë e sotme dhe në një pjesë të Maqedonisë dhe Paionisë së dikurshme, janë ndodhur në Mesjetën e Hershme 3 substrate të popujvet të lashtë dhe 2 popullata të ardhura. Popujt e lashtë ishin: thrakasit, maqedonët dhe ilirët. Sa afër a sa larg njëri-tjetrit ishin etnikisht ata popuj mbetet për t’u studiuar. Konsideratë e rëndësishme për ne është që ata popuj, jo për një kohë të shkurtër, por për një kohë të gjatë, kanë pasur rol themelor dhënës ndaj popujvet të ardhur.
Popujt e ardhur ishin: një pjesë bullgaro-mongole dhe një pjesë sllave. Shkrirja e këtyre 2 popullatave, bullgaro-mongole dhe sllave, pas mendimit tonë, ka ardhur kryesisht nëpërmjet martesavet. Femrat sllave, që martoheshin me meshkuj bullgaro-mongolë, u mësonin fëmijëvet të vet gjuhën e vet, jo gjuhën e burravet. Mjaftuan ashtu 3 breza që e gjithë popullsia bullgaro-mongole (kotrigure) të mos fliste më gjuhën e etërvet të vet, por të fliste gjuhën sllave, gjuhën e nënavet të veta. Shtetet që krijuan, pas 2 a 3 shekujsh, sllavo-bullgarët dhe sllavo-maqedonët, ishin veçanërisht të dhunshëm dhe kjo doemos i ka arsyet e veta.
Në territoret perendimorë të gadishullit, në Kroaci, në Dalmaci, në një pjesë të Bosnjës, lashtovendësit kanë qenë gjithashtu një faktor themelor dhënës në krejt kulturën e sllavëvet të ardhur. Dallimi kryesor midis pjesës lindore dhe
qendrore, nga njëra anë, dhe pjesës perendimore të gadishullit nga ana tjetër, duket se ka qenë (në këtë të fundit): simbioza paqësore. Popullsia vendëse, duke mos pasur shtetin e vet, nuk ka përbërë pengesë për ardhësit. Kështu që ardhësit nuk e kanë ndier nevojën e ndërhyrjevet shkatërruese me armë.
Kanë marrë ç’u është dashur prej vendësvet (mënyrën e të punuarit të tokës, mënyrën e të tregtuarit, festat, veshjet, tippet e shtëpivet, lundrimin), kanë krijuar shtetin e vet dhe jeta ka vazhduar në rrjedha më “normale” sesa në lindje e në qendër. Jeta ka vazhduar më “normale”, por lashtovendësit janë denatyruar, janë bërë sllavë në krejt ato hapësira. Madje një i tillë sllavizim “normal””, dmth. pa masakra e pa luftëra, ka mbërritur deri në Grykat e Kotorrit e tani ka ardhur edhe më në jug, deri në Tivar: Shumë shqiptarë të Tivarit, sot, po parapëlqejnë “paqësisht” ta quajnë veten “kroatë”.
Në pjesët e tjera të Ilirikut, Sërbi e sotme, Bosnjë Lindore, Travuni (Hercegovinë e sotme) Diokle-Zentë (Mali i Zi i sotmi dhe Shqipëri e sotme Veriperendimore prej Tivarit deri në lumin Mat), Dardani (Kosovë e sotme), 2 Epirët (Shqipëri
e sotme Jugore deri në Artë), historia e marrëdhënivet midis lashtovendësvet ilirë dhe sllavëvet të ardhur ka karakteristikat e veta, të dallueshme prej 2 të paravet. Në Malin e Zi të sotmin, në Kosovën e sotme, në shtetin shqiptar të sotmin, në pjesët veriore të shtetit që sot quhet Maqedoni, në pjesët veriperendimore të shtetit të sotëm grek, janë krijuar aty-këtu enklava sllave, por ato nuk kanë arritur asnjëherë as të kompaktësohen e as të mbizotërojnë etnikisht.
Në pjesët jugore të Shqipërisë së sotme, midis vijavet Përlep-Ohër-Vlorë dhe Pind-Prevezë, gjurmët e ndikimit sllav nuk dëshmojnë për mbizotërim të popullsisë së ardhur, por për një veprimtari represive të shtetevet, sllavo-bullgar apo sllavo-maqedon, të cilët, sapo krijoheshin, nxitonin të vetëquheshin “perandori”. Dëshmojnë edhe për ndikim e veprimtari të kishës pravosllave, me qendër në Tërnovë apo në Ohër, e cila, në apogjetë e atyre “perandorive” vihej plotësisht në shërbim të sllavëvet. Duhet të vëmë re këtu edhe aspektin e prirjes drejt sllavizimit, nga ana e vetë popullatës vendëse, si “kundërvënie” ndaj presionit të ashpër të grekëvet për t’i greqizuar. Fenomeni “për inat të sime vjehrre vete flë me millonanë” është shumë i përhapur ndër ne.
Në Sërbinë e sotme, në Sanxhakun e sotëm, në pjesët lindore të Bosnjës së sotme, popullsia lashtovendëse ka qenë me shumicë, por atë e kanë dëmtuar shumë rrymat heretike të arianizmit dhe më vonë të bogumilizmit. Duke qenë e pambrojtur prej qendravet të Kishës së Krishterë, përkundrazi duke qenë e anatemuar, ajo popullsi është bërë shumë shpejt viktimë e sllavëvet të ardhur, të cilët nga shekulli në shekull vinin duke u fuqizuar, thjeshtë falë ruajtjes së gjuhës. Familjet feudale sllave, të pasuruara në ndërkohë dhe të pajisura me ofiqe pushtetarësh, herë prej perandorëvet të Bizantit, here prej mbretërvet hungarezë (të cilët tashmë kishin zënë vend në rrafshultat përtej Danubit e Savës), kanë mundur të bëjnë ç’të duan me atë popullsi, madje edhe ta masakronin në masë, duke mos i dhënë llogari askujt. Ka të dhëna që popullsia heretike, ariane dhe bogumile, e cila jetonte në këto hapësira, ka pasur në atë kohë edhe një literaturë të vetën, të cilën zhupanët sllavë e kanë asgjësuar njësoj si vetë lexuesit e asaj literature. Mbetet për t’u hulumtuar se në ç’gjuhë kanë qenë shkruar ata libra.
Pikërisht në këto hapësira është krijuar edhe shteti i pare sërb, shteti i Rrasës. Vetë emri RRASË i kryeqendrës së atij shteti dëshmon që ato treva kanë qenë banuar me shumicë vendësish, madje deri vonë, deri në sh XII në mos edhe më këndej. [Historia e Peshterit (POSHTËRIT) pret për t’u studiuar gjithanësisht: Në fusha të ekonomizimit, si në blegtori etj., (dhentë e Peshterit janë të veçanta), në traditë gojore, në këngët popullore, veçanërisht epika legjendare, si dhe në çdo aspect tjetër historiko-etnologjik.]
Në Dardaninë e dikurshme (në Kosovën e sotme) dhe në Paioninë e dikurshme, filluar prej Nishit e mbaruar në Përlep e në Dibër, elementi sllav ka qenë shumë i pakët. Kjo ka ndodhur për arsye se, në kohën kur perandori Herakli ka dhënë lejen që në tokat bosh të vendosen sllavë, tokat në këto hapësira, duke
qenë të rrafshëta e pjellore, i kanë zotëruar latifondistët vendës (ish-skllavopronarë të fazës së kalimit në feudalizëm). Pra, nuk ka pasur toka bosh. Një pakicë sllavësh të ardhur, kanë mundur të vendosen vetëm në disa pjesë kodrinore dhe këta banorë të rinj, duke qenë banorë kodrash, janë quajtur goranë.
Në fund të sh XII dhe në fillim të sh XIII Kosova e sotme, pikërisht duke mos qenë e banuar me sllavë, nuk ka mundur të “aneksohet” si disa treva të tjera, por është pushtuar me forca ushtarake prej dinastisë sërbe të Nemanjiqvet. Të kish qenë Kosova e banuar me sllavë, sërbët e Rrasës nuk do t’ishin detyruar të ndëmerrnin ekspedita ushtarake, madje shumë të ashpra dhe të zgjatura në kohë, për t’i bërë të vetat ato toka.
Për më tepër, me qëllim që t’u mbyllej feudalëvet të mundur josllavë çdo rrugë rikthimi në pronat e veta, psh Dukagjinëvet, Kosanëvet, Kobilëvet, Bogdanëvet e të tjerë, që ishin tërhequr në male apo ngushtuar në prona më të vogla, dinastët sërbë, të udhëhequr e udhëzuar prej Shën Sava Nemanjiqit, njërit prej më largpamësvet strategë të asaj dinastie, kanë praktikuar në shkallë të gjërë metodën e kalimit të tokavet, me gjithë bujkrobër, në pronësi të manastirevet. (Sigurisht, Shën Sava Nemanjiqi, më parë i ka uzurpuar manastiret e Kosovës, siç e akuzon kryepeshkopi i Ohrit në një letër, i ka mbushur ata manastire me klerikë sërbë, pastaj i ka hyrë punës së “dhurimit”.) duke qenë një tokë pronë e kishës, e cila në gjuhën greke quhej metoh (dhe së këndejmi sërbët e sotshëm Rrafshin e Dukagjinit e quajnë Metohi), një ish-pronar laik e ka shumë vështirë për ta rimarrë. Prandaj krejt historia e Sërbisë Mesjetare është e mbushur me dokumente të quajtur hrisovula, me anën e të cilavet monarkët u “dhuronin” manastirevet, tashmë pravosllavë, qindra e mijëra hektarë toka. Ia dhuronin kështu vetëvetes, sepse kisha pravosllave s’ish tjetër veçse armë ideologjike dhe prone ekonomike e drejtpërdrejtë e monarkut. Kjo ish njëkohësisht një mundësi më tepër që bujkrobërit, të quajtur meropsë, të sllavizoheshin nën presionin e murgjvet pravosllavë.
Shtojmë edhe këtë, që Kosova deri në sh XV në disa dokumente, madje edhe turke, quhej Toka e Konstantinit. Ne mendojmë që në rrënjën e emrit KOSOVË qëndron pikërisht emri i Konstantinit të Madh. Ndryshimet fonetikë nga *e Konstantinit (*e Konstit), me prapashtesën sllave –OV(O), vënë më vonë, janë realisht të mundshëm, siç ka ndodhur psh te STAMBOLL, ardhur nga KONSTANTINOPOL, ku janë reduktuar apo ndryshuar më shumë se gjysma e tingujvet. Trevë më e ngushtë, e cila e ka ruajtur atë emër në një formë pak më të ndryshme, është ajo e Kosanicës (ndoshta: *Kostënza) në pjesën veriore të Kosovës. I fundit sundimtar i asaj treve, siç duket, ka qenë ai që epika sërbe e quan Kosançiq Ivan e i cili në arbërishten e atëhershme mund të jetë thirrur: *Gjon Konstënza ose, në një formë më të evoluar: *Gjon Kosanca.
Edhe në trevat e Diokle-Zentës së dikurshme (Mali i Zi i sotmi dhe Shqipëria Veriperendimore prej Tivarit deri në lumin Mat), numri i sllavëvet ka qenë prapë shumë i kufizuar.
Megjithkëtë, në sh XI, duke përfituar nga ligjet ushtarakofeudalë që Bizanti i zbatoi, si edhe gjetkë, edhe në Themën e Durrësit, disa individë e familje sllave arritën të fuqizoheshin.
Një e tillë familje sllave, e quajtur VOJISLLAVLJEVIQ, e cila kish lidhje gjinie edhe me Nemanjiqtë e Rrasës, ia doli të krijojë aty një mbretëri mjaft të fuqishme. Jeta e asaj mbretërie, perms kontradiktavet të përgjakshme në gjirin e vetë pjesëtarëvet të dinastisë, ka zgjatur diku rreth 100 vjet. Por, duke qenë se kjo dinasti ishte një dinasti sllave, në historiografinë shtrembëruese, e cila për fat të keq është zotëruese në ballkanistikë, është
nënkuptuar sikur edhe popullsia e kësaj mbretërie ka qenë sllave. Që kjo s’është aspak e saktë, këtë e vërtetojnë shekujt e mëvonshëm, të cilët u kaluan nën sundimin e dinastisë sërbe të Nemanjiqvet, e prapëseprapë popullsia aty, përkundër të gjitha përpjekjeve për ta tjetërsuar, mbeti përgjithësisht një popullsi arbërore, madje deri në Kotorr e deri në Cetinjë. Sllavizimi i arbërvet të Malit të Zi të Moçmit është kryer nga sh XV e këndej dhe kjo ka ndodhur si rezultat i veprimtarisë së Mitropolisë Pravosllave të Cetinjës nga njëra anë dhe i presionit islamizues të pushtuesvet osmanë nga ana tjetër.
(Shënim që u takon kapitujvet të mëvonshëm: E njëjta dukuri “e të fjeturit me millonanë për inat të vjehrrës” ka ndodhur edhe me çamët ortodoksë në Jugun tonë. Ata kanë shkuar drejt greqizimit në shenjë kundërshtimi ndaj islamizimit.)

Shperndaje ne
Updated: 6 Dhjetor, 2016 — 19:51

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.