Po të mos ishte pushkë e Adem Jasharit, sot Kosova do të fliste serbisht!

Letër e hapur kryetarit të Prishtinës, z.Shpend Ahmeti, në vigjilje të fillimvitit të ri 2015

Kryetar Ahmeti! S’do ta falin: historia, varret e dëshmorëve, Prekazi, edhe fëmijët tu, nëse s’e ndërton një përmendore për kryekomandantin legjendar Adem Jashari, në qytetin e Prishtinës, ashtu siç e kanë shumë qytete të tjera gjithandej Kosovës, por edhe në Shqipëri, Maqedoni…!

(Bernar Kushner:“Po të kishte çmim Nobël për liri, ai do t´i takonte Adem Jasharit, dhe familjes së tij!”)

(SHPEND AHMETI, MOS U KORIT, SIÇ U KORIT ISA MUSTAFA!)

Shkruan: Riza GREIÇEVCI

riza_greqevci

               Riza GREIÇEVCI

Bërthama e parë të UÇK-së (1990) u formua në odën e Shaban Murat Jasharit

Komandanti i grupeve të armatosura ilegale, Adem Jashari, pas Pranverës Revolucionare Rinore të Kosovës (1981), kishte hartuar dhe përfunduar planin e veprimit, me të cilin plan e program ushtarak, grupe të armatosura ilegale shumë shpejt do të grupoheshin, dhe do të formonin celulën e parë, bërthamën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Selia, sofra me bukë e bujari e miqësi e atdhetarizëm për këto grupe të armatosura ilegale ishte Oda e Shaban Murat Jasharit, ditën e natën derëhapur. Pjesëtarë të grupeve ilegale gjithandej Kosovës dhanë betimin para flamurit kombëtar, para kryekomandantit, Adem Jashari, dhe në fillim të vitit 1990, u formua bërthama e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës. Pa humbur kohë, u jetësua edhe Plan-programi ushtarak i UÇK-së: Armatosja,dhe ushtrimet ushtarake të pjesëtarëve të UÇK-së, në kazermën “Skënderbeu” të Tiranës.

Askush s’ka një gomë sa me pasur mundësi me shlye heroizmin, sakrificën e Familjes Jashari !

z. Ahmeti!

Askush s’mund ta shpalle veten aq të mençur sa të shpresojë se populli është shurdhmemec, budalla, analfabet. Askush s’mund ta shpallë veten aq të ditur sa të mos u tregojë fëmijëve të tij se sakrifica e popullit, gjaku i dëshmorëve, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me ndihmën e NATO-s, kanë përzënë ë përgjithmonë thikat e plumbat e kasapët e kriminelët çetnikë serbë-rusë nga pjesë toka e Dardanisë së lashtë të pushtuar padrejtësisht nga të kuqtë e shokut Tito. Askush s’ka aq moral qytetar dhe njerëzor sa t’ua mohojë fëmijëve të vet lirinë, pavarësinë, shtetin e lirë, Kosovën e lirë, të cilin e kanë djep e fe e atdhe. Askush s’ka të drejtë të shpallë veten aq të fuqishëm sa të shpresojë se njësitë do t’ia mbyll popullit gojën të mos flasë, të mos kërkojë punë, bukë, demokraci, sundim të ligjit…

Mos vepro siç veproi Isa Mustafa!

Kryetar i Prishtinës!

Askush s’ka aq duar të hekurta sa t’ua mbyll gojën fëmijëve të vet të mos flasin dhe kujtojnë Epopenë e UÇK-së në Prekazin e Drenicës. Askush s’ka një gomë që mund me shlye nga faqet e historisë heroizmin, sakrificën, vetëflijimin e Familjes Jashari për lirinë e Kosovës. Askush s’mundet me gomë për të fshirë gjakun që derdhen 57 shpirtra në oborrin e lokalet e shtëpive të veta, gra, burra, fëmijë, e qe besa pati edhe foshnje. As deti s’ka aq ujë sa mundet me la (fshi) gjakun e njëmbëdhjetë fëmijëve shkollarë të Familjes Jashari! Askush s’mundet me shpall qytetin e Prishtinës një bahçe të babes së vet. Kryetar, Ahmeti, mos vepro siç veproi Isa Mustafa:As për 15 vjet dinastie në Prishtinë s’e dha një copë tokë për një Përmendore të Adem Jasharit, figurës emblematike historike kombëtare!

Për habi, as për 15 vjet Isa Mustafa s’e dha një copë tokë për një Përmendore të Adem Jasharit!

Jo, as për 15 vjet Isa Mustafa s’e dha një copë tokë për një Përmendore të Adem Jasharit! A ka, a s’ka faj ky njeri humbës i Prishtinës, kjo s’është edhe aq zor të dihet e të vërtetohet. Një gjë dihet: Se kryekomandanti legjendar Adem Jashari sot e 17 vjet pas Luftës Çlirimtare ende s’ka as një bust në kryeqendrën e republikës së Kosovës, kjo e tregon krejt moralin qytetar të elitës politike , intelektuale, dëshmon kulturën, përkujdesjen dhe respektin e një populli për ata që me gjak shkruan historinë, lirinë, pavarësinë, shtetin e Kosovës! Shpend Ahmeti, mos vepro siç veproi turpshëm Isa Mustafa! Do të përqesh historia, varret e dëshmorëve, po edhe fëmijët tu do të ndjehen të penduar, e do të thonë: Pse, babë, s’e nderove kryekomandantin legjendar Adem Jashari, e meriton një Përmendore në qytetin e Prishtinës, si në shumë qytete të tjera gjithandej Kosovës, Shqipëri, Maqedoni…!

Po të mos ishte pushkë e Adem Jasharit, sot Kosova do të fliste serbisht!

Kryetar Ahmeti!

Një gjë dihet, e di tërë Evropa dhe tërë bota: Po të mos ishte pushkë e Adem Jasharit, dhe gjaku i Jasharëve, sot, jo vetëm Prishtina ,por edhe Kosova ,denbabaden do të flisnin serbisht! Pushkë e historisë! Pushkë e trimërisë! Pushkë e lirisë! E kemi thënë edhe më parë e po e themi edhe sot: Ku janë Shoqatat e dala nga UÇK-ja? Ku është Drenica? Ku është Kosova? Ku është shqiptaria? Ku janë intelektualët? Ku janë invalidët, veteranët e UÇK-së? Ku është ndërgjegjja qytetare? Ku është nderimi i dëshmorëve, me gjakun dhe sakrificën e të cilëve u gatua liria e Kosovës? Ku është borxhi qytetar ndaj amanetit të te rënëve për liri e Pavarësi të Kosovës? Kryetar, Shpend Ahmeti, ndofta pajtoheni edhe ju, së paku të dëgjojnë fëmijët tu fjalën e babës Shpend duke thënë para tyre një të vërtetë historike: Po të mos ishte pushkë e Adem Jasharit, sot Kosova do të fliste serbisht!

Shperndaje ne
Updated: 1 Janar, 2015 — 22:44

The Author

Riza GREICEVCI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.