Heronjet Kombëtare: BIOGRAFIA E DËSHMORIT BEHAR BEGOLLI

BEHAR (NAZMI) BEGOLLI

I

Shkruan Zymer Meha

Behar (Nazmi) Begolli u lind më 06. 03. 1978 në fshatin Tërrnavë të Podujevës. Kishte kryer shkollën e mesme dhe ishte profesionist i karatesë. Karakterizohej me disiplinë dhe ishte tërheqës.
Behari gjatë muajve të parë të vitit 1999 ishte informuar se diku në trevën e Llapit po bëheshin ushtrime ushtarake dhe e kishte parë të arsyeshme që edhe ai të inkuadrohej në ato formacione, në mënyrë që t’i dalë krah atdheut të robëruar nga serbosllavët.
Një ditë, behari m’u drejtua:
-Abej! Po deshe, më lejo t’i shkoj në ndihmë UÇK-së.
Vërejta nga sytë e tij të përndezur se kishte një vullnet të veçantë dhe i thashë:
-Ti vendos!- dhe ofshana, pastaj vazhdova:
-E djali im, Esadi që ka shkuar në Gjermani…
Behari ma ktheu:
-Ai ka shkuar me arsye e po deshe, unë do të kyçem në UÇK.
Unë i thashë:
-As të them shko, as mos shko…..- ngase kisha një përgjegjësi edhe si xhaxha i tij që isha, por edhe për faktin se asokohe, babai i tij ndodhej larg Kosovës, në SHBA.
….Nga këmbëngultësia e djaloshit vërej qartë një vullnet të çeliktë, që të kyçej në radhët e UÇK-së dhe i thashë:
-Po, gjenerata juaj është e kyçur në ushtri….dhe besoj se do të të thërrasin edhe ty….
Dhe ashtu ngjau. Ai shkoi aty ku deshi dhe s’u kthye më me shpirt.
Behari u vra më 21 maj 1999.
II
Me shpërthimin e luftës, çdo pijkëpjekje me Beharin ishte njëherazi edhe takim me një djalosh me karakter të fortë dhe gjithnjë më të pjekur. Fytyra e tij bardhoshe, asokohe bëhej e vranët, ngase dëshironte që sa më parë të rreshtohej në radhët e ushtarëve çlirimtarë të UÇK-së. As bisedat s’ishin më si më parë me djaloshin trim, sepse mungonin edhe ato llafosjet e këndshme të gjirit familjar dhe se këmbëngultësia dhe vendosmëria e tij për t’i shërbyer atdheut i kalonte të gjitha.
Tanimë lufta ishte përhapur kudo në Kosovë e shpirti luftarak i beharit ishte i prirur për revolt rinor me dufin guximtar, i gatshëm për luftë. Shpesh fliste me shokë e miq për luftën e drejtë dhe të domosdoshme të UÇK-së. Ishte edhe sportist i shquar i artit luftarak-karatesë, element edhe ky që dëshmon për shpirtin luftarak të tij.
Shpeshherë bisedonte me të afërmit edhe për mizoritë e egra të njësive paramilitare dhe militare serbe ndaj popullatës civile shqiptare, pa kursyer, fëmijë, gra, as pleq. Në këso rastesh, me mllef të madh, por dhe krenarisht deklaronte se kishte gjak shqiptari, se i përkiste kombit të trimit Adem Jashari dhe s e do të luftonte edhe ai pa ngurruar kundër agresorit serbosllav.
Nuk u desh të pritej shumë dhe erdhi çasti i shumëpritur, kur djaloshi iu bashkua radhëve të UÇK-së për ta dëshmuar dashurinë dhe besnikërinë ndaj atdheut dhe kombit. U inkuadrua në radhët e luftëtarëve të lirisë vullnetarisht dhe menjëherë filloi t’i kryente detyrat që i ngarkoheshin. Guximi i beharit i tejkalonte shpesh edhe normat e pashkruara dhe shumë të rrebta të luftës. Shokëve u ndihmonte me këshilla që të ishin të kujdesshëm, ngase çdo tepërim guximi mund të ishte më i rrezikshëm se moskujdesi.
Edhe pse i ri, Behari inkuadrohet me tërë qeien e tij në radhët e UÇK-së, duke ia shtuar luftës sonë çlirimtare edhe një pushkë, nga e cila pothuajse asnjëherë nuk ndahej.
Beharit gjithmonë i dukej se po e ngarkonin pak me obligime dhe detyra dhe kështu u bë i dashur sinqerisht nga ushtarët e tjerë, por edhe eprorët, ndërsa fjalët e tij nguliteshin thellësisht në mendjet e bashkëluftëtarëve.
Edhe ushtarët më të moshuar te Behari gjenin energji dhe vullnet të pashuar prej një luftëtari të denjë.
Lavdi dëshmorit Behar Begolli!

Shperndaje ne
Updated: 22 Tetor, 2018 — 20:40

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Bashkimi i Shqipërisë © 2014 Bashkimi i Shqiperise
Show Buttons
Hide Buttons