DY VDEKJET E ASTRITIT (Një përsiatje e shkurtër rreth romanit "DY VDEKJET E NJË JETE" të shkrimtarit mr. Fatmir Halimi)

Shkruan: Zekerija Idrizi

DY VDEKJET E ASTRITIT
(Një përsiatje e shkurtër rreth romanit “DY VDEKJET E NJË JETE” të shkrimtarit mr. Fatmir Halimi)

Mbrëmë, brenda një kohe të shkurtër lexova romanin “Dy vdekjet e një jete ” të shkrimtarit Fatmir Halimi (botoi Shtëpia Botuese ProkultPress, Prishtinë, 2017), të cilin ma dhuroi ai dje. Kishte kohë që unë me padurim prisja ta kem ne dorë këtë roman, meqë paraprakisht kisha lexuar te gjitha vështrimet recensionale rreth tij. Për arsye se nuk kisha bërë gjumë të mjaftueshëm një natë më parë, qesh i detyruar ta ndërpres leximin në gjysmë, përndryshe do ta kisha lexuar të tërë rrëfimin me një frymë. Çdo detaj narrativ të detyronte t’mos ndaleshe në lexim, meqë të pushtonte në shpirt për nga përmbajtja, për nga fjalëndërtimi aq i mrekullueshëm rrëfimor. Thjeshtë, ky roman ishte një nga librat më sublim e më të shenjtë romanor që do kem lexuar në jetë. Aryset do t’i spjegoj pak më hollësisht në ditët në vijim, meqë tani nuk mundem për shkak të emocioneve të thella tronditëse që mora fill pas përfundimit të leximit. Tani po e them vetëm shkurtimisht mbresën time:
Në jetë timen kam lexuar shumë romane, por ama “DY VDEKJET E NJË JETE” është romani i vetëm që gjatë leximit, veçanërisht 50 faqet e tij të fundit më kanë tronditur thellë në shpirt, më kanë rrëqethur lëkurën e trupit dhe më kanë shtyrë të qaj me dënesë tamam si një fëmijë…Veçanërisht, bisedat në mes Astritit dhe Dafinës kur vizitojnë varrin e Astritit, i shpallur i vdekur si hero i luftës së Kosharës qysh vitin 1999, ekspozita e pikturave të tij në Galerinë e Arteve në Prishtinë, kur ai shumën e mbledhur prej mbi dhjetë mijë eurove ua dedikon fëmijëve të familjeve të dëshmorëve, si dhe krejt në fund biseda sublime dhe e shenjtë me dashnoren e tij të përjetshme, Valberën, kur Astriti gjendej në prag të vdekjes i shtrirë në spitalin e Prishtinës fill pas aksidentit të rëndë që pësoi në komunikacion … Emaneti i tij i shenjtë… Ah, ky emanet i tij testamental për Valberën e dashur, emaneti i tij për Burimin, si dhe betimi i shenjtë i Valberës përballë tij për një besnikëri dashurore deri dhe në botën e përtejme, në amshim, seç më rrëmbyen zemrën ! Pikërisht këtu kam përjetuar momentet më unike emocionale në jetë…
Së këndejmi, ky roman, për mendim timin, ia tejkalon romaneve dashurore që i kam pas lexuar qysh si gjimnazist, si, fjala bie: “Lulja e kujtimit” të Foqion Postolit, “Gremina e dashurisë ” të Mustafa Greblleshit, “Nga jeta në jetë pse ” të Sterjo Spases, “Talati me Fitneten” të Sami Frashërit, “Jeta e një maturanti” të Xhemil Dodës etj. Jam i këtij mendimi për arsye se dashuria te romani i Fatmir Halimit kap majat më të paimagjinueshme të sublimitetit, fisnikërisë dhe shenjtërisë, duke kulmuar kësisoji në stadiumin e përjetësisë, ku treten limitet-përkufizimet e kohës dhe hapësirës. Pra, dashuria më sublime e më idilike në mes të kryepersonazhëve të romanit “Dy vdekjet e një jete”, Astririt dhe Valberës, është romanca e dy të dashuruarve të përjetshëm, që eklipson çdo kufi e barrierë të përkohësisë dhe joidealitetit, si imanencë, respektivisht, si komponent inherent i botës relative… Mandej, dorën në zemër, te ky roman shfaqet më së miri dhe dashuria kulminante ndaj Kombit dhe Atdheut, duke marrë kështu dhe tiparet e një libri dokumentar, si p.sh.: përkushtimi, puna dhe sakrificat e shumta të shqiptarëve për çështjen tonë kombëtare; rezistenca paqësore dhe lufta guerile pothuaj njëdekadëshe e shqiptarëve kundër regjimit serbo-çetnik; trimëria, lufta dhe heroizmi i bijave dhe bijve më të fisëm të kombit – të cilët u rreshtuan në radhët e UÇK-së për të luftuar okupatorin; dhuna, masakrat, gjenocidi, kulturocidi, urbicidi dhe kalvari e deportimi i mbi një milion shqiptarëve nga trojet e tyre etnike; çlirimi i atdheut nga hordhitë sllavo-shkinore; kthimi masovik në atdhe i shqiptarëve të deportuar; mbrothësia, arsimi dhe shtet-ndërtimi kombëtar etj. Të gjitha këto elemente i japin një peshë akoma më të fuqishme domethënëse këtij romani.
Për më tepër, do jem i detyruar ta lexoj së dyti herë këtë roman, për t’a shijuar akoma më fuqishëm të tërë narracionin domethënës, veçanërisht atë letrën e Astritit dedikuar dashnores së tij, Valberës, të cilën ai e shkruan i gjendur largë saj në mërgim. Letër kjo ku ai shpërfaq me një gjuhë të rrallë fantazinë dhe emocionet e tij më magjike dashurore prej artisti, piktori e skulptori brilant. Qenia e personazhit të dashuruar reinkarnohet artistikisht në skulpturë (“trupi i vdekur shpirtëzohet”), edhe atë në tërë bukurinë dhe madhështinë e saj fascinante, me të cilën dashnori monologon imagjinativisht ndër vite largë në tokë të huaj si mërgimtar…
Po e publikoj me këtë rast, meqë më mahniti skajshëm:
“Në errësirën dhe heshtjen e shurdhët që mbretëron në pamjet konkave dhe konvekse të skulpturës, kërkoj dukshmërinë tënde, Valberë, edhe pse e di që ti nuk gjendesh në atelienë time të vogël, ku qëndrojnë trupat e skulpturave të derdhura në bronz, të gdhendura në dru e gur dhe pikturat e punuara në pëlhurë e mbi tavolinë fotografia jonë e bërë gjatë shëtitjes në periferinë e Gërmisë antike. Valberë, të pata thënë se skulpturës, përveç gdhendjes në pamjen ballore, anësore e të prapme, më duhet t’i jap frymë, shpirt se vetëm atëherë do ta mbijetojë monstrumitetin e kohës. Ti qeshje me zë kumbues nga pamundësia që unë këtë trup të vdekur ta shpirtëzoja. Tash që si pamje fizike më mungon, mundohem ta bëj qenësimin tënd në këtë trup-figurë. Më kujtohet kur të thash se dashurinë për ta mbajtur gjallë, duhet ta sfidojmë në latimet më të stërholluara të jetës. Ti prapë qeshje, e unë inatosesha nga kakarismat e qeshjes sate dhe mendoja se nuk po i merrje seriozisht gjërat që po t’i thosha. Eh, sikur ta shihja e ta dëgjoja edhe njëherë atë qeshjen tënde! Por kur të lexova poezinë, besove në abstraksionin e ndërtimit të gjërave dhe e ndjeve poezinë, se thuhej diçka për ty, diçka konkrete që kishte të bënte vetëm me ty, atëherë më kuptove se unë të dua. Ti heshte, ule kokën që në heshtje ta pranosh dashurinë. Valberë, ndoshta gjindesh shumë larg nga unë, por të ndjej shumë afër dhe të dua si dikur, edhe tash njësoj…”

Shperndaje ne
Updated: 12 Shkurt, 2018 — 23:37

The Author

Zekerija Idrizi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Bashkimi i Shqipërisë © 2014 Bashkimi i Shqiperise
Show Buttons
Hide Buttons