Fahri Dahri: LETËR E HAPUR, Ditmir Bushatit, Ministër për Europën dhe Punët e Jashtëme TIRANË

LETËR E HAPUR, 

1. Ditmir Bushati, 

Ministër për Europën dhe Punët e Jashtëme 

TIRANË 

  1. Ministër! 

Përshëndetje dhe suksese në detyrën tuaj. 

Janë plot 74 vite që banorët shqiptarë të rajonit të Çamërisë, nën veprimet masakruese që kreu shteti Grek, u dëbuan dhunshëm nga vendi i tyre autokton. 

Janë plot 74 vite që pala greke nuk ka reflektuar dhe as pranon të diskutohen problemet çnjerëzore që ata i kanë shkaktuar banorëve të atij rajoni, ku është zhvilluar jeta e tyre brez pas brezi që nga lashtësia.  

          Shteti Grek, pa mundur për të justifikuar arrogancën ekstreme ndaj një pakice etnike dhe fetare ndryshe nga ajo e ortodoksisë greke, krahas shpifjeve, mashtrimeve që ka përdorur dhe përdor kundër tyre, është mbërthyer prej shtatë dekadash me frikën e përgjegjësisë penale dhe civile për krimet ndaj njerëzimit. Fakt ky që e detyron të mbahet fort tek slogani bajat “Çështja Çame nuk ekziston”. 

Nuk do ndalem tek historia se si kanë qenë marrëdhëniet mes shtetit Grek dhe pakicës etnike shqiptare në Çamëri, sepse nuk është ky qëllimi i kësaj letre. Do të përqëndrohem tek modeli i mundshëm për të siguruar një arritje të drejtë, të pastër, të parevokueshme dhe përfundimtare të përcaktimit të së drejtës së njeriut në përputhje me Konventat dhe Ligjet Ndërkombëtare. 

  1. Ministër! 

Kemi hyrë në vitin e 74 -të të masakrave greke ndaj banorëve të Çamërisë. Një realitet i hidhur që kullon gjak, një realitet që është në të kundërtën e përpjekjeve europiane dhe botërore për bashkëekzistencë, bashkëpunim, zhvillim dhe ruajtje të marrëdhënieve miqësore me fqinjët, mbi parimet e barazisë reciproke. Shqipëria ka bërë sa ka mundur për ti respektuar këto parime, në rastin konkret me fqinjin grek. Krejt ndryshe ka ndodhur dhe ndodh sjellja e fqinjit grek me shtetin Shqiptar, popullin, me emigrantët dhe pakicat etnike shqiptare në Greqi. Nuk është vendi për ti trajtuar, sepse të gjitha dihen nga Ju, sigurisht që po, nga banori më i thjeshtë shqiptar por dhe nga populli grek. 

U deshën 74 vjet që të zgjohet shteti shqiptar për të plotësuar detyrimet e tij kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të pakicave etnike, në rastin konkret të zgjidhjes së problemit të banorëve të etnisë shqiptare të rajonit të Çamërisë.   

Ky moment historik erdhi në kohën e qeverisjeve të majta, me kryeministrat z. Edi Rama dhe z. Aleksis Tsipras, ku dy qeveritë morën nismën e uljes në tryezë pune, ku në krye jeni Ju, i nderuar Ministër, për të realizuar marrëveshjen e shumëpritur në zgjidhje të problemeve të krijuara nga e kaluara.  

Trysnitë, urrejtjet bajate, frika nga e vërteta, me sa po duket, po fitojnë terren edhe në këto bisedime, ku del në plan të parë kërkesa e palës greke që “Çështja Çame” të mos jetë pjesë përbërëse e marrëveshjes dypalëshe dhe edhe më absurde, të shuhen nga çdo shkrim fjalët “Çamëri” dhe “Çështja Çame”. 

Personalisht, si bir i lindur në atë rajon dhe i ikur në vitin 1944 me familjen dhe gjithë banorët e atij rajoni, kërkesa e palës greke nuk më ngacmon në asgjë. Kjo sepse këmbëngulja refraktare e palës greke ndaj kësaj çështje është sa e vjetër dhe e re.  

Përpara kësaj këmbëngulje abstrakte dhe të vazhdueshme, pala jonë (shqiptare), në konceptin tim, nuk duhet të çoroditet, por të vazhdojë negociatat hap pas hapi për të gjitha “çmënduritë” e krijuara nga pala greke gjatë këtyre 105 viteve ndaj shtetit dhe kombit Shqiptar. 

          Problemi që lidhet me “Çështjen Çame”,  i cili frikson dhe tmerron segmente shtetërore, kishtare, disa parti politike, organizata shoqërore, apo dhe individë, brenda dhe jashtë shtetit Grek, bazuar edhe në deklarimet e bëra, rezulton të mbetet jashtë marrëveshjes dypalëshe. 

Pikërisht, duke u bazuar në ecuritë e deritashme, personalisht propozoj që pala shqiptare e ka të drejtën të shprehet në marrëveshjen e mundshme në mbrojtje të të drejtave të pakicës etnike shqiptare (si për çamët e krishterë dhe ata myslimanë).  

Nuk do komentoj modelet e përdorura në këtë proces për sudetët dhe istrianët nga shtetet e Kroacisë, Italisë, Gjermanisë dhe Çekosllovakisë, sepse ka diferenca të mëdha.  

Për rastin e “Çështjes Çame”, kërkohet që BE të detyrojë në mënyrë të ndërsjelltë dhe me barazi tek të dy palët në konfliktet shumëvjeçare (Shqipëri dhe Greqi), për të realizuar me marrëveshje zgjidhjen edhe të “Çështjes Çame”. 

Nëse edhe pas kësaj përpjekje shteti Grek do të vazhdojë me kryeneçësi tek slogani i “mos ekzistencës”; atëhere me anën e ”Letrës së hapur”, me të drejtën e amanetit të viktimave të gjenocidit grek ndaj tyre, propozoj modelin për zgjidhjen e “Çështjes Çame” si më poshtë: 

Është e drejta dhe detyrimi kushtetues që Qeveria shqiptare të kërkojë sesion të veçantë në Kuvendin e Shqipërisë, për të dëgjuar realitetet tragjike që shteti Grek ka përdorur ndaj banorëve të etnisë shqiptare në rajonin e tyre autokton të Çamërisë, nga viti 1913 deri në vitin 1945.  

Mbi bazën e dëgjesës, Kuvendi i Shqipërisë sipas rregullave, të kërkojë bashkëpunim me BE-në për ngritjen e një komisioni me ekspertë të paanshëm për të studjuar dhe hetuar problemin e “Çështjes Çame”.  

Në përfundim, arritjet dhe konkluzionet përkatëse të dërgohen së bashku me Akt-akuzën në Gjykatën Europiane të Hagës.  

●●●

Nuk është zgjidhje, modeli i mos zgjidhjes, sipas këmbënguljes së parimit nihilist “Ekzistenca, nuk ekziston”.  

Modeli i mos zgjidhjes dhe i lënies mbas dore, është e sigurtë që veçse lë gozhdën e “Nastradinit” për të krijuar në vazhdimësi ankthe dhe armiqësira mes dy popujve, të cilat kohë mbas kohe, historia na tregon se kanë krijuar situata përplasjesh dramatike.  

Me respekt dhe sinqeritet nga një ish fëmijë i larguar nga shtëpia e tij në vitin 1944. Sot një i moshuar, por me plot dashuri dhe dhimshuri për njerëzit dhe vendin e të parëve. 

         Itali, më 03 prill 2018 

                                                          Sinqerisht Fahri Dahri  

  

Shperndaje ne
Postuar: 14 Prill, 2018 — 17:59

The Author

Fahri Dahri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Bashkimi i Shqipërisë © 2014 Bashkimi i Shqiperise
Show Buttons
Hide Buttons