Shqipja dhe fjala e Zotit

Karbunara_feja01

behar_gjokaShkruan: Behar Gjoka

Edhe njëherë tjetër, si në gjithë herët e këtyre moteve, në median e shkruar, ndonëse me ca fanfara të shtuara, rindizet debati për dobinë e ligjërimit të gjuhës shqipe në ceremonitë fetare. Mesha e radhës e besimtarëve ortodokës, në kryeqytetin e Shqipërisë, si në jo pak herë, përsëri u mbajt në greqisht. Kjo e ngjarë e zakonshme nëpër këto vite, solli reagime të ndryshme, të cilat është e vështirë të kuptosh, se ishin serioze, apo të radhës, thjesht sa për të pohur një të vërtet që ngjet ditën për diell. Ngase ligjëruesit e gjuhës shqipe janë të shumtë, në debatin e radhës, mbi meshën e mbajtur nga Kryepeshkopit i Kishës Ortodokse, z. Anastas Janullatos, në greqisht, u përfshin të gjithë, siç shkruhet në media, ateistë si Ben Blushi apo Moikom Zeqo, që para së gjithash janë shkrimtar, ndërkohë që u përfshin përfaqësues të klerit dhe njerëz të medias.

E të gjithë këta, nga sa është përcjellur në media, së paku në ligjëratat e hedhura, i përbashkon gjuha shqipe, që me shumë gjasa shënon limfën përbashkuese, që nuk e levizën nga vendi shekujt dhe sundimtarët që kaluan këtyre trojeve. Njerëzit e Perëndisë dhe njerëzit e letrave, përveç përbashkësimit në ligjërimin e gjuhës shqipe, në komunikimin e vetë me qenien, pra edhe me qenien shqiptare, kanë edhe një cilësi tjetër të përbashkët, pavarësisht dallimeve të ndërmjetme, që bartin në aktet e tyre. Njerëzit e Perëndisë dhe ato të letrave, në kuptimin real dhe simbolik, janë engjëjt mbrojtës të shpirtit dhe shpirtërores. Nëse njerëzia e Perëndisë, bazuar në doktrina të shkruara në librat e shenjtë, pavarësisht besimit dhe ngjyresave, madje këtu duhet të përfshihet edhe përkujdesja unike për të ruajtur bashkëjetësën fetare të shqiptarëve, të gjendur në këtë spektër ndërfetar besimesh, veprimtarinë e tyre e kanë të normativizuar. Ndërkaq, njerëzit e letrave dhe të artit, janë kultivues dhe përhapës të vlerave shpirtërore, ndonëse gjithnjë në lëvizje dinamike, varësisht rrjedhave të lulëzimit të artit e letërsisë.

Megjithatë, vihet re se spektri rrezatues i shpirtërores, është sa i ngjashëm dhe po kaq i ndryshëm, i besimit të bazuar në librat e shenjtë dhe të artit, që lidhet me librat letrar, vetvetiu sjellë ndryshueshmërinë e përjetimit emocional, po jo përplasjen dhe betejën e ashpër në media dhe më gjerë. Jo vetëm tani, por edhe më herët, nga një shkujdesje e habitshme, këto dy vlera, dy binar të shtegtimit të qenies në gjurmim të shpirtit dhe të vlerave shpirtërore, kanë ngjarë që për interesa të tjerë, jashtë vlerave shpirtërore, që përçojnë këto dy vatra, pra shpirtërorja fetare dhe letrare, të përplasen, madje të vihen në garën e ndëshkimit të shoshoqshëm, se kush qenka fajtori më i madh. Tani që reaguan shkrimtarët, për arsyen se nuk meshohet në gjuhën shqipe, dhe kjo qenka e tepërt, siç po flitet nga përfaqësues të kishës apo njerëz afër saj, se punët e kishës qenkan të ndara, e shkrimtarët dhe artistët duhet të shohin punët e tyre. Po kur kisha ndërhyn në punët e artit dhe letërsisë çfarë mundet të thuhet? Sa për të freskuar kujtesën, para disa vitesh pati një reagim të ashpër të Kishës Ortodokse, ndaj filmit të Etmond Budinës, ndonëse skenarin e “shkruajtën” ata që bën zhvarrimet në Kosinë. Nuk besoj se iku pa lënë gjurmë, ndërhyrja e kishës pranë teatrit të Korçës, për ndërprejen e shfaqjes së dramës së Namik Dokles. Pra, në kuptimin e reagimit, në fakt ka nga të gjitha anët, pra edhe nga kisha, e cila vend e pa vend, hedh ide mbi artin. Pra, në punët e shpirtërores, të kishës dhe artit, nuk kanë një kufi të prerë si me thikë, madje më shumë ajo është një hapësirë e pikëtakimit, e cila nuk ka gjasa që të përjetohet vetëm si pika ndarje, ose më liksht, si vënie e kufirit te thana, përkundrazi fryma dhe atmosfera e bashkësimit, është me e madhe dhe me thelbore.

Përvoja shqiptare, në lidhje me vlerat shpirtërore, fetare dhe letrare, ka një situatë unike, ku bariu i grigjës, ka qenë edhe flakadan i gjuhës shqipe. Mjaft të kujtosh Buzukun, Matrëngën, Budin, që në poezinë e tij, përçon edhe këtë mesazh, që bart universalitetin diversitetit të gjuhëve: “Ndë e vonë qysh andeij/Shpirtinë shint dërgoij/Përmbi ta fort shkëlqej,/Gjithë gjuhutë ua mësoij…”, sepse secila është e barazvlertë për të përcjellur gjuhën e Perëndisë. Për të vijuar me Bardhin, Bogdanin, Kazazin, Fishtën dhe deri te Noli, ati shpirtëror i Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Prandaj, kush nuk flet shqip, na këndon këngën e harrimit të Zotit. Fjala e Zotit, pavarësisht besimit, vështirësisë për të përcjellur doktrinën fetare, duhet të vijë në shqipen e bukur, me gjuhën e nënës. Shqip te flas prifti e hoxha. Shqip për katolikët, shqip për ortodoksitë, shqip për myslimanët… As greqisht, as arabisht, as italisht e as turqisht… Shqip dhe vetëm shqip, mundet me zbukuru shpirtin dhe me përjetu shpirtërisht fjalën e Tenzotit…

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.