Letërsi Kombëtare: Rrustem Geci- “NJË MOLLË LUNDRON MBI VARRE”

rrustemi_loti_shpernguljes

( Grykën e Bosforit, pyeteni
s´e flet; gjysma është lot,
dhe gjysma është det!..)

Një mollë e kuqe lundron mbi varre
Dhe kërkon të vdekurit e mëdhenj
Të gjallët m´i mori shpërngulja, të
Vdekurit në varre m´i mori armiku
Loti i jetës është lot shumë i thellë
Loti i pemës është dhimbja e tokës
Shpërngulja vritka më shumë, s´e të
Pushkatuarit në një fushë të betejës
Mollë e kuqe që lundron mbi varre
Ti udhën kah shtëpia mos e harro
Kthehu t´ia kthesh tokës gjelbërimin
Këtu i ke gjyshërit dhe stërgjyshërit
Shplomi vuajtjet o Shqipëria ime
Shihmi plagët sa janë mbi mua
Askujt mos i raftë të shpërngulet
fëmiun në prehër serbët ma therën!..

2
—————————————
Re të luftës,.. dallgë dhe stuhi
S´na u hoqën kurrë mbi qepallë
Më të fortë qemë se vetë Sparta
Natën mbi Trojën nuk di ta falë
Dielli mbi Shqipëri s´shuhet kurrë
Kjo është e thënë mbi të bardhë
Roma Çezarit, Nata e Osmanlliut
Ilirinë e dogjën me hekur dhe zjarr
Me një Konventë të vitit 1937
Midis Qeverisë Serbe dhe Turke
Mbi 1 mijë fshatra të Mollës së kuqe
Shpërngulja i zhbëri krejt të huaj
( I huaji në dhe të huaj, as varr
nuk ka, ligjet e shtetit të huaj
Edhe për varre lypin qëra!.. )

3
————————————-
Por, krajla, mbretër, e perandor
që kurrë s´i patëm kurrë asgjë
ata neve na e gatuan kalvarin
Shpërnguljen që vritka edhe vdekjen
Pyesin nënat, baballarët, varret e
Harruara të të shpërngulurve
përse asnjë nga fqinjët tanë
kurrë për asnjë krim s´u dënuan
Evropë, të thëçin e qytetëruar
ç´ështjen e tokave të pushtuara
dhe gjenocidin mbi shqiptarët
në asnjë tavolinë kurrë s´e shtruan!..
( Gjuha që s´shkruhet, humbet
dhe tretë, gjuha që s´shkruar
as varri s´e flet! )
Kosovë, lexo shekullin e 20-të
dhe 5 qind vjet nën Turqi, me
shkruar i kemi, 200 kryengritje
Dhe mbi 1 qind lufta të tjera

4
————————————-
Udha për në Selanik me qerre
qe një tragjedi për atdheun
një përgjakje e papërshkruar
dhe një shkretim i njeriut tonë
I përndjekuri, Amir Kosova
pjesëmarrës i (tre) luftërave
me lot në sy më monologon;
si t´ia fshij gjakun plagës, dhe
si t´ia fshijë plagën zemrës
në çdo pjesë timen jam i plagosur
Në çastin kur neve më dëbuan
tregon miku ynë i shpërngulur
putha pragun e shtëpisë sime
mora një qese me dhé e qava!..
Shqiptarë të të gjtha trojeve
deri kur gjëmë e shpërnguljes
do t´i zbrazë tokat tona me ne
duke mos lënë prapa asgjë
As gjysh, as gjyshe, as fëmijë!..

5
————————————
Në ato vite të shpërnguljes
Stambolli ishte një vetvrasje
ku “vetëdorzohej” identiteti
gjëja më e çmuar e njeriut!
Në Bashkinë e Stambollit
në zyrat e tyre për të huajt
tek po prisja në korridor
të merrja kombësinë turke
në radhët me ne, ishte një
Vajzë bjonde, vjeç 14 , nga
Keçekolla e Prishtinës, serbët
vajzës ia kishin vra 52 anëtar
të familjes; vëllëzërit, xhajat
ndërsa vajza kishte shpëtuar
duke u futur në kashtë të plemes
Për të mos dëgjuar gjëmën e
pushkatimeve të xhelatëve serb
Dorëzimi i identitetit kombëtar
Bërtiste Hanifeja në Bashki
Qenka më i rëndë se gjithçka
Më i rëndë s´e vrasjet në luftë!
Në këtë dhé krejt të huaj
gjuhës unë i kërkoj ndihmë
fjalët t´ia pastrojmë çdo ditë
me gjuhën,.të mos harroheni!..
6
——————————–
Xhaxha, daja, e kushërinj
unë nuk bëhem turke, as
sllave, dhe as anadollake
Ç´janë këta regjistra turpi
dua të kthehem në Kosovë
te varri i mamit dhe babit
te varri i 3 vëllëzërve të mi
Më ktheni tek Mollat lale
te varret e 49 kushurinjve
o e gjallë s´ndërroj komb!..
Daja, dhe ju njerëz të mirë
dua diellin e fshatit tim
mëngjesin e kopshtit tim
më leni të kthehem n´atdhé;
te livadhet me fytyrë bari
te malet me fytyrë lisash
te krojet me fytyrë qielli
dhe te bjeshkët me dele
atje dua të bëhem nënë
dhe të lindi shumë fëmijë!..
O më të dashurit e shpirtit
Gjergj, Aleks , Trëndëlinë
dhe juve që s´po ju njoh
gjuamëni me gurët tuaj
Se unë biri juaj, Azgani

7
———————————-
do të duhej të isha me ju
të jepja dhe unë pak gjak
nga ( gjaku ) i trupit tim!..
Në këtë dhé krejt të huaj
mall kam për gjithçka tuajen
rrallë zgjohem i hareshëm
mëndja më vete vetëm tek ju
Në varrezat e Stambollit
prehen me mijëra shqiptarë
thonë se vdiqën në këmbë
me mall dhe sy kah Kosova
Tragjedinë e shpërnguljes
e kam përjetuar në Selanik
në një anije të vjetër greke
që transportonte shqiptarët
për në humbje dhe harrim
Në ato vite të shpërnguljes
me sytë e mi e kam parë
një grua nga rrethi Gjilanit
pasi e gjuan djalin nga anija
edhe ajo pas hidhet në det!..

8
————————————-
Të dëbuarit çamë nga Çamëria
me mund e bëmë këtë jetë
i këputur, i degëtisur, i huaj
shpërngulja çdo ditë më vret
Kosovën një jetë se kam parë
Tiranën çdo natë e ëndërroj
lexuar kam mjaft për atdheun
për fushat, malet dhe detin
Me mall për atdheun po vdes
moshë më s´ më ka mbetur
veshët më ushtojnë shumë
e shoh se jam i përmalluar
Tokë e florinjtë është Çamëria
tronditëse është ëndrra e çamit
kur trapi mbi valë dremitet
dhe çami me çamen puthen!..
Mosha s´më lë të kapi largësi
fëmijët po na i përtëritin emrat
për ju që e kuptoni këputjen
degën e thyer edhe era e than!..

9
————————————–
Atdhé, o i shtrenjti im atdhé
Nxirre këngën që ti vetë e di
Na lësho një za prej atje, të
mos vdesim të huaj e të pa liri
I huaji në dhe të huaj, as varr
nuk ka, ligjet e shtetit të huaj
Edhe për varre lypin qëra!..
O vëlla i gjakut tim, o zemër
jam lindur ku rritet rrushi
jam lindur ku piqet molla
kam gjakun e dheut të atdheut
aty ku i njoh dhe më njohin!..
Atdheu nis tek zemra, tek
gjuha, flamuri, se në dhé të
huaj, ndërron emrin dhe guri!..
Në jetën e të shpërngulurit
i shpërnguluri vuan çdo ditë
për të siguruar një gropë varri
Dhe një ëndërr për atdheun!..

10
——————————————
Shploma dhimbjen Shqipëria ime
shkruajnë nënat e shpërngulura
dhe të rënët e Mollës së kuqe
fjalorër e kujtesës dhe identitetit!
Të gjallë të atdheut! Na bëni një
gur varri, na kujtoni me shkronja
se s´ mjafton një pemë tek varri
duami një ditë të përkujtimit
shkruajnë nënave e shpërngulura!
Shqipëri, trashëgimtare e pellazgëve
thërret, zëri i Nënave të Kosovës
zërin i nënave të Ohrit, të Prespes
zëri i nënave të Kumanovës dhe
Tetovës, zëri i nënave të Shkupit
dhe të Preshevës, zëri i Medvegjes
çasti është të lëvizim kah bashkimi
për të mbajtë në gji, trojet tona
Maqedonin, Mollën, dhe Çamërinë!
Atdhe, Pse kjo hënë kaq e ligë?
dhe kjo tokë e jona kaq e ngrënë!?
qanë Molla që lundron mbi varre
Shpërngulja vritka më shumë s´e
vdekja!..

11
—————————————
Atdhe, dhimbja ime e pashpluar
shpërngulja qenka hataja vetë
shkulka familje, qytete e krahina
Zogu im, falma fluturimin tënd
pa dheun tem vaji më del i huaj!..
( Grykën e Bosforit, pyeteni
s´e flet; gjysma është lot,
dhe gjysma është det!..)

Kjo luftë e ky mundim, do
të sjellë një ditë të bardhë
edhe sikur koha të zbres
në zero, shqiptarët do të
jenë një, dhe të bashkuar!.

Rrustem-Geci

Rrustem Geci,
Stamboll, prill,1993

 

Shperndaje ne
Updated: 1 Shkurt, 2016 — 08:13

The Author

Atdhe Geci

Rrustem Geci është një poet i njohur. Ai u lind në Roganë të Dardanës. Mësimet e para i bëri në vendlindje, kurse shkollën e mesme e kreu në Gjilan dhe Dardanë. Rrusta u kulturua më tej në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik. Rrustem Geci 15 vjet ishte gazetar, në Radio Televizionin e Prishtinës. Ndërsa pas mbylljes së RTP-së nga regjimi fashistoid serbian ai mërgon në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton e vepron. Deri më tash ka shkruar dhe botuar 17 vepra; 1. “Demonstratat e luleve”, 2. “Antolologjia personale" 3. “Jeta në Letër”, 4. ”Mielli dhe uji”, 5. “Lirikë”, 6. “Dridhjet e barit”, 7. “Atdheu”, 8. ”Erdhëna”, 9. “Arbëreshët”, 10. “Shqipëria”, 11. “Trojet e mia” , 12. “Rogana”, 13. “Heroika”, 14. “Gacat e prushit”, 15. “Atdhetarët”, 16. “Pasha këtë tokë”, 17. “Kanuni poetik”, libri më i vëllimshëm në gjuhën shqipe me poezi, 2 mijë faqe, dhe mbi 23 mijë vargje. Motivet në poezinë e Gecit janë motive të zemrës dhe të shpirtit. Shndërrimi i jetës së jetuar në tekst poetik, është natyrshmëria e të qenit poet. Poezia përfiton shumë nga e bukura, nga dashuria. Rrustem Geci është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prej vitit 1995, dhe është i përfaqësuar në gjashtë Antologji me poezi, dhe në një Antologji për gazetari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.