HAPJA E SHKOLLAVE POPULLORE KATËRVJEÇARE SERBE MË 1928 DHE SYNIMI ANTISHQIPTAR I TYRE

1979_shkolla_shqipe

prof_Zymer Mehani

Shkruan Prof. Zymer Mehani

(Shkëputur nga libri im “Shkollat dhe arsimi në Halabak, në Tërrnavë dhe në Bellopojë (1900-2010), Prishtinë, 2010)
Pas fushatës së mbylljes së shkollave shqipe në Kosovë, Ministria e Arsimit e Mbretërisë SKS i hapi shkollat serbe. Këto shkolla së pari u hapën në vendbanime të populluara me serbë e malazezë, për të vazhduar më pas me hapjen e tyre edhe në ato mjedise, ku popullata ishte e përzier dhe shumë rrallë në ndonjë vendbanim a lokalitet të banuar vetëm me shqiptarë.
Hapja e shkollave serbe nga okupatori bëhej me qëllime antishqiptare. Ato pikësëpari nxitnin kolonizimin e viseve shqiptare me kolonë serbë dhe në një mënyrë tentonin të pengonin hapjen e shkollave private, siç ishin mejtepet dhe medresetë.

SHKOLLA POPULLORE KATËRVJEÇARE SERBE E HALABAKUT

Kolonistët serbë, me ndërhyrjen e Ministrisë së Arsimit të Mbretërisë SKS, në lokalet e Mejtepit të Halabakut, i cili funksionoi deri më 1928, e hapën Shkollën Popullore Katërvjeçare Serbe (1928), sepse tani edhe këtu ishin vendosur disa familje koloniste serbe e malazeze. Në këtë shkollë veprimtarinë edukativo-arsimore e zhvilloi mësuesi Vitomir Heqimoviq. Ky ishte mësuesi i dytë dhe i fundit në këtë shkollë serbe. Fshatarët e dinë se para Heqimoviqit kishte punuar edhe një mësues tjetër, të cilit ia kanë harruar emrin.
Zakonisht numri i nxënësve në shkollën serbe të Halabakut ishte mjaft i vogël, nga shkaku se familjet koloniste s’kishin shumë fëmijë. Nëpër klasa kishte 7-8 nxënës. Më vonë numri i nxënësve do të rritej, sepse në këtë shkollë do të regjistrohej edhe një numër i nxënësve shqiptarë.
Në këtë shkollë prej nxënësve shqiptarë mësimet i ndoqën Fejzë Maloku, Sejdi Maloku, Brahim Kosumi, Hasan Kosumi e të tjerë.1)
Mësimi fetar pas vitit 1928 nisi të zhvillohej nëpër oda, kurse gjatë okupimit fashist (1941) mejtepi i bërë shkollë serbe, nisi të funksionojë si shkollë me mësim në gjuhën shqipe.

SHKOLLA POPULLORE KATËRVJEÇARE SERBE E TËRRNAVËS

Si edhe në fshatrat e tjera të Llapit, edhe në fshatin Tërrnavë pas Luftërave Ballkanike (1912-13), e sidomos pas formimit të Mbretërisë Serbo – Kroate – Sllovene (1918), u vendosën familje serbe e malazeze.1) Edhe në Tërrnavë më 1928 u hap Shkolla Popullore Serbe. Mësuesi serb që kishte shërbyer në këtë shkollë quhej Rade Pauni, i cili më pas ishte bërë edhe kryeplak i Tërrnavës. Mësuesi tjetër i kësaj shkolle kishte qenë Milan Neshoviq. Shkolla popullore serbe e Tërrnavës veprimtarinë e saj e kreu prej vitit 1928 deri më 1941, kur vendi u pushtua nga koalicioni nazifashist. Në këtë shkollë zhvillohej edhe mësim fetar të premteve nga Mulla Sabiti i Sveçlës. Në shkollën popullore serbe të Tërrnavës mësimet i ndiqnin 15 nxënës nga Gërdovci: Qamili, Rizahu, Beqiri, Osmani, Avdyli, Shabani e ndonjë tjetër…2) Gjatë kësaj periudhe numri më i madh i fëmijëve shqiptarë, të moshës shkollore mbeti në shtëpi, kurse një numër shumë i vogël u regjistrua edhe në këtë shkollë serbe. Siç njoftojnë ish nxënësit e kësaj shkolle, ata në çdo aspekt ishin të pabarabartë përkundrejt fëmijëve serbë, të cilët mësimet i zhvillonin në gjuhën e vet. Duhet theksuar se përkundër pabarazisë dhe diskriminimit të nxënësve shqiptarë, në shkollën serbe të Tërrnavës, ata në saje të angazhimit dhe të punës së tyre arrinin suksese të mira, madje në ndonjë rast edhe ua kalonin nxënësve serbë.

SYNIMET E SHKOLLAVE SERBE

Në shkollat serbe, për ta zhvilluar mësimin, pushteti kishte sistemuar njerëz të profileve të ndryshme, si klerikë, ushtarë, xhandarë, nëpunës të administratës, që s’kishin të bënin aspak me profesionin e mësuesisë. Siç u tha edhe më lart, p.sh. në shkollën serbe të Tërrnavës mësues ishte, veç ndonjë tjetri, edhe kryeplaku i këtij fshati!
Edhe shkolla serbe e Tërrnavës veprimtarinë e vet e ushtronte sipas Ligjit mbi shkollat popullore. Këto shkolla ishin nën juridiksionin e Ministrisë së Arsimit, si organ arsimor i tërë territorit të Mbretërisë SKS, prandaj edhe këto institucione shtetërore synonin edukimin dhe arsimimin e fëmijëve në frymën e pushtetit në fuqi, duke pretenduar që nëpërmjet përmbajtjeve të zgjedhura programore të ndikohej në forcimin e unitetit ndërmjet serbëve, kroatëve e sllovenëve. Këto shkolla ishin katërvjeçare dhe pushteti i hapte në ato vendbanime, që kishin së paku 30 fëmijë të moshës shkollore.
Në qoftë se konfiguracioni i terrenit ishte i vështirë, këto shkolla lejoheshin për t’u hapur edhe me 20 nxënës. Në ato vende ku kishte 10-20 fëmijë të moshës shkollore, pushteti
hapte të ashtuquajturat stacione shkollore, apo shkolla ambulanca.
Shkollat dhe sistemin e arsimit i drejtonte Ministria e Arsimit me qendër në Beograd. Ajo kishte organet e veta profesionale, si Këshillin e Arsimit, që merrej me organizim tësistemit shkollor.
Me aprovimin e Ligjit mbi shkollat popullore të dates 5. XII. 1929 nga Parlamenti i Mbretërisë SKS, vërehen kthesa mjaft të mëdha në fushën e shkollave dhe të arsimit. Me këtë ligj shkolla tani cilësohet si shkollë popullore, që duhej të ishte unike për tërë shtetin.
Sipas planprogramit mësimor për shkollën fillore, duke filluar nga klasa e parë e deri në të katërtën në shkollat popullore serbe zhvilloheshin këto lëndë mësimore: mësim besimi (për të gjitha klasët nga 2 orë në javë); serbokroatishtja dhe sllovenishtja (për të gjitha klasët nga 7 orë në javë); fillet e ushtrimit real (në klasën e parë 3 orë në javë, në klasën e dytë 4 orë në javë, kurse klasa e tretë dhe e katërt këtë lëndë nuk e kishin në program për ta zhvilluar); gjeografia ( në klasën e tretë dhe të katërt nga 2 orë në javë); historia e natyrës ( në klasën e tretë 2 orë në javë, kurse në të katërtën 3 orë në javë); histori serbokroate e sllovene (klasa e tretë dhe e katërt nga 4 orë në javë); matematika me gjeometri (për të gjitha klasët nga 4 orë në javë); dituri natyre (klasa e tretë dhe e katërt nga 3 orë në javë); vizatim (për të gjitha klasët nga 1 orë në javë); bukurshkrimi (prej klasës së dytë deri në të katërtën nga 1 orë në javë); puna e dorës (për të gjitha klasët nga 2 orë në javë); kënga (prej klasës së dytë deri në të katërtën nga 1 orë në javë); dhe gjimnastika (për të gjitha klasët nga 4 orë në javë).3)
Lënda e mësim besimit tani me ligjin e aprovuar ishte bërë lëndë e detyrueshme për të gjitha konfesionet fetare. Këtë lëndë e jepnin klerikët ortodoksë dhe myslimanë.

_____________

1) Idriz Rexhepi nga Sharbani mban mend të ketë shkuar të njëjtës rrugë deri te shkolla serbe e Halabakut me ata nxënës që e vijonin atë shkollë, pastaj Idrizi kishte vazhduar rrugën deri në mejtepin e vendosur në shtëpi të Sel Terrnavës. Bashkudhëtarë të Idrizit kishin qenë Sylejmani, Dauti, Hashim Alshiqi, Ali Asllani e ndonjë tjetër. Jashar Rexhepi nga Sharbani i takonte gjeneratës së parë të nxënësve që e ndiqnin mësimin në gjuhën serbe në shkollën e Halabakut.
2) Kosovka Ristiq:”Malo Kosovo”(Antropografska studija), Prishtinë 1971,fq.260
3) Njofton Emin Rakovica, plak 87- vjeçar nga Bellopoja, në intervistën e zhvilluar me të në verë të vitit 2005. Ka vdekur në vjeshtë 2005. Xha Emini mbante mend se shkollën serbe në Terrnavë kishin arritur ta kryenin vetëm Ilazi nga Terrnava, Osmani nga Gerdovci…
Më gjerësisht shih: Abdulla Rr. Vokrri “Shkollat dhe arsimi në anën e Llapit…”,fq.70

Shperndaje ne
Updated: 31 Gusht, 2016 — 16:02

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.