KUMBARI I FLOKËVE

kanuni_puke_1
Nga MELVILLE CHATER
Shkurt 1931.

prof_Zymer Mehani

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Pjetri na shpjegoi se i zoti i shtëpisë ku kishim bujtur ishte Kumbari i tij, që i kishte prerë flokët. Ashtu si ilirët e lashtë edhe malësorët e rruajnë kokën. Në këtë ceremoni, e cila bëhet kur ata mbushin moshën dy vjeç, kumbari sjell gërshërët.
Në rast se fëmija është kristian, e qeth me katër cullufe, duke lënë në kokë formën e kryqit. Në rast se është muhamedan, e qeth me tre cullufe, të cilat formojnë një trekëndësh në kokë të fëmijës. Pas një ore gjendeshim të ulur në shesh së bashku me bajraktarin e fshatit dhe burrat e tij, duke iu përgjigjur pyetjeve këmbëngulëse të tyre dhe duke u ofruar cigare.
Malësorët shqiptarë janë krenarë për origjinën e tyre, racën e tyre. Janë shumë të kujdesshëm dhe të mësuar me idenë e vdekjes. Dukagjinasit kanë një arsye më tepër për të qenë krenarë për origjinën e tyre, pasi nga fisi i tyre lindi ligjvënësi i shquar Lek Dukagjini, kodi i të cilit vlen në gjithë vendin dhe kryesisht në zonën malore të vendit që nga Mesjeta. Me të vërtetë disa studiues mendojnë se Lek Dukagjini risolli në Shqipërinë e Veriut disa ligje e kode të lashta, të cilat mundet të datohen nga fiset e shqiptarëve të lashtësisë. Kodi i pashkruar i Lek Dukagjinit, ose Kanuni, gjendet mbi ligjet e shtetit, por edhe mbi Dhjetë Porositë. Ai mbështetet në Lex Talionis, ose në “kthimin e së drejtës” dhe mbështetet në patriakatin dhe pushtetin e burrit. Sipas tij burri ka të drejta të plotfuqishme mbi gruan, ka të drejtë edhe ta vrasë gruan dhe fëmijët e tij. Përpara njëzet vjetësh një shqiptar malësor mori hak për tradhtinë e gruas duke e vrarë atë me një plumb që ia kishte dhënë vëllai i saj, si provë e miratimit të familjes së gruas për aktin që do të kryente burri.

HAKMARRJA ËSHTË E DETYRUAR
Sado barbare që mundet të na duken këto zakone të lashta, këto kode të malësorëve të Kanunit të Lek Dukagjinit dhe hakmarrja e malësorëve shqiptarë, duhet të kuptojmë se ato lindën si një nevojë e brendshme gjatë periudhës së gjatë të pushtimit turk, për shkak të tolerancës së otomanëve, të cilët nuk arrestonin dhe nuk dënonin asnjë shkelës të ligjeve. Këto fise malësorësh të panënshtruar kanë arritur që të qëndrojnë deri në kohët tona të pavarura, pavarësisht sedrës së të gjithë atyre perandorëve, të cilët i pushtonin gjatë shekujve.
Dhe megjithëse se karakterizimi si konservatorë për këta shënjues të rrallë në pushkë dëgjohet si i çuditshëm , e vërteta është se malësorët jetojnë sipas kodeve të lashta zakonore.
Le të marrim për shembull hakmarrjen, ose vendetën siç quhet në Evropë. Në malësi ajo emërtohet gjakmarrje. Ende edhe sot ai që vonon të paguajë taksën e gjakut, kërcënohet me izolim nga fshati e zona. Nga ana tjetër, në qoftë se dikush vret gjakhupësin kur ai është i shoqëruar nga gruaja ose nga fëmijë, ose edhe gjatë kohës së besës, emri i tij hyn në listën e zezë të njerëzve dhe ai tallet prej të gjithëve. Pas vrasjes personi që e ka kryer atë deklaron se mori gjakun. Në qoftë se e ndjekin mundet të kërkojë ushqim dhe strehim për 24 orë në çfarëdo shtëpie. Pjesëtarët e shtëpisë kanë për detyrë që ta mbrojnë dhe ta shoqërojnë deri në ndonjë vend të sigurt. Përpara disa vjetësh një prift mori gjakun dhe pasi vrau hasmin, ishte ai që kreu shërbimet fetare të të vdekurit.
Kanuni i Lek Dukagjinit zbatohet sipas marrëveshjeve të kryetarëve të fiseve, të cilët janë më të moshuarit. Kjo është njëra nga trajtat më origjinale të gjyqeve të pashkruara. Që të shpallet i pafajshëm një i akuzuar duhet që të bien dakortë të gjithë gjykatësit. Në qoftë se qoftë edhe njëri voton duke e quajtur fajtor të akuzuarin, atëherë zëvendësohet nga dy të tjerë.
Pleqësia nuk mundet të marrë vendim për dënimin me vdekje, as burgosje, por vetëm me vendosje gjobe ose mundet të vendosin që të digjet e gjithë pasuria e të akuzuarit. Për rreth tre ditë zbrisnim në luginën e Shalës. Kishim përshtypjen se na priste një oaz freskie në këtë stinë kaq të nxehtë, ku mbizotëronte kënga e gjinkallave dhe mizat e kuajve. Përpara nesh ecte truproja jonë, e cila përbëhej nga shtatë shaljanë. Pak më vonë shoqëruesit tanë provuan pushkët e tyre duke shtirë në një strehim të vjetër hajdutësh. Dikush nga ata ia mori këngës duke përdorur në vend të gajdes tytën e pushkës. Udhëtarët e vjetër do ta quanin si një gjest të keq këtë lëvizje, por në qoftë se do të dinin fjalët e këngës do të ndryshonin mendim: “U fsheha pas shkëmbit. Vrasësi i vëllait tim kaloi përpara. Plumbi
im fishkëlleu. Borxhi u shlye!”.
Rojtarët tanë kontrollonin pëllëmbë për pëllëmbë vendin ku kalonim. Ku ishin hajdutët, për të cilët kishim dëgjuar aq shumë? Siç na shpjegoi Lulashi, ata ishin hakmarrës të arratisur, ose pjesëtar bandash që sillnin trazira në gjithë Ballkanin.

Shperndaje ne
Updated: 24 Nëntor, 2016 — 21:26

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.