Koha e pushtimit romak

anija_ilire

Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

 

prof_Zymer Mehani

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Në gjysmën e dytë të sh III (232) dhe në gjysmën e parë të sh II (168) p.e.s. Roma arriti t’i nënshtrojë të gjitha mbretëritë e Ilirisë. Në Jug na i shkatërroi mbi 70 qytete, në Veri një qytet istriot arriti ta pushtojë vetëm kur aty s’kish mbetur mënasnjë mbrojtës i gjallë. Mjaftojnë këta 2 shembuj për ta pasur të qartë tragjedinë: Flakë zjarresh që shuhen jo me shkulma uji, por me shkulma gjaku. Por pyetja më e ftohtë që mund të bëjë një shqiptar, nip i dikujt që shpëtoi ndoshta rastësisht pa u shkrumbuar në ata zjarre romakësh para 2 200 vjetësh, është kjo:
Pse nuk e pushtuam ne Italinë, por e pushtuan ata Ilirinë?!
Faji doemos ka qenë dhe mbetet i romakëvet, por gabimi fatal ka qenë pa tjetër i yni. Ne duhej të ishim aq parapritës, aq strategë, sa ata të mos guxonin as të na mësynin, jo më të na shkatërronin në atë farë feje.
Mjaftojnë 2 apo 3 rrënjë kalbëse.
Ashtu si secili prej nesh, në qytetërimin tonë dhe në mbretëritë tona të Antikitetit, është i prirur dhe duhet të jetë i prirur për të njohur atje rrënjët tona ngjallëse, madje për t’u krenuar me to e për t’u mbajtur me dinjitet pas atyre rrënjëve, ashtu secili prej nesh duhet të shikojë, në atë qytetërim tonin dhe në ato mbretëri, edhe rrënjët tona kalbëse. Të mos kish pasur brenda vetes, qoftë 2 apo 3 rrënjë kalbëse, historia jonë nuk do të kish rezultuar me të tillë shkatërrime, siç rezultoi në fundin e Epokës së Vjetër dhe siç do të përsëritej shumë herë në 2000 vjetët që do të pasonin.
Rrënja më kalbëse, më vetasgjësuese, në mbretëritë tona të Antikitetit, ka qenë mospraktikimi, kushtimisht të themi:
SI DUHEJ, i shkrimit në gjuhën ilire. Duke qenë mbretëri, vetëkuptohet që ato mbretëri e kanë pasur një administratë.
Administrata dihet që punon, përveç me gojë, edhe me të shkruar.
Janë mbajtur shënime mbi tregtinë, janë bërë regjistrime tatimpaguesish, janë derdhur monedhat, janë gdhendur emrat e të vdekurvet mbi rrasa varresh. Por ai shkrim, me sa duket, nuk është konsideruar si një veprimtari identifikuese, vetafirmuese edhe në pikëpamje etnike. Prandaj edhe është përdorur, si duket,
në gjuhë të huaja. Nuk është lodhur kush me atë punë. Ose, edhe në qofshin shqetësuar 5 apo 10 njerëz largpamës, 100 të tjerë jo vetëm s’e kanë vrarë mendjen në kahen e duhur, por mund edhe t’i kenë përqeshur individët vizionarë.
Duke qenë pjesë e një të këtillë brumi, edhe vetë mbretërit duket se nuk kanë bërë kujdes lidhur me kultivimin shkrimor të gjuhës vendëse. Të tjerët e kanë lulëzuar dramaturgjinë, e kanë zhvilluar filozofinë, e kanë shkruar historinë, kanë bërë edhe harta gjeografike, kanë mbajtur statistika, në një kohë kur ne, duke qenë çdo i treti ilir një poet i lindur, nuk e kemi shkruar poezinë tonë. Ky është një mjerim i llojit të veçantë.
Një lloj filozofie mbrapshtane: Të shkruash?! E ç’po fiton se po shkruan? A mos po të japin bukë ato miza të hedhura si kokërdhi miu mbi lëkura kecash?! (Kështu duhet t’i kenë ironizuar të parët tanë shkronjat dhe pergamenat.)… (Ose na ikanë asgjësuar ata që janë trembur prej madhështisë sonë, duke shfrytëzuar suksesshëm elementët kastravecorë, trangulorë, të vetë qinies sonë!)
Një tjetër rrënjë kalbëse, e lidhur me të parën, të kalbëzuarit e së cilës ka arritur deri në brezat tanë në formën e një gangrene, ka qenë moskultivimi me vetëdije i patriotizmit. Po kujtojmë këtu një episod që ka të bëjë me njërin prej mbretërvet më të mëdhenj të Antikitetit tonë, me Pirron. Pas asaj fitores me shpirt ndër dhëmbë, e cila i dha edhe famë gjithënjerëzore Pirros tonë, Pirroja u mundua të hyjë në bisedime me romakët. U arrit të sajohej një takim me njërin prej personaliteteve të Romës dhe Pirroja ngarkoi një karvan karrocash me dhurata për romakun, flori, diamante etj., dhe shkoi për bisedime. Mirëpo, fjalët e personalitetit të lartë të Romës ishin këto: Kaloje ushtrinë tënde matanë detit, pastaj m’i jep dhuratat! Sigurisht, kjo nuk dëshmon asgjë për mungesë patriotizmi te Pirroja, por dëshmon m’anë tjetër që romakët e kishin patriotizmin emblemë:
Pa Romën je askushi, me Romën je gjithçka. Që njerëzit tanë nuk e kanë pasur patriotizmin emblemë, dëshmojnë një varg dukurish “të vogla” e të mëdha, që nga ajo që thamë, të mosshkruarit e gjuhës sonë, te sëmundja e mercenarizmit që zotëronte e zotëron në masë tek ne, deri te të mbingarkuarit e popullit të vet nga ana e mbretërvet me taksa të papërballueshme.
Por ne po ndalemi prapë te të shkruarit apo të mosshkruarit e gjuhës vetjake, si shenja më e qartë e të qenit apo të mosqenit patriot. Vetë moskrijimi i shkrimit në gjuhën ilire (ose të mosruajturit), në një kohë kur fqinjët tanë, të ardhur këtu pas nesh, e kanë krijuar dhe e kanë kultivuar shkrimin në gjuhët e tyre, tregon për një mungesë indinjuese të sedrës etnike.
Po shkruaj në gjuhën e tij. Kush po lodhet tash me gjuhën që ai, i huaji, nuk e merr vesh!? Njerëzit tanë i kanë mësuar gati me servilizëm gjuhët e popujvet të tjerë, në një kohë që, si duket, as që u ka shkuar ndërmend t’u kërkojnë të tjerëvet që edhe ata ta mësojnë gjuhën tonë. Kjo është një mungesë patriotizmi krejt lakuriqe. I kemi shkruar edhe emrat tanë ashtu siç i donin ato, gjuhët e huaja. E kjo është një mungesë krejt lakuriqe jo vetëm e patriotizmit, por edhe e dinjitetit më elementar vetjak, personal.
Po sjellim prapë ndërmend një episod të ndodhur po këtu,në hapësirat tona, nja 1 300 a 1 400 vjet më vonë e që lidhet me zhupanin e Sërbisë, Stefan Nemanjën, dhe një tjetër që lidhet me një nga prelatët tanë më të shquar, Fran Bardhin. Stefan Nemanja, në një dokument, një aktmarrëveshje me Republikën e Raguzës,e cila, sipas traditës, ishte e shkruar latinisht, nuk nënshkroi me shkronja latine, as me emër të latinizuar: Stephanus, por nënshkroi me shkronja cirilike dhe me emrin ashtu siç e kishte.
Zhupani i Sërbisë, Stefan Nemanja, ka qenë një popujvrasës dhe një qyteteshkatërrues, qyteteshkrumbues, por këtu gjithkush është i detyruar t’ia heqë kapelen. Fran Bardhi ynë, ndërkaq, patriot i dëshmuar dhe njeri me vlera vërtet të larta morale, e shkruan emrin e vet krejt papërgjegjshmërisht të latinizuar:
Francus Biancus. Kështu i kemi edhe pllakat e varrevet.
Shko në Muzeun arkeologjik të Durrësit, shko në Apolloni, shko në Butrint. Shko sot në varrezat e çamëvet ortodoksë në Pargë apo në Prevezë, i kanë varret greqisht. Shko në Tivar, shqiptarët e Tivarit i gdhendin varret e vet sllavisht. A ka vetëposhtërim më të pakonceptueshëm se të vazhdosh të tallesh me vetëveten edhe pasi të kesh vdekur?!

Shperndaje ne
Updated: 3 Dhjetor, 2016 — 22:54

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.