Historianët: Sakrifica e Jasharajve, kushtrim për popullin

Derguar nga  Xhevat Islami

Baba_me_dy_djemt_legjendat-reja_kombit_2015Legjendat e reja te Kombit

Sakrifica sublime e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij, nga historianët në Kosovë, shihet si një moment kur u bë ndarja e dy epokave.

 

Epokës së rezistencës paqësore dhe e sensibilizimit të çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe fillimi i epokës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rezistencës së armatosur. Epopeja e Jasharajve, sipas historianëve, shënon ngritjen e ndërgjegjes kombëtare për lirinë e popullit të Kosovës dhe njëherësh ishte thirrje e ndërgjegjes së bashkësisë ndërkombëtare, e cila e kishte lënë jashtë agjendave të veta problemin e Kosovës, derisa populli vazhdonte të vuante nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

 

Shtatëmbëdhjetë pas kësaj ngjarje të pashembullt, historianët e cilësojnë sakrificën sublime të Familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, si një heroizëm që i tejkalon përmasat humane, duke u ngritur në piedestalin më të lartë të vetëdijes kombëtare, për të cilën tërë familja u flijua për t’u bërë të pavdekshëm.

 

Historiani, Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë, luftën që zhvilloi Familja Jashari më 5, 6 dhe 7 e sheh si momentin kyç për ngritjen e vetëdijes kombëtare. “Familja Jashari u ngrit si një kushtrim për të gjithë popullin e Kosovës e më gjerë, duke shërbyer si një himn për luftën e tij të shenjtë. Heroizmi i familjes Jashari i tejkalon përmasat humane, duke u ngritur në piedestalin më të lartë të vetëdijes kombëtare, për të cilën tërë familja u flijua për t’u bërë të pavdekshëm”, tha Syla për Radio Kosovën.

 

Kjo betejë e Jasharajve të njohur edhe për përballje të tjera gjatë viteve të ’90 me forcat regjimit serb, solli ndryshime rrënjësore kombëtare në radhë të parë, e pastaj edhe ndryshime ndërkombëtare karshi Kosovës. Historiani Syla përmend faktin që menjëherë pas rënies heroike të familjes Jashari, u aktivizuan mekanizmat ndërkombëtarë, të zgjohet ndërgjegja ndërkombëtare dhe bota t’i kthej sytë nga Kosova, e cila për dekada po vuante nga regjimi i Serbisë, e që kishte arritur kulmin nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, që u cilësua si kasapi i Ballkanit. Në këtë kontekst Syla përmend mbledhjen e Grupit të Kontaktit në Londër më 9 mars, vetëm dy ditë pas rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit dhe familjes së tij.

 

“Kështu me fillimin e luftës çlirimtare, çështja e Kosovës vetëm gjatë një jave, 7 deri më 14 mars do të dominojë në forumet më të larta ndërkombëtare, si në BE, Grupin e Kontaktit, Këshillin e MInistrave të BE-së e forume të tjera, në të cilat u përcaktuan edhe disa zgjidhje për çështjen e Kosovës, megjithëse zgjidhje jot ë kënaqshme. Me një fjalë, ajo që çoi në lëvizje diplomacinë ndërkombëtare ishte lufta e armatosur e UÇK-së, në krye me familjen Jashari”, tha Syla.

 

Si vazhdimësi të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri e pavarësi, e sheh historiani Frashër Demaj luftën heroike të Familjes Jashari në marsin e vitit 1998. Duke qenë që në atë kohë situata kishte eskaluar dhe represioni e dhuna e pushtetit të Millosheviqit po shtohej gjithnjë e më shumë, historian Demaj thotë se Epopeja e Jasharajve, përkatësisht rezistenca e paparë në historisë më të re të Kosovës, bëri që te shqiptarët të kthehet morali dhe të kthehet optimizmi që Serbia i ka ditët e numëruara në Kosovë.

 

“Kjo është ndër epopetë më të mëdha, por jo e vetmja, sepse edhe betejat tjera që ndodhën në Kosovë në mes të UÇK-së dhe forcave serbe e kanë rëndësinë e vetë, por gjithsesi Epopeja e Jsharave është emblemë, e cila edhe shërbeu si pikë referimi edhe zë vend si një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë modern të Kosovë”, thotë Demaj për Radio Kosovën. Demaj thotë më tej se rezistenca e Jasharajve ndikoi pozitivisht në qarqet e diplomacisë ndërkombëtare, por ndikoi pozitivisht edhe në mobilizimin e përgjithshëm. Ai thotë se Epopeja e Jasharajve, shërbeu edhe si mesazh për shtresat e qytetarëve të zakonshëm të nisin protestat në Prishtinë e në vende të tjera, kundër masakrave që forcat ushtarake e policore serbe bën ndaj familjes Jashari e masakra të tjera gjithandej Kosovës, protesta nga të cilat bëhej thirrje për intervenimin e NATO-s dhe largimin e forcave të Millosheviqit.

 

Historiani Demaj thotë se Epopeja e UÇK-së nuk duhet të shihet e ndarë nga rezistenca paqësore. “Epopeja e Jasharajve e bëri prerjen, praktikisht aty përfundoi periudha e politikës paqësore dhe e sensibilitimit të çështjes së Kosovës dhe filloi një epokë e re që në histori do të quhet epoka e UÇK-së. Po gjithsesi edhe periudha e sensibilizimit të Kosovës edhe lufta e jasharajve, nuk duhet të trajtohen si të ndara, por si vazhdimësi e përpjekje e gjithmbarshme e popullit shqiptar për liri e pavarësi nga Serbia. Prandaj po tham se këto ngjarje janë të rëndësishme, sidomos lufta e Jasharajve e cila i mobilizoi të gjitha forcat progresive të cilat u afruan rreth UÇK-së për t’i dhënë në bashkëpunim me NATO-n goditjen e fundit forcave serbe”, tha Demaj.

 

Sakrifica e familjes Jashari, lufta e zhvilluar tri ditë rresht më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, bëri një jehonë të madhe jo vetëm ndër shqiptarë, por jehona e kësaj ngjarje dhe shembulli i sakrificës së një familje të tërë u dëgjua anekënd botës. Po, sa është e prezantuar Epopeja e Familjes Jashari në librat e historisë në Kosovë? Drejtori i Institutit të Historisë, Sabit Syla thotë se kjo epope nuk është sa duhet e prezantuar, sidomos jo në librat shkollorë.

 

“Nëse flasim për libra të shkruar zyrtarë, në të cilët mësojnë fëmijët tanë, padyshim për fat të keq nuk është aq i kënaqshëm zënia vend e Epopesë së lavdishme të UÇK-së. Ndërkaq sa i përket punëve të individëve, studiuesit janë duke u marrë, kemi disa monografi, studime të veçanta që kohëve të fundit kanë filluar të bëhen në këtë drejtim”, shprehet Syla. Por, Frashër Demaj ka një tjetër qasje sa i përket prezantimit të Epopesë së UÇK-së në librat e historisë. Ai thotë se është e pamundur që të gjitha ngjarjet të prezantohet në detaje në librat shkollorë. Demaj, që është bashkautor në disa libra shkollorë të historisë, thotë se nuk duhet të krijohet përceptimi i gabuar se qytetaria e Kosovës, përkatësisht nxënësit, studentët dhe qytetarët e interesuar të mesojnë vetëm nga librat që janë në përdorim zyrtar.

 

“Në tekstet shkollore të historisë zakonisht nuk ka vend për shpjegim dhe trajtim të gjithmbarshëm të ngjarjeve, personaliteteve dhe fenomeneve historike, sepse kjo është e pamundur, për aq sa jepet mundësi. Mundësitë janë të kufizuara, sepse kurrikulat dhe planprogramet nuk japin hapësirë më shumë. Por kjo nuk do të thotë që në shkollat dhe universitetet e Kosovës të mos shfrytëzohen burimet alternative të dijës. Dhe qëllimi është që të shfrytëzohen këto burime alternative të dijës. Në qoftë se dikush e vlerëson se nuk është e mjaftueshme ajo që është thënë nga autorë të ndryshëm në tekste shkollore dhe ato akademike universitare, atëherë duhet të kërkojë qoftë përmes kërkimeve elektronike, qoftë përmes literaturës apo formave të tjera t’i plotësojë dijet e veta për një çështje të caktuar, në këtë rast për Epopenë e Jasharajve”, thotë Demaj.

 

Që nga përfundimi i luftës janë botuar libra të ndryshëm si për Familjen Jashari, si për luftën e Ushtrisë Çlirimtare në përgjithësi, por nuk është botuar ndonjë libër që e prezanton të plotë luftën e fundit në Kosovë. Historianët ende nuk janë marrë seriozisht me historinë e Kosovës. Ky duket si një hezitim për t’u marrë me ngjarjet që kanë ndodhur 17 vjet më parë. Por, profesori Demaj mohon të ketë hezitim. Ai thotë se për t’u bërë një analizë historike për ngjarjet që i takojnë periudhës së luftës së UÇK-së, historianët nuk mund të punojnë pa një bazë dokumentare dhe pa materiale të arkivuara.

 

“Ngjarjet duhet të pushojnë, akterët të pushojnë, pastaj historianët duhet të jenë pa asnjë lloj ndikimi, pa asnjë lloj ndjesia për ta bërë punën e tyre. Përndryshe ka rrezik që ngjarjet historike të na dalin me aspekte subjektive, qoftë glorifikime, qoftë mohime qoftë gjëra të tjera. Prandaj si historian, parimisht ne duhet t’i respektojmë rregullat dhe metodologjinë dhe ligjet e shkencës së historisë. Ndoshta qytetarëve shpesh ju ngutet dhe kërkojnë më shumë. Por unë preferoj që më mirë të mos nguten historianët sesa të thonë apo të shkruajnë gjëra të paqena dhe të paqedrueshme e pastaj ose ta demantojnë veten ose t’i demantojë dikush”, thotë Demaj.

 

Drejtori i Institutit të Historisë, Sabit Syla tregon për hapat që ky institut ka ndërmarrë me qëllim të botimit zyrtarë të historisë së Kosovës, luftës çlirimtare dhe gjenocidit që Serbia ka kryer në Kosovë. “Sa i përket Institutit të Historisë, ne kemi marrë gjithë hapat dhe jemi duke punuar në draftprojektin e parë për luftën e UÇK-së, ku kemi paraparë që të jenë jo vetëm studiues të brendshëm, por edhe të jashtëm, duke bashkërenduar të gjitha forcat krijuese për të shkruar një histori zyrtare të shtetit tonë. E themi këtë pasi që shtatë vjet jemi shtet dhe nuk e kemi një histori të shkruar zyrtare dhe nuk e kemi një histori për luftën tonë çlirimtare”, tha Syla.

 

Këtë ide e ka edhe Frashër Demaj, i cili po ashtu është anëtar i Institutit të Historisë. Ai thotë se duhet të bashkëpunohet me brigadat e UÇK-së, por edhe me institucionet tjera relevante të thirrura për këto çështje dhe në kuadër të këtij bashkëpunimi thotë se duhet të dorëzohen dokumente të rëndësishme të cilat mund t’i ndriçojnë faktet historike. “Pastaj nëse këto dokumente nuk janë të mjaftueshme atëherë duhet që të realizojmë edhe intervista me akterët e ngjarjeve, por jo me dy apo tre por duhet që të bëhet një punë e vazhdueshme dhe këtë nuk mund ta bëjnë 2-3 historianë, por duhet të formohen grupe të ndryshme në mënyrë që nuk pretendojmë që e vërteta të jetë qind për qind, sepse e vërteta në histori është relative, por t’i përafrojmë për aq sa është e mundur të vërtetën historike me realitetin që ka ndodhur gjatë një periudhe të caktuar”, tha Demaj.

 

Për Epopenë e UÇK-së, për familjen Jashari dhe për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë shkruar libra e monografi të ndryshme, por ende nuk ka një histori të plotë zyrtare as për këtë epope, as për luftën e UÇK-së në përgjithësi. Drejtori i Institutit të Historisë, Sabit Syla thotë se po punohet në këtë drejtim, në mënyrë që të shkruhet historia pa glorifikime apo minimizime të ngjarjeve dhe personaliteteve.

 

“Në projektin që e kemi paraqitur dhe jemi duke punuar ne e kemi paraparë që një projekt i cili do të realizohet brenda një periudhe 3-4 vjeçare, normalisht duke shkuar edhe me mbledhjen e dokumenteve brenda dhe jashtë vendit dhe për ta kompletuar në kohën sa më të mirë të mundshme që të ofrojnë studiuesit tonë pa glorifikime, pa minimizime, apo himnizime, por të trajtojmë ngjarjet, personalitet e ndryshme historike, duke iu dhënë vendin dhe meritën që u takon në histori”, tha Syla. Syla thotë se bëhet fjalë për tri projekte, historia e Epopesë së UÇK-së, historia e Kosovës dhe gjenocidi në Kosovë. Ai beson se ky projekt do të gjejë mbështetjen e institucioneve të shtetit nga të cilat do të kërkohet mbështetja financiare.

 

Por historiani Frashër Demaj thotë se shteti jo që nuk ka ndihmuar, por përkundrazi ka bërë presion dhe nuk ka krijuar kushte që historianët t’i nxjerrin të vërtetat historike, jo vetëm për këtë periudhë, por edhe për periudhat tjera të rëndësishme, të cilat janë përcaktuese në historinë e popullit shqiptar. Familja e komandantit legjendar, Adem Jashari, me sakrificën sublime, ka shkruar historinë e saj me gjakun e mbi pesëdhjetë anëtarëve, mes të cilëve edhe gra, pleq e fëmijë. Atë histori që e shkruan edhe shumë e shumë dëshmorë e martirë të rënë gjatë dekadave të tëra, e sidomos gjatë luftës së fundit. 17 vjet nga kjo ngjarje historike, historianët thonë se Prekazi nuk duhet të jetë një vend që vizitohet vetëm në përvjetore, por duhet të bëhet pjesë e formimit të kulturës së përgjithshme që shqiptarët gjithandej ta vizitojnë këtë vend të rezistencës dhe heroizmit.

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.