Interesi nacional, ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë nën mbrojtjen permanente të SHBA-së

Barometri diplomatik

Shteti duhet të jetë funksional në kuptimin e plotë të përmbajtjes së tij juridike, kushtetuese, ekonomike dhe demokratike

Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Mehdi_HYSENIPa përfilljen e interesit nacional, si politika e brendshme, ashtu edhe ajo e jashtme gjenerojnë krizë permanente institucionale dhe shtetërore. Në këtë kontekst, është me interes të pasqyrojmë disa nga paradigmat konkrete, që përbëjnë interes nacional të politikës së brendshme dhe të jashtme të Republikës së Kosovës. Prandaj, është e domosdoshme që të vëmë në dukje faktin se interesi nacional konsiderohet një nga konceptet më thelbësore të doktrinës së marrëdhënieve politike ndërkombëtare, sipas të cilit është ndërtuar edhe teoria realiste e kësaj disipline shkencore.
Sa më sipër, të gjithë ata liderë politikë që kanë marrë përsipër qeverisjen e Republikës së Kosovës në saje të besimit të votës së fituar nga qytetarët e Kosovës, duhet të mbajnë parasysh postulatin e interesit nacional, ngase pa të nuk mund të ketë politikë realiste, demokratike dhe të frytshme, as në kuptimin e politikës së brendshme e as të politikës së jashtme të Kosovës. Prandaj, të gjithë duhet ta kemi të qartë se, edhe në kohë paqeje, pa mbrojtjen e lirisë, të drejtësisë, të rendit demokratik, të sigurisë, të tërësisë territoriale dhe të sovranitetit të Republikës së Kosovës, interesi nacional është vetëm një sintagmë abstrakte teorike, si në kuptimin e politikës së brendshme, ashtu edhe të politikës së jashtme të Kosovës, sepse pa sigurimin e këtyre vlerave thelbësore, demokracia, zhvillimi dhe prosperiteti ekonomik, mirëqenia e përgjithshme e të gjithë qytetarëve (zhdukja e varfërisë, barazia, solidarësia, standardi i nivelit të jetesës, punësimi, strehimi, arsimi, përkujdesi shëndetësor etj.), si dhe shteti i së drejtës (sundimi i ligjit) nuk mund të mburremi dhe të jetojmë në vetëkënaqësi se kemi përfillur, kemi mbrojtur dhe kemi promovuar interesin nacional në kuptimin e politikës së brendshme dhe të asaj ndërkombëtare.
Komponent i përhershëm strategjik i interesit nacional të Kosovës, duhet të jetë shteti funksional në kuptimin e plotë të përmbajtjes së tij juridike, kushtetuese, ekonomike dhe demokratike, gjithnjë duke mbajtur parasysh ruajtjen e kohezionit të faktorëve ndërlidhës me prioritet, siç janë liria, pavarësia, sovraniteti, mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik dhe social, stabiliteti, siguria, demokracia dhe paqja brenda parimit dhe të së drejtës brendshme dhe të jashtme të vetëvendosjes si fundament themelor i së drejtës ndërkombëtare dhe i rendit juridik pozitiv ndërkombëtar.

Shteti demokratik dhe funksionimi i tij

Funksionimi i sistemit demokratik i një shteti, siç është edhe shteti i ri demokratik i Kosovës, vihet në dyshim dhe komprometohet, kur në krye të institucioneve më të larta shtetërore të tij, vihet një polic ose një «gardian» sigurimi, sepse kjo zgjedhje e gabuar lë për t’u kuptuar si në sy të opinionit të brendshëm, ashtu edhe atij ndërkombëtar se në Kosovë «nuk ka» kuadro të afta të profilizuara profesioniste me etikë, me kredibilitet, me vetëpërgjegjësi dhe me integritet të dëshmuar, që do të qeverisnin dhe, do të udhëhiqnin shtetin e ri demokratik të Kosovës.
Nëpërkëmbja, diskualifikimi, diskriminimi, eliminimi dhe diferencimi i kuadrove të tilla profesioniste me kompetencë për të drejtuar organet dhe institucionet më të larta shtetërore dhe shoqërore, për shkak të «papërshtatshmërisë» së tyre (mëhallore, miqësore dhe provincialiste) politike, ideologjike dhe partiake, si rrjedhim i luftës për karrierë dhe për pushtet nepotist, sektarist dhe oligarkik nga individë dhe nga grupe të caktuara të interesit brendapartiak apo jashtëpartiak, nuk përbëjnë kurrfarë interesi nacional, as shtetëror për Kosovën, por vetëm e dëmtojnë atë në skajshmëri, me tendencë dhe me rrezik potencial, që shteti të «komandohej», dhe të «kontrollohej» vetëm nga NJË apo disa individë, që u përkasin klaneve dhe grupeve të partive të ndryshme politike ( me apo pa uniforma të dukshme policore).
Një formë e tillë «qeverisëse» regresive, imorale, antihumane, antiprofesionale, antiligjore, andtikushtetuese dhe antidemokratike (krejtësisht me përmbajtje të çeliktë nepotizuese dhe centralizuese sipas «uzansave» të kultit të individit të sistemeve totalitare komuniste bolshevike), ngulfat dhe rrezikon për «vdekje» potencialin e kuadrove të kualifikuara dhe të merituara, që të drejtojnë shtetin e Kosovës, reformat dhe vlerat ekonomike, politike, zhvillimore dhe demokratike të shtetit të ri të Kosovës, etj.

Jo ‘pacient’, as spektator pasiv, por faktor aktiv i demokracisë

Kosova nuk duhet të jetë kurrfarë «pacienti», as «invalidi» në asnjë kuptim të jetësimit të interesit të saj nacional dhe të shtetit të së drejtës, por urgjentisht, duhet të gjejë forma dhe mjete ligjore dhe demokratike, që të dalë nga kriza momentale morale, politike, ekonomike, sociale, korrupsioniste, e papunësisë, e varfërisë, e eksodit (kryesisht të rinisë së braktisur në të gjitha aspektet), pa asnjë «fizkulturë» akrobacioni dhe politizimi, por me ide vizionare, me vetiniciativën e lirë, me programe dhe me projekte konkrete zhvillimore, si dhe të krijimit urgjent të vendeve të reja të punës për popullatën e papunësuar dhe të varfëruar etj., do të arriheshin suksesi dhe vlerat konkrete dhe cilësore të politikës programatike dhe pragmatike vepruese të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës.
Në këtë mënyrë, do të krijoheshin kushtet dhe premisat reale të mbrojtjes së interesit nacional dhe shtetëror të Kosovës, duke mbrojtur atributet qenësore të saj: pavarësinë, lirinë, sovranitetin, pasurinë dhe burimet natyrore, infrastrukturën dhe njerëzit-qytetarët tanë, ku pa punën dhe pa kontributin e tyre (duke emigruar përditë në shtetet e ndryshme të Evropës, sidomos të rinjtë), nuk mund të paramendohet mbrojtja e interesit nacional, as shtetëror e Republikës së Kosovës.

Objektivi strategjik afatgjatë i Kosovës

Kryeprioritet i mbrojtjes së interesit nacional i Kosovës, do të duhej të ishte ribashkimi i saj me Shqipërinë në mbikëqyrjen e përhershme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, për të realizuar këtë objektiv madhor dhe të domosdoshëm, për momentin, ekzistojnë këto pengesa kryesore: 1) Sipas Kushtetutës së Kosovës në fuqi (15 qershor 2008), Kosova e ka të ndaluar bashkimin me ndonjë vend fqinjë (pikësëpari aludohet në mohimin e së drejtës së Kosovës me Shqipërinë) dhe, 2) Politika dhe diplomacia e Tiranës zyrtare (1992-2014), deri tani nuk ka treguar asnjë interesim për ribashkimin e Shqipërisë me Kosovën (këtë e provojnë deklaratat dhe prononcimet e deritashme të presidentëve, të kryeministrave dhe të disa ministrave të jashtëm, duke e konsideruar të «dëmshme» kërkesën legjitime të ribashkimit (ashtu, siç u shpreh ish-ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto), jo vetëm në kuptimin e ngushtë të interesit nacional dhe shtetëror, por edhe në atë më të gjerë rajonal), as për zgjidhjen e çështjes koloniale shqiptare në Ballkan, sepse kursi i saj më se 25-vjeçar (de fakto dhe de jure), ishte i përqendruar vetëm në aderimin e saj në BE, jo, së pari, në shkolonizimin dhe në integrimin e brendshëm gjithëshqiptar të Shqipërisë Etnike.
Mirëpo, si duket, për shkak të humbjes së rëndësisë strategjike të saj në Ballkan, Shqipëria, do të pres edhe një kohë shumë të gjatë për t’u anëtarësuar në BE, ashtu sikurse Serbia, Mal i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia. Ndryshe, që më se dy dekada, do të ishte anëtare me të drejta dhe me detyrime të plota të BE-së, ashtu sikurse Rumania dhe Bullgaria, të cilat për hir të «kriterit mbivlerësues» të pozitës së tyre gjeostrategjike, pa plotësuar asnjë kriter u bënë anëtare të BE-së dhe të NATO-s.
Sido që ta analizojmë nga prizmi i interesit të «politikës ditore» afatshkurtër rajonale dhe evropiane, një kurs i tillë i politikës dhe i diplomacisë së Tiranës zyrtare, është i gabueshëm, i padrejtë dhe i pajustifikueshëm, sepse pa integrimin e brendshëm shqiptar-shqiptar, integrimi i Shqipërisë londineze (i gjysmë Shqipërisë së stome të pavarur, 1913-2014) në BE, është vetëm një iluzion në fokus të ruajtjes së status quo-s, të heshtjes, të «betonimi»t dhe të margjinalizimit të zgjidhjes së çështjes koloniale shqiptare në Ballkan.

Çfarë do të sjellë për ribashkimin ‘Rilindja Kombëtare’ e kryeministrit Edi Rama?

Shpresojmë se, kryeministri i ri i qeverisë shqiptare, Edi Rama me guximin, me diturinë dhe me vizionin e tij (ashtu siç u dëshmua në takimin e tij në Beograd/10-11,IX.2014/ me kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiq, të cilit, botërisht ia bëri me dije se «Kosova e pavarur është realitet i pranueshëm dhe i pakthyeshëm»), të bazuar në «devizën» e tij programore politike të «Rilindjes Kombëtare» të Shqipërisë, konsiderohet se, do të jetë ndër shtetarët e parë të Shqipërisë së sotme, që çështjen e pazgjidhur kombëtare shqiptare, ta riaktualizojë dhe ta rindërkombëtarizojë në shkallë evropiane dhe ndërkombëtare. Ky diskurs, gjithsesi, do të jetë në interesin nacional dhe shtetëror gjithëshqiptar dhe të Shqipërisë.
Ndryshe, mungesa e një diskursi të tillë e politikës dhe e diplomacisë shqiptare, drejtuar nga kryeministri Edi Rama, në mënyrë iracionale dhe të pajusitifkueshme, do të «përligjte» kursin e deritashëm të «garniturave» të falimentuara politike dhe diplomatike të shtetarëve të Shqipërisë (1992-2014).
Mirëpo, kjo do të ishte një padrejtësi e madhe historike, politike, kombëtare dhe atdhetare, sepse sërish (për të satën herë gjatë shekullit XX), e, edhe në shekullin XXI, pa asnjë arsye, dhe, pa asnjë të drejtë, do të flijohej gjysma e kombit shqiptar nën Serbi, nën Mal të Zi, nën Maqedoni dhe nën Greqi. Por, duke falënderuar Reformës Kombëtare Shqiptare të Edi Ramës, shpresojmë se, të paktën, Edi Rama, pikësëpari, do ta zbatojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (1998), e cila, që në Preambulën e saj përligj bashkimin kombëtar shqiptar.
Sipas «Rilindjes Kombëtare» të Edi Ramës, pritet ribashkimi kombëtar shqiptar. Pikërisht, ky diskurs i politikës dhe i diplomacisë së Shqipërisë në favorin e ribashkimit të Shqipërisë, pa dyshim se, kryeministrin Edi Rama, do ta «kornizonte» në faqet e ndritshme të historisë dhe të politikës kombëtare shqiptare, ashtu sikurse ish-kryeministrin historik të pavdekshëm të Shqipërisë Etnike, Ismail Qemali, më 28 Nëntor 1912. Ndryshe, edhe ky, do të përfundojë (pa asnjë histori të lavdishme dhe, pa asnjë sukses në zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare), ashtu sikurse presidentët dhe kryeministrat e tij paraprakë të Shqipërisë (1913-2014).
Me gjithë interesat parësore të objektivave të strategjisë politike dhe diplomatike të Shqipërisë, të përqendruara në hyrjen e saj në BE (para se të zgjidhej përfundimisht dhe në mënyrë të drejtë çështja koloniale shqiptare e gjysmës së Shqipërisë Etnike në Ballkan), edhe Astrit Leka (kryetar i Shoqatës Ndërkombëtare të Solidaritetit për Zhvillimin e Vendeve të Lindjes) në trajtesën e tij me titull «Shqiptarët dhe Evropa», të paraqitur në panelin e Kolokiumit Ndërkombëtar të Vendeve të Evropës Juglindore dhe Qendrore «Për një Evropë të Bashkuar» në Gjenevë, më 18 më 1992, me të drejtë ka vlerësuar se : « Ka ardhur koha që Evropa dhe bota t’i mbështesë shqiptarët në përpjekjet e tyre për vetëvendosje dhe, pse jo, për RIBASHKIM në NJË SHTET SHQIPTAR me madhësinë e Zvicrës, duke krijuar kështu një EKUILIBËR BALLKANIK në zonën e Ballkanit, që historikisht është konsideruar fuqi baruti. Në këtë mënyrë shtetet e Gadishullit Ballkanik do të integroheshin në mënyrë paqësore e të qytetëruar në Evropën e Bashkuar të së ardhmes…»(«Laura», Tiranë, 1993, f.1992).

‘Ndërkombëtarizimi’ i Veriut të Kosovës, interes kolonial shtetëror i Serbisë

Duhet të jemi të vetëdijshëm se, në asnjë formë, nuk mund të quhet interes nacional dhe shtetëror «ndërkombëtarizimi» i territorit të Kosovës Veriore sipas Marrëveshjes së Brukselit (19 prill 2013) në emër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbase sipas saj synohet dekompozimi dhe destabilizimi territorial i Republikës së Kosovës, që do të sillte në pikëpyetje statusin politik, juridik, kushtetues, kombëtar dhe ndërkombëtar të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, tanimë, të njohur nga 108 shtete të Kombeve të Bashkuara, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatët e tyre tradicionalë të Evropës Perëndimore (Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia etj.).
Kjo Marrëveshje, do të ishte e pranueshme për interesin nacional, shtetëror dhe ndërkombëtar të Kosovës sikur Serbia me anë të saj, do të deklaronte njohjen e Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës (17 shkurt 2008). Ndryshe, nga ajo më së shumti do të përfitonte politika gjeostrategjike dhe gjeopolitike me përmbajtje kolonialiste dhe neokolonialiste e Serbisë së Madhe në disfavor të territorit autokton të Kosovës së Shqipërisë Etnike.
Me një fjalë, nëse vazhdohet dialogimi i mëtejmë politik i Prishtinës me Beogradin, ajo Marrëveshje, do të paraqet rrezik të madh për copëtimin dhe serbizimin e pjesë veriore të Kosovës. Këtë rrezik, para së gjithash, e paralajmëron dhe e justifikon edhe «JO-ja» e mosnjohjes së Kosovës nga ana Serbisë, ku qarqet e saj më të larta zyrtare, si presidenti Tomislav Nikoliq, kryeministri Aleksandër Vuçiq, ashtu edhe ministri i Jashtëm Ivica Daçiq përditë prononcohen para opinionit publik të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, se «Serbia kurrë nuk do ta njohë Republikën e Kosovës». Kështu thuhet, edhe në Kushtetutën e Republikës së Serbisë së vitit 2006, se «Kosova është krahinë e Serbisë».
Në këtë kontekst, është edhe kjo deklaratë më re e presidentit aktual të Republikës së Serbisë, Tomislav Nikoliq: «Absolutisht e di se do të gjendemi para zgjedhjes: ose Kosova ose Evropa. Brukseli do të na ballafaqojë me njohjen e Kosovës, dhe për këtë Serbia duhet të jetë e përgatitur. Unë, nuk do të jem pjesë e atij pushteti, i cili do ta njihte pavarësinë e Kosovës. Për këtë çështje duhet të arrijmë konsensus kombëtar sa më parë, dhe, tani, është koha që për këtë të bisedoj me kryeministrin, Aleksandar Vuçiç.» Përmbajtja e kësaj deklarate zyrtare e presidentit Tomislav Nikoliq e bën shumë të qartë pozicionin negativ të Serbisë, kur është fjala për «normalziimin» e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, sepse pa njohjen e Republikës së Kosovës, nuk do të ketë kurrfarë «normalizimi» të marrëdhënieve ndërshtetërore në relacionin Prishtinë – Beograd . Andaj, ku qëndron logjika e interesit nacional dhe shtetëror të Kosovës, që, edhe më tej, të vazhdojë dialogu me Serbinë sipas «Marrëveshjes së Brukselit» (19 prill 2013)?!

Shperndaje ne
Updated: 3 Janar, 2015 — 07:19

The Author

Dr. Mehdi Hyseni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.