Hasan Kaleshi ishte në shërbim të sllavizmit

Hasan Kaleshi shërbëtor i sllavizmit

Shkruan: Nikollë Loka

Kërkesa për zbutjen e koncepteve për turqit si të egër dhe barbarë qenka bërë nga turqit, së pari përmes Hasan Kaleshit, meqenëse turqit para disa viteve nuk kishin asnjë hapësirë për t’i shpallur në Shqipëri këto pretendime. Kaleshi i përsëriti besnikërisht idetë e tyre, siç janë shpalosur sot. Atëherë duhet t’i njihet merita e të parit se e ka lënë me shkrim. “Verba volant, scripta manent”,- thotë latini.

Po a kanë qenë turqit “të egër dhe barbarë” apo jo? Masakrat ndaj popullsisë civile, djegia e të mbjellave dhe metodat çnjerëzore të vrasjes së pengjeve që kanë ndodhur në atë kohë, kanë bërë që hsitorianët t’i cilësojnë me të drejtë si të barbarë turqit e asaj kohe. A nuk ishte barbari rjepja e gjallë e Moisiut dhe ushtarakëve të tjerë arbër të zënë robër. Sulltani me atë rast kishte dhënë urdhër që për pesëmbëdhjetë ditë e netë rrjesht robërit arbër të ripeshin dhe t’u futej kripë në mish. Rjepja duhet të zgjaste për aq kohë, prandaj krahas rjepjes, i mjekonin e kështu ajo maskaradë kriminale e rrallë zgjati 15 ditë. Brabari tregon dhe vrasja e 8 mijë burrave në Çidhën, apo masakrat me drishtianët në portat e kështjellës së Shkodrës, etj. Vetë kronistët turq të kohës, të pavetëdijshëm se ato kronika do të shërbenin si dokumente historike, i kanë përshkruar hollësisht, ndoshta dhe ekzagjeruar, masakrat turke në Shqipëri. 

Turqit janë aziatikë dhe ky është një emërtim që lidhet me pozicionin gjeografik të vendit. Në fakt, Turqia e periudhës së Kaleshit, por as Turqia e sotme nuk ka pse ndjen turp nga cilësori aziatik, kur nuk fyhen japonezët, kinezët, etj kombe që janë të paktën një shekull para Turqisë dhe i kanë dhënë njerëzimit dhjetra herë më shumë se turqit.

Përsa i përket cilësimit barbar, turqit i kanë plotësuar të gjitha kushtet që në Europë të quhen të tillë. Kaleshi i ndan Rilindasit në “të dyshimtë” dhe “jo të dyshimtë”, ndërkohë që rilindas je ose nuk je. Sigurisht, ai që luftonte nën pushtimin e egër osman për ngjalljen e vetëdijes kombëtare shqiptare ishte i dyshimtë për osmanët dhe për turqit e mëvonshëm, ndoshta dhe për Hasan Kaleshin, por kurrë jo për shqiptarët. Ata që Kaleshi konsideron si “rilindas të dyshimtë” janë intelektualë që ringjallën Shqipërinë dhe formuan vetëdijen kombëtare të shqiptarëve. Vepra e tyre është vlerësuar edhe kur është shkruar në gjuhë të huaj. A nuk shkroi Naim Frashëri në osmanisht dhe në persisht; Sami Frashëri në osmanisht dhe turqisht; ndërsa Hasan Tahsini nuk shkroi asnjë vepër në shqip, por vetëm në turqisht, etj, por pavarësisht nga kjo, ata krijuan vepra me vlerë shkencore ose artistike.

Duke futur tezën sikur turqit “parandaluan asimilimin e shqiptarëve në grekë, bizantinë dhe sllavë”, (bizantin ishte term politik dhe nuk kishte etni bizantine), Kaleshi don t’i paraqesë turqit si “pushtues më të mirë” dhe si “e keqja më e vogël”.
Sulltani e njohu Patriarkun e Konstandinopojes si të parin e të gjithe ortodoksëve, ndërkohë qëndrimi kundërshtues i Papatit bëri që të përndiqte dhe të kufizonte shumë veprimtarinë e klerit katolik. Në vitin 1555 sulltan Sulejmani e njohu zyrtarisht autoqefalinë e kishës serbe në përbërje të miletit ortodoks dhe Pejën si qendër shpirtërore të krejt serbëve. (A ndihmoi ky veprim në ndalimin e asimilimit)! 
Shqiptarët katolikë që ndodheshin në Kosovë u ndodhën në një pozitë të pashpresë, prandaj u duhet të zgjidhnin njërën nga tre rrugët: të konvertoheshin në ortodoksë, të konvertoheshin në myslimanë ose të emigronin në malet e Shqipërisë së Veriut. Të tre rrugët u ndoqën.

Pse nuk mund të qëndronin shqiptarët si ortodoksë, por u kthyen në serbë?
Me pushtimin osman, lindi dhe fanatizmi fetar; u ndaluan martesat ndërmjet shqiptarëve. Më pare, shqiptarët ortodoksë dhe katolikë martoheshin ndërmjet tyre. Në ato kushte, ortodoksët shqiptarë në Kosovë u martuan me ortodoksë, ndër të cilët edhe me serbë, ndërsa pjesa e shqiptarëve që u kthye në islamizëm vazhdoi martesat në mes veti.

Nga ana tjetër, u lejuan shkollat serbe pranë kishave ortodokse dhe u krijuan shkollat fetare myslimane. Shkollimi shqip nuk lejohej. Edhe shkollimi në gjuhën serbe i shqiptarëve ortodoksë në periudhën e sundimit turk ka ndihmuar asimilimin e shqiptarëve. Shkollat serbe nuk zbritën nga qielli, por vepruan në Kosovë me lejen e Portës së Lartë, si mekanizëm i fuqishëm i ruajtjes së identitetit serb dhe asmilimit të shqiptarëve ortodoksë. 

E njëjta gjë duhet thënë edhe për veprimtarinë e shkollave në gjuhën greke që pas pavarësisë së Greqisë u bënë mjet në duart e shovinistëve grekë kundër shqiptarëve. Rilindasit tanë mendjendritur e kishin paralajmëruar rrezikun e asimilimit përmes shkollave të huaja. Sami Frashëri shkruan:” Qysh të mos ketë shqiptari të drejtë të shkruajë e të këndojë gjuhën e tij në vendin e tij, kur gjithë kombet e kanë këtë te drejtë dhe njeri s’i ndalon? Pse shqiptarët të jenë të mërguar nga një e drejtë që e kanë gjithë kombet e dheut? Të mos mundin të shkruajnë e të mësojnë gjuhën e tyre, po të tjera kombe të huaj të vijnë e t’u hapin shkollat në gjuhërat e tyre e t’u kthejnë kombërinë e gjuhën e tyre? Janë kaq të dobët shqiptarët? Ja! një mijë herë jo”…!

A i ndihmoi shkollimi popujt e tjerë? Po. Universiteti i Beogradit ne vitin 1806 u hap me lejen e Sulltanit. Universiteti i Athinës është hapur në vitin 1822. Në shkollën greke “Zosimea” që u hap në vitin 1822 si shkollë e lartë, të cilën e ndoqën edhe qindra shqiptarë u formua vetëdija kombëtare e grekëve në tokë shqiptare dhe për rrjedhojë dhe pretendimet e tyre mbi atë tokë që, siç dihet e morën. 
Tani një bilanc të fundit për idhtarët e tezave të Hasan Kaleshit:

Sanxhaku i sllavizuar, interes i përbashkët serb dhe turk. Si interes serb (pakësimi i shqiptarëve në Serbi (Jugosllavi) dhe si interes turk (theksimi i identitetit mysliman dhe humbja e identitetit kombëtar shqiptar, domethënë përparësia e identitetit fetar). E njëjta gjë për rajonin e Plavës dhe të Gucisë. Regjistrimi si turq i mijëra shqiptarëve në Maqedoni dhe llogaritja e tyre si pakicë turke. Turqizimi i Prizrenit, kur në vitin 1908, sipas vetë dokumenteve zyrtare nuk kishte asnjë turk. Sot, shumica dërmuese e shqiptarëve të turqizuar mbajnë mbiemra shqip. 

Ndalimi i shkollës shqipe për 6 milionë shqiptarë që jetojnë në Turqi, që janë në nivele të ndryshme asimilimi për shkak të humbjes së gjuhës amtare dhe të mungesës së dijes për historinë, gjuhën, letërsinë e pasuri të tjera shpirtërore të kombit tonë.
Dhe pas të gjitha këtyre, a i mbrojti Turqia shqiptarët nga asimilimi?

Shperndaje ne
Updated: 14 Janar, 2017 — 15:34

The Author

Nikollë Loka

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.