Cikël poetik nga libri me titull:”UDhËS SË DIELlIT”

Cikël poetik nga libri me titull:”UDhËS SË DIELlIT” të shkrimtarit Kasam ShAQIRVELA

SI E BARDhA EDhE E KUQJA

Vera e bardhë krahë lehtë
Dhe ajo tjetra vera rozë
Njëra të ngre deri tek retë
Tjetra të bën të marrësh pozë.

Por mbretëresha qëndron te muza
Vera e kuqe që shkon në të zezë
Ah sa ëmbël e shijon dhe buza!
S’rri dot akulli përmbi kranezë.

Një e puthur në faqen e çupës
Pse kjo buza të ngopur s’ka?
Mjaftoi t’i jepë valë kupës
Ajo shkëndija e yllit që rra.

DURIMI KY DET I PAFUND

Duroi edhe Sizifi madje deri në pakufi
Të përpjetën e mori si kënga dhenë
Prometheu dhimbjen e tij e bëri sagë
Kur n’Kaukaz qe gozhduar në stenë
Atlasi rënkonte me globin mbi shpinë
Por kurrë s’hoqi dorë nga qëndresa
Edhe Demi i Zi mbajti tokën mbi brirë
E trandi,sa herë që njerëzimit i fshihej kujtesa
Në të njëjtën udhë shkeli edhe Moisiu
Torrës së Sinait n’agjërimin e tij biblik
Rrugës që shkelte n’vetëbesim i ndejti besnik
Me rubairat e tij dhe Kahjami pas nuk ngeli
Madje disa herë Qabenë më këmbë e shkeli
Edhe Jezusi porosinë njerëzimit ia dërgoi
Vuajtje, sfida, madje dhe kryqëzimin historik
Burrërisht e duroi ndonse i larë i tëri në gjak
Por ama nga udha e durimit kurrrë s’pati ik
Edhe Muhamedi pati shantazhe e pengesa
Madje i fshehur ndër shpella n’gjueti shtrigash
Para së gjithash nga të vetët në thurje intrigash
Por vetëm besimi tek durimi i pafund
Njeriun e mirë nga udha e drejt s’e lëkund
Edhe sot ai i cili ecën bindshëm kësaj udhe hala
Rrezikon jetën e tij, bile mund dhe të zhbëhet
Sepse moto e kësaj bote të rreme është zhgënjimi
As që kultivohet më ndër njerëz sot durimi
Dhe as që ndërtohet nga shoqnia më kjo kala
Ah, ky det i pafund i shpirtit njerëzor!
Dhunti e perëndisë jo për secilin frymor
Të zgjedhur prej tij ata që kanë moral
Veç ata mund të vdesin për një ideal
“Rrno e duro veç për me tregue”
Ishte klithma e At Zef Pllumbit
Për kohën e sotme ky postullat u shkrua
Veç për ata që syri s’u mbyllet prej plumbit.

UDhËS SË DIELlIT

Kënga ime është këngë e vjetër
Ma mbush zemrën cep më cep
Dhe ky zjarr prej gjoksit më del
Udhës së diellit ai merr e jep
Si yll qielli dritën e shkrep.

M’është e moçme, m’është e gjallë
Porsi deti kur ngrihet në valë
Mallin tim e mbart në djep
Barka e vjetër lundërtare
Prej një bregu në tjetrin breg.

Kënga ime këngë jetimash
Vjen prej kohnash të lashta vetë
Ajo mjekon veç plagë trimash
Që ndër beteja të përgjakura
Ku të luftuarit qe veçse një art
Trimat i morën në trup nëntë herë
Veçse me flamur të ngritur lart
Që valon i lirë në stinë pranvere
Kënga ime fortë buçet.

NjË KOPËShTI TË MALlËNGjYER

Edhe kopështi mallëngjehet kur i vyshken lulet
Kur vjeshta e parakohshme i bie përmbi krye
Pa pyetur për statusin e pronarit që atë e mba
Ajo i vyshk të gjitha lulet që i ka çel pranvera
Tani është tepër vonë për pendesën tënde
Era që fryen në mua, i rëmbyeshëm murlani
Do të shkatërrojë gjithçka që përpara i del
Diellin tim kushdo që ma zë, keq do ta pësojë
Pa ça kokën për kohën a sot apo dikurë?
Dhembjen që ma shkaktove në shpirt, në pabesi
Trupi im nuk e mba dot më, bile as nën lëkurë
Mu thanë dhe lotët duke qarë e nuk mu kthye gjë
Zemërimi më është ngritur vullkan i gjallë
Gjoksi im më është kallur tamam sikurse furrë
Nuk e mba dot lavën që i zien përbrenda
Do të shpërthejë uragani bashkë me furtunë
Derisa ta bëjë rrafsh me tokën mëmë
Nuk do të marrë fund kursesi kjo punë
Vetvetiu tani notat bien përmibi partiturë
Kur kënga e dhembjes shpërthen mallëngjyeshëm
E prek shpirtin që gjendet në katrahurë
Ajo trupit i lë vragë të pashlyeshme
Tamam sikurse të ishte një gravurë
Atëherë shpirti s’është veçse një pikturë
Që tregon gjithçka porse pa zë
Shumëçka e shpreh por nuk fol’
Mbetet i mbushur përplot
Tamam sikurse një gjol!

MË ThOT ZEMRA TË MARrË UDhË

Kur duf i shpirtit më del nga brenda
E rrah udhën si më thotë zemra
Pa e ditur se ku do të dalë
Atë çka koka ma çon te thembra
Le t’m‘i shkelë këmba fushë e mal!

Ky udhëtim i gjatë, ky kalvari im
Sa herë që më’qet mu zallit detit
Porsi anije më përplas në breg
Mallin e shpirtit si t’ia hjek unë vetit?
Atë mall timin që zemrën ma djeg

Kur del anija në det të hapur
Dhe, kapiten i zemrës sime
Nuk jam unë por malli vet’
Kjo Sirenë deti ndër lundrime
Që i çanë dallgët n’të trazuarin det

S’dorëzohem e as nënshtrohem
Sa herë të bëhem Zgalem
Apo të kthehem në Borne
Malli im s’ka të ndalur
Mall i Kombit për Atdhe!

Porsi hije mua më ndjek
Farë e Atit në tokë e mbjellur
Ky Amanet i të parit tem
Me një Gjuhë me një Atdhe
Ai qi isha dhe prapë do të jem!

Pas një nate me ëndrra të këqija
Dita më gdhin në rreze të arta
Qielli në yje më është bë prush
Përmbi det do mjegulla të bardha
Kopështin me lule ma kanë mbush.

Kur t’thot zemra të marrësh udhë
Kot e ke edhe nëse e kundërshton
Sepse zjarri i zemrës udhën ta ndriçon
Udhë kjo që s’duron bërryla edhe kthesa
Mendjen ta do top, nuk ka vend harresa

Dhe kjo udhë vetëm një kah e ka
Për të të gdhirë Agu i Bardhë
Për të të çelur lulja në stinë
Fjala e dhënë është amanet
Ja Kostandin, ja Doruntinë
Se flamuri s’e do robërinë
O lartë të ngrihet me Lirinë
O n’Tokë të bjerë me zinë!

PËR NjË ËNDËRr TË MOÇME

Një zë i largët kaherë po m’thërret
Vjen nga thellësia e tokës mëmë
Fortë ushtima në vesh po më buçet
Kërkon zemra e dlirë të jetë
Se ç’po m’pyet për amantin tonë
Që trashëgim stërgjyshërit na e kanë lënë
Zot për t’ i dalur vatanit gjithmonë
Qofshim jetima,qofshim me babë e nënë.

Po më pyet diçka edhe për gjenin tem
Thot: Amanetin që ua lashë, ku ka tretur?
A thue duke bluajtur nëpër mulli të huaj
Ma përziet me meqen dhe ma bërët ujem
Apo duke ia qitur syt, pandalur, njëri tjetrit
Herë duke i penguar n’përparim të’rinjtë
E herë duke i rrëzuar nga tati të vjetrit
Ne shumë kohë në vend numërojmë
Si gjatë kohë n’vend kemi mbetur?!

Unë vetëm po ju them:-pasha besën tonë!
Me e çue në vend derisa s’është bë vonë
Kush nuk e çon amanetin në vendin e vet
Një dimër të ashpër ka për ta parë
Fort po më dhimbsen nipat dhe mbesat
Se, për gabimet tona që ne jemi duke i bërë
As gjaku i tyre nuk ka për t’i larë?!

Hej, unë s’e lë të fshihet atë nga kujtesa!
As me gomë nga dorë-njeriu e as nga harresa
Sepse, amaneti për brezin peng i lënur…
Është njësoj sikurse dhe besa dikujt e dhënur
Dhe zanafillën e kanë të dy nga i pari
Ata nuk i tret kurrë as edhe varri
Ato nuk i shkel as koha në vazhdim
Sepse unë përgjithmonë i kam në rekiuem
Të ngjitur për ashti bashkë me shpresën
Një thurje qëndresash dhe mbijetesash
Për një Ëndërr të Moçme të Gjenit Tim
Shpresoj të zgjohem pas kaq vonesash
Në një realitet të ri, në një zhgjëndërrim.
Qiellin tim ta shoh pa mjegulla, t’kthjellët lot
Të më vallzojnë yjet me diellin në shkëlqim
Sikurse në Kohën e Artë edhe për gjatë mot.

ME RrJEDhËN E LUMIT

Lumi i ndodhive të mia të moçme
Rrëmbyeshëm rrjedh shtratit të etnisë së vet
Burimin e ka në thellësinë e shekujve t’kuq e t’zi
Që vijnë bujshëm nga lashtësia e deri më sot
Krah për krah me rrjedhën e lumit tim për mot
Larë e shpërlarë gurët e zemrës sime në vlim
Gjithmonë n’pastrim plagësh të vjetra e të reja
Shuajnë etjen e madhe të rrënjës që përcëllin
Me këngën e vjetër përherë në këndim.

Ai që e kaloi lumin edhe nuk u lag
I thurën himn, madje i kënduan edhe epope
Ai që doli nga bregu në breg me valët u kap
U bë peshku i artë i dallgëve të mëdha
Që vërshonin brigjet e të vetit atdhe
Sa herë që zjarrmia një plagë prapë e hap
Rapsodët me balada e hapin një faqe të re

Unë shkoj me rrjedhën e Lumit tim të Bardhë
Lum ky që e flladit tokën kur zhegu i verës e zhurit
Tokë që s’ngihet nga shiu i lotëve të Natës së Kristaltë
Kohët që kanë ikur pjellin kohë që do të vijnë
E lumi të vërshojë sërish brigjet e veta pandalshëm
Etjen t’ia shuajë shpirtit që nga malli digjet si zjarr
Se, Lumi i Bardhë nuk u tha shekujve të zi e të kuq
Burimi i tij nuk shteret as shekujve që na prijnë
Ai gjithnjë do t’i vërshojë brigjet e veta, bile etshëm
Koha me diell as moti me shi rrjedhën e tij s’e ndryshon
Shtratit të etnisë Lumi im i Bardhë do rrjedhë përjetshëm
Përderisa ta bëjë realitet ëndrrën që kaherë e ëndërron.
Të derdhet në pellgun e gjerë, aty, tek deti i vet që e synon.

© Kasam ShAQIRVELA

Shperndaje ne
Updated: 20 Prill, 2018 — 19:44

The Author

Kasam SHAQIRVELA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Bashkimi i Shqipërisë © 2014 Bashkimi i Shqiperise
Show Buttons
Hide Buttons