KALENDARËT E SHQIPTARËVE (2)

 

genc_kastratiShkruan: Genc KASTRATI

Festa kryesore në kalendarin e lashtë ishte Kryet e Motmotit apo Kryeviti, që në krishterim mori emrin Shëngjergji. Është lehtë të gjendet data sepse gjendet 45 ditë pas ditës së pranverës dhe 45 ditë para solsticit veror. Kjo festë luante të njëjtin rol sikurse sot Viti i Ri. Zgjaste tri ditë, më 6, 7 dhe 8 maj.

             Në favor të origjinës ilire të emrave të ditëve të javës flet bestytnia e fortë që kanë shqiptarët në lidhje me ditët e javës. Robert Elsie tregon se dita e martë konsiderohej si dita më terse ndër ditët e javës, se të enjteve ishte zakon të bëheshin dasmat; dikush parapëlqente të priste thonjtë në këtë ditë por askush nuk guxonte të qepte ndonjëgjë sepse mund të verboheshin nga krijesa të mbinatyrshme. Profesor Ukë Xhemaj tregon për “tri të enjte të bardha” para Shëngjergjit, gjatë të cilave nuk punonte askush; këto mbaheshin si ditë pushimi. Spiro Shkurti thotë se konsideroheshin terse ato ditë jave që përmbanin shkronjën ‘r’ brenda emrit të tyre si e martë, e mërkurë dhe e premte. Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, kumbaria dhe vëllazërimi nuk mund të lidheshin as të martën as të premten vetëm në ditët tjera të javës. Mark Tirta citon relatorin e Papës, Kerubinin të ketë shkruar më 1638: “… në çfarëdo dite tjetër që u ndodhte ndonjë rrezik, po n’atë ditë mbanin dhe mbajnë festë, dhe thonë: në këtë ditë më ka ndodhë kjo e keqe etj; dhe kështu shumë ditë të tjera të javës i mbanin dhe i mbajnë festë si të martën, të enjten etj”. Edhe Anton Çetta ka vjelur në Drenicë një legjendë me “tri të Martet” dhe “Martin e madh”, të cilët shitojnë ata që punojnë ditën e martë. Këta ishin vetëm pak shembuj që ne sollëm këtu. Një pasuri kaq e madhe me tradita dhe misticizëm në lidhje me ditët e javës, lë të hapur mundësinë për një origjinë pellazgo-ilire (ballkanike) të emrave të ditëve të javës. Edhe Edvin Zhak (Edwin Jacques) ua mvesh pellazgëve shpikjen e emrave të ditëve të javës në shqip. Po këta emra të ditëve të javës kanë arritur edhe në Indi gjatë periudhës helenistike ku janë përkthyer në gjuhën vendëse (E. Zerubavel).

            Emrat e muajve 45-ditësh që janë ruajtur në popull, kanë këto kuptime: “Korrik”, do të thotë muaji i të korrave; “Djegagur”, shpjegon vapën e madhe që bëhet gjatë këtij muaji, sidomos në gjysmën e parë të tij, vapë që djeg gurin; “Vjeshta”, vje nga fjala të vishtat, të vjelat; “Brymsi” nga fjala brymë; “Ngrijsi” nga ngricat; dhe “Pranvera” apo siç quhet në formën origjinale ‘prendvera’ është “vera e Prendës”, muaji i hyjneshës së dashurisë.

            Nga të dhënat e Rrok Zojzit del se i kemi tetë festa kryesore dhe disa festa të tjera më të vogla. Këto tetë festa i nxjerrim nga fakti që viti kishte tetë muaj dhe siç dëshmon Rrok Zojzi, secili fillonte e përfundonte me ndonjë festë apo me ndonjë datë të caktuar astronomike, ashtu që të parët e shqiptarëve festonin në intervale të barabarta kohore, prej 45 ditësh.

            Me festat ka një problem, e që është zhvendosja e tyre në data të ndryshme. Për shkak se mungonte kalendari i shkruar, mungonte një elitë priftërinjsh që do t’a mbanin gjallë kalendarin, mungonte praktika e shtimit të një dite çdo katër vjet siç është sot 29 shkurti, herë pas here festat loznin nga fenomeni që përfaqësonin. Thuaja çdo krahinë ka një datë më vete, e si të mos mjaftonte kjo, kanë ndërhyrë edhe fetë e ndryshme, kishat e tarikatet, duke krijuar edhe këto variantet e veta, kryesisht duke  vendosur festat pagane nëpër datëlindjet e shenjtorëve. Kështu detyrë tjetër e jona në këtë shkrim është të gjejmë datat e vërteta të festave të lashta. Këtë do t’a bëjmë lehtë duke u bazuar në faktin që çdo muaj 45-ditësh fillonte e mbaronte me një festë. Ne vetëm i numërojmë nga 45 ditë nga festa në festë.

            Festa kryesore në kalendarin e lashtë ishte Kryet e Motmotit apo Kryeviti, që në krishterim mori emrin Shëngjergji. Është lehtë të gjendet data sepse gjendet 45 ditë pas ditës së pranverës dhe 45 ditë para solsticit veror. Kjo festë luante të njëjtin rol sikurse sot Viti i Ri. Zgjaste tri ditë, më 6, 7 dhe 8 maj. Si dukuri kryesore të Shëngjergjit po numërojmë: përrsheshi me tamël (qumësht), flijimi i qengjave, flijat në saç, dy penjtë e dredhur njëri i bardhë që shënon pastërtinë dhe tjetri i kuq që shënon shëndetin dhe forcën, larja rituale me hithra e gjethe të ndryshme, këngë e valle, etj. që ne po i përmendim jo aq për informim se sa për të përkujtuar lexuesin ngapak. Tri ditët e Kryevitit nuk bëjnë pjesë në asnjërin muaj, por ndahen veçmas dhe së bashku me 2 ditët e mesit të vitit, bëjnë 5 ditë epagomenale që i plotësojnë tetë muajt duke bërë një vit të plotë 365 ditësh. 

            Dyzetë e pesë ditë pas Kryevitit është Dita e Verës, apo solstici i verës, kur është nata më e shkurtër e vitit dhe dita më e gjatë, pra 22 qershori. Një formë origjinale e kësaj feste e mbijetuar deri në ditët tona është “festa e të korrunave” që e përmend Robert Elsie, që i bie më 22 qershor. Festa është krishterizuar nga ana kishës duke marrë emrin Shën Gjon Pagëzori dhe është zhvendosur më 24 qershor. Festa tjera krishtere që mund të kenë huazuar ndonjë gjë nga kjo festë janë Shna’Ndou më 13 qershor, dhe Rrëshajët që sillen brenda qershorit, jo në datë fikse. Për Shna’Ndue malësorët e veriut bënin pelegrinazh treditor në maja malesh, kurse Rrëshajët kanë marrë emrin nga fjala shqipe rrëshajë që dmth “gjarpër i madh” (me etimologji nga fjala rrëshqas) meqenëse qershori është kohë kur gjarpërinjtë shumohen. Kjo festë siç do duhej të ishte në zanafillë, fillon në mbrëmje më 22 qershor, ashtuqë natën më të shkurtër të vitit njerëzit e presin në majë mali, duke festuar pranë zjarreve, me të ngrëna e të pira, me këngë e valle deri sa të lindë dielli të nesërmen më 23 qershor.

            Më 6 gusht është Festa e Maleve apo Mesvera sepse gjendet mu në mes të stinës së verës (K. Halimi). Kjo njihet me emra të ndryshëm sipas krahinave, si: festa e Gjallicës, festa e Runës, festa e Tomorrit; është krishterizuar si festa e Shën Mërisë, dhe është islamizuar si Aligjyni ndërsa në Krujë si festa e Sari Salltëkut. Kjo festohet në data të ndryshme, 15 gushti është ndikim romak sipas Mark Tirtës, Sari Salltëku më 22 gusht, ndërsa Aligjyni festohet më 2 gusht. Data e saktë për këtë festë siç ka qenë në zanafillë është mbrëmja e 6 gushtit ndërsa më 7 gusht është dita. Gjashtë ditë para kësaj feste dhe gjashtë pas kësaj janë 12 ditët më të nxehta të vitit, kur njerëzit frikësoheshin se janë ditë kur dalin fantazmat më tepër, apo besohej se siç merrte moti në këto 12 ditë ashtu do të merrte moti në 12 muajt e ardhshëm. Me kalendarin e sotëm këto i bien 12 ditët e para të gushtit. Kjo festë festohej gjatë natës në maja malesh, ku ndizeshin zjarre të vogla sa për të pjekur mishin, merrnin avdes te krojet, i faleshin diellit, flijonin dhi, etj. Karakteristike për këtë festë është edhe të sjellurit e masës së njerëzve përreth majës së malit për tri orë rresht në mesnatë, secili me nga një qiri në dorë, qiri i gjatë sa vetë njeriu që mbarte. Qiriu duhet të jetë zëvendësim nga ana e kishës i pishtarit që përdorej më parë në paganizm. Kjo festë në të kaluarën u kushtohej zanave dhe ndonjë perëndie të rrufeve, pasiqë njihet edhe me emrat Festa e Zanave dhe Festa e Bubullimave. 

            Më 20 shtator (nata) dhe 21 shtator (dita) i bie festa e Vjeshtës në kalendarin e lashtë. Kjo del nga llogaria që bëhet kur masim 45 ditë nga 6 gushti. Kjo është një festë që ka bjerrur shumë, madje duke mos u përmendur në këtë datë. Është krishterizuar si dita e Shën Mërisë, duke u festuar më 21 shtator, por njihet dhe si Dita e Bletëve, meqenëse në këtë ditë bëhej shitblerja e bletëve (R. Elsie). Njihet edhe si “të vjelat”, siç e përmend Rrok Zojzi.

            Më 5 dhe 6 nëntor janë dy ditët e Mesit të vitit, që njihet në popull si Shmitri. Kjo ka qenë festë shumë e rëndësishme po aq sa Shëngjergji, por edhe kjo ka bjerrur shumë, duke u ruajtur shumë pak rituale. Kjo festë i kushtohej hyjnisë së kopeve, që i ruante ato nga ujqit, dhe është krishterizuar nga kisha duke i ndërruar datën më 8 tetor nga kisha katolike dhe më 24-26 tetor nga kisha ortodokse. Për këtë festë ktheheshin bagëtia nga bjeshka, mbilleshin pemë e trëndafila, ndërsa në shtëpi gatuheshin dollma dhe ëmbëlsira. Shmitrit i ndizej qiri që t’ua ruante kopetë nga dëmi i bishës. Dy ditët e Mesit të vitit nuk bëjnë pjesë në asnjërin muaj, por janë të ndara veç (ditë epagomenale). 

            Buzmi ndërkaq ishte një festë e madhe që nuk mjaftohej me një ditë. Më 22 dhjetor është dita e parë e “Brymsit”, e njëkohësisht solstici dimëror, apo nata më e gjatë e vitit. Për tri ditë rresht më 22, 23 dhe 24 dhjetor, dielli ndalon zbritjen e tij në horizont, pra lind çdo ditë në të njëjtën pikë, ndërsa më 25 dhjetor është ajo që popujt e lashtë e përjetonin si “ringjallja e diellit”, ndërsa në shqip si kullona apo kolendra. Më 23 bëhej agjërimi, pra barinjtë fusnin një guri të vogël në gojë në mëngjes dhe gjatë gjithë ditës nuk hanin as nuk pinin, deri në mbrëmje kur ktheheshin në shtëpi. Më 24 dhjetor ndizej buzmi në vatër, një cung i madh i prerë enkas për këtë festë. Buzmi festohet me flijime kafshësh, dhe një pjesë e madhe e mishit jepet lëmoshë për të varfërit e njerëzit në hall.

            Më 4 shkurt përfundon “Brymësi”, dhe më 5 shkurt fillon “Ngrijësi”. Siç e përmendëm më lart një legjendë u mvesh këtyre ditëve në fillim të ngrijësit, atë ngrirjen e famshme të plakës e cila e shau dimrin, pra në këto ditë i bien të ashtuquajturat “plakat”; marsi dhe prilli në këtë legjendë janë shtesa të mëvonshme pas pranimit të kalendarit julian.

kalendari_pellazg1

            Nga ana tjetër në mitologjinë shqiptare përmenden 12 netët e dhjetorit e janarit, që i bien nga 25 dhjetori e deri më 5 janar. Këto janë dymbëdhjetë netët kur sipas besimit dalin ujq-njerëzit (werewolves) nëpër rrugë. Këta dreçën u bien në qafë grave, shqetësojnë bagëtinë,.dhe fryma e tyre sjell vdekje sipas besimeve. Por për nga vetë natyra ky besim nuk i përket aspak këtyre ditëve. Sepse buzmi ka më tepër frymën e ringjalljes e të gëzimit, dhe s’kanë të bëjnë me ujq e me dreçën, e aq më pak me frymë të vdekjes e të frikës. Duket se ka patur dhe këtu zhvendosje të kësaj date. Kjo traditë për mendimin tim, në zanafillë duhet të ketë qenë rreth 6 javë më vonë, pra në fillim të shkurtit, e kjo për këto arsye:

  1. a) sepse fillimi i muajit shkurt është pjesa më e ftohtë e vitit, dhe ujqit janë agresivë atëherë kur është më ftohtë, prandaj pritet që ata të dalin rrugëve a në vende tjera publike më tepër në kohën e acartë,
  2. b) sepse kur zhvendosen këto “12 ditë të ujq-njerëzve” në fillim të shkurtit, krijojnë njëfarë simetrie me 12 ditët e gushtit që i përmendëm më parë; simetria është dukuri e zakonshme në kalendarin e lashtë e cila vërehet lehtë, sepse shumica e dukurive janë simetrike duke pasur nga gjashtë muaj ndërmjet p.sh.: verë-dimër, Shëngjergj-Shmitër, “Djegagur”-“Ngrijës”; ka ngjashmëri edhe në përmbajtje: në 12 ditët e dimrit dilkan ujqit, kurse në 12 ditët e gushtit dilkan fantazmat!
  3. c) sepse duke u bazuar në mitologjinë krahasuese, shohim që romakët, një popull me ndikim të fortë ilir, dhe me prejardhje nga vetë trojet ilire (Panoni), kishin një festë ujqish të quajtur Luperkalia që i binte më 15 shkurt, pra edhe festa e kalendarit të lashtë shqiptar më 5 shkurt (nata) dhe 6 shkurt (dita), me këto data i bie më afër datës së lashtë.

            Me këtë festë si duket lidhet edhe festa e krishterizuar e Shën Vlashit (3 apo 11 shkurt), që është mbrojtës i tufave të bagëtive (R. Elsie), siç duket pikërisht për shkak të frikës së përhershme nga ujqit. Një ritual që mund të ketë lidhje të vjetër me këtë festë është edhe Todorja, e cila mbahet në fund të shkurtit, tek shqiptarët e krishterë të Rekës së Epërme (R. Elsie).

            Në fund festa e pranverës që i bie më 21 mars (nata) dhe më 22 (dita). Kjo ka pësuar zhvendosje të shumta, më 1 mars, 14 mars, më 25 mars, të njohura me emrat: Dita e verës, Vangjelizmoi, Sulltan Nevruzi, Dita e Zojës, etj. Edhe kjo festë në zanafillë ka qenë në datën e lart-cekur. Kjo festë ka rëndësi të madhe në trevat mesdhetare shqiptare (Shqipëria politike, Opoja, Maqedonia etj), ndërsa në Kosovë vetëm kanë kujdes që të mos presin drurë në këtë ditë sepse është mëkat, ndërsa nuk njihet ndonjë festim.

            Po japim dhe një listë të periudhave të vitit:

            Kryet e Motmotit – 6-8 maj (tri ditë)

            Veror – 9 maj deri 22 qershor.

            Korrik – 23 qershor deri 6 gusht

            Djegagur – 7 gusht deri 20 shtator

            Vjeshtë – 21 shtator deri 4 nëntor

            Mesi i Vitit – 5-6 nëntor (dy ditë)

            Dimror – 7 nëntor deri më 21 dhjetor

            Bryms – 22 dhjetor deri më 4 shkurt

            Ngrijs – 5 shkurt deri më 21 mars

            Pranverë – 22 mars deri më 5 maj

            Vërejtje: Gjatë këtij punimi keni vërejtur se emrat e muajve të kalendarit të lashtë i kam shkruar me shkronjë fillestare të madhe dhe i kam futur në thonjëza, me qëllim që të dallohen emrat e muajve të kalendarit të lashtë nga emrat e kalendarit të ri, si p.sh. korrik, djegagur, që janë në të dy kalendarët, si dhe pranverë e vjeshtë që janë njëkohësisht edhe stinë në kalendarin e ri.

            Kalendari maqedon

            Ky ishte një kalendar i maqedonëve të lashtë, që në periudhën helenistike, adoptuan strukturën e kalendarit babilonas në mbretërinë e Seleukëve (W. W. Tarn), dhe strukturën e kalendarit egjiptian në mbretërinë e Ptolemejve, ndërsa ruajtën emrat e muajve maqedonë (L. Depuydt).  Kalendari maqedon ka qenë kalendar i pastër diellor, një variant lokal i kalendarit të lashtë shqiptar, por gjatë shekujve IV p.e.s., tok me helenizimin sipërfaqësor të elitës maqedone, ndodhi dhe helenizimi i kalendarit, duke e futur në përdorim edhe ciklin hënor (lunar), kështu kalendari u kthye në luni-solar (E. Greswell). Ndikimi helen shihet edhe në emrat e disa muajve si artemision sipas hyjneshës Artemida, muaji panemos që gjendet edhe në kalendarët e ndryshëm të poliseve helene, etj. Përshtatja me kalendarët aziatikë ka ndodhur ende më vonë pas pushtimeve të Lekës së Madh. Neve na interesojnë emrat e muajve, një pjesë e të cilëve gjejnë shpjegim në shqip ose me emrat e muajve të kalendarit shqiptar.

            Emrat e muajve maqedonë (Calendars in Antiquity…):

            Hyperberetaios

            Dios

            Apellaios

            Audnaios

            Peritios

            Dystros

            Xanthikos

            Artemisios

            Daisios

            Panemos

            Loos

            Gorpiaios

 

            Nga këta emra po veçojmë ata që mund të lidhen me shqipen:

            Hyperberetaios është kompozitë ku pjesa e dytë beretaios ka lidhje etimologjike me emrin shqip britmi (C. Malte-Brun). Në kalendarin e ri shqiptar përdoren muajt britmi i parë (shtator), britmi i dytë (tetor) dhe britmi i tretë (nëntor). Muaji hyperberetaios i bie nga fundi i shtatorit deri në fund të tetorit. 

            Dios është një emër i lashtë ilir për Zeusin (Aristidh Kolja e lidh me fjalën shqipe ditë). Kjo shihet edhe tek emri Diona, grua e Zeusit, kulti i së cilës në Epir ishte kult shtetëror, dhe shihet në faktin që Dios ishte një muaj autokton në kalendarin e fisit ilir të Perrhebëve (A. E. Samuel).

            Peritios i bie në janar-shkurt. Edhe ky është një variant i emrit britëm (C. Malte-Brun).

            Dystros është një muaj që nuk figuron tek kalendarët grekë, prandaj mund të ketë lidhje me shqipen “dyst” = rrafsh apo shesh, por se tani nuk mund të japim ndonjë shpjegim për këtë emërtim.

            Daisios (maj-qershor) është emër mjaft i përhapur ndër ilirë, dhe ka kuptimin “dash”. Ndoshta ka lidhje me flijimet e bëra në atë kohë.

            Loos (korrik-gusht), sipas Malte-Brunit shpjegohet me emrin Lonar që e përdorin shqiptarët për korrikun në kalendarin e ri.

            Gorpiaios (gusht-shtator), duhet të ketë lidhje me fjalën shqipe ‘gjarpër’, ‘gjarpij’.

            Malte-Bruni përmend dhe një shprehje të fshatarëve maqedonë ‘Krios’ të cilën ai e lidh etimologjikisht me muajin shqip ‘qershor’.

            Kalendari iliro-epirot

            Ky ishte varianti iliro-epirot i kalendarit lunisolar grek. Ky kalendar përdorej në Ilirinë jugore, Epir dhe në ishullin e Korfuzit. Mekanizmi më i vjetër llogaritës i quajtur “mekanizmi i Antikytherës” nga shekulli I p.e.s. që shërbente si kalkulator mekanik për njehësimin e kohës, i gjetur në detin Egje, punonte sipas këtij kalendari. Muaji i parë është emërtuar sipas qytetit epirot Phoinike (sot Finiqi afër Sarandës).

            Lista e muajve:

  1. Phoinikaios
  2. Kraneios
  3. Lanotropios
  4. Machaneus
  5. Dodekateus
  6. Eukleios
  7. Artemisios
  8. Psydreis
  9. Gameilios
  10. Agrianios
  11. Panamos
  12. Apellaios

            Në regjionin ku përdorej ky kalendar, gjendej dhe Dodona, ku mbaheshin çdo katër vjet lojërat sportive të quajtura Naa (R. Hannah)

            Kalendari romak (Kalendari i ri apo i sotëm)

            Kalendari që ne përdorim sot është kalendar romak. Në bazë të evoluimit të disa emrave si april-prill dhe august-gusht, ku shihet rënia e a-së nga emrat antikë, dukuri që ka ndodhur në gjuhën shqipe (E. Çabej), mund të thuhet se ky kalendar është përdorur nga një pjesë e popullit shqiptar që nga koha romake, pa ndërprerje. Muajt e këtij kalendari kanë vetëm 28, 29, 30 apo 31 ditë. Në zanafillë kanë qenë muaj hënorë dhe zgjasnin 29.5 ditë. Ndryshimet e mëvonshme  gjatë kohës antike, kanë bërë që muajt e këtij viti të mos kenë paralelizëm të plotë me ciklin hënor, duke qenë për 1-2 ditë më të gjatë (R. Hysa).

            Muaji i parë i vitit, janari, në të kaluarën është quajtur kallnor, kallnduer, që duhet të vijë nga fjala ‘kalendar’ (Rr. Zojzi). Emri kollozhek që është ruajtur diku-diku, është huazim nga bullgarishtja. Emri kallndor është përdorur që nga koha antike.

Muaji i dytë, është quajtur gjithnjë fruer, fror, që rrjedh nga lat. februar. Edhe ky duke gjykuar në bazë të evoluimit të emrit, duhet të jetë përdorur nga koha antike.

            Muaji i katërt, prilli, rrjedh nga emri i Afroditës. Kjo hyjneshë me prejardhje pellazge me kuptimin ‘afron-ditën’ (A. Kolja), tek mesapët dhe etruskët u quajt Aprodita (N. V. Falaski). Nga kjo muaji u quajt Aprilis në latinisht (W. O’Neil). Dita e parë (1 prill) i kushtohej po kësaj hyjneshe dhe quhej Veneralia (W. W. Fowler). Kjo nga ana tjetër tregon për një lidhje apo ngjashmëri mes kalendarit romak dhe kalendarit të lashtë shqiptar në kohën antike, meqenëse prilli është i vendosur tërësisht brenda periudhës kur është “Pranvera” në kalendarin e lashtë, që ne e shpjeguam se rrjedh nga emri i po të njëjtës hyjneshë (Prenda). Kjo dhe ngjashmëri tjera që i përmendëm, si p.sh ditët e ujqve në dimër dhe Luperkalia romake më 15 shkurt, Festa e Zanave më 6 gusht dhe e Dianës romake më 15 gusht, janë përkime që flasin për një zanafillë të përbashkët pellazgjike të këtyre kalendarëve, ose në të kundërt për një ndikim të fortë të ilirëve mbi kulturën romake.

            Muaji romak ‘jun’, ose u shqipërua nga ana e popullit si qershor, në bazë të qershive, ose në të kundërt siç mendon Malte-Bruni do të ketë qenë përdorur që më parë nga iliro-maqedonët dhe vetëm i është mbivënë si emër muajit romak.

            Muaji romak ‘jul’ tek shqiptarët u quajt korrik, sepse hynte i tëri brenda asaj periudhe, që në kalendarin e lashtë quhej “Korrik”.

            Muaji gusht është derivat fonetik i emrit August. Kjo tregon që ky muaj është përdorur nga shqiptarët pa ndërprerje që nga koha e sundimit romak. Edhe këtij iu dha emri shqip djegagur.

            Muajt shtator, tetor dhe nëntor, ndryshe quhen edhe britmi i parë, britmi i dytë dhe britmi i tretë. Një formë tjetër është vjeshtë (e parë, e dytë, e tretë).

            Tetori, nëntori dhe dhjetori, janë quajtur edhe me emra shenjtorësh: tetori – shmitri, nëntori – shëmhilli, dhjetori – shëndreu, sipas festave që mbaheshin në këta muaj nga ana e besimtarëve të krishterë.

            Emërtime të tjera në shqip që janë përdorur: për dhjetorin – dimëror, nëntorin – brymuer apo brymor, etj.

            Përfundim

            Siç shihet kalendari romak nuk ka ndikuar aspak mbi kelandarin e lashtë shqiptar. Madje kjo shihet edhe në përdorimin e tyre paralel, si kalendari i lashtë me emra burimorë shqip (p.sh. Kryet e motmotit) dhe kalendari romak zakonisht me emra krishterë (p.sh. Shëngjergji). Në të vërtetë kalendari i lashtë, siç e shtjelluam më lart, ka ndikuar në kalendarin romak në përdorim brenda Shqipërisë, duke i dhënë emra shqip disa muajve. Rrjedhimisht, kalendari i lashtë në formën e pastër siç është ruajtur është një pasuri e madhe e folklorit dhe qytetërimit shqiptar. Ndërsa kalendarët e tjerë, iliro-epirot dhe maqedon, si dhe kalenari romak me ndikime nga folklori shqiptar, paraqesin gjithashtu një pasuri kulturore të së kaluarës iliro-shqiptare.

            Literatura:

 

  1. “The Seven Day Circle: The History and Meaning of the Week”, Eviatar Zerubavel
  2. Buletini i Institutit të Shkencavet, “Gjurmët e nji kalendari primitiv në popullin t’onë”, Rrok Zojzi, vj. 1949, Nr. 31, fq. 85-112
  3. “Prozë popullore nga Drenica”, Anton Çetta
  4. “Mitologjia ndër shqiptarë”, Mark Tirta, Tiranë, 2004
  5. “The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture”, Robert Elsie
  6. “Kanuni i Lekë Dukagjinit – varianti i Pukës”, Xhemal Meçi
  7. “Tradita bujqësore të shqiptarëve”, Spiro Shkurti
  8. “Fjalor i Astronomisë”, Ramazan Hysa, 1978
  9. “The Albanians: an ethnic history from prehistoric times to the present” Edwin E. Jacques
  10. “The Greeks in Bactria and India”, William Woodthorpe Tarn (faqe 64)
  11. “Civil calendar and lunar calendar in ancient Egypt”, L. Depuydt, (faqe 13)
  12. “Origines kalendariæ Hellenicæ; or, The history of the primitive calendar among the Greeks”, Edward Greswell
  13. “Calendars in Antiquity: Empires, States, and Societies”, Universiteti Oksfordit, (faqe 257)
  14. “Greek and Roman Chronology: Calendars and Years in Classical Antiquity”, Volume 1, Part 7, Alan Edouard Samuel (faqe 84)
  15. “Time in Antiquity”, Robert Hannah (90)
  16. “Universal Geography, Or, A Description of All Parts of the World”, Conrad Malte-Brun, (faqe 110)
  17. “Pellazgët, ilirët, etruskët, shqiptarët”, Nermin Vlora Falaski, Prishtinë, 2004 (faqe 169, 170)
  18. “Time and the Calendars”, William M. O’Neil, (faqe 82)
  19. “The Roman Festivals of the Period of the Republic” W. Warde Fowler, (faqe 67)
  20. “Fjalor i gjuhës shqipe”, Instituti i shkencavet, Tiranë, 1954
  21. “Gjuha e perëndive”, Aristidh Kolja
  22. “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, Aristidh Kolja
  23. Prof. Dr. Ukë Xhemaj, intervistë, http://www.sa-kra.ch/festashengjergj.htm
  24. “Studime gjuhësore”, V, Eqrem Çabej, Prishtinë, 1975
  25. “Trajtime dhe studime etnologjike”, Kadri Halimi, (faqe 300)
Shperndaje ne

The Author

Genc KASTRATI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.