Poetet kanë vetëm ditëlindje ,Lazi Gusho i Poradecit

Lazgush_poradeci

fahri_xharra_webNe kapërcyell te shekullit te XIX, ne 27 dhjetor 1899, lindi nositi i lirikes shqipe, Lasgush Poradeci. Kritika zyrtare përmes lakenjve te vet, për 50 vjet me radhe, mundohej ta emërtonte si Askush Poradeci, por lirikat e tij ushqenin si burim i nëndheshëm poezinë shqipe. Çdo shqiptar qe kishte ndjesi estetike dhe poetike e pagëzonte si princin e lirikes shqipe. Keshtu ka mbetur, përherë madhështor si kur përdorte vargun naimjan” perendim i vagelluar mbi liqerin pa kufir”, apo vargun modern ” se sdashuroja as une as ti/ por dashuronte dashuria”. Poetet kane vetëm ditëlindje…Gëzuar Princ i lirikes shqipe… ( ngaDorian Koçi )

Lasgush Poradeci me mënyrën e tij po i thoshte Kadaresë: “E kam marrë vesh miku im atë që ke bërë me Enver Hoxhën, dhe po të them se është e mrekullueshme, njëlloj si ajo që i bëri Dielli Zeusit. Lasgushi nuk kishte nevojë të thoshte më tepër. Të dy e kuptonin mirë njëri-tjetrin, edhe me pak fjalë. Të thoshin më tepër do të ishte një gjë e rrezikshme për të dy.

Madje edhe kaq sa u tha midis tyre do të mjaftonte për ta xhindosur diktatorin. Vetë fakti që shkrimtari i parë i vendit, Kadareja, dhe poeti më i madh i Shqipërisë së kohës para ardhjes së Enver Hoxhës në pushtet (ndonëse Kadare e quan me bujari poeti më i madh i gjallë duke e vënë edhe mbi vetveten), takoheshin dhe bisedonin ishte një gjë e papëlqyer për diktatorin. Se Lasgushi ishte ura lidhëse mes Kadaresë, që kishte jetuar në diktaturën komuniste që në moshën tetëvjeçare, dhe jetës kulturore të Shqipërisë së mëparshme të cilën Kadareja nuk e kishte njohur por që e tërhiqte jashtëzakonisht. Enver Hoxha donte që shkrimtari i parë i Shqipërisë komuniste të mos kishte asnjë lidhje me jetën kulturore të periudhës para ardhjes së tij në pushtet. Kështu, shpresonte diktatori, shkrimtari i parë i vendit do të mësohet vetëm me diellin e kultit tim.
Kadareja shkruan për Lasgush Poradecin, duke iu referuar një vargu të tij: “Në vjeshtë shtërgjet duhet të dukeshin që këtu, tek niseshin për larg. “Fluturoi dhe shtërg i fundit madhështor me shpirt të gjorë”. Më erdhi të thosha: ku do të nisesh, shtërg i madh, dhe ku do të na lesh ne të gjorëve? (Ismail Kadare: “Ikja e shtërgut”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë, 2003, f. 80)

Lasgushi ishte i izoluar dhe i përkiste më tepër botës së të vdekurve se asaj të të gjallëve. Kadare kishte pasur një lidhje të fortë me Lasgush Poradecin, ndonëse kjo nuk ishte bërë e njohur në atë kohë, se Lasgushi ishte dënuar me heshtje dhe mosbotim nga regjimi komunist. Kadare shkruan në librin e tij për Lasgushin, me titull “Ikja e shtërgut”, të cilin e kishte shkruar që në 1986:

E kisha dashur përherë Lasgush Poradecin, me një dashuri të veçantë, që kishte gjithmonë brenda saj një brengë, një qor­tim. Por, edhe dashuria për të, edhe brenga edhe qortimi ishin të një përmase të veçantë, përtej të zakonshmes, gati-gati misterioze.

Ishte braktisur diçka që s’duhej braktisur. Ishte shkelur me këmbë ëndrra. Nga sallat tona të mbledhjeve, të ndriçuara bruta­lisht, dukej sikur ai, munguesi i madh, kishte marrë pranimin e përkorë të llambadarëve të vjetër, për të stolisur me të sarko­fagun e vet. (Ismail Kadare: “Ikja e shtërgut”, “Onufri”, Tiranë, 2003, f. 46)

Si do të vdesësh dhe do të më lesh të vetëm në kohën time të dytë, o shtërg legjendar? Prej vitesh ishte dhe s’ishte. E kishin mënjanuar, mungonte në të gjitha ceremonitë. Dhe ndoshta pikërisht midis ceremonisë, pranimit të festës, niste qortimi për të. Por, edhe ai vetë, si çdo gjë tjetër që lidhej me të, ishte e tjetërfartë, e përgjithshme, flu, më tepër qortim ikonash…

Në Pogradec, që në fillim të viteve gjashtëdhjetë, në atë qytet jetonte një pjesë të madhe të vitit Lasgushi. Vetë takimet e shpeshta të Kadaresë me Lasgushin nuk mund të shiheshin me sy të mirë nga regjimi komunist, se Lasgushi ishte një poet faktikisht i ndaluar nga regjimi. Të dy të mëdhenjtë, Kadareja dhe Poradeci e kuptonin shumë mirë njëri tjetrin. Pasi kishte bërë një vepër të madhe letrare para vitit 1944, Lasgushi mund t’ ia lejonte vetes luksin që të mos shkruante më në kohën e regjimit komunist.

Miqësia me Lasgushin ka pasur një rëndësi të madhe psikologjike për Kadarenë, se Lasgushi ishte ndoshta i vetmi njeri që mund të ishte i pranishëm në kohën e dytë të shkrimtarit Kadare, në kalendarin e tij të dytë. Prandaj Kadareja shkruan për Lasgush Poradecin, duke iu referuar një vargu të tij:”Si do të vdesësh dhe do të më lesh të vetëm në kohën time të dytë, o shtërg legjendar? “

Më shumë , në Shqiptarja

Fahri Xharra, 27.12.15
Gjakovë

Shperndaje ne

The Author

Fahri Xharra

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.