ZBATIMI I STANDARDIT NË PËRDORIMIN ZYRTAR E PUBLIK

i_zberthyer

prof_Zymer Mehani

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Çfarë mungon sot është para së gjithash vullneti për ta imponuar standardin në tekstet publike, vullnet i cili, në rrethana normale, do të manifestohej me pjesëmarrjen aktive të redaktorëve gjuhësorë ose të korrektorëve teknikë, në përgatitjen e teksteve për botim. Siç dihet, dhe siç e tregon përvoja e trajtimit të ligjërimit publik në anglishte, frëngjishte, gjermanishte, rusishte, italishte dhe në çdo gjuhë tjetër që mëton t’i japë formë një kulture qytetare të organizuar, janë pikërisht këta filtra, së bashku me vullnetin institucional në mbështetje të formave gjuhësore të rregullta që sigurojnë mirëmbajtjen e standardit në kohë dhe në hapësirë. P.sh., në Francë përdorimi i standardit mbrohet me ligj.
Për zbatimin e drejtë të gjuhës standarde në përdorimin zyrtar e publik është me interes të ndërmerren nismat vijuese:
-t’i kushtohet vëmendje më e madhe edukimit gjuhësor të nxënësve e studentëve në të gjitha institucionet arsimore dhe të ngrihet cilësia në këtë veprimtari;
-të vihet bashkëpunim i ngushtë midis institucioneve shtetërore dhe institucioneve shkencore, mediale e arsimore për çështjen e përdorimit të drejtë të gjuhës standarde;
-të ngrihen komisione të veçanta gjuhësore-profesionale në shkallë komunash dhe në shkallë vendi, në ministri të ndryshme etj.;
-këto komisione te kenë mbështetjen e institucioneve shtetërore jo vetëm morale, por edhe ligjore;
-të kërkohet që asambletë komunale ta fusin në rregulloret e punës përdorimin e drejtë të gjuhës standarde në vendet publike, prandaj edhe përmirësimin e shumë mbishkrimeve të gabueshme në vendet publike;
-të kërkohet nga ministria përkatëse që të përgatisë ligjin për përdorimin e drejtë të gjuhës standarde në të gjitha fushat ku do të parashihej edhe sanksionimi ligjor për papërgjegjësitë dhe për shkarjet gjuhësore;
-të kërkohet nga Kuvendi i Kosovës që të miratojë ligjin për gjuhën standarde, siç veprohet në shumë vende të tjera;
Lidhur më këtë problematikë prof. dr. Hasan Mujaj mendon se ‘‘ vetëm në këtë mënyrë do të mund të ndryshojë gjendja e tashme e përdorimit të gabueshëm të gjuhës standarde në paraqitjet publike.’’ (Hasan Mujaj, Kërkime sociolinguistike, Prishtinë, 2012, f. 170).

Shperndaje ne
Updated: 12 Shtator, 2016 — 04:50

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.