Histori Kombëtare: Përpjekjet për liri

14522767_133741630424424_6874752254594129543_n

 

prof_Zymer Mehani

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

(Shkëputur nga libri “SH Q I P T A R Ë T” të George Fred Williams, Tiranë – Shtypshkronja “Dielli” – 1934 )

Çdo popull i shtypur ka të drejtë të shkundë zgjedhën e tij dhe në qoftë se Shqiptarët janë mërzitur e lodhur nga zgjedha turke dhe qeverimi i keq i saj dhe dëshirojnë me qenë të pavarur, kanë urimet e mia më të përzemërta për ta. Është e vërtetë që drejtpërsëdrejti nuk mund të bëj kurrgjë për ta, por kur plani i juaj ka dalë me të vërtetë fitues, flamuri turk të jetë zhdukur dhe pavarësia Shqiptare të jetë shpallur, le të deklarohet qeveria juaj zyrtarisht dhe Anglia do të jetë e para fuqi që do njohë pavarësinë Shqiptare. Unë do të mundohem me gjithë shpirt me ndikuar edhe mbi të tjerët që të ndjekin këtë shembull. Gladstone, Kryeministër i Britanisë, 1880
Për sa përmban historia e re, kjo është fjala më e mirë për Shqipërinë e dalur nga një burim zyrtar. Kjo kishte të paktën shpirtin e simpatisë dhe në qoftë se Kryeministri i tanishëm i Anglisë thotë kaq e jo më tepër për formimin e një qeverie të perkohshme në Shqipëri do të jetë një punë e lehtë për ta bërë Shqipërinë të lirë dhe të pavarur. Kur kam folur për robërinë e Shqiptarëve nën Turqi, nuk kam patur në mendje mizori, tortura, vrasje dhe therje. Këto veprime bien mbi persona të veçuar të cilët vuajnë, vdesin dhe harrohen. Shkenca e torturës, thelbi i tiranisë dhe djallëzia e vrasjes janë në kulmin e tyre kur i drejtohen një grupi dhe shpirtit e jetës së një shteti. Duket si e pamundur që një qeveri të tregojë haptazi vendimin e vet për të shkatërruar lumtërinë e për të mohuar shpresat dhe dëshirat e një populli nën sundim. Por kjo është historia e tmerrshme e Turqisë në Shqipëri. Malësorët trima nuk u shtruan kurrë dhe shumica e tyre kundërshtuan edhe pagesen e taksave. Ata vdisnin në grupe pse rrinin së bashku për t’u mbrojtur nga mësymjet e herë pas herëshme të ushtrive turke, të cilave kurrë s’ia lëshuan shtëpitë e tyre. Por ata nuk mund të rnbronin edhe fushat ku ishte mundësia më e madhe e përparimit dhe qytetërimit. Për Turqinë, fushat kishin dy vlera: e para si burim të ardhurash dhe e dyta për të mbledhur ushtarë. Popullit i vinin taksa të mëdha që i mblidhnin pa mëshirë. Taksat dërgoheshin në Turqi dhe shumë pak shpenzoheshin në vend. Në këtë mënyrë e ropi Turqia pasurinë e vendit. San Xhuliano, tani vonë ministër i jashtëm i Italisë, thotë se qyteti i Vlorës paguante 1’000’000 franga në vit dhe vetëm 20’000 shpenzoheshin aty. Gjithashtu edhe në Vilajetin e Janinës mblidheshin 9’000’000 franga, prej tq cilave vetqm 2’000’000 shpenzoheshin për atë vilajet.
Mbledhja e ushtarëve
Por e ardhura tjetër ishte edhe më e vlefshme. Shqipëria nxirrte pothuaj ushtarët më trima në Europë. Malësorët Shqiptarë të lartë, të fortë e të pafrikshëm, përbënin gardën e Sulltanit. Mirditasit dhe malësorët përgjithsisht viheshin në pjesët më me rëndesi të ushtrive turke. Shumë prej tyre morën lavdërime dhe pozita të larta si në ushtri ashtu edhe në administratë. Edhe në ditët e Romës pat qenë ideja për ta bërë Shqipërinë një fole për rritje dhe nxjerrje luftëtarësh, por Turqit e përmbushën këtë ide. Duhet shënuar se po të ishte Shqipëria e përparuar, e edukuar dhe e lumtur, nuk do t’i jepte ushtarë Turqisë. Për këtë arsye padituria, veçimi i saj nga bota e përparuar dhe varfëria u zgjodhën prej turqëve si vegla për të mbajtur nën thembër këtë popull trim.
Coptimi i vendit
Siç duket, ishte vendosur në çdo fuqi mendore zhvleftësimi moral, intelektual, shpirtëror, ekonomik dhe politik i këtij populli. Zyrtarët që të gjithë ishin të pasjellshëm; të ashtëqujturat salla të drejtësisë, gjyqet, nuk mbronin as persona as pasuri. Njerëzit viheshin në burg me dëshmira të fshehta. Gjithë lëvizjet për bashkim prisheshin nga nëpunësit e pashpirt dhe gjithë masat për punë e industri pengoheshin nga tagrambledhësit. Mund të thuhet se këto janë kondita edhe në vende të tjera të nënurdhëruara, por jo kaq sistematikisht. Miniera ari patën qenë punuar prej Romakëve e argjendi prej venedikasve. Këto patën qenë mbyllur shumë kohë përpara me urdhër qeveritar dhe tani as vendi nuk u dihet. Pyje të mëdha shkonin më kot dhe kalbeshin për arsyera ligjore dhe transportimi. Ndërsa në shtetet e tjera të Europës ka një endje të madhe hekurudhash, ky vend nuk ka asnjë rrugë hekuri prej Veriu në Jug. Fuqira të mëdha ujrash nuk përdoren; porte shumë të mirë janë pa mbrojtje dhe pa ndërtesa doganore. Lumenj, nëër të cilët duhej të lundronin avullore me transportuar lëndët e pyjeve në tregjet botëore, janë të vdekur e të padobishëm. Përveç ç’ka lanë Romakët, rrugë të tjera nuk ka; një njeri për të shëtitur prej bregut në brendinë e vendit ose prej një qyteti në tjetrin, duhet të shkojë mbas gjurmave ose nëpër ndonjë rrugë qorre. Portet e sigurtë dhe hekurudhat do të ishin mjete për të bashkuar Shqipërinë me botën e jashtme dhe rrugët e gjëra do ta bënin të lehtë kalimin prej një qyteti në tjetrin. Por ndërlidhje të tilla do t’i kujtonin popullit dobinë e qytetërimit dhe do të bëheshin shkak kundërshtimesh dhe kryengritjesh. Parimi i mallkuar për të mbajtur këtë vend të veçuar, si brenda me njëri-tjetrin ashtu dhe me botën e jashtme, ishte shkak që e la këtë vend të verbët e të errët, ndërsa nëpunësit e Turqisë mbushën botën e jashtme me propaganda mbi egërsinë e këtij populli dhe rreziqet e udhëtimit në këtë vend. Por historitë dhe shënimet nuk tregojnë për ndonjë të huaj që u gjend ndonjë herë në rrezik në tokën Shqiptare; doemos ata që nuk prunë me vehte ndonjë komplot ose tjetër qëllim të keq për popullin. Përgjithësisht çmohet mikpritja e Shqiptarëve prej atyre të huajve sa më tepër që ata e vizituan këtë vend me qëllim miqsor. Në këtë tokë me fjalën qytet quajmë një vend që nuk ka më shumë se 40’000 banorë.
Një tokë e begatë
Në Shqipëri ka fusha të mëdha dhe pjellore të cilat mund të ushqenin miliona, por tani ato vetëm gërricen me një parmendë druri e nuk punohen. Shumica e tyre janë të mbuluara me barishte të padobishme ku kullos bagëtia e dobët e vendit. Minierat janë të pagërmuara e të paditura. Ata më me dituri në mineralogji thonë se toka Shqiptare ka qymyr guri, vajguri, hekur, asfalt e bakër, por zbulimi dhe shfrytëzimi i tyre nuk është lejuar kurrë. Prodhimi i të lashtave, misrit, ullijve, pemëve e vreshtave, po të përpunoheshin do të ishte shumë i madh, ndërsa peshku nuk ka të sosur. I shkreti bujk, me që të shumtën e veglave si dhe kaun me nga tokën shpesh herë i merrte me qera nga se do të paguante medoemos e me çdo sakrificë taksat e rënda, edhe pse vetvetiu i varfër nga rrjedhat e kohëve, ndalëngadalë la punimin e tokës që nën një punim të mirë mund të nxirrte miliona e u vu të ruajë ato pak bagëti që pati dhe toka pjellore u la pothuaj krejtësisht si vend kullotë. Por edhe bagëtia e tij është në një gjendje shumë të keqe; leshi nga ashpërsia e tij ka një vlerë shumë të pakët dhe raca e bagëtisë se tij nuk është përtërirë kurrë. Sasia e madhe e lëkurëve shkon më kot për pamundësinë e transportit dhe për padijen e përgatitjes së tyre. Pa shikoni! Sa keq! Në mes të Europës një tokë e pasur, një tokë pjellore të ndodhet në këtë gjendjë si me qenë në mes të një shkretëtire!
Parimi i zhvleftësimit
Shqipëria ka plot gojëdhana të së kaluarës por turqit nuk lejonin gërmime, gjë që mund t’i sillte ndërmend këtij populli lulëzimin e parë. Mësimi i gjuhës Shqipe ishte krejt i ndaluar në çfardo shkolle. Sot nuk ka ndonje alfabet të caktuar, s’ka shtypshkronja që të shtypin gazeta dhe libra për këtë popull. Rregullat turke arrestonin dhe internonin ata të cilëve u gjenin qoftë edhe në postë libra të çdo lloji në gjuhën Shqipe. Gjuha e Shqiptarve duhej të heshte për hir të sunduesit. Që mos me u dhënë raste për bashkim për të kërkuar lirinë dhe të drejtat e tyre, turqit ndiznin dhe shtonin çdo ditë e më tepër armiqësinë në mes familjeve, lagjeve, katundeve dhe besimeve të ndryshme. Fanatizma dhe shpërblimet që merrnin kryetarët e vendit kanë qenë helmi më i fortë për të mëkëmbë çdo të keqe dhe kanë rënduar zgjedhën e kanë penguar përparimin. Djali katundar i lindur në Shqipëri u rrit krejt i paditur për arsye se Turqia lejoi të hapen shumë pak shkolla në gjuhën e saj, përveç atyre të huaja; kështu që mos të zgjohej mendja, shpresa dhe ambicja e të riut Shqiptar. Babai i shkretë, i mbytur në varfërinë e tij, mund t’i jepte djalit të vet vetëm një rrugë jashtë shtetit duke e dërguar në Stamboll ku medoemos do t’i përshtatej jetës ushtarake, do të gufosesh nën një uniformë me xhufka dhe do të ushqehesh nga kazani i mbretit. Megjithatë kurrë nuk e pa të arsyeshme sundimtari turk zgjimin e djalit Shqiptar.

Shperndaje ne
Updated: 13 Nëntor, 2016 — 15:42

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.