Një komb atdhetdashës

14731100_907449226052213_8178774875479257395_n

 

prof_Zymer Mehani

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

(Shkëputur nga libri “SH Q I P T A R Ë T” të George Fred Williams, Tiranë – Shtypshkronja “Dielli” – 1934 )

Malsorët trima u pergjigjën menjëherë. Pikërisht si zëri që ushtoi nëpër shpatet e maleve të Zvicrës në veshët e Hapsburgëve, edhe zhurma e burisë së tyre mbërriti deri në muret e sallave të Uestminsterit të Londrës. Populli trim i Shqipërisë nuk u tmerrua nga fuqia Europiane. Ata që kishin luftuar një tirani do të luftonin edhe një tjeter. Ata kishin vënë para fjalën DREJTESI dhe për çdo marrëveshtje që thirreshin me bërë, përgjigjeshin: “Dëboni një herë princin tuaj”. Prej Epiri e deri në thellësinë e maleve të Veriut u zgjua një kundërshtim ndaj princit. Nga kjo gjë agjentët e Europës dridheshin në portin e Durrësit dhe më në fund e lanë tokën Shqiptare. Këto atdhetare nuk priheshin nga diplomatë dinakë ose të tërhiqeshin nga hunda prej ministrash a parlamentarësh. Ata ishin vetëm njerëz të lirë që luftonin për lirinë e tyre dhe të cilët duhet të priten nga Amerikanët në tempullin e patriotëve.
Amerika nuk e din
Por Amerika rri në heshtje. A nuk ka vapore me kryqzuar detërat për të shpëtuar barinjtë, emigrantët e Vlorës? Asnjë shtet nuk u mundua me iu ardhur në ndihmë në vuajtjet e rënda këtyre viktimave të diplomacisë së padrejtë të Europës. Populli i Shteteve të Bashkuara nuk e di faktin që unë po i shkruaj këto fletë vetëm për t’i parashtruar këtyre ndodhinë e dhimshme të Shqiptarëve trima, të cilët lypin lirinë e tyre, të fëmijve dhe të nipërve të tyre. Mundet që unë jam gabim duke vënë mëshirën dhe bamirësinë më në fund, mirëpo tirania ka luajtur një rol të tmerrshëm mbi këtë popull, edhe pse pak mijra njerëz duke lutur hyjnitë nëpër shpatet e maleve të tyre nuk numërojnë mjaft. Ajo që numëron më teper është nëse duhet të ketë apo jo ky popull lirinë dhe shpëtimin e vet të brezave të ardhshëm.
Çfar mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Anton Arnu, një gazetar i shquar frëng, më 19 Dhjetor të vitit të kaluar tha për Shqipërinë: “Me një popullsi më pak se një milion dhe me një sipërfaqe afro 34299 km katror, Shqiqëria është një vend i pazhvilluar dhe populli i pafat i saj është duke vdekur. Kjo rrjedh drejtpërsëdrejti nga sundimi i keq dhe i padrejtë gjatë shekujve. Praktikisht s’ka rrugë e ura e asnjë udhë hekuri, s’ka të holla ose kredit dhe është e rrethuar nga të gjitha anët prej luftash përveç ballit të Greqisë, por edhe këndej është viktimë e intrigave. Përsëri ata meritojnë të jenë më mirë. Ata nuk vodhën Pjetrin për të paguar Palin; ata nuk kanë qenë fallco në punën e tyre. Shqiptarët janë një popull i mirë por mjerisht pa agjentë shtypi”. “Pa agjenta shtypi!” E vërtetë! Si popull i panjohur ka nevojë për agjentë shtypi që historia e Shqiptarëve t’i bëhet e ditur popullit Amerikan, t’i bëhet e ditur edhe se Shqiptarët janë burra dhe gra simpatike, mëshironjës e liridashës, në mënyrë që Amerika t’i japi dorën këtij populli për ta ngritur nga mjerimi në një jetë të rë e të lirë. Bajroni e vizitoi këtë tokë por kaloi për të ndihmuar lirinë greke, ndërsa Gladstone qe mbrojtës i Malit Zi. Emrat e tyre janë të çmuar në jetëshkrimin e shteteve që ata përkrahën. Gjithashtu edhe disa njerëz besnikë Amerikanë mund të punojnë për lirinë e Shqipërisë.
Bamirësi apo drejtësi
E kuptoj se mendimi më i parë dhe e para gjë që populli i jonë do të thotë është se “Amerika nuk duhet të zhysi duart në punët e përgjakshme të Europës”. Por në anën tjetër, çdo rast për bamirësi prej nesh është i mirëpritur. Miliona dollarë po kalojnë oqeanin për t’u ardhë në ndihmë viktimave të luftës që vuajnë në Belgjikë, në Rusi, në Serbi dhe në Francë. Sigurisht, mëshira për të shpëtuar edhe popullin e përvujtur Shqiptar do të tërheqi patjetër zemrën e popullit Amerikan. Por nuk është punë e mirë me mëkëmbur këtë popull vetëm për të ngjallë viktima të reja për në frontin e tiranisë, padrejtësisë dhe të varfërisë. Mbi këtë popull ndihma për ta nxjerrë nga varfëria dhe ndihma për t’i siguruar lirinë duhet të shkojnë doradorës. Që Shqipëria është përdorur shumë keq prej Europës s’ka dyshim. Për t’u dhënë fund gjithë padrejtësive mund të përdoret vetëm e drejta. Edhe tani Shqiptarët janë me armë në dorë kundër Italisë e Greqisë që ua kanë pushtuar tokën; dhënia fund e kësaj do të sjellë paqen. Lufta Europiane e ka lënë Shqipërinë pa qeveri e të humbur në mes të shteteve të tjerë. Të formuarit e një vetqeverimi është një premtim për pavarësi të plotë.
Shqipëria e pavarur Në qoftë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin dorën parisë Shqiptare duke i mbledhur së bashku për të zgjedhur nëpunsat e vendit dhe për të vënë përpara një statut, ata do të bëjnë atë që Europa nuk mundi ta bëjë, gjë të cilën medoemos do ta shohë të arësyeshme. Europa nuk duhet të tregohet e pakënaqur për një qeveri që i pelqen popullit vetë. Gjashtë fuqitë Europiane krijuan shtetin e lirë të Shqipërisë, por duke mos qenë të zotët me themeluar një qeveri e lanë këtë vend në dorë të fatit. Megjithëse marrëveshja e Londrës u prish nga lufta, pavarësia Shqiptare nuk mbeti e pa bërë. Nuk ka fuqi tjetër në faqen e tokës që të kërkojë të drejtë mbi këtë vend tani veç popullit Shqiptar. Italia dhe Greqia që kanë shtyrë ushtritë e veta në Shqipëri thonë se e bënë këtë vetëm për të mbrojtur pasurinë dhe jetën e vendasve. Populli i Shteteve te Bashkuara mundet ta ndihmojë këtë popull duke iu siguruar paqen dhe duke larguar anarkinë. Mundet që t’i udhëheqi Shqiptarët me formuar një qeveri të përkohshme edhe deri sa këta të vihen në udhën e drejtë të punës e të përparojnë në vetqeverimin e tyre. Nuk e mohoj faktin se gjithë këto që thashë mund të mos realizohen plotësisht, por çdo hap në nxjerrjen e lirisë së tyre, e sa do i vogël qoftë, nuk është kurrë i kotë. Mundime të tilla doemos do të shoqërohen me përfundime të zyrtarve të lartë të qeverive Europiane. Sër Eduard Grei mund t’i përsërisi fjalët e bukura të Gladstonit dhe të gjithë njerzit nën armë duhet të presin më gëzim një qeveri të rregullt. Në qoftë se me gjithë ndihmat e dhëna bashkimi Shqiptar nuk bëhet, atëhere faji bie mbi Shqiptarët vetë. Ata nuk mund të shpresojnë kurrë më për kushte më të favorshme se këto të sotmet për të fituar lirinë dhe vetqeverimin e tyre.

Shperndaje ne
Updated: 13 Nëntor, 2016 — 18:43

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.