ATDHE GECI: Liria kurrë s´është vepër e një njeriu.

LIBRI, TROJA E SË VËRTETËS

Nuk ka datë më të rëndësishme se lindja e gjuhës dhe shkronjave, se fryma e shkrimit, libri. Atdheu mësues të jetës së tij i ka luftërat dhe betejat, librat që atë e pasurojnë. Në kthesat e mëdha historike, librat janë udhërrëfyes të shkëlqyer të ngjarjeve nëpër kohë. Libri jo rralë është sovran më vete. Marrëdhënia libër-lexues vazhdon.

Liria kurrë s´është vepër e një njeriu. Njeriu i pa liri përherë është në luftë për ta fituar atë që e ka humbur dhe që i mungon. Ndryshimet dhe përmbysjet e mëdha nuk guxojnë të lihen në duart të prijetarëve të lodhur. Forca e ndryshimit popullor tek ne ditë e përditë është në rënie e sipër. Nuk bien qeveritë e korruptuara e antikombëtare pa grushtin vendimtar të sovranit popull. Revolucionet në letërsi po edhe në politikë do rikthehen në çastin kur sovrani popull vetëdijësohet për ndryshim. Erakthyer e revolucioneve është e pashmangshme. Revolucionet herët a vonë do ta çlirojnë njeriun e poshtëruar nga papunësia, mashtrimi, korrupsioni dhe vjedhja e pushtetit dhe shkelja e të drejtave.

Në këtë udhë të mistershme për lirinë, poeti nuk di të shkëputet nga koha e tij! Liri quajmë, dora që shkruan, zëri që flet dhe, zoti që shikon!…Nga Rogana e kam një mirënjohje, jo nga njerëzit, por, nga muza e tokës dhe qiellit, nga argjila e grurit dhe misrit, nga gjithësia e mendimeve të vendlindjes sime.

Roganë, unë botën e shoh si është. Lindjet që nuk vdesin janë imazhi im, e përditshmja e sotme dhe e përditshmja e nesërme. Të mirat e jetës janë të pafundme, heroike. Faraemirë, një pemë molle ka çelë në mua / rrënjët e saj i kam nëpër trup / ajo pemë është qenia ime / ajo pemë është jeta ime në mua!…

Nëpër një udhën me ré e shi, më duhet t´i trokas mendjes e mendimeve që  krijoj një përbashkim idesh e motivesh për Atdheun. Zemër nuk ka udhë as urë të shtruar ku mund të kalohet përtej të sotmes pa kaluar nëpër të sotmen. Udhët e ajrit dhe reve me shi janë kënaqësi e tokës, kënaqësi e bimëve dhe kënaqësi e atyre që këndojnë, mbjellin dhe dinë të dashurojnë. Faraemirë, ky çast është i yti / plakur jemi fushave të betejave / historia, kjo elegji e pakryer / ende mbetet gjykatëse nën hije! Arti që ecën përmes simboleve përshkon kohën me mendimin dhe, i nxjerrë jashtë luftërat e padobi.

Trojë e shekullit tim, shkrimtari s´guxon të shtrembëron drejtimin e rrugës së tij. Guximi i shkrimtarit ( në kohën që jeton ) është shumë i rëndësishëm. Me shkrimtarin dhe idetë e tij ecën një popull. Mendja e shkrimtarit është kozmos. Ai as në tragjeditë më të rënda s´guxon të lëkundet. Fati i shkrimtarit është i parathënë nga muza dhe hyjnitë. Këtij fati asnjë krijues s´mund t´i shmanget.

Libër, për të ardhur t´i në jetë, kam kaluar shtigje të gjata kulturimi. Në këtë tokë të atdheut tim, unë e ti u rritëm nga çarjet e dhimbjeve, nga tufani i erërave, nga ashku i puthjeve, nga dridhmat e dashurisë. Prandaj, përderisa të përbashkët të kemi idenë, fjalën, gjuhën, frymën dhe stinët, do të ketë botë, do të ketë libra dhe letërsi, do të ketë vuajtje, dhimbje, dashuri, përqafime dhe liri.

I dashur libër, të vura emrin „Kanuni poetik“, nga një motiv krejt i thjeshtë: të kesh një emër. Dhe të kesh një fat. Fatin që të mos jetosh kurrë kohë të përndjekjeve dhe djegieve si shumë pararendës dhe bashkërendës të kohës që po jetojmë. Libër, ti ndoshta mund të ankohesh se të kam vu barrë dhe mision të vështirë, por ti mos u shqetëso, një libër është më vështirë të shkruhet sesa të lexohet, pra, s´ke përse të mërzitesh, lexuesit herët a vonë do të trokasin tek ti… do të hapin portat e mëdha të zemrës sate, për të marrë nektarin e dashurisë, hiret e madhshtisë dhe të bukurën e betejave të jetës. Dhe të gjitha bashkë, mesazhin e kohës që po jetojmë.

I dashur libër, unë kam rënë në dashuri me librin qysh  në moshë të re. fillimisht drojshëm e më pas ballas e marrëzishëm.

Frymëzimi dhe mundi krijues, me sa duket, është një urdhër qiejsh. Duket i paqtë e i prajshëm si lumenjtë e thellë që brenda kanë rropamën, dhe trazimin… Ngrehina e poezisë së Gecit, shkruan shkrimtari, publicisti, dhe eseisti Rexhep Kasumaj, që jeton e krijon në Berlin, është kullë tempullore. Hijerëndë dhe e trishtë, e madhërishme dhe e bukur. Si vetë jeta që autori e ka transponuar e lëmuar në laboratorin e tij të fshehtë letrar. Sepse i tillë ngjan të jetë ai: një marrëveshje e koduar me hyjnitë e frymëzimit krijues, e paqasshme për vdektarët!..

Ndërsa poeti Llemadeo Lleshi në leximin e tij të parë shkruan; libri i Atdhe Gecit, “Kanuni poetik”, është libër kolos në letërsinë tonë. Për këtë libër do të flasë koha dhe njerëzit, ata që do të dinë ta çmojnë dhe vlerësojnë. Për shkrimtarin e idesë dhe të fjalës sheshi i poezisë është letra  e bardhë, fusha ku poeti i bën betejat.

Libër, shkruan Geci, sa herë jam brenda lotit, brenda dhimbjes, brenda së bukurës, brenda përqafimit unë mund të shkruaj poezi. Poezia për mua është e magjishmja, e brendshmja, hyjnorja. Pra nga dhimbja e gjakshme, nga dhimbja e të jetuarit më shpëtoi poezia.

Idajet Jahaj, poet, Vlorë, në një reçencë të tij shkruan: Poeti Atdhe Geci i takon shekullit më të ri të letërsisë shqipe. Me Atdhe Gecin jam njohur viteve të fundit  nëpërmjet përfshirjes sime në veprimtaritë për njohjen e të drejtave çame, dhe në aktivitetet për Pavarësinë e Çamërisë. Pasioni i Atdhe Gecit  për  poezinë  i tejkalon hapësirat poetike të  kohës që jetojmë. Udha e poezisë në veprat e Atdhe Gecit gjithnjë më ka bërë përshtypje.

Kauza e drejtë e poetit për shkëputjen e Çamërisë nga Greqia është e shtrirë në gjerësi dhe në thellësi të veprës së tij dhe të kërkesave të popullit çamë dhe arvanitë. Në librin „Trokitje çame“ Atdhe Geci ka një gjuhë liriko poetike për të kapur realitetin; /Në lis  mali  e  kam lidhur fjalën / tek më e fismja  pemë e natyrës / te më e kallura llavë e vullkanit / tek më e urta frymë  e  kosmosit… 

Atdhe Geci, përmes vargjeve më epike na e jep tërë tragjedinë e folesë së  shqipes së lashtë e modern tek ato pjese të Shqipërisë që quhen, Çamëri dhe Krahihë e Mollës Gjakut. Koha është tepër e vlershme për gjithsecilin shkrimtar. Poeti Atdhe Geci, shquhet për kauzën kombëtare. I palodhur, energjik e i përkushtuar si rrallëkush tjetër për çështjen kombëtare çame, poezia e Gecit ka kulturën, rreptësinë dhe butësinë e fjalës poetike.

Dielli i Thotit, Zeusit, Kadmit e Apollonit në vargjet e Atdhe Gecit, është syri i shenjtë i dheut kombëtar. Studiuesi dhe patrioti, Aristidh Kola e thoshte hapur: Të paktë janë ata njerëz në Greqi që nuk e kanë gjyshin apo gjyshen arbëror. Atdhe Geci në librin, „Republika e Çamërisë“, shkruan: / Ku është fshehur gjeniu / ai që flet si populli / ai që qan si populli / pyesin nënat, baballarët / pyet Atdheu i zemëruar!…

Poeti, Idajet Jahaj, autor i 50 veprave shkruan; Me poetin Atdhe Gecin, më bashkoi gjuha, gjaku dhe poezia. Kujtesa është një kalë që kurrë nuk ndalon. Falë kujtesës m´u kujtua një poet i shquar nga Kosova dardane, që, para shumë vitesh në Vlorë, tha për poetin vlonjat se ishin njohur “që para lindjes” ! Edhe unë me Atdhe Gecin, jemi njohur para se të lindemi. E vërtetë. Shqiptarët e ndarë padrejtësisht nga faktorët që tash më dihen, vëllazërinë e tyre e kanë ruajtur thellë në gjak. Dhe erdhi dita që kjo vëllazëri të shperthej si dielli i atdheut, ndonëse jo i plotë akoma.

Poeti Atdhe Geci  shkruan për çdo vis të atdheut të tij; Në vargjet poetike të Atdhe Gecit, Çamëria hapet me tri zemrat e saj: Thesprotinë, Molosinë dhe Kaoninë. Lirika patriotike e Atdhe Gecit është shumë e gjerë dhe e bukur: / Jam  fije  bari  i  bimur n´këto troje / Jam  gjuha  shqipe  e  dheut amtar / Në zemër kam të dashurën Kosovë / Në shpirt e kam të lashtën Çamëri…

Poeti Atdhe Geci, i  shkruan  himn  me  shkronja zemre fustanellës çame që ka mahnitur poetin anglez, Bajronin me shokë dhe botën artistike evropiane. Në krijimtarinë poetike të Atdhe Gecit, poeti i këndon me poetizëm shpirtërorë vashave çame aq të hijshme, aq të dashura dhe aq shqiptare, njëjtë si poetët e tjerë kombëtar të Rilindjes. Vargu i poetit Atdhe Gecit lëshon piskama poetike, shkulme atdhetare, gjëmon, ulëret, për të drejtat e kësaj pjese të kombit të shumëvuajtur shqiptar. Lëvizja Kombëtare për Pavarësinë e Çamërisë s´ndalon. Evropa duhet ta dëgjojë këtë zë, këta zëra, këtë gjëmim të drejtash dhe klithmash të një populli të tërë.

Atdhe Geci është Shpallës i Republikës së Çamërisë në Egzil, autor i Himnit të Çamërisë, bashkëautorë i Kushtetutës të Republikës së Çamërisë, botues i Kushtetutës së Republikës së Çamërisë dhe, autor i librit, „Çamëri, kthim në histori, mision“. Poeti Atdhe Geci „Himnin e Çamërisë“ e filigranoi bukur si askush tjetër! Strofa e parë e Himnit;

Çamëri tokë pellazgjike         

Pallë Epiri në lashtësi

Je stërgjyshe e shqiptarëve

Në Dodonë e Iliri

Gjokset tua të përgjakura

Drejt fitores në lavdi…

Himni i Çamërisë i shkruar nga Atdhe Geci, është klithmë, lebeti, kushtrim. Është pushkë ndërgjegjeje që ta dëgjojë Evropa e të drejtave njerëzore. Atdhe Geci e përndritë këtë kushtrim në tërë bimësinë e tij  poetike. Ai numëron në shkrimet e tij çdo kilometer të tokës shqiptare në Greqi, numëron detin, malet, kodrat. Një poezi e pafundme dallgësh poetike. Poezia e Atdhe Gecit në tërë peisazhin e veprës së tij ka veçorinë e meditimit historik, të nëntekstit poetik, të lakonizmit vargëzues.

Poeti Atdhe Geci e ndienë shpirtin e kohës, hynë brenda kohës dhe merr udhën për Çamëri. Kur lexon poezinë e Atdhe Gecit, ke kënaqësinë e një romani lirik atdhetar. Por ajo është poezi dhe si e tillë, përshkohet nga figuracioni i dendur artistik. Libri i Atdhe Gecit „Kanuni poetik“ dhe 10-të librat e tjerë janë det i pambarimtë me shumë tokë, e oqean brenda. Ke shumë dëshirë ta lexosh deri në fund këtë vëllim poetik.

Dy fusha të mëdha të tematikës atdhetare shtjellohen në arealin e eposit luftarak të Atdhe Gecit: Liria dhe etnia janë apogjeu i këtij seriali të madh poezish. Heroizmi i popullit çamë dhe sakrifica e tij për bashkim me Shqipërinë, shpaloset si palë flamuri në metaforikën e poezive të Atdhe Gecit. Të rrëqethin vargjet:

Në Kosovë dhe në Çamëri

nuk ka fushë buke, dhe as

 grykë  mali, as breg lumi

dhe as  oxhak të shtëpive      

pa një të rënë të bukur për liri!…

Ky togfjalësh „të rënë të bukur“ ngërthen një emocion të prekshëm. Ai shpalos ideologjinë atdhetare e njerëzore. E tërë toka shqiptare, viset e ndryshme të atdheut, janë të mbjella me këta „të rënë të bukur“.Ndërsa për Çamërinë, Atdhe Geci shpreh dritë lotin e brezave çamë: Jo më kot Atdhe Geci e ka titulluar librin, „Trokitje çame“. Stuhia e të drejtave të kombit tonë që sot uturon pikërisht me „Trokitjen çame“.

Himni Kombëtar i Çamërisë me tekst të Atdhe Gecit, është një Kryekëngë, një marsh liriko-epik. Ky himn ka linjë melodike të ëmbël, e po aq kumbues e evokues ndaj historisë çame. Në të gjitha vargjet e Himnit të Çamërisë koncetrohen kulmet e historisë sonë, tragjedia çame, ideali kombëtar i saj,..evidenton plagët shekullore, „Gjokset e përgjakura të „Nënës Çamëri“ që mëkojnë këngën shqiptare në këto brigje. „Toka çame është e bekuar dhe e uruar, – thotë himni, prandaj ajo është dritë e Shqipërisë“.

Himni i Çamërisë të rrëmben, të deh me atdhetarizëm, të frymëzon për idealin e drejtësisë dhe aspiratën e Kombit tonë të Unifikuar. Poeti Atdhe Geci në bashkëpunim me

kompozitorin Izet Kallaba, solisten Ylberina I. Avdylin, dhe dy veprimtarët kombëtarë – Xhevdet Hajdarin e Bekim Bytyçin, – realizuan këtë himn madhështor të Çamërisë martire. Është kuptimplotë fakti që këtë himn e realizuan një grup shqiptarësh nga Kosova, çka do të thotë: skaji verior i kombit tonë i këndon skajit tjetër jugor të atdheut…, e kjo tregon se dielli ynë etnik sot është në zenitin e tij.

Ahmet Qeriqi, Shkrimtar, publicist, eseist, luftëtarë i ditëve të para në UÇK-ë e më herët për Çlirimin e Kosovës dhe të çështjes kombëtare. Ahmet Qeriqi, është autor i mbi 40 veprave letrare e studimore. Këtë vështrim për poezinë time nga prof Ahmeti e kam shumë për zemër, lexojeni: Rrustem Geci është emër i njohur i letrave tona. I takon brezit të intelektualëve e veprimtarëve shqiptarë, të cilët në kohën e dhunës dhe robërisë serbe, sidomos në vitet ‘80-’90 të shekullit të kaluar, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë të viseve të robëruara të Shqipërisë,  u detyrua të përcaktohet për rrugën e mërgimit, e cila poetit i hap edhe varrë të reja edhe në botën e perceptimit e komunikimit poetik. Larg Atdheut, larg vendlindjes, brengat, shqetësimet sa vijnë e shtohen. Brengave u shtohen edhe shqetësime të tjera  nga jeta në mërgim, në një vend të huaj, pavarësisht sa mund të jetë mikpritës, sepse “guri i rëndë peshon në vend të vet, sepse guri i shkulur njëherë vështirë ngulet sërish”. Pavarësisht nga këto mesazhe dokësore  shqiptare, jeta është dhënë për ta jetuar, qoftë edhe në dhé të huaj, madje qoftë edhe nën robëri, gjithnjë me aspiratë për çlirim.Alfa dhe omega e krijimtarisë poetike të këtij poeti e veprimtari, ka qenë dhe po mbetet Shqipëria, e cila është një dhe e tërë në shpirtin dhe frymëzimet e tij, por vazhdon të lëngojë e ndarë dhe e përçarë në shumë pjesë, si moti e tani. Vazhdon të jetë zë i ngritur peshë në ndërgjegje të tradhtuar të Evropës plakë e njerkë në të njëjtën kohë, sepse:

Zemrën e kam të fortë 
po trupin në pesë pjesë 
më shumë se një shekull 
jam nën degë të rrufesë!..

Zemrën e kam të fortë

po trupin në pesë pjesë

e v r o p a t më copëtuan

kur Evropa s´ish e drejtë.

(Çka tha liria)

Poeti mediton e shkruan për një Shqipëri, që përballoi sunduesit më të egër të botës, fqinjët më grabitqarë e hileqarë që i njeh historia, një Shqipëri që edhe kështu si është nuk jepet, sado e mekur, sado e keqtrajtuar, sado e ndarë dhe e nakatosur. Me besimin e patundur për realizimin e aspiratave të natyrshme të bashkimit të pjesëve në një tërësi, me besimin e poetit që kurrë nuk e tradhtoi poezinë e fjalën e lirë, me entuziazmin e intelektualit që kurrë nuk dorëzohet, ai porosit:

Rritu bimë e gjuhës dhe e fjalës

ti që vjen nga gjiri tragjik i jetës

ji shpërthim i flakëve të shpirtit

je lavdi e popullit të përgjakur

(Antologjia e zemrës)

Rrustem Geci, duket se ka lindur me poezinë, për poezinë, me fjalët që “fluturojnë” lart e ulët dhe janë prore në një sferë të preokupimeve të mendjes s tij. Ato fjalë që duhet prore të jenë të gatshme për t’i kapur  dhe për t’i  bërë zap mendimet në kohën e reflektimeve, fjalë që bëjnë roje për ta kapur motivin, që është bërë me një kuantet dhe janë kudo të pranishme, të lëvizshme e reflektuese. Janë fjalët fillim e mbarim, Kosovë, Shqipëri, liri, pavarësisht se bota ecën me të veten, në trajektoret e saj, qoftë edhe në zjarrmi e theqafje, sepse koha për asnjë çast nuk ndalon…

Digjet e piqet kjo botë n´zjarrmi

Kosovës kudo ngulmon gjak i ri

arti i çlirimit nuk njeh kufij

në të gjitha kohërat ka emrin liri!..

(Antologjia e zemrës)

Jeta nuk do të kishte kuptim pa tokën, pa atë pjesë të tokës që quhet atdhe, mëmëdhe. As atdheu nuk do t’i kishte hiret e veta pa lirinë, pa më të shtrenjtën e njeriut. Andaj toka dhe liria janë njësuar në botën e poetit, ato janë si mishi e thoi dhe nuk bëjnë dot njëra pa tjetrën…

Imja është kjo tokë 
foli liria, vetëtima e saj 
unë jam e juaja, sa të më 
mbroni, dhe të më mbani
 
( Çka tha liria? )

Poezia e Rrustem Gecit kryesisht është poezi lirike me nota të theksuara atdhetare, është poezi e angazhuar në kuptimin realist dhe motivues të fjalës, sepse ajo i drejtohet njeriut, brengave e shqetësimeve të tij, i drejtohet atdheut, trojeve të lira, por edhe atyre  ende të robëruara, i drejtohet Shqipërisë. Si e tillë krijimtaria e këtij poeti nuk mund të jetë ndryshe pos poezi e angazhuar me të gjitha tiparet pozitive, me tërë koloritin kombëtar, nganjëherë edhe me mesazhet  që nxjerrin kokë  larg në kohët e historisë, që nxjerrin zëra lirie nga Pirroja, Teuta, Skënderbeu e deri te legjendari, Adem Jashari.  Në totalitetin e saj, kjo poezi e begatë në sasi e cilësi, i referohet sinkronisë dhe diakronisë shqiptare, të kaluarës e të tanishmes, kohës dhe hapësirës, sepse nuk ndahet dot e sotmja nga e djeshmja, nga e cila rrjedh dhe në varganin e të cilës degëzohet e lidhet në tërësinë e saj.

Poeti, në tërë krijimtarinë e tij i ka kushtuar kujdes të duhur gjuhës, sepse poezia e tij buron  prej kësaj gjuhe “hyjnore” , me të cilën shprehet më së miri bota jonë, preokupimet e shqetësimet tona, gëzimet e hiret tona, vuajtjet e mjerimet, por edhe fitoret e ngadhënjimet. Për dallim nga disa poetë që pretendojnë të jenë super të moderuar, futuristë e arrivistë, Rrustem Geci ndihet fare mirë duke qenë pjesë e traditës, e vargut të rimuar, por edhe të lirë, pjesë e fjalës që thyen gurin, pjesë e trashëgimisë bashkëkohore poetike, pjesë e një tërësie të  kthjelltësisë së kështjellës poetike shqiptare. Në rrugën e tij të gjatë, i preokupuar prore me poezinë, fjalën e lirë,  lirinë, atdheun, me mallin e Roganës e të Dardanisë, të Kosovës,  të Çamërisë, të tërë Shqipërisë, poeti ka krijuar stilin e tij të shprehjes poetike mjaft origjinal, si në formë ashtu edhe në brendi. Karakteristikë e kësaj poezie është stilistika e pasur, fjalët e kursyera, fjalëformimi poetik, gjuha e begatë, natyra e çiltër pa depresion e pesimizëm.

Bedri Tahiri, Vështrim i shkurtër për librin e Atdhe Gecit, Shqipëria është më e madhe se Shqipëria“. Një titull mjaft sugjestiv e me një simbolikë të veçantë. Këtë gjetje të bukur e bëri veprimtari i palodhur i çështjes kombëtare e krijuesi i pashtershëm Atdhe Geci për librin e tij më të ri, ku me fakte argumentohet se vërtet Shqipëria është më e madhe se Shqipëria. E po kështu duhet të veprojmë, jo me fjalë e retorikë boshe, por me vepra e dokumente, që na mundësojnë të rikthehemi aty ku ishim shekuj më parë, në kufijtë e Shqipërisë së vërtetë, Shqipërisë Reale.

Thuhet koha shëron plagët! Po plagët tona janë të shumta. Në krye të tyre qëndron plaga e quajtur ÇAMËRI! E vjetër sa vetë njerëzimi! Shërimi i saj paqëson shpirtrat tanë për jetë e mot! Kështu thonë ata që e njohin problemin në rrënjë e që gjëllijnë brenda faqeve të këtij libri monumental, kësaj kryevepre antologjike që i bën jehonë një zërit të arsyes, për të kaluar nga fjalët në vepra. 

Pra, ta jetësojmë Republikën e Çamërisë, sepse ajo është shumë e vjetër, me rrënjë hyjnore! Këtë e ka shpjeguar mjaft qartë mendjendrituri ynë, Sami Frashëri, kur qysh në vitin 1889, mu në zemër të Stambollit, në librin “Gjeografia e Çamërisë” shkruante: Republika e Çamërisë (e Epirit), njihej që në lashtësinë e hershme Republikë. Epiri i Çamërisë qysh në shekullin VI-të para epokës së re e fitoi kuptimin politik, Republikë.
 

Thesprotianët e vjetër i përkasin thjesht popullit pellazg. Ata ishin të një gjaku dhe kishin të njëjtën gjuhë me popullin e Kaonisë dhe të Mollosisë. Për shumë kohë Republika e Çamërisë ( Epirit ) u qeveris nga krerët e tyre dhe pastaj për një periudhë u qeveris në formën e republikës.

Epiri atë kohë banohej nga shumë fise, ndër të cilët kryesorë ishin thesprotët, kaonët dhe molosët. Me gjithë disa veçori të jetës kulturore e politike, këto popullsi ishin etnikisht të një trungu me pellazgo-ilirët”. Libri, Shqipëria është më madhe se Shqipëria i shkrimtarit, Atdhe Geci, është një prurje re për shkencën dhe letërsinë. Libër i arrirë!…

Lektyrë mbi kujtesën kombëtare…

( Pak fjalë për Çamërinë e Atdheut )

Kam lexuar libra. Të ndryshëm. Nga biblioteka ime dhe të huazuar. Libra të sertë. Të bukur. Të zjarrtë me flakë shprese. E poaq të brishtë. Pastaj delikat si nektar në petale lulesh. Dhe proliks plot dhimbje e trishtim. Fundja, si vetë ngjyrat e jetës. E pra, libra letërsie. Romane, poezi. Mandej publicistikë. Filozofi. Shkrimtari nga fushëdija diplomatike e ndërkombëtare. Dhe histori gjithmonë. Ka ndodhur t’mos më pëlqejë ndonjë tyresh. Veçse jam ngulmëtar dhe librit i shkoi prorë deri në fund. Ndaj dhe nuk i kujtoj të gjithë. Ata që s’i kujtoj apo jo me qejf, janë libra që, si thotë Borgesi, autori nuk e kishte shkruar për mua. Ndërkaq ata që i kujtoj, i kujtoj përherë. Ndonjë fragment e mbaj fanar prehës apo dritë ndër valë të turbullisë. Dhe kështu, një nga librat që kujtoj paprerë është dhe Sundimtari i Machiavellit. E, në prolog të tij, sidomos fjalët drejtuar Princit: Lartmadhëri, i shkruan autori Niccolo, ju do keni rastin të mësoni në pak ditë atë që unë mësova tërë jetën…

Teksa evokoja këtë dedikim, thashë: ja edhe lexuesi i këtij libri do ketë rastin të mësojë në pak ditë atë që autori, poet e shkrimtar, Atdhe Geci mësoi një dhjetëvjetësh mbi Çamërinë:mbi këngën dhe vajin esaj!

Rexhep Kasumaj, Berlin

Prof. Belgizare Kryeziu, Poeti kombëtar Atdhe Geci, u lind me 06. 01. 1950 në Roganë të Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Gjimnazin në Gjilan dhe Dardanë. Atdhe Geci u kulturua në Universitetin e Prishtinës për ekonomi. Poeti dhe publicisti Atdhe Geci 15 vjet punoi gazetar, bashkëpunëtorë dhe redaktorë në disa redaksi të Televezionit të Prishtinës. Në Televizion, Geci  i takonte grupit atdhetar për Çlirimin e Kosovës. Pas desantit ushtarak të Ushtrisë serbe në vitin 1990 mbi Televizionin e Prishtinës, Atdhe Geci në vitin 1995 mërgohet në Dortmund të Gjermanisë ku edhe tani jeton dhe krijon. Veprimtaria letraro-artistike e patriotike e Atdhe Gecit është e gjerë. Kolana e 12 librave të tij është mbi 5 mijë faqe tekst poetik dhe studimor. Libri „Kanuni poetik“ I dhe II, ka një sipërfaqe poetike prej 2 mijë poezish. Ky libër monument në letërsinë tonë bart me vete kohën e tij dhe të Atdheut të tij.

Atdhe Geci është shpallës i Republikës së Çamërisë me 30 tetor 2016, autor i „Himnit të Çamërisë“, bashkëautor dhe botues i „Kushtetutës të Republikës së Çamërisë“, autor i librit, „Dora e e Atdheut“, „Trokitje çame“, „Çamëria, kthim në histori, mision“ dhe „Shqipëria është më e madhe se Shqipëria“dhe 10 libra të tjerë.

Poeti ynë kombëtar ,Atdhe Geci, është poet me veçanti të veçanta krijuese. Bota e ti poetike është me plotë kallinj ylberesh. Natyra letrare e poetit Atdhe Geci, nuk ishte e rrafshët. Epoka në të cilën jeton dhe krijon poeti dhe publicisti Atdhe Geci, e tërë është me zemërime, revolta dhe me kërcënime luftërash. Natyra letrare e Atdhe Gecit ku poeti i merr frymëzimet vazhdon të jetë dramatike. Këtë jetëshkrim të shkurtuar për Atdhe Gecin po e mbylli me tekstin e shpalljes së Pavërsisë së Çamërisë:

Ne, përfaqësuesit e popullit shqiptar çamë dhe arvanitë, të trevave shqiptare të aneksuara nga Greqia, pasi analizuam gjendjen në të cilën ndodhemi mbi një shekull, të përndjekur nga vendi ynë, përkatësisht të asimiluar dhe të diskriminuar në aspektin human, gjuhësor, kulturor, e politik, vendosëm që të mblidhemi në Kuvendin Gjithëpërfshirës Çam dhe Arvanit, me qëllim të organizimit të institucioneve, parlamentit, qeverisë dhe ministrive përkatëse, për udhëheqjen e procesit politik dhe ushtarak, për realizimin e Pavarësisë së Çamërisë, dhe krijimin e Shtetit të Çamërisë. Të nderuar delegatë të Kuvendit Gjithpërfshirës Çam dhe Arvanit,  me propozimin e juaj, kryetar i Kuvendit të Republikës së Çamërisë zgjidhet, z. Ahmet Xhani. Urime z. Ahmet Xhani!

 si dhe, me një poezi të librit „Kanuni poetik“ I dhe II ; / Gjak u bënë vargjet / derisa erdhën tek ju / për të dhënë mesazhin / e një mesdite të bukur /.

Përgatitjen për botim, Atdhe Geci / Prof. Belgizare Kryeziu

Shperndaje ne
Updated: 13 Janar, 2023 — 20:22

The Author

Atdhe Geci

Rrustem Geci është një poet i njohur. Ai u lind në Roganë të Dardanës. Mësimet e para i bëri në vendlindje, kurse shkollën e mesme e kreu në Gjilan dhe Dardanë. Rrusta u kulturua më tej në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik. Rrustem Geci 15 vjet ishte gazetar, në Radio Televizionin e Prishtinës. Ndërsa pas mbylljes së RTP-së nga regjimi fashistoid serbian ai mërgon në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton e vepron. Deri më tash ka shkruar dhe botuar 17 vepra; 1. “Demonstratat e luleve”, 2. “Antolologjia personale" 3. “Jeta në Letër”, 4. ”Mielli dhe uji”, 5. “Lirikë”, 6. “Dridhjet e barit”, 7. “Atdheu”, 8. ”Erdhëna”, 9. “Arbëreshët”, 10. “Shqipëria”, 11. “Trojet e mia” , 12. “Rogana”, 13. “Heroika”, 14. “Gacat e prushit”, 15. “Atdhetarët”, 16. “Pasha këtë tokë”, 17. “Kanuni poetik”, libri më i vëllimshëm në gjuhën shqipe me poezi, 2 mijë faqe, dhe mbi 23 mijë vargje. Motivet në poezinë e Gecit janë motive të zemrës dhe të shpirtit. Shndërrimi i jetës së jetuar në tekst poetik, është natyrshmëria e të qenit poet. Poezia përfiton shumë nga e bukura, nga dashuria. Rrustem Geci është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prej vitit 1995, dhe është i përfaqësuar në gjashtë Antologji me poezi, dhe në një Antologji për gazetari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.