Zemrat shqiptare te pastrohen nga mllefet, zemëratat, kapadaillëku, smira, meskiniteti, partitizmi e bajraktarizmi,…

akuza_dyluftim01Është i njohur qëndrimi i Faik Konicës kundër vrasjes dhe krimit më të rëndomtë që bën viktima me dorë të lehtë në shoqëri, familje, rrugë, politikë, madje edhe në fe. Duke ndëshkuar rreptë, me urrejtje e përbuzje tipin historik kapadai, që nuk e ka për gjë të ushtrojë mizori, dhe duke ngritur zërin e tij të revoltës kundër barbarëve e tiranëve, kundër instinktit kafshëror të vrasjes, Konica, më se një herë ka folur për domosdoshmërinë e stërvitjes mendore, morale dhe sociale të popullit.  

Me forcën e fjalës që e karakterizon. ai citon Biblën dhe urdhrin e pestë të Dekalogut që thotë: “Mos vrit!”, tek bën dallimin e madh midis një populli të qytetëruar dhe një populli me mentalitet të prapambetur. Sigurisht, sqaron ai, vrasje dhe njëqind të liga ka kudo dhe do ketë, por qëndrimi shoqëror ndaj krimit dhe kriminelit përbën pikërisht atë dallim të madh mes tyre, kur vihen dhe duhet të vihen në veprim, në emër të Jetës, ligji, gjykatat, ndëshkimi i merituar për të mposhtur krimin dhe kriminelin.

Në stërvitjen mendore e shoqërore të njeriut shqiptar për përparim, ai ka parasysh formimin e një karakteri të shëndoshë, ngritjen e nivelit edukativ dhe lartësimin e vlerave të çmuara që kurrë nuk na kanë munguar si komb. Meraku i tij ishte si e si të zbutej e të spastrohej zemra shqiptare nga mllefet, zemëratat, kapadaillëku, smira, meskiniteti, partitizmi e bajraktarizmi, pa lënë mënjanë shpifjet, dëshmitë e rreme, pusitë dhe vrasjet, që kanë qenë, thotë ai, “buka e përditshme” e shqiptarit të prapambetur. “Populli duhet të kuptojë sa e shenjtë është Jeta” – thërret Konica, tek i vjen keq atij vetë të shtypë edhe një mizë kur ecën udhës. Dhe lëshon këmbanën e alarmit: “Krimi është fat tragjik”, “vrasja është kafshërore”, asgjë nuk e përligj. Meriton veç ndëshkim. Ja një mësim i madh konician për Jetën dhe në emër të Jetës./ Monet Maneshi

Duel-shqiptarësh_se_kush_do_ndahet_nga_kjo_jetë01Kronikë për Sabri bej Pojanin dhe gruan e tij

Dokumente në shërbim të Historisë së Shpirtit shqiptar –

Albania  10, 28 shkurt 1898

Nga Faik Konica

Gati dhjetë vjet më parë (“gati” është term i goditur kur flitet për Shqipërinë, ku askush nuk është merakosur ndonjëherë të shënojë datën, qoftë edhe me përafërsi, të një ngjarje të çfarëdoshme), Madhëria e Tij Sulltani dërgoi në Shqipëri njëfarë Mehmed pasha, me origjinë nga Kalkandeleni (Tetova), të cilin e ngarkoi me detyrë të përforconte në vend autoritetin e qeverisë. Mehmed pasha kishte liri të plotë për sa i përket mjeteve për të vepruar dhe mbante lidhje të drejtpërdrejtë me Yildiz Kiosk-un (sarajet e sulltanit). Për të kuptuar kronikën, duhet ditur se Mehmed pasha rridhte nga një familje e thjeshtë, e varfër, dhe se shqiptarët honxhobonxho janë të llahtarshëm për mizori e kapadaillëk.

I ra pra qark Shqipërisë, duke mbjellë kudo tmerr e llahtarë; në mes të natës hynte nëpër konakë dhe bënte bastisje; fshikullonte kalimtarët kur i shihte të ecnin disi serbes; ua shkulte nga koka festen, po qe se i kishin xhufkat të gjata. Në Monastir sidomos, qytet i qetë, ku nuk ndodhin gjëra të rënda, ai mundi të zhvillojë pa kurrfarë pengese fantazitë e përfytyrimit të tij; në mbrëmje maskohej, dhe i shoqëruar nga disa besnikë shkonte kafeneve; kë shihte disi të gjallëruar nga alkooli, i vërviste një karrige mbi kokë, si fillim; pastaj i përcillte të kalonin disa muaj në hapsanë, për t’u dalë rakia. Në Shqipërinë e Veriut nuk ndihej dhe aq i lumtur. Skutarinët e kishin paralajmëruar të zgjidhte o një vdekje të sigurt, o pasandaj t’ia mbathte me vrap, nga sytë këmbët, dhe kjo zgjidhje e fundit iu duk më e pëlqyeshme.

akuza_dyluftim01Për më tepër që, në Jug, Mehmed pasha e kompensoi shpejt çka kish humbur në Veri. Fisnikëria e Shqipërisë jugore, që nuk di se ç’janë emblemat, mori nga ky heraldist i papritur stema të lavdishme në formën e goditjeve të ashpra me dajak kurrizit. Paraprirë nga fama që kish fituar, Mehmed pasha bëri hyrjen e vet gjithë krekosje në Korçë: tërë bejlerët, të vendosur për të provuar fisnikërinë e tyre, u veshën me rrobe të trasha për të zbutur goditjet mbi kurriz.

Po prapë, një bejlurçinë, Sabri bej Pojani, tashmë i shquar për ndoca aventura, shfaqi ndjenja të kundërta me ato të bejlerëve të qytetit. Jetonte në atë kohë në çifligun e vet jo larg Korçës, së bashku me të

shoqen, mahnitëse për nga bukuria që kish. Mehmed pasha vete e i çon urdhër të paraqitej tek ai, sepse Sabri bej Pojani nuk kishte paguar kurrë taksa për qeverinë. Atëherë, ai i ktheu përgjigje se s’kish ndonë punë për të vajtur në Korçë dhe, po qe se bëhej fjalë për taksat, autoritetet le të vinin në shitje pronat e tij. Në të njëjtën kohë, bej Pojani u largua nga çifligu me disa trima dhe “mori malet”, për të përdorur këtu një shprehje shqipe, pasi hapi gjithandej fjalë se kush guxonte të blinte qoftë edhe një ngastër nga tokat e veta, do ta paguante me kokën e tij. Mehmed pasha, i tërbuar, iu vu në ndjekje. Një luftë e gjatë nisi gërxheve, që përfundoi me shkurajimin e Mehmedit; u rikthye në Korçë, i dërrmuar, dhe u largua përfundimisht që andej, por jo pa lënë në vend dy spiunë.

Sabri bej Pojani vazhdonte të jetonte maleve. Varej mëndonjëherë në fshatin Rakicka tek një i njohuri i tij, të cilin e kishte martuar me një nga shërbëtoret e veta. Spiunët e Mehmed pashës, ditën të armatosin krahun e këtij miku të pabesë, i cili u vërvit mbi Sabri beun dhe shokët e tij një ditë kur këta kishin pirë dhe i vrau me sëpatë; kokat e tyre u dërguan në Korçë, ku u lanë të ekspozuara gjithë ditën në kopshtin e prefekturës. *

vrasje_ne_emer_te_kanunit01Ndërsa Sabri bej Pojani, pas përgjigjes krenare që i dha Mehmed pashës, ishte pra i detyruar të “merrte malet”, gruaja e tij u kap dhe u çua robinë në Korçë nga dy xhandarë me kuaj. Kishte një foshnje gjashtëmuajshe që e mbante në gji, por çapet e çrregullt të kalit, për shkak të udhës gjithë gurë e kthesa, e bënin foshnjën të qante. Një nga xhandarët, që ishte ndezur nga epshi për të parë cicën e një prej grave më të bukura të vendit, këmbëngulte në mënyrë të pacipë që ajo t’i jepte gji foshnjës. Ajo e shkreta iu lut ta linte të qetë në hallet e veta… Xhandari atëherë e kërcënoi rreptë; udha e ngushtë dhe gjarpërushe po zgjatohej si fill i bardhë dantelle mbi shpatin e përhimë të malit dhe, paralel me shtegun, shfaqej një përrua i thellë… Hanko Sabri bej Pojani veç kur mbërtheu foshnjen, atë qenie të vogël që ajo e adhuronte me shpirt, dhe me një dorë të fuqishme, e vërviti në humnerë.

* Që nga ajo kohë, Rakitcka quhet në krejt zonën “Fshati i pabesë” dhe një proverb qarkullon në tërë gojët: “Po të gjesh Rakickar, prei kokën!”

(Shënim i Faik Konicës në origjinal).

Përktheu nga frëngjishtja M. Maneshi

Dërgoi: Adriana Paloka

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.